TË GJITHA BREZNITË DO TË MË QUAJNË TË LUMTUR.

Categories HomeliPosted on

NGRITJA E ZOJËS SË BEKUAR NË QIELL – 15 Gusht

Mesha e ditës : Zb 11, 19; 12, 1-6.10; Ps 45 (44); 1 Kor 15, 20-26; Lk 1, 39-56

Duke komentuar fjalët e Isaisë profet që thotë «Të lavdishëm do ta bëj vendin ku i vë këmbët» (60, 13), Shën Antoni i Padovës kështu shkruante në Predikimet e tija: «Vendi ku Zoti i vuri këmbët e tij, qe Virgjëra e Bekuar, nga e cila Ai mori natyrën njerëzore. Ky vend qe lavdëruar nga Zoti kur e lartësoi Marinë përmbi koret engjëllore. Nga kjo është e qartë se Virgjëra qe marrë në qiell edhe me trup, në atë trup i cili qe vendi ku Zoti i vuri këmbët e veta. Për këtë mister e kishte fjalën psalmisti kur këndonte: “Ngrihu, o Zot, eja në vendin e pushimit tënd, ti dhe arka e Pushtetit tënd!” (Ps 132, 8). Zoti është ngjallur kur u ngjit në të djathtën e Atit; është ngjallur edhe Arka (Maria), në të cilën Ai ka pushuar, atëherë kur Nëna e Virgjër që marrë në banesën qiellore».

Këto fjalë në lidhje me Ngritjen e Zojës në Qiell, Shenjti i mreku­llive i shkruante në shekullin XIII, por një e vërtetë e tillë feje kishte kohë që ishte e rrënjosur në ndjeshmërinë e krishterë, duke filluar sidomos që nga shekulli IV. E, me gjithë këtë, dogma e fesë që shpalli përfundimisht besimin e Kishës se Maria, Nëna e Jezusit, është Ngritur në Qiell me trup e me shpirt, u shpall vetëm në vitin 1950. Atë ditë të parë të nëntorit, në të kremten e të gjithë Shenjtërve, Papa Piu XII shpalli solemnisht: «Pasi kemi lartësuar kah Zoti lutje të vazhdueshme dhe pasi kemi kërkuar prej së Larti dritën e Shpirtit të së Vërtetës, për lavdinë e Hyjit të gjithëpushtetshem, i cili i ka treguar Virgjërës Mari dashamirësinë e tij të veçantë, në nder të Birit të tij, Mbret i pavdekshëm ndër shekuj dhe fitues mbi mëkatin e mbi vdekjen, për më të madhen lavdi të Nënës së Tij të lume dhe për gëzimin dhe harenë e mbarë Kishës, me autoritetin e Zotit tonë Jezu Krishtit, të shenjtërve apostuj Pjetër e Pal dhe tonën, shpallim, deklarojmë dhe përcaktojmë përfundimisht se është dogmë e zbuluar nga Hyji se: Nëna e Papërlyer e Hyjit, Maria, gjithmonë Virgjër, pasi e ka përfunduar ecjen e saj në këtë jetë tokësore, qe marrë në lavdinë e qiellit me trup e me shpirt».

Papa, në formulimin e dogmës, me dashje nuk e saktëson nëse Maria ka fjetur në një gjumë të thellë para se të merrej në qiell, apo ka vdekur si të gjithë të tjerët. Kjo është një çështje që nuk përbën objektin e dogmës, por i lihet historianëve dhe traditave të ndryshme kishtare që ta zbardhin. Dogma dëshiron të theksojë atë që është më krysorja: faktin se, në lumturinë e Parrizit, nuk gjendet vetëm trupi njerëzor i Jezu Krishtit, Birit të Hyjit, por, falë meritave të Krishtit, edhe trupi i Nënës së Tij, Virgjërës Mari.

Por gabojmë nëse mendojmë se kështu Papa po imponohej prej së larti mbi popullin e krishterë. Dogmat e fesë gjithnjë kanë lindur duke shprehur atë përshpirtëri e teologji që me kohë valonte në popullin e Zotit. Papa, falë autoriteti që Krishti i ka dhënë Pjetrit dhe pasardhësve të tij që t’i «forcojë vëllezërit» e tij (Lk 22, 32), vetëm sa e vulos gjithë këtë ndjeshmëri feje.

E, siç thamë, Kisha me kohë e besonte se Virgjëra Mari ishte e marrë në qiell me trup e me shpirt. Tradita flet për disa legjenda që i kanë fillesat e tyre qysh me apostujt, legjenda të cilat patjetër duhet t’u lihen historianëve për t’i dokumentuar nëse janë të vërteta apo jo, por që, ndërkaq, dëshmojnë se sa shumë diskutohej gjithnjë në Kishë një fakt i tillë. Madje, në kohën kur Shën Antoni i shkruante rreshtat që cituam më sipër, të mendohej se Maria nuk ishte e ngritur në Qiell edhe me trup, mbahej gati si një herezi dhe shkandull. Megjithatë, me sa duket, kohët nuk ishin pjekur ende që Papa të ndërhynte me autoritetin e tij.

Kur Zoja e Bekuar iu shfaq për herën e parë tre barinjve të vegjël në Fatima, u tha ëmbëlsisht: «Mos kini frikë! Nuk do t’ju bëj keq!». Luçia, më e madhja, e pyeti: «Prej nga jeni?». «Jam nga qielli.», i ishte përgjigjur Maria, ndërsa qëndronte mbi një re të vogël sipër një shkurreje dhe lëshonte aq shumë dritë rreth vetes, saqë i mbështolli në të edhe fëmijët e vegjël. E pastaj, aty vazhdoi një dialog tejet i ëmbël e i mistershëm mes Marisë dhe fëmijëve të lumturuar e frikësuar njëkohësisht. Ato fjalët «Jam nga qielli», miratonin tërë bindjen e Kishës se Maria është tashmë në Qiell, në Parajsë, trup e shpirt. E është interesante të vëmë re se këto të dukura, që ndodhën në vitin 1917 dhe shumë të dukura të tjera që Zoja ka bërë në vende të ndryshme të botës, kanë ndodhur të gjitha ose të paktën ato më të bujshmet (Fatima, Lurdë e Guadalupe), në mijëvejçarin e dytë. Madje brenda këtij mijëvjeçari janë shpallur nga Papët edhe dy dogmat e rëndësishme mariane, ajo e të Zënit të Pamëkat të Marisë (1854) dhe kjo e Ngritjes së saj në Qiell (1950). Duket sikur Hyji, në Provaninë e Tij, ka dashur që ta caktojë Marinë si udhëheqësen më të mirë të të krishterëve kah bashkimi me Trininë Shenjte. «Po, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur.», kishte parandjerë Maria qysh në këtë botë, siç dëgjuam në Ungjill, por një parandjenjë e brumosur me dëlirësinë e përvujtërinë që i jepte të Zënët e saj të Pamëkat.

Duhet të bëjmë shumë kujdes, sepse Maria nuk është Hyjnore. Ajo është vetëm njeri. Ishin vetëm meritat e Vdekjes dhe të Ngjalljes së Jezusit ato që ia mundësuan asaj tërë lavdinë që tashmë ajo e gëzon. Patjetër që edhe nga Maria, sikurse nga të gjithë ne, Hyji priste lirinë e përgjigjes së bashkëpunimint në planin e tij të shëlbimint. Atë liri Hyji nuk ia ka hequr as kur e ruajti atë nga mëkati i rrjedhshëm. Hyji e ka privilegjuar me hire, por mund të themi edhe se ka dashur të përshpejtojë në Marinë gjithçka që kishte premtuar se do të ndodhë me të gjithë ata që i afrohen Birit të Tij. Ngjallja edhe me trup është një e vërtetë e gjithmonshme e Kishës. Shën Pali e shpjegon shumë qartë në leximin e dytë: «Vëllezër, Krishti u ngjall prej të vdekurve. Ai është fryti i parë i të vdekurve… Nëpër Krishtin të gjithë njerëzit do ta rifitojnë jetën». Ngjallja në fundin e kohëve është e vërtetë e fesë që duhet besuar. E, ngjallja e trupit, për lavdi apo për bjerrje të përjetshme, nuk është as jashtë logjikës, sepse ne jemi njerëz e jo engjëj, pra jemi të përbërë jo vetëm nga shpirti, por edhe nga trupi. Të mirat apo të këqijat ne nuk i bëjmë vetëm me shpirt, por edhe me trup. Prandaj si shpërblimi, ashtu edhe dënimi i pasosur, i takon jo vetëm shpirtit, por edhe trupit. Duke ngjallur Marinë, Hyji njëkohësisht i ka dhuruar asaj lavdinë që Krishti ua ka fituar të gjithë atyre që i bashkohen Atij, por edhe e ka bërë atë model e garanci, pas Krishtit, se të gjithë do të ngjallemi në lavdi, nëse bashkohemi me Krishtin në këtë jetë.

Bindja se Maria është model për Kishën, ka qenë gjithnjë thellësisht e rrënjosur në Kishë. Në leximin e parë Shën Gjoni apostull flet për një vegim: «Në qiell u duk një shenjë e madhërueshme: një Grua, e veshur me diell, me hënë nën këmbë, në krye kurorën me dymbëdhjetë yje». Këta rreshta kanë frymëzuar gjithnjë artin e krishterë kur ka dashur ta paraqesë Marinë në piktura e skultpura të ndryshme. Megjithatë, aty Shën Gjoni po përshkruante Kishën, e cila është e veshur me diellin e shenjtërisë së përçuar nga Krishti i Ngjallur dhe që themelohet mbi dëshminë e dymbëdhjetë apostujve. Por Kisha nuk gabon as kur i mendon këta rreshta për Marinë, sepse ajo është parë gjithnjë si personifikimi më i mirë i Kishës. Shën Gjoni, pastaj, vazhdon me përshkrimin e tij, duke folur për shtatëzaninë e kësaj gruaje, fëmijën e së cilës dragoi donte ta vriste: «Shtatzënë, bërtiste në mundet, në dhimbjet e lindjes… Dragoi zuri vend para Gruas që, posa ta lindte fëmijën, t’ia hante». Megjithatë Hiri Hyjnor e mbrojti si Fëmijën që u mor menjëherë në qiell, ashtu edhe Gruan, e cila «iku në shkreti, ku Hyji ia përgatiti një vend». Kisha, në dhimbjet e saj për ta çuar Krishtin në botë, është e sigurt për fitoren e saj, falë fuqisë së Hirit Hyjnor. Djalli, sado që bën si i gjithëpushtetshëm në këtë botë të trazuar, nuk ka kurrfarë pushteti mbi Krishtin e as mbi ata që i afrohen Krishtit. Në Krishtin i është shembur froni: «Atëherë dëgjova një zë të madh në qiell që thoshte: “Ja, tani koha e shëlbimit, e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë dhe e sundimit të Krishtit të tij! Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë». Djalli bën rolin e «paditësit» sa herë që njerëzit dështojnë në përpjekjen e tyre për t’u bashkuar me Zotin dhe mezi ç’pret që të dalë para Hyjit e t’i vërtetojë se është më i fortë se Ai. Por, në Krishtin, «u hodh poshtë» kjo padi, sepse Krishti, Hyj dhe Njeri, hyri në lavdinë e ngjalljes, pasi kaloi nëpër mundimin e vdekjes. Kështu, edhe Kisha e ka sigurinë se, falë meritave të Shëlbuesit të saj, ajo e «hedhë poshtë këtë paditës» gënjeshtar. E Kisha këtë fitore të atyre që i afrohen Krishtit e sheh krejtësisht të arritur e të kurorëzuar në Marinë.

Prandaj Maria ka të drejtë që e lëvdon Zotin me aq hare të shpirtit: «Shpirti im e madhëron Zotin, shpirti im me hare i brohoret Hyjit, Shëlbuesit tim, sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë». Fjala «e përvujtë», në origjinalik grek këtu është «e mjerë». Tani e kuptojmë se Maria e dinte mirë se gjithçka që kishte, ishte vepër e bujarisë dhe e dashurisë së pakufi të Hyjit. Kështu, ajo e mëson Kishën që të jetë gjithnjë mirënjohëse ndaj Hyjit dhe e hapur pa frikë ndaj planeve të Tija të mistershme, sepse ato janë gjithnjë plane dashurie dhe shëlbimi.

E, Zoja, ajo që pati këtu në tokë thirrjen e pashoqe që t’i dhuronte Hyjit natyrën e saj njerëzore në mënyrë që Ai të mund të bëhej njeri, edhe tani, «nga qielli», me trup e me shpirt, vazhdon në mënyrë të pashoqe që ta rrisë, me shembullin dhe me ndërmjetësinë e saj të fuqishme, deri në plotësi, Kishën, Trupin Mistik të Birit të saj. Ndërmjetësinë e Marisë, Kisha e ndjen gjithnjë pranë, ndërkohë që nxitet nga shembulli i saj që, si ajo, ta dojë Krishtin dhe njerëzit me dashuri gjithnjë e më të pastër. Shën Antoni i Padovës thoshte: «Kulmi i përsosmërisë së Virgjërës Mari ishte dashuria, falë së cilës ajo është ngritur në vendin më të lavdishëm dhe është veshur me lavdinë më të shkëlqyer, që nuk ka as fillim e as mbarim».

Shenjtes Bernardetë Subiru, së cilës Zoja iu shfaq në Lurdë të Francës, në vitin 1858, Zoja i pati thënë: «Unë nuk të premtoj se do të të bëj të lumtur në këtë botë, por në tjetrën». E Shenjtja Bernardetë i besoi. Ndoshta për të na ndihmuar që ta besojmë edhe ne këtë të vërtetë, Hyji bëri që trupi i Shenjtes Bernardetë të mbetej i pakalbur. Edhe kjo mrekulli është edhe shenjë e fitores përfundimtare që e pret trupin e atyre që jetojnë dhe vdesin me Krishtin.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *