PËSE ISHIN MARROQE E PESË TË MENÇURA.

Categories HomeliPosted on

E DIELA XXXII GJATË VITIT A

Urt 6, 12-16; Ps 63 (64); 1 Sel 4, 13-18; Mt 25, 1-13

Njëri prej martirëve të periudhës komuniste në Shqipëri, i Lumi Imzot Vinçenc Prennushi, kur ende ishte Frat, disa vjet para se të shugurohej ipeshkëv, mes shumë poezive të bukura që krijoi, la të shkruar edhe një poezi në të cilën e përfytyronte veten duke i kundërshtuar me këmbëngulje djallit, i cili përpiqej ta shpërqëndronte nga feja. Ndër të tjera, poezia ka edhe këta rreshta: «Pse, o i mallkuem, ti don me m’hjekë / zemret mue kaq dhanti? / A s’e din se un di me dekë / për fe shejte, qi un ndryj n’gji? / Po, ma mirë shtatë pash nen dhè, / se me bjerrun shejten Fe. / …. Mos t’shof ma, pse shejten Fe, / s’ma zhgulë zemret gja mbi dhe!»

Si ipeshkëv, ai dhe të gjithë ipeshkvinjtë e Shqipërisë në ato vite, pranuan më parë tortura të tmerrshme dhe vdekjen, sesa ta ndanin Kishën në Shqipëri nga autoriteti i Selisë së Shenjtë. Qe vrarë «in odium fidei», «për urrejtje ndaj fesë», ndaj asaj feje për të cilën kishte shkruar: «Ma mirë shtatë pash nen dhe, se me bjerrun shejten Fe».

Në Ungjillin e sotëm, Jezusi ngul këmbë që të na mësojë se fenë duhet të dimë ta ruajmë. Për ta bërë këtë, Ai tregon përsëri një shëmbëlltyrë. Kësaj radhe merr një histori (ndoshta pjesërisht edhe të sajuar) që flet për një dasmë. Jezusi merrte si shembuj zakonet e kohës, që kështu dëgjuesit e Tij ta kuptonin më mirë. Kësaj radhe tregon historinë e dhjetë vajzave: «Pesë prej tyre ishin marroqe e pesë të mençura». «Të mençurat» Jezusi i quan të tilla sepse kishin marrë me vete jo vetëm dritëzat, por edhe vajin shtesë në një enë më vete, gjë të cilën ato «marroqet» nuk e kishin bërë. Dritëzat në atë kohë duhet të kenë shërbyer jo edhe aq për dekor, por duhet të kenë qenë të domosdoshme, meqë thuhet se dasma po bëhej natën. U takonte atyre dhjetë vajzave, pra, që të bënin dritë përreth dhëndrit atë natë. Ishte mungesë e theksuar përgjegjësie nëse nuk e mendonin mirë deri edhe detajin më të vogël. Të mos merrnin vaj shtesë në enë, mund të rezultonte pengesë reale për mbarëvajtjen e dasmës. E pesë prej tyre shkuan e bënë pikërisht këtë gabim.

E kuptojmë lehtë se «vaji» në këtë shëmbëlltyrë simbolizon «fenë». Këto pesë vajza simbolizojnë rastet kur lihet pas dore feja në Zotin dhe, si pasojë, ajo vjen e fiket pak nga pak. As në këtë shëmbëlltyre Jezusi nuk u drejtohet turmave, por «nxënësve të vet». Dëshiron t’i porosisë që të dinë ta ruajnë fenë. «Nuk mjafton të fillosh mirë, por të vazhdosh e ta mbyllësh mirë ecjen në fe», porosiste përvujtërisht Shën Piu nga Pitrelçina.

«Marroqet» u kërkuan vaj nga enët e tyre «të mençurave», por ato nuk mund të bënin gabimin që t’ua jepnin. Jo se ishin egoiste, por sepse ishin shumë realiste: duke bërë ashtu, vaji nuk do t’i mjaftonte pastaj asnjërës për të bërë dritë deri në fund të dasmës e, në atë rast, si do të mund të vazhdohej dasma?

Jezusi, duke thënë se, pasi u kthyen nga tregu me vajin e blerë dhe se dhëndri nuk ua hapi derën më, por iu përgjigj «nuk ju njoh», e ka fjalën për çastin kur secili prej nesh do të dalë para Tij në fund të jetës dhe, nëse nuk kemi pranuar të kthehemi kah Zoti sa ende ishim në kohë, nuk do të kemi më mundësi ta bëjmë një gjë të tillë kur ecja jonë tokësore do të këtë përfunduar. Prandaj, duhet ta ruajmë fenë sa nuk është vonë.

Feja mund të humbasë. Shpesh për fajin tonë. Përshembull, nëse nuk dimë të zgjedhim shoqërinë me të cilën rrijmë, patjetër se rreziku që ta lëmë mënjanë fenë tonë dhe vlerat që na mëson Jezusi, mund të jetë real. «Zgjidhe shokun më të mirë se veten!», thotë me të drejtë një proverb i yni. Ose, nëse qëndrojmë gjatë në vese të ndryshme e nuk përpiqemi të ndryshojmë, mund të mos e dëshirojmë më as ndryshimin. Nëse nuk i frekuentojmë rrëfimin dhe Eukaristinë sa më shpesh, mund ta humbasim edhe shijen e një frekuentimi të tillë. Ose, po nuk ditëm t’i përzgjedhim materialet që lexojmë, shohim apo dëgjojmë, patjetër se ekziston rreziku real që «dritëza» e fesë sonë të zbehet deri në pikën sa edhe mund të fiket krejt. Nëse nuk “i shtojmë vaj” përshpirtërisë sonë, pra, nëse nuk përkujdesemi për të, ajo rrezikon me të vërtet të fiket.

Sa larg jemi ne nga ata që e dhanë jetën vetëm për të mos i rënë mohit fesë në Zotin?! Në jetën e dy prej martirëve tanë, i Lumi Dom Lekë Sirdani dhe i Lumi Dom Pjetër Çuni, tregohet një fakt vërtet rrënqethës. Torturuesit komunistë sajuan për ta një torturë të pazakontë: pasi i kishin masakruar më parë me tortura, i zhytën deri në fyt në një gropë ujërash të zeza. Për të fundit herë u thanë që ta mohonin se ka Zot, nëse donin që t’u kursehej jeta. Me trimëri të pazakontë dhe për habinë e vetë komunistëve dhe të të burgosurve të tjerë që po e shikonin atë skenë të tmerrshme nga dritaret e burgut, dy meshtarët nuk pranuan ta mohonin fenë. Madje Dom Leka ua ktheu: «Ma mirë me dekë e me fluturue i lirë atje nalt, sesa i gjallë si tradhëtar këtu poshtë. Nuk mundem me e mohue Zotin, vllazen. Zoti ekziston, Zoti ekziston. Unë besoj». Xhelatët atëherë morën disa sfurqe dhe i zhytën krejtësisht në atë gropë llahtarie e ashtu dhanë shpirt ata meshtarë të pafajshëm. Sa lehtë e mohojmë ne fenë tonë në krahasim me këta shpirtra heroikë e të pastër! Sa larg Zotit jemi në krahasim me këta njerëz që patën një fe vërtet të gjallë!

Por duhet të dimë edhe diçka shumë të rëndësishme: nëse nga njëra anë, është e vërtetë se e kemi për detyrë ta ruajmë e ta ushqejmë fenë tonë në Krishtin, nga ana tjetër, është edhe vetë feja ajo që na mban e na ruan ne. E shpjegon këtë ide shumë bukur një përrallë që thotë se, kur Hyji krijoi të gjithë shpendët e botës, krijoi edhe pëllumbin. Por kishte harruar t’i vinte atij krahët. Pasi pë­llumbi shihte se të gjithë shpendët e tjerë fluturonin e ai jo, shkoi e u ankua te Zoti: «Po pse unë nuk kam krahë si të gjithë të tjerët?» «Të kërkoj falje, sepse paskam harruar», ia ktheu Zoti dhe shpejtoi t’ia krijonte dy krahët. Pas dy ditësh pëllumbi u kthye përsëri tek Zoti e përsëri iu ankua: «Krahët që më ke dhënë, janë shumë të vështirë për t’u mbartur mbi shpinë». Pëllumbi i shkretë në vend që t’i rrahte krahët për të fluturuar lart, kishte menduar se i duhej thjesht t’i mbante ata si peshë. «Oh jo, ­– ia ktheu Zoti, – e paske kuptuar gabim, pëllumb i dashur. Nuk je ti ai që duhet t’i mbashë krahët, por janë krahët ata që do të të mbajnë ty. Mjafton t’i përdorësh ata». Është feja ajo që na mban ne, më fort nga sa ne e mbajmë atë.

Të vërtetat e fesë e shndrisin mendjen dhe i japin jetës drejtimin që i nevojitet. Ato na e qetësojnë shpirtin kur duhet qetësuar dhe na e shqetësojnë atë kur jemi në gabime, për të na ndihmuar që të dalim prej tyre. «Urtia është ndritëse e kurrë nuk errësohet», thotë leximi i parë. Bëhet fjalë për njërën prej shtatë dhuratave të Shpirtit Shenjt të cilën e njohim me emrin Urtia. Është pikërisht kjo dhuratë ajo që na shndrit që t’i shohim gjërat në Zotin menjëherë, si edhe t’i lidhim pastaj të gjitha realitetet e jetës sonë me Zotin. Kështu, menjëherë, falë këtij Hiri të posaçëm të Shpirtit Shenjt, dimë çfarë duhet të bëjmë e çfarë jo. Mbase ky Hir shpesh vepron duke na kujtuar ndonjërin prej Dhjetë Urdhërimeve, apo duke na kujtuar ndonjë fjalë të Ungjillit. Shpesh na ndihmon të formulojmë edhe vetë ndonjë ide “origjinale” në lidhje me atë që duhet bërë apo jo. Kjo është Urtia që vjen prej Zotit dhe që, sipas Besëlidhjes së Vjetër, është gjëja më e çmueshme për njeriun: «Edhe vetëm ta dëshirosh atë (urtinë pra), është përsosje mençurie», thotë përsëri leximi i parë.

Të vërtetat e fesë, pastaj, na ndihmojnë të shohim më larg se shohin të gjithë filozofët e të dijshmit e botës t’i marrësh së bashku. Në leximin e dytë shohim se si Shën Pali, falë fesë, i fton Selanikasit që «të mos trishtohen» mes tundimeve të kësaj botë, duke qenë ai e di mirë se të krishterin e pret po ajo lavdi që ka Krishti i Ngjallur së vdekuri: «Nëse besojmë se Jezusi vdiq dhe u ngjall, atëherë Hyji patjetër edhe ata që vdiqën, nëpër Jezusin dhe bashkë me Jezusin do t’i marrë në lumturi». Edhe vetë Shën Pali, në mes të torturave të ndryshme që pësoi për shkak të Krishtit  e të zellit për shpirtrat, «mbahej» nga flatrat që i jepte feja e gjallë. Për këtë fe martirët thurnin lavde e poezi si ipeshkvi martir që cituam në fillim: «Ma mirë shtatë pash nën dhè, se me bjerrun shejten Fé». Kështu mund të «mbahemi» edhe ne nga feja. Mjafton që «dritëzën» e bashkëpunimit tonë me Hirin e Zotit ta mbajmë të ndezur gjithnjë.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *