T’I SHOHIM GJËRAT NGA ANA E ZOTIT

Categories FamulliaPosted on

(Botuar në gazetën e famullisë, numri i muajit shtator 2020.

Ndoshta pak veta e dine se i Lumi Dom Ejll Deda ka qenë famullitar në Rranxa në vitet 1943-1947. Dom Ejlli do të vdiste në infermierinë e njërit prej burgjeve komuniste të Shkodrës, për shkak të torturave të shumta dhe mungesës së mjekimeve, por gjithë këtë Dom Ejlli e kishte pritur e madje edhe nxitur, sepse në predikimet e veta filloi të fliste haptas kundër komunizmit. Mund ta imagjinojmë lehtë se sa shumë komunistat “vonuan” të arrestojnë për këtë. Megjithatë këtu më intereson të sjell disa rreshta të shkruar prej vetë atij në një letër të dërguar vëllai të vet pak para se të shugurohej meshtar: «Gjithçka asht në duert e Zotit. Zoti e din atë që asht e mirë e atë që asht e keqe për ne, sepse na i shikojmë gjanat prej këtu poshtë, ndërsa Ai i sheh ndryshe prej qiellit. Herën e fundit që kam shkue te Mark Jaku, kam takue Çilen që po qendiste. Nëse unë do ta kisha pa kah ana e mrapme qëndisjen e Çiles, do ta kisha pa atë shumë të shëmtueme, por tue e pa kah ana e mbarë, ajo qendisje ishte nji mrekulli. Kështu asht edhe kah ana e Zotit».

Qysh në fillimin e nëntorit që u botua numri i fundit i gazetës së famullisë, në Shqipëri e në mbarë botën kanë ndodhur gjëra që na kanë bërë të ndihemi të gjithëve shumë të vegjël e shumë të turbulluar. Më parë ishte termeti i rëndë në Shqipëri që u mori jetën 51 njerëzve dhe u shkatërroi banesat shumë e shumë të tjerëve, por e gjithë kjo plagë e madhe, sikur u la në harresë nga plaga tjetër që goditi mbarë botën me përhapjen e pandemisë së Covid-19. Izolimi pothujase i plotë që zgjati për rreth dy muaj, ishte diçka e pa precedent për secilin prej nesh, shtoji kësaj edhe frikën e ankthin se çfarë do të ndodhte në të ardhmen. E ky ankth e kjo frikë vazhdojnë të jenë të pranishëm edhe sot e kësaj dite, me vështirësitë e kufizimet e tjera në lëvizje e në qarkullim.

Gjithë këtë, pastaj, e kanë shoqëruar e vazhdojnë ta shoqërojnë edhe shumë pyejte e ngurrime të tjera në lidhje me ndërhyrjen e vullnetshme të njeriut në vështirësimin e kësaj situate. Si në rastin e tërmetit për Shqipërinë, ashtu edhe në rastin e pandemisë, të gjithë “ramë dakord” menjëherë se, sikur përgjegjësia njerëzore të kishte qenë më e lartë kur është dashur të jetë, gjërat do të kishin shkuar shumë ndryshe e me më pak pasoja. Pra, atë ndjenjën e vogëlsisë dhe kufizimit që natyra na e impononte vetvetiu, këtu e përkeqësonte dhe vazhdon ta përkeqësojë edhe ndjenja e pafuqisë përballë makinerisë së fuqishme të pushtetit që ka një pakicë njerëzish në këtë botë për të na e vështirësuar jetën.

Megjithatë unë këtu dua t’ju bashkëndaj mënyrën se si jam përpjekur ta përballoj personalisht gjithë këtë. Me gjithë turbullimin e pashmangshëm e me gjithë kujdesin që shpesh ndërrmerrnim të gjithë, kur pyesja veten se përse Zoti e lejonte gjithë këtë, e vetmja përgjigje që gjeja brenda vetes ishte fakti se edhe Jezusi, Biri i Hyjit, është bërë njeri dhe ka hyrë në jetën e botës, pikërisht të kësaj bote me mijëra kufizime.  Patjetër se edhe para dymijë vitesh, edhe pse në forma të tjera, kufizimet ishin të pranishme si nga natyra, ashtu edhe nga pushtetarët e botës që ua vështirësonin jetën më të dobëtve. Madje edhe mbi vetë Jezusin rënduan të dyja këto lloj kufizimesh, aq sa edhe Ai pranoi të ndihej krejtësisht i vogël si secili prej nesh kur, në kryq, jo i ftohur nga dashuria për Atin, por ngaqë ndihej thellësisht njeri nevojtar për dritë e ngushëllim prej së Larti, i drejtohej Atit me fjalë «Hyji im, Hyji im, përse hoqe dorë prej meje?» Mua kjo bashkëndarje e vuajtjes sonë deri në fund nga ana e Jezusit më ka ndihmuar që të mos e shoh si diçka të re këtë realitet kufizimesh aktuale, por të përpiqem ta shoh atë si vendin ku Hyji gjithësesi është i aftë të arrijë shëlbimin tim e shëlbimin tënd. Patjetër se e gjithë kjo nuk e fshin detyrën e përgjegjësisë së secilit prej nesh në shoqëri: përderisa Hyji arriti ta nxirrte shëlbimin tonë nga e keqja më e madhe që mund të ndodhte, siç ishte vrasja e Birit të Tij, imagjinoni sa shumë të mira Ai mund t’i nxjerrë nga gjërat e mira.

Jam i gëzuar që edhe këtë verë arritëm t’i zhvillonim veprimtaritë verore, duke qenë se ngurrimi nëse duheshin bërë apo jo nuk ishte i vogël. Disa prej këtyre veprimtari, do t’i lexoni në faqet në vijim. U ndjeva mjaft i ngushëlluar nga përgjigjja e mirë e shumë animatorëve, të rinjve dhe fëmijëve me pjesëmarrjen e tyre në secilën prej këtyre veprimtari, sepse e shihnim të gjithë nga afër se sa të nevojshme e kemi të jemi të bashkuar, të bindur se, në mesin tonë, kemi Hyjin e gjallë që vepron gjithjë. Prandaj është me shumë rëndësi që edhe ne t’i bëjmë arsyetimet që bënte Dom Ejlli kur përpiqej ta shikonte realitetin nga ana e Hyjit, sepse vetëm ashtu mund t’i shohim shenjat e pranisë së Hyjit të gjallë në jetën tonë, që vazhdon të na prijë drejt shëlbimit të amshuar, edhe në mesin e kaq shumë kufizimeve natyrore e njerëzore.

Dom Ejlli, me lutje të vazhdueshme e me fe, përpiqej ta shihte gjithnjë realitetin kah ana e Zotit e prandaj edhe i duronte me aq forcë shpirtërore torturat. Një bashkëvuajtës i tij mysliman do të dëshmonte më vonë se ai e Dom Ejlli kishin qenë një herë të lidhur shpinë për shpinë me njëri-tjetrin kur hetuesit i patën hedhur në një gropë ujërash të zeza në burgun ku ishin. E dëshmitari tregonte: «Dom Ejlli, ngaqë ishte më i gjatë se unë, më ngrinte për krahu në mënyrë që të mos zhytesha krejt. Lutej vazhdimisht dhe më jepte guxim duke më thënë: “Asllan, mos ki frikë dhe lutu edhe ti me lutjet e tua.”». Ndoshta ngaqë kishte një shpirt të tillë feje që e shtynte të ishte njeri i lutjes e i fesë edhe në rrethana të vështira dhe ngaqë i shihte edhe kundërshtitë e kufizimet si një qendisje e mistershme dhe shëlbimprurëse e Hyjit, njëri prej besimtarëve të famullisë së Rranxave ka lënë edhe këtë dëshmi për të, duke marrë shkas edhe nga emri i tij: «Erdhi si engjëll e si engjëll iku».

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *