VRESHTARËT MOSMIRËNJOHËS E VRASTARË.

Categories HomeliPosted on

E DIELA XXVII GJATË VITIT A

Is 5, 1-7; Ps 80 (79); Fil 4, 6-9; Mt 21, 33-43

Shëmbëlltyra e treguar nga Jezusi sot në Ungjill, nuk u drejtohet të gjithë njerëzve të të gjitha kohëve. Megjithatë, nga ana tjetër, të gjithëve na mëson diçka me shumë rëndësi.

Jezusi e tregon këtë shëmbëlltyrë në lidhje me ata dëgjues të vet që po thurnin plane vrastare kundrejt Tij. Kështu ua nxjerr të pah të keqen që e ndrynin përbrenda. Jo më kot pjesa ungjillore sot fillon me fjalët: «Jezusi u tha kryepriftërinjve, kryetarëve dhe pleqve të popullit».

Shëmbëlltyra, në fakt, flet pikërisht për disa vreshtarë të cilëve Zotëria i tyre u besoi vreshtin. Ua kishte besuar atë vresht të çmuar dhe kishte rënë dakord me ta që fitesën ta ndanin për gjysmë kur do të vinte koha e vjeljes. Por vreshtarët, kur Zotëria u dërgoi shërbëtorët e vet që t’i jepnin «frytin që i takonte», duke u hyrë shpirti i pangopësisë, deshën të ndalnin për vete gjithçka. Prandaj jo vetëm që i nisën duar bosh shërbëtorët, por disa prej tyre i rrahën e madje edhe i vranë. E kuptojmë se ku dëshiron të dalë kjo histori: Zotëria përfaqëson Zotin, vreshti përfaqëson popullin e Izraelit («Vreshtin nga Egjipti e nxore», thotë psalmi i sotëm), vreshtarët përfaqësojnë kryetarët e popullit, shërbëtorët simbolizojnë profetët e të drejtët që kanë kaluar në Izrael, kurse i biri i zotërisë simbolizon Jezusin, Birin e Atit, i cili po u qëndronte përballë.

Me këtë shëmbëlltyrë, praktikisht, Jezusi po ua përplaste në fytyrë sjelljen e tyre të padenjë përballë trashëgimisë fetare që u është besuar. Në vend që t’i jenë mirënjohës Hyjit për gjithçka kanë e ta drejtojnë popullin me ndjenjë përgjegjësie përballë Tij, kanë kaluar në një shikim tejet tokësor të pozitës së tyre. Do të thonim sot: janë përzier tepër me shpirtin e botës. Nuk arsyetojnë më për­ballë Hyjit në ndërgjegjet e tyre, por përballë vetvetes: nga ndjenja e mirënjohjes dhe e përgjegjësisë, kanë kaluar në atë të “pushtimit” të vreshtit të Hyjit. Për këtë arsye profetët e të drejtët që kanë ardhur ndër shekuj për t’ua kujtuar se duhej që Hyjit t’i kthehej «fryti që i takonte», kanë vuajtur dhe kanë qenë vrarë prej tyre. I njëjti fat tani po sajohej nga ata edhe kundrejt Birit.

Hyji nuk do të arrinte ta mblidhte plotësisht frytin që dëshironte. Në leximin e parë na tregohet se çfarë fryti Hyji priste nga Izraeli: «Priste t’i bënte rrush, por ai bëri vetëm larushk». E në fund e shpjegon: «Prita të ushtrojnë virtytet, kur qe, vetëm paudhësi; drejtësinë prita, ja ofshamat». Mungesa e mirënjohjes për pozitën që kanë drejtuesit e popullit të Izraelit, si edhe mungësa e ndjenjës së përgjegjesisë nga ana e tyre, kanë sjellë dëme tepër të mëdha në historinë e shëlbimit. Edhe pse Hyji vazhdimisht është përpjekur t’i “arnojë” shqyerjet e shkaktuara nga zemërngurtësia e tyre, gjithsesi disa dëme kishin mbetur të pariparueshme. Prandaj përgjegjësia e tyre para Zotit ishte tejet e lartë.

E, në fakt, drejtuesit shpirtërorë kanë mbi vete këtë lavdi e këtë barrë: lavdia përbëhet nga pozita që Hyji u ka besuar, por pikërisht kjo është edhe barra të cilën, po nuk dijtën ta mbartin me dashuri, do t’u humbasë shëlbimin atyre dhe shumë të tjerëve.

Në jetën e Shën Gjon Maria Vianeit, famullitarit të famshëm të Arsit në Francë, tregohen shumë episode në të cilat ai përpiqej t’i shmangej përgjegjësisë së të pasurit një famulli. Jo se nuk e donte misionin e tij (lutej ditë e natë për famullinë e tij, aq sa edhe djalli shpesh vinte ta shpërqendronte), jo se nuk i përkushtohej shërbe­save (rrëfente deri në 15 orë në ditë) e as se nuk ishte i përshpirt­shëm (kur kremtonte meshën e kur lutej, njërëzit i prekte pa masë mënyra se si i bënte), por ajo që e shqetësonte në shpirt, ishte ndjenja e përgjegjësisë që ndiente para Zotit për shpirtrat që i ishin besuar. Një natë thuhet se e ndaluan disa besimtarë të famullisë së tij në rrugë, ndërsa ai po përpiqej të largohej nga famullia. Detyra e famullitarit e frikësonte për përgjegjësinë që ndjente se ka para Zotit. Por besimtarët, mes lotëve, iu lutën që të mos i braktiste e qe vetëm dashuria e pamasë që kishte ndaj tyre ajo që e motivoi të ndryshonte mendim e të përkushtohej edhe më shumë për ta në të ardhmen.

Pra, vetëdija se një ditë Zoti do t’i kërkonte rëndë llogari për një gjë të tillë, ishte shumë e qartë në këtë meshtar, i cili është shpallur pajtori i të gjithë meshtarëve e famullitarëve në Kishë.

Kështu ishte dashur të arsyetonin edhe këta kryepriftërinj, kryetarë e pleq të popullit, të cilëve Jezusi ua drejtoi këtë shëmbëll­tyrë. Por ndjenja e mirënjohjes dhe e përgjegjësisë tek ata tashmë ishte zhdukur fare dhe i kishte lënë vendin intrigave politike, me qëllim sundimin e popullatës. Kushdo që i ftonte të ktheheshin pak tek “shpirtërorja”, për ta ishte njeri i rrezikshëm që duhej zhdukur.

Prandaj Jezusi ua tregoi fundin që i priste: «Prandaj po ju them: juve do t’ju hiqet dore Mbretëria e Hyjit e do t’i jepet një populli që i prodhon frytet e saj».

«Një populli tjetër»: Nëse ata do t’i ishin hapur fjalës së Jezusit, do të kishin pasur mundësinë të bashkoheshin në misionin e Jezusit në të mirën e vreshtit të Zotit, që tashmë nuk do të ishte vetëm Izraeli, por e gjithë bota. Por ata nuk u gjetën të denjë, prandaj Ai ua hoqi dore drejtimin e vreshtit. Vreshtin do ta drejtonin ata që, për botën e për këta kryetarë, do të mbaheshin si të fundmit.

Po çfarë na mëson të gjithëve ne e tërë kjo histori? A ka lidhje me ne kjo sjellje kaq e parregullt e këtyre drejtues mosmirënjohës? Po, besoj se ka, sepse të gjithë ne, në një formë apo në një tjetër, kemi nga një “vresht” të cilin Hyji na e ka besuar. Një kryefamiljar, përshembull, duhet të jetë gjithnjë plot me ndjenjën e mirënjohjes e të përgjegjësisë për “vreshtin” që Zoti i ka vënë në duar. Nuk duhet të mendojë se është pronë e tij, por e Dikujt tjetër e, në edukimin e fëmijëve, duhet ta ketë mirë parasysh këtë të vërtetë.

Ka kryefamiljarë të shumtë që janë plot me falënderim e me ndjenjë përgjegjësie e këta janë “vreshtarët” që Hyji dëshiron. Këta jo thjesht lejojnë, por edhe e mundësojnë që familja e tyre të rritet duke kërkuar Hyjin dhe vullnetin e Tij.

Shpesh harrojmë t’i themi Hyjit “faleminderit”, ndërkohë që “faleminderit” ka qenë fjala që më së pari prindërit tanë janë për­pjekur të na e mësojnë. Kemi kaq shumë arsye për ta mbushur zemrën me falënderime ndaj Zotit e ndaj të tjerëve sa që, shpesh, nuk ia kemi idenë. Po ta mendosh, jemi krijesa që, për nga vetë natyra, shkëputemi shumë vonë nga varësia ndaj prindërve. Nëse një qengji, përshembull, i nevojitet jo më shumë se dy orë që të fillojë të ngrihet në këmbët, ne njerëzve na duhet të paktën një vit. Kjo më e pakta: po të folurit, po ushqimi, po banesa, po edukimi, po arsimimi (e ky i fundit madje tani sa vjen e shtohet)? Kush na ka ndihmuar t’i kemi? S’e kemi idenë sa gabojmë kur mendojmë se i kemi fituar të gjitha “me forcat tona”. Ishte dashur ta brumosnim zemrën tonë me falënderime e me ndjenja përgjegjësie, por mjerisht nuk ndodh rrallë që të përfundojmë në arrogancë e në mendje­madhësi. E, kështu, nuk japim frytet që ishte dashur t’i jepnim në jetë e as nuk ua lehtësojmë dhënien e këtyre fryteve as të tjerëve që na janë besuar në jetë. Përfundojmë edhe ne të jemi “vreshtarë” mosmirënjohës e të papërgjegjshëm.

Patjetër këtu duhet të mësojnë shumë udhëheqësit shpirtërorë të Kishës. Bashkësitë që u janë bësuar, nuk janë pronë e tyre, por janë «popull i Zotit». Shën Augustini e shprehte shumë bukur “dri­dhjen” e shpirtit të tij si bari: «Nëse më mundon ajo çka jam për ju, më ngushëllon ajo çka jam me ju. Sepse për ju jam ipeshkëv, me ju jam i krishterë. I pari është emër rreziku, i dyti-shpëtimi». Kushtet e bëra, shugurimi, nuk të bëjnë shenjt. Është e vërtetë se Hyji jep edhe Hirin e gjendjes në të cilën je, por kjo nuk e përjashton betejën e përdit­shme me egoizmin, me ambicjet, me papërgjegjshmërinë dhe me krenarinë. Janë këto mbartja e përditshme e kryqit në ndjekje të Jezusit. Nuk ndodhë rrallë që të ndeshim të kushtuar e të shuguruar që nuk u vjen era as të krishterë. Ajo “dridhja” e shpirtit që kishte Shën Augustini dhe Shën Gjon Maria Vianei, do t’i ndihmonte fort që të mos kthehen edhe ata në pushtues të vreshtit që u është besuar.

E ja se si Shën Pali na e kujton shumë ëmbël të gjithëve në leximin e dytë se çfarë frytesh pret Hyji nga ne: «Vëllezër, mundohuni të keni për zemër gjithçka është e vërtetë, … e ndershme, e drejtë, e pastër, e shenjtë, e denjë për dashuri, e denjë për lavdi, gjithçka është virtyt» E na jep këtë garanci: «Dhe, Hyji që jep paqen, do të jetë me ju».

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *