GËZIMI DHE DËSHMIA – Homeli nga Dom Dritan Ndoci

Categories HomeliPosted on

E DIELA III E ARDHJES – VITI B

Is 61, 1-2. 10-11; Lk1, 46-50. 53-54; 1 Sel5, 16-24;Gjn 1, 6-8. 19-28

Të gjithë ata të krishterë që shpesh janë si të fiksuar në idenë se shenjtëria qëndron vetëm në ruajtjen nga mëkatet, ide e cila, në fund të fundit, është veçse shenjë egoizmi, Shën Pali do t’i habiste me ftesën e tij të qartë në leximin e dytë sot: «Vëllezër, gëzohuni gjithmonë! Lutuni pa pushim! Për gjithçka falënderohuni! Sepse, në lidhje me ju, ky është vullneti i Hyjit në Jezu Krishtin». Jemi kaq të fiksuar te gjykimi që do të na bëhet në fund të jetës sonë, saqë harrojmë të marrim frymë lirisht si bijtë e bijat e Zotit.

Papa Françesku thoshte se ka shumë të krishterë që jetojnë gjithnjë «sikur janë duke u kthyer nga ndonjë varrim», pra jetojnë gjithnjë si të trishtuar. E pra, gëzimi është shenja tipike e jetës së shëndoshë shpirtërore në Zotin. Aq më tepër kur jemi në praninë e të tjerëve.

Në traditën e Kishës, kjo e diel e tretë e Kohës së Ardhjes quhet ndryshe edhe e Diela e Gëzimit. Kjo ngaqë jemi më afër kohës së Krishtlindjes, por edhe për të na kujtuar se, edhe pritja e Ardhjes së dytë të Jezusit në fundin e kohëve, duhet të jetë një pritje e hareshme.

Dihet se këtu nuk është fjala për atë lloj gëzimi euforik të atyre që, për të treguar se sa të gëzuar janë, nuk i lënë rrallë kujt të flasë. As nuk bëhet fjalë për atë gëzimin e diskotekave, i cili si qëllim që ka të bëjë t’i harrosh për një çast hallet e jetës. Jo, gëzimi që vjen prej Hyjit, nuk është drogë.

Shenjtja Terezë e Avilës, në kryeveprën e saj Kështjella e brendshme, e përshkruan në mënyrë shumë origjinale gëzimin e krishterë. Ajo thotë se shpirti, në një farë pike – edhe pse trupi gjendet në mes të njëmijë vështirësish, në mes të sëmundjeve apo padrejtësive, vuajtje që kapin jo vetëm mishin, por edhe shpirtin tonë – duket sikur (shpirti, pra) qëndron i palëvizur me plot gëzim në Zotin. Ajo e krahason atë me mbretin i cili, edhe pse përreth në kështjellë ka plasur lufta, arrin gjithnjë të rrijë ulur krenarisht mbi fronin e vet, i palëvizur, duke kontrolluar njëkohësisht mbarëvajtjen e luftës. Ashtu, thotë Shenjtëresha në fjalë, edhe shpirti arrin ta orientojë gjithçka në Zotin me plot vetëdije edhe në ato çaste.

Kjo mbase duket një mënyrë e ndërlikuar për ta kuptuar gëzimin e të krishterit, por nuk është edhe aq e ndërlikuar.

Megjithatë Hyji na ka dhuruar edhe shenjtër të tjerë që kanë ditur ta theksojnë ndryshe rëndësinë e haresë tek i krishteri. Në jetën e Shën Dominik Savios, Ngadhënjyesit pesëmbëdhjetëvjeçar, thuhet se, një herë, ndërsa po luante me shokët, e pyetën se çfarë do të bënte nëse Jezusi do të shfaqej në atë çast. Ai u përgjigj: «Do të vazhdoja lojën». Ishte i vetëdijshëm se Jezusi dëshiron pikërisht që ai të ishte i hareshëm.

Në jetën e Shën Piut nga Pietrelçina, thuhet se ai e merrte shumë seriozisht atë porosinë që Shën Françesku i Asizit u kishte dhënë fretërve të vet: «Mëkatet tuaja qani me lot e bëni pendesë kur të jeni vetëm nëpër qelitë tuaja, por, kur të jeni me vëllezërit, mblidheni veten dhe tregohuni gjithnjë të hareshëm!» E thuhet se gati gjithnjë batutat më të bukura e gallatat më të lezetshme në tavolinën e fretërve që jetonin me Atë Piun, bëheshin pikërisht prej tij.

Edhe pjesë të tjera të Shkrimit Shenjt sot flasin për gëzimin. Në leximin e parë Isaia profet, thotë ato fjalë të cilat Jezusi do të thotë se janë plotësuar në Të: «Shpirti i Zotit Hyj është mbi mua, sepse Zoti më shuguroi, më dërgoi t’u sjell të përvuajturve lajme të gëzueshme… t’i ngushëlloj ata që qajnë…. Me gëzim të madh gëzohem në Zotin, shpirti im galdon në Hyjin tim, sepse më veshi me petkat e gëzimit…» Në vend të Psalmit sot janë zgjedhur fjalët e Zojës në Magnificat: «Shpirti im e madhëron Zotin, shpirti im me hare i brohoret Hyjit, Shëlbuesit tim…»

Vetëm në Ungjill fjala «gëzim» nuk përmendet askund. Në vend të saj aty përmendet shumë herë fjala «dëshmi». Përsëri në Ungjillin e sotëm na flitet për figurën e Gjon Pagëzuesit. E kemi thënë edhe të dielën e kaluar se ç’figurë e rëndësishme ishte ai në Izraelin e asaj kohe. Të gjithë ungjilltarët flasin për të.

Sot është Shën Gjoni apostull ai që na flet për të në Ungjillin e tij. Por, në ndryshim me tre ungjilltarët e tjerë, Shën Gjoni, edhe pse e thotë se Gjoni pagëzonte, nuk e quan atë asnjëherë «Pagëzuesi». I vetmi titull që i jep, është ai i «dëshmitarit»: «Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar Dritën… Ai nuk ishte Drita, por për të dëshmuar Dritën».

E ja lloji i dëshmisë së Gjonit: Një “delegacion” priftërinjsh e levitësh, “delegacion” me tipare zyrtare pra, shkuan dhe e pyetën: «Kush je ti?» Ata duan të dinë se kush është ky njeri që po bën kaq shumë bujë në Izrael e që, për më tepër, ka “shpikur” një rit të ri të cilin e quan «pagëzim për faljen e mëkateve».

Gjëja e parë që Gjoni u thotë është: «Unë nuk jam Mesia.» Përvujtëria dhe qartësia janë bërë një gjë e vetme në këtë rast. Ata pastaj vazhduan ta pyesin nëse ishte Elia, profeti të cilin Izraeli e priste se do të vinte para ardhjes së Mesisë; apo mos ishte «Profeti», term i cili është shkruar qëllimisht me të madhe, sepse bëhej fjalë për një Profet të cilin e kishte paralajmëruar vetë Moisiu pak para se të vdiste, duke thënë: «Profet siç jam unë, do të zgjojë Zoti, Hyji yt, në popullin tënd». Izraeli e priste këtë Profet. Por Gjoni u thotë se nuk është as Elia e as Profeti e, kur ata përsëri e pyesin se kush është, Gjoni jep më në fund përkufizimin e misionit të tij: «Unë jam zëri i atij që bërtet në shkreti: “rrafshoni udhën e Zotit!”, sikurse tha Isaia profet.»

Gjoni, nga njëra anë, u thotë se është thjesht njeri e nuk është Shpëtimtari i premtuar nga Hyji, por, nga ana tjetër, u thotë edhe se nuk është thjesht një profet si të gjithë të tjerët, sepse u tregon se fjalët e vjetra të Isaisë po përmbusheshin pikërisht në të.

E Gjoni vazhdon t’u thotë se pas tij po vjen një tjetër më i madh se ai, të cilit  nuk është i denjë as «t’ia zgjidh rripat e sandaleve».

Ja, pra, misioni i Gjonit: të dëshmojë Krishtin. Në këtë dëshmi e gjente plotësinë jeta e Gjonit. Prandaj Shën Gjoni ungjilltar nuk e cilëson vetëm si «Pagëzues», sepse dëshiron të na thotë se, fundja, e gjithë veprimtaria e Gjonit ishte «të jepte dëshmi».

Vetë Gjoni, kur e sheh se Jezusi ka filluar të dëftohet publikisht, e kupton se tashmë i ka ardhur koha të largohet nga kjo botë e, me zemrën plot gëzim, thotë: «Gëzimi im tashmë arriti kulmin: Ai duhet të rritet e unë të zvogëlohem». Është gëzimi i dëshmisë.

Këtu e kuptojmë edhe më thellë atë gëzimin për të cilin folëm pak më sipër: gëzimin se jemi pranë Jezusit dhe se kemi arritur që Atë t’ia tregojmë edhe të tjerëve. Gëzimi se pranë Jezusit gjen kuptim ekzistenca jonë. Gëzimi se, nga Jezusi, nuk do të ndahemi kurrë. Bashkimi ynë fillon me Të këtu në tokë dhe vazhdon në përjetësi.

Gëzimi i dëshmisë do të thotë gëzimi i martirizimit. Kështu kuptohen disa hove gëzimi që thuhet se i kaplonin shpirtrat e shumë martirëve para ekzekutimit.

Në jetën e të Lumit Atë Giovani Fausti S.I., misionar italian që u vra në Shqipëri nga komunistët në vitin 1946 bashkë me disa martirë të tjerë, thuhet një fakt tepër mahnitës. Në qelinë e burgut, disa ditë pasi ishte dhënë vendimi me vdekje për ta e fare pak ditë para se të pushkatoheshin, shpesh e shihnin tek bënte lojëra e shaka miqësore jo vetëm me shokët e vet, por edhe me rojet e burgut: me armiqtë. Ishte gëzimi se ashtu po i jepte Krishtit dëshminë më të lartë dhe se me Krishtin së shpejti do të bashkohej në Parriz. Gëzimi i tij kishte arritur kulmin. E, në fakt, para plumbit, në dialektin e popullit të cilit i kishte shërbyer besnikërisht, tha këto fjalë të fundit: «Jam i knaqun që deka po më vjen tuj e krye detyrën teme».

Ta lusim, pra, Zotin që të na ndërgjegjësojë edhe ne për bukurinë që feja e gjallë mund t’i sjellë jetës sonë. Jetës dhe vdekjes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *