U NGJALL, SIKURSE THA.

Categories HomeliPosted on

RINGJALLJA E ZOTIT – VIGJILJA

Zan 1, 1 – 2, 2; Ps 104 (103); Zan 22, 1-18; Ps 16 (15); Dal 14, 15 – 15, 1; Dal 15, 1-6. 17-18; Is 54, 5-14; Ps 30 (29); Is 55, 1-11; Is 12, 2-6; Bar 3, 9-15. 32 – 4, 4; Ps 19 (18); Ez 36, 16-28; Ps 42 (41); Rom 6, 3-11; Ps 118 (117); Mt 28, 1-10
 

Matta El Meskin, një murg i njohur egjiptian i Kishës Kopte, shkruante në shekullin e kaluar: «Një mik më pyeti një herë: “Të lutem që, në emër të miqësisë sonë, më thuaj ndonjë fjalë se kush është njeriu i ri”. Iu përgjigja: “Ngjallja.”». Në rininë e tij, Matta El Meskin e pati filluar jetën murgjërore duke pas hequr dorë nga shumë të mira materiale që zotëronte. Më vonë, kur tashmë ishte meshtar, falë shumë dhuntive intelektuale e shpirtërore që e karakterizonin, qe ftuar disa herë të merrte përsipër disa detyra të larta kishtare, të cilat ai vazhdimisht i refuzonte, duke dashur që t’i qëndronte kështu besnik një premtimi që i kishte dhënë Zotit se gjithnjë do t’i kushtohej lutjes, meditimit, pendesës dhe studimit. Por as në këtë pikë nuk qe lënë i qetë, sepse qe akuzuar deri edhe për herezi nga disa prelatë të Kishës Kopte, akuza të cilat buronin vetëm nga disa zili e keqkuptime, sepse, në fakt, shkrimet e tij janë çmuar gjithnjë të sakta e të rëndësishëm më vonë për teologjinë e Kishës Kopte, aq sa janë përkthyer në disa gjuhë të ndryshme. E mbylli jetën në vitin 2006, në moshë shumë të shtyrë, duke lënë pas shkrime e dëshmi jete shumë të vyera.

Në mes të shumë shembujve që mund të zgjidhnim në jetët e njerëzve të përshpirtshëm, përmendëm vetëm këtë murg të nderuar, për të thënë se, edhe ata që e ndjekin në shpirt Krishtin e vdekur e të ngjallur, jetojnë si të ngjallur, edhe pse në mesin e kryqeve të kësaj bote, deri sa një ditë të hyjnë krejtëisht në lavdinë e Ngjalljes së Krishtit Zot. Duke parë jetën e shumë shenjtërve, vëmë re se ka qenë pikërisht bindja se kishin pranë Jezusin e gjallë, i cili vazhmisht jo vetëm i mbante me Hirin e Tij dhe i nxite për vepra të ndryshme, por në disa raste edhe e shfaqte dukshëm këtë prani të veten me mrekulli e hire të veçanta. Nga kjo Prani e bekuar, pastaj, shenjtërit merrnin gjithnjë jetë, edhe në mesin e njëmijë kryqeve e vështirësive. Nga kjo prani, ishin në gjendje t’ia nisnin gjithnjë nga fillimi, kur ishte e nevojshme, të bindur se asgjë tjetër nuk ka forcë më shumë se Krishti i Ngjallur.

E, që t’ia nisin edhe një herë nga fillimi, Krishti i Ngjallur u kërkon edhe apostujve në Ungjillin që dëgjuam në këtë natë. Apostujve u kërkohet që të shkojnë nga Judeja në Galile, sepse atje do ta takonin Krishtin e Ngjallur. Madje pjesa ungjillore e përmend dy herë këtë detaj. Së pari, është engjëlli i Zotit ai që e vë në dukje atë. Grave, të trembura sa nuk ka pas gjithë asaj skene madhështore që panë kur engjëlli «rrokullisi gurin e varrit» të Jezusit, engjëlli u drejtohet për t’i qetësuar e porositur: «Ju mos u trembni! E di se kërkoni Jezusin e kryqëzuar. Ai nuk është këtu. U ngjall sikurse tha. Ejani e shikoni vendin ku qe vënë e pastaj nxitoni të shkoni e tregoni nxënësve të tij: u ngjall së vdekuri dhe, ja, po shkon para jush në Galile! Atje do ta shihni. Ja, ju tregova!»

Pastaj është vetë Jezusi që u del përpara këtyre gra që ishin larguar nga varri «me frikë e njëherësh me gëzim të madh» dhe i përshendet: «Ju falem!». Pastaj u thotë: «Mos kini frikë! Shkoni e lajmëroni vëllezërit e mi të shkojnë në Galile. Atje do të më shohin». Apostujt e kishin takuar Krishtin në fillimet e jetës së tij publike pikërisht në Galile: tani u duhej të shkonin sërish atje, që të mund ta takonin të Ngjallur, për të filluar kështu një epokë të re në jetën e tyre dhe në jetën e mbarë botës. Vetëm tani, pasi ishin përballuar me “shkandullin” e Kryqit dhe me Lavdinë e Ngjalljes së Tij, mund të fillonin një jetë vërtetë të re në bashkim me Birin e Hyjit të bërë njeri.

E nuk do të ishte fjalë “sa për t’u thënë” fakti se tani po fillonin një jetë të re. Për apostujt tani merrte jetë të re gjithçka. Ne sot mbase nuk arrijmë më që ta përfytyrojmë guximin e apostujve dhe të të krishterëve të parë që, urdhërimin «Të bjerë ndërmend ta shenjtërosh ditën e shtunë!» ta modifikonin atë dhe, si ditë shenjtërimi, të mbahej dita «pas së shtunës», dita kur ishte Ngjallur Jezu Krishti. Mbase nuk arrijmë ta përfytyrojmë lehtë as vështirësinë që të kenë as bindjen se tashmë, me Krishtin e Vdekur e të Ngjallur, duhej të kuptohej ndryshe e gjithë liturgjia madhështore që zhvillohej në Izrael deri në atë çast. I njëjti guxim i ka shoqëruar ata për të kuptuar në një dritë të re edhe Shkrimet e Shenjta, duke i parë ato si etapat e mrekullueshme të një përgatitjeje që Ati i amshuar, në Shpirtin Shenjt, po i bënte populllit të Izraelit për të kuptuar misterin e Vdekjes e Ngjalljes së Birit të Hyjit të bërë njeri.

I dëgjuam leximet liturgjike të kësaj nate. Janë të shumta dhe janë të gjitha të shkëputura nga disa etapa tejet kyçe të historisë së popullit të zgjedhur. Krijimi, Besëlidhja e Hyjit me Abrahamin, dalja e Izraelit nga skllavëria e Egjiptit, fjalët ngushëlluese e profetike të Isaisë, Barukut e Ezekielit, që i jepnin zemër popullit të munduar nga periudha e gjatë e mërgimit në Babiloni, psalmet e ndryshme që i thurnin lavde këtyre vepra madhështore të Hyjit të gjallë: të gjitha këto pjesë biblike e shumë të tjera, në sytë e apostujve dhe të krishterëve të parë, viheshin përballë një Drite të re që është Krishti i Ngjallur.

Nuk është për t’u çuditur, pra, të dijmë se, për parinë fetare të hebraizmit në atë kohë, të gjithë të krishterët përbënin një sekt shumë të rrezikshëm, i cili po e dëmtonte rëndë, sipas tyre, mësimin e shëndoshë fetar që u ishte trashëguar prej shekujsh. Prandaj, në vitin 95 pas Krishtit, u mbajt i ashtuquajturi Koncili i Jamnias nga paria fetare e hebraizmit dhe, ndër vendimet e tjera që ai koncil mori, dënoi edhe krishterimin me këto fjalë: «Për ata që e mohojnë fenë e vërtetë, mos pastë shpresë; le të hiqet përnjëherësh në ditët tona mbretëria e krenarisë dhe le të shuhen përnjëherësh nazaretasit dhe heretikët; le të hiqen nga libri i të gjallëve dhe të mos shkruhet emri i tyre me atë të gjallëve. I bekuar je ti, Jahve, që i përkul krenarët!». Prandaj Shën Justini, filozofi i krishterë që u martirizua rreth vitit 165, shkruante në një libër të tijin duke iu drejtuar një hebreu: «Ju, në sinagogat tuaja, i mallkoni ata që janë bërë të krishterë.».

Por ai dënim e shumë dënime të tjera që ndër shekuj i janë dhënë e vazhdojnë t’u jepen të krishterëve, vijnë nga ata që nuk e pranojnë Ngjalljen e Jezu Krishtit nga vdekja, ngjallje të cilën Papa Benedikti XVI e përkufizonte me fjalët «fakt i ri kozmik». E, edhe nga ana shkencore, përballë «një fakti të ri», duhet të dalim edhe në përfundime të reja.

Dhe ja, përfundimi në të cilin del natyrshëm Shën Pali, kur e vë jetën e vet përballë Krishtit të Vdekur e të Ngjallur: «Vëllezër, po a nuk e dini se të gjithë sa jemi pagëzuar në Jezu Krishtin, jemi pagëzuar në vdekjen e tij? Me anë të pagëzimit, pra, bashkë me Të jemi varrosur në vdekje që, sikurse Krishti u ngjall në lavdinë e Atit prej të vdekurve, po ashtu edhe ne të jetojmë jetën e re.».

«Edhe ne të jetojmë jetën e re.», thotë Shën Pali përballë «faktit të ri» të Ngjalljes së Krishtit. Të kishin një fillim të ri në jetën e tyre po u kërkonte Jezusi i Ngjallur apostujve të vet kur u çoi fjalë të shkonin në Galile për ta takuar. «Njeriu i ri është Ngjallja.», thoshte Matta El Meskin në ditët tona, duke i dhënë përgjigje atyre filozofive që, qysh me Niçen e më pas me komunizmin në veçanti, përpiqeshin të krijonin njeriun e ri.

Njeriu i ri është Krishti i Ngjallur: në Të, edhe ne përterihemi e rinohemi vazhdimisht, edhe pse në mes të kryqeve të kësaj bote të kufizuar. Një ditë, në Krishtin e Ngjallur edhe ne e bashkë me ne edhe mbarë gjithësia, do të përtërihet e do të rinohet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *