GJON ËSHTË EMRI I TIJ.

Categories HomeliPosted on

LINDJA E SHËN GJON PAGËZUESIT – 24 Qershor

Mesha e ditës
Is 49, 1-6; Ps 139, 138; Vap 13, 22-26; Lk 1, 57-66. 80

«Elizabeta, kushërira jote, në pleqërinë e saj, pret t’i lindë djalë… Është në të gjashtin muaj», i kishte thënë Kryengjëlli Gabriel Virgjërës Mari dhe, më vonë, Kisha do të bazohej pikërisht në këto fjalë për ta kremtuar lindjen e Shën Gjon Pagëzuesit gjashtë muaj para lindjes së Krishtit. Kjo praktikë është e dëshmuar që nga koha e Shën Augustinit, në shekullin V, dhe ashtu do të vazhdohej gjithnjë në Kishë.

Por, nderimi i të krishterëve ndaj Shën Gjon Pagëzuesit, i ka fi­llesat e veta shumë më herët. Madje, ndër të krishterët e parë, së bashku me nderimin e thellë ndaj tij, pasonte edhe shqetësimi real se shumë njerëz mund ta merrnin Shën Gjonin për Mesinë e premtuar e jo Jezusin. Kjo e shpjegon arsyen pse të gjithë ungjijtë e fillojnë tregimin e tyre me figurën e Gjonit dhe menjëherë “shpejtojnë” të përmendin aty fjalët e Gjonit: «Unë nuk jam Mesia» apo, duke iu drej­­­tuar Jezusit: «Ja, Qengji i Hyjit» dhe «Ai duhet të rritet e unë të zvogëlohem». Prandaj Shën Pali interesohet të jetë sa më i qartë me dë­gjuesit e tij, siç dëgjuam sot në leximin e dytë: «Gjoni thoshte: “Unë nuk jam ai që ju mendoni se jam. Por, ja, pas meje po vjen ai të cilin unë nuk jam i denjë t’ia zgjidh sandalet e këmbëve». Edhe apostujt e tjerë, në predikimet e tyre, gjithnjë përmendnin kohën «pas pagëzimit që predikoi Gjoni.» (Vap 10, 37), për t’i ndihmuar njerëzit që të orientoheshin për të kuptuar kohën kur Jezusi e kishte filluar veprimtarinë e Tij. Edhe Shën Palin, në fjalët që dëgjuam në leximin e dytë, thotë: «Para ardhjes së Jezusit, Gjoni i predikoi mbarë popullit të Izraelit pagëzimin e kthimit».

Me sa duket, fama e Gjonit i paraprinte kudo famës së Jezusit, kaq i fortë kishte qenë ndikimi i tij në shoqërinë e asaj kohe në Izrael. Madje edhe në shekullin e tretë, dëshmitë arkeologjike thonë se kishte bashkësi të vogla të cilat ende besonin se Gjoni ishte Mesia.

Në shekullin IV, me fundin e përndjekjes së të krishterëve nga Roma, së bashku me Ungjillin, do të përhapej edhe më fuqishëm shprehja publike e devocionit ndaj Shën Gjon Pagëzuesit, duke i kushtuar atij Kisha e Bazilika. E kjo aq më tepër kur në Ungjill është vetë Jezusi Ai që thotë për këtë djalosh që rrezatonte aq shumë shenj­tëri: «Ndër ata që u lindën prej grash, nuk u ngrit asnjë më i madh se Gjon Pagëzuesi». Në mesjetë, pastaj, gara për të gjetur relike shenj­tërish dhe për t’i sjellë ato në Europë, i vuri shumë ushtarë të kryqëzatave në kërkim të kafkës së Shën Gjonit dhe të trupit të tij. Patjetër se, së bashku me reliket e shumta që u pohua se u gjetën, ata sollën me vete edhe shumë dyshime mbi vërtetësinë e tyre, por kjo “nevojë” për t’iu përgjigjur devocionit të të krishterëve ndaj Shën Gjon Pagëzuesit, dëshmonte pikërisht lidhjen e madhe shpirtërore që Kisha kishte gjithnjë e më shumë me këtë shenjt, i fundmi ndër profetët e Besëlidhjes së Vjetër. Shembulli i tij dhe forca e ndërmjetësisë së tij para Zotit, vazhdonin përsëri t’i joshnin turmat.

Shën Gjoni është i vetmi shenjt të cilit Kisha, së bashku me Zojën e Bekuar, i kremton jo vetëm ditën e lindjes së tyre në Qiell, por edhe atë të lindjes së tyre në këtë botë. Në ikonografinë e krishterë e sidomos në atë bizantine, Shën Gjon Pagëzuesi nuk mund të mungojë kurrë në një kishë. Plus kësaj, emri Gjon dhe emra të tjerë që vijnë prej tij, janë ndër më të përhapurit në Kishë.

Por, gjithë këtë nderim, e thamë, ky djalosh i cili qe martirizuar rreth tridhjetë vjeç, e kishte fituar qysh sa ishte ende në këtë botë. Hyji i kishte kërkuar Gjonit një mision aspak të lehtë për t’u kuptuar e aq më pak të lehtë për t’u çuar përpara: që të dëshmonte praninë e Mesisë në mesin e popullit të Izraelit jo vetëm me fjalë, por edhe me jetë.

Shën Gjoni nuk duhet ta ketë pasur të lehtë ta njihte si Mesi Jezusin, me të cilin Ungjilli na dëshmon se kishte lidhje faresisnore. Si mund ta kishte të lehtë të dallonte Mesinë e premtuar në atë kushëri të vetin që gjithnjë kishte qëndruar në heshtje, duke jetuar me mjeshtrinë e zdrukthëtarit dhe që, me shumë gjasa, për një farë kohe mund të ketë qenë edhe ai ndër ata që shkonin ta dëgjonin Gjonin në predikimet e tij? Në fakt, shumë biblistë, në fjalët e Gjonit «pas meje po vjen një që është më i fortë se unë», shohin një gjurmë pikërisht të kësaj mundësie.

Aq më tepër nuk ishte e lehtë për t’u kuptuar Biri i Hyjit kur, më parë, në Besëlidhjen e Vjetër, asnjë profet nuk kishte thënë haptas se Mesia do të ishte i një natyre me Hyjin. Madje nuk flitej ende nga askush as për Trininë e Shenjtë. Mos ndoshta, në heshtje, këtu Gjonin, përveç dhuratës së veçantë të profecisë që kishte, mund ta ketë ndihmuar fuqishëm edhe ndonjë bisedë me Marinë, Nënën e Jezusit dhe kushërirën e tij, si e vetmja që e dinte prejardhjen e mbinatyrshme të këtij fëmije? Nuk e dimë këtë, edhe pse nuk kemi asnjë arsye që ta përjashtojmë si mundësi, aq më tepër kur e dimë se thi­rrja e Marisë është pikërisht që t’i ndihmojë njerëzit t’i afrohen misterit të Birit të saj.

Për ta dëshmuar Jezusin me jetë, pastaj, Gjonit iu desh që t’i përngjante Atij edhe në martirizim: duke qenë se Jezusi është «e Vertëta» (Gjn, 14, 6), Gjonit iu desh të ndeshej me martirizimin pikërisht për shkak të së vërtetës. Kur Herodi ia shkurtoi kokën Gjonit, e bëri vetëm ngaqë ky ia thoshte haptas se nuk po jetonte në përkim me Ligjin e Zotit. Si hebre që ishte, edhe mbreti e kishte për detyrë t’i përmbahej Ligjit të Moisiut, që e ndalonte martesën me gruan e vë­llait, ndërsa vëllai ishte ende gjallë. Por, të kundërshtosh të më­dhenj­të e kësaj bote kur këta vendosin të jetojnë në shthurje dhe kundër ligjeve të Zotit e kundër ndërgjegjes së tyre, do të thotë t’i bësh llogaritë me vdekjen, sepse pikërisht vdekjen ata dijnë të mbje­llin kur duan ta imponojnë të keqen që kanë përqafuar në jetë. Gjoni, duke e vazhduar qortimin e tij dhe duke përballuar martirizimin, dëshmoi jo vetëm që besonte se Krishti është «e Vërteta» që ka ardhur në botë, por dëshmoi edhe se Ai është edhe «Jeta», që nuk mbaron me vdekjen fizike.

Qe pastaj kjo vrasje e urryeshme e Herodit që e bëri Gjonin edhe më të dashur nga turmat, të cilat tashmë, gjithsesi, e nderonin pa masë, sepse prej gjithkah në Izrael shkonin ta takonin e të pagëzoheshin prej tij në shenjë kthimi. Ky gjest i Gjonit, pagëzimi për faljen e mëkateve, i kishte dhënë atij edhe titullin «Pagëzuesi». Me këtë ritual të thjeshtë, Gjoni po e shtynte popullin e Izraelit drejt një bashkimi edhe më të fortë me Zotin, sepse nuk do të ishte e mundur të kuptohej ndryshe prania e mistershme e Krishtit në mesin e tyre.

Pra, me jetën dhe vdekjen e tij, Gjoni pranoi të bëhej për Izraelin çka Isaia profet e thoshte në leximin e parë: «Zoti më trajtoi që nga kraharori i nënës sime shërbëtor për vete, për t’ia kthyer Jakobin Atij, për ta mbledhur rreth tij Izraelin. U bëra i lavdishëm ndër sytë e Zotit, Hyji im u bë fuqia ime». Sa të vërteta, pastaj, dalin këto fjalë për Shën Gjonin kur dimë nga Ungjilli edhe se ai «kërceu nga hareja» (Lk 1, 41) në kraharorin e nënës së vet, kur kjo dëgjoi zërin e Marisë, e cila tashmë kishte në kraharorin e saj Jezusin. Gjoni kërceu nga hareja kur pranë tij erdhi Shëlbuesi, edhe pse ende as logjika e as pothuajse shumica e shqisave njerëzore nuk ishin formuar në atë embrion. Kërceu nga shtysa e Shpirtit Shenjt dhe gjithë jetën do të ndikohej nga ky Shpirt për të njohur Shëlbuesin, për ta shpallur Atë ndër turma dhe për ta dëshmuar në martirizim. E, gjithë këtë, Gjoni do ta bënte përballë një bote të zhytur në mëkate, në mënyrë që ta shtynte atë fuqishëm që t’i hapej mëshirës së pakufi të Hyjit, e cila po zbulohej në Birin e Tij, Jezu Krishtin.

Kjo qe edhe arsyeja përse emri i tij duhej të ishte Gjon, që do të thotë “Hyji është i mëshirshëm”, apo, “Hyji tregoi mëshirë”. Ungjilli i sotëm na flet për gjithë debatin që u bë se cilin emër duhej t’i vinin fëmijës kur e çuan për ta rrethprerë. Kur Elizabeta, e ëma, kërkoi që ta quanin Gjon, emër që ka mundësi se u vihej fëmijëve kur ata vinin pas shumë e shumë vitesh pritjeje plot ankth, të gjithë i kundërshtuan asaj, derisa u desh ndërhyrja vendimtare e Zakarisë, të atit, i cili, i paaftë të fliste, shkroi «Gjon është emri i tij», duke iu bindur kështu fjalës që i kishte thënë Kryengjëlli Gabriel kur i kishte paralajmëruar lindjen e këtij fëmije. Në provaninë Tij, Hyji dëshironte që edhe me emrin e vet ky njeri ta tregonte se Hyji po e tregonte mëshirën e Tij të pamasë ndaj njerëzimit të zhytur në mëkate. E, pikërisht në ato çaste, Zakaria filloi të fliste sërish, aftësi të cilën e kishte humbur për shkak të dyshimit që pati kur mori lajmin nga Kryengjëlli dhe, në mëshirën e Tij, Hyji, duke e bërë të pagojë për pak kohë, donte ta siguronte qysh atëherë se profecia do të vërtetohej patjetër. Kur në botë lindi ai që do të bëhej «zëri që bërtet në shkretí» (Is 40, 3) për të përgatitur udhën e Mesisë, edhe Zakarisë do t’i kthehej zëri.

Kemi thënë shumë gjëra për Shën Gjonin në këto rreshta. E pra Gjoni, me emrin dhe me jetën e vet, synonte vetëm një gjë: ta dëshmonte mëshirën e pakufi të Hyjit dhe të nxiste që njerëzit t’i hapeshin asaj. Gjoni nuk mendonte për famë e lavdi në këtë botë, por vetëm donte që bota të zhytej në mëshirën e Hyjit. Megjithatë, siç e thamë më sipër, as fama e lavdia nuk i munguan në këtë botë. Kjo sepse bota, sado që bën si e fortë dhe mbjell urrejtje dhe vdekje, kur vjen puna, e kupton se gjërat do të mund të kishin shkuar ndryshe në historinë njerëzore sikur njerëzit t’i ishin hapur mëshirës dhe dashurisë. E thotë apo nuk e thotë, bota gjithsesi i jep të drejtë Gjonit, që dëshmoi dhe shpalli se duhet t’i hapemi mëshirës së pakufi të Hyjit, që na është zbuluar në Birin e Tij, Jezu Krishtin, i cili vdiq dhe u ngjall për ne.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *