KU ËSHTË FOSHNJA E LINDUR? – Homeli nga Dom Dritan Ndoci

Categories HomeliPosted on

DËFTIMI I ZOTIT

Is 60, 1-6; Ps 72 (71); Ef 3, 2-3. 5-6; Mt 2, 1-12

«Ku është foshnja e lindur, që do të bëhet mbreti i judenjve?» – pyesin dijetarët kur hyjnë në Jerusalem dhe kjo pyetje e tyre shkaktoi një zinxhir reagimesh e turbullirash në mbarë qytetin. E pra, këtë pyetje ata e bënin pa të keq. Thjesht bazoheshin në disa të dhëna që studimet e tyre astrologjike u kishin furnizuar. Tani donin thjesht të ndihmoheshin nga vendasit, nëse ata mund të dinin ndonjë gjë më shumë rreth kësaj lindjeje kaq të veçantë, lindje e cila kishte vënë në lëvizje edhe një yll në qiell: «E pamë yllin e tij duke lindur dhe erdhëm t’i shprehim nderimet tona», kishin saktësuar ata.

Madje edhe ky saktësim ngjalli edhe më shumë turbullim tek dëgjuesit. Të dhëna jashtë Biblës tregojnë se, aso kohe, në vende të ndryshme të botës, deri edhe në Romë, kishte poetë e falltarë që ndikoheshin nga disa ëndrra që u flisnin për një ndryshim epokal. Çfarë po ndodhte, pra, në Jerusalem, përderisa pikërisht për aty ishte drejtuar deri edhe një yll?

Kjo e sotmja quhet e kremtja e Dëftimit të Zotit, në kuptimin që Jezusi ua dëftoi mbarë kombeve Hyjninë e Tij. Në liturgjinë e Kishës në këtë ditë përkujtohen edhe disa episode të tjera të jetës së Jezusit e jo vetëm vizita e këtyre Dijetarë që vijnë nga lindja për të takuar Jezusin Foshnje. Përkujtohet edhe Pagëzimi i Jezusit në lumin Jordan, ku Ati dëshmoi, në Shpirtin Shenjt, se Jezusi është Biri i Tij. Prej kësaj vjen tradita që sot të bekohet uji, në përkujtim të ujërave që u shenjtëruan nga Jezusi kur Ai u zhyt në lumin Jordan. Gjithashtu përkujtohet edhe shndërrimi i ujit në verë që Jezusi bën gjatë dasmës në Kanë, mrekulli me të cilën Jezusi «e dëftoi lavdinë e vet dhe nxënësit e tij besuan në të». Janë disa episode, pra, të cilat Kisha i ka bashkuar në një ditë të vetme për të treguar këtë të vërtetë të madhe: Jezusi ka ardhur për të gjithë popujt e botës.

Me kalimin e shekujve, pastaj, ritet e ndryshme liturgjike janë ripërtërirë dhe, me qëllim që të kundrohen më nga afër këta episode të rëndësishme të jetës së Jezusit, Kisha i ka theksuar ata me të kremte e festa të posaçme. Pagëzimin e Jezusit do ta kremtojmë në mënyrë më të veçantë të dielën që vjen, ndërsa mrekullinë e shndërrimit të ujit në verë do ta kundrojmë përsëri në të dielat në vazhdim më nga afër. Prandaj, pra, në liturgjinë latine, përgjithësisht sot i është dhënë më shumë hapësirë vizitës së këtyre dijetarë nga lindja.

Jemi mësuar t’i mendojmë të vetëm këta tre dijetarë, duke u nisur nga fakti se tri ishin dhuratat që ata i lanë Jezusit, por është e vështirë që të ishin vetëm tre: zakonisht njerëz të tillë nuk lëviznin vetëm, por me karvane, për të përballuar kështu vështirësitë e udhëtimeve. E kjo s’ka përse ta përjashtojë faktin që këta tre karvanë të ndryshme të kenë lënë secili nga një dhuratë. Por le t’i kthehemi pjesës ungjillore, sepse ka disa detaje të cilat vërtetë të bëjnë të mendosh.

Në rrallë të parë të bën të mendosh ai rreshti që thotë: «Mbreti Herod, posa i dëgjoi këto fjalë, u shqetësua vetë e me të edhe mbarë Jerusalemi». Shqetësimi i Herodit hyn ndër ato shqetësimet e zakonshme që kanë Mbretërit kur dëgjojnë se dikush po ua kërcënon fronin. Dëshmitë historike flasin për Herodin si për një Mbret vërtetë shumë të aftë, i cili i solli shumë begati e paqe vendit të vet gjatë tridhjetë viteve që sundoi, aq sa thuhet se, si ai, nuk do të arrinte ta bënte askush tjetër për një kohë shumë të gjatë pas tij. Por burimet historike flasin edhe për një anë tjetër të këtij njeriu, i cili, kur kishte zbuluar komplotin që po i bënin dy bijtë e tij për ta rrëzuar nga froni, i kishte vrarë që të dy. Prandaj «u shqetësua» kur dëgjoi se një tjetër komplot mund të ishte duke shpërthyer. «U shqetësua edhe mbarë Jerusalemi», sepse shpërthimi i ndonjë komploti gjithnjë merrte me vete edhe shumë viktima të pafajshme. Ka njerëz që janë vërtetë të aftë ta kuptojnë se si mbahen fijet e ngatërruara të drejtimit të popujve, por që nuk dinë aspak ta shohin kohën kur Hyji i fton që t’i hapen veprimit të Tij.

Pastaj të bën të mendosh fakti se «kryepriftërinjtë e skribët e popullit» e dinin se çfarë thoshin Shkrimet e Shenjta të profetëve në lidhje me Mesinë, por që nuk kishin bërë asgjë për ta hetuar kohën kur këto profeci mund të ishin duke u realizuar. Përkundrazi Dijetarët ishin vënë në lëvizje me sinjalet e para që kishin vënë re në qiell, edhe pse këta sinjale ishin shumë të përgjithshme. Kjo na tregon se nuk mjafton ta njohim Shkrimin e Shenjt, por duhet edhe të vihemi në lëvizje për ta kërkuar Zotin me jetën tonë. Përndryshe kushedi sa herë Zoti na kalon pranë dhe ne do të vazhdojmë të mbetemi në indiferencën tonë.

Herodi i fiksuar pas fronit dhe kryepriftërinjtë e skribët dembelë, nuk do të arrijnë kurrë ta takojnë Jezusin. Madje Herodi bëri edhe plane për të vrarë Atë. Për këtë arsye edhe i porosit Dijetarët: «Shkoni dhe bëni me kujdes kërkime rreth fëmijës. Kur ta gjeni, më lajmëroni që edhe vetë të vij e t’i shpreh nderimet e mia». U desh ndërhyja e Zotit që Dijetarët t’i mësonte në ëndërr se si t’i shmangeshin këtij kurthi të tij kaq dinak

Nuk mjafton, pra, të jemi dinakë e të zgjuar e nuk mjafton as që t’i njohim mirë Shkrimet e Shenjta, por na duhet hapja e zemrës për ta takuar Jezusin. E pikërisht këtë cilësi të fundit e kishin Dijetarët. Ungjilli thotë një shprehje vërtetë prekëse kur përshkruan reagimin e tyre në çastin kur ylli «zuri vend aty ku ishte fëmija». Thotë Ungjilli: «Ata, kur panë yllin, u bënë shend e verë». Një gëzim i papërshkrueshëm ua përshkon shpirtin këtyre njerëz të çiltër kur kuptojnë se e gjetën atë që po kërkonin. Ky Fëmijë Hyjnor, të cilin ata po takonin ato ditë, më vonë do t’i thoshte botës: «Kërkoni e do të gjeni». Këta Dijetarë kërkuan e prandaj edhe gjetën.

Edhe dy leximet e tjera të sotme flasin për takimin që të gjithë popujt mund të bëjnë me Zotin. Leximi i parë madje duket sikur përshkruan deri edhe detajet e vizitës se këtyre Dijetarë kur thotë: «Mori gamilesh do të mbulojnë, gamile njëgungëshe nga Madiani e Efa. Të gjithë do të vijnë nga Saba, ar e kem do të sjellin e do t’i këndojnë lavde Zotit». E, në fakt, Ungjilli tregon se dhuratat që Dijetarët i lanë Jezusit Foshnje ishin pikërisht ar, kem e mirrnë. Ari tregonte se Ai është Mbret, kemi tregonte se është Hyj dhe mirrna paralajmëronte Mundimet dhe Vdekjen e Tij. Do të mbretëronte shumë ndryshme ky Mbret.

Në leximin e dytë është Shën Pali ai që thotë se «paganët, në Jezu Krishtin, janë bashkëpjesëtarë të të njëjtit trashëgim, bashkëgjymtyrë të të njëjtit trup». Kisha e Krishtit do të quhej e Gjithëmbarshme, Katolike, pikërisht ngaqë të gjithë popujt do të mund të merrnin pjesë në bashkimin me Krishtin Zot.

Hyjin, pra, në Jezu Krishtin, mund ta takojnë të gjithë popujt. Por e gjejnë vetëm ata që e kërkojnë me zemër të thjeshtë. Libri i fjalëve të Urta shkruan: «Hyji u kundërshton krenarëve, kurse të përvujtëve u jep hirin» (3, 34). Duhet të ketë qenë shumë e dashur për të krishterët e parë ky rresht i Besëlidhjes së Vjetër, përderisa si Shën Pjetri ashtu edhe Shën Jakobi e citojnë në letrat e veta. Prandaj, nëse me përvujtëri popujt e kërkojnë të vërtetën, paqen, dashurinë dhe bashkimin, të shndritur nga Shpirti Shenjt, ata tashmë janë vënë në kërkim të Jezusit. Patjetër që një ditë edhe do ta takojnë Atë. Por nëse do të jenë krenarë, nuk do të mund ta takojnë kurrë.

«Ku është Foshnja që do të bëhet mbreti i judenjve?», kishin pyetur pa të keq Dijetarët, duke dëshmuar se ishin vënë në kërkim të së Vërtetës. Pyetja e tyre e pamë se zgjoi reagime të ndryshme, reagime të cilat po tregonin orientimin e zemrës së secilit. Po ne si a jemi në kërkim të së Vërtetës? Si reagojmë ne kur jemi të ftuar të vihemi në kërkim të Jezusit? A e kemi apo jo çiltërsinë e zemrës dhe hapjen ndaj të vërtetës, ndaj paqes, ndaj bashkimit dhe ndaj dashurisë? Është me shumë rëndësi përgjigja që i japim kësaj pyetjeje, sepse pikërisht aty luhet takimi apo largimi ynë me Krishtin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *