JEZUSI E PËRSHKOI VENDIN DUKE BËRË MIRË.

Categories HomeliPosted on

PAGËZIMI I ZOTIT – Viti B

Is 42, 1-4.6-7; Ps 29 (28); Vap 10, 34-38; Mk 1, 7-11

Është e vërtetë ajo që themi tek «Puna e pendimit»: Zoti është «e mira e pambaruar. Nuk gabojmë nëse mesazhin që na përçojnë sot pjesët e Shkrimit Shenjt do ta titullonim me fjalët: Zoti është i mirë.

Kjo mirësi e Tij na është shfaqur krejt dukshëm në Jezu Krishtin, Mirësia Hyjnore e bërë njeri. Në leximin e dytë, është vetë Shën Pjetri ai që e vë në dukje një gjë të tillë. U thotë bashkëbiseduesve të vet: «Ju e dini çka ka ndodhur në mbarë Judenë, duke filluar nga Galileja, pas pagëzimit që predikoi Gjoni, sesi Hyji, Jezusin prej Nazareti, e shuguroi me Shpirtin Shenjt e me pushtet; atë (dhe ja ku arritëm tek shprehja kyçe) që e përshkoi vendin duke bërë mirë… »

Është e vërtetë se Pjetri flet edhe për shërimet e mrekullueshme që bënte Jezusi si edhe për lirimet nga djalli, por edhe ato ai i sheh si gjeste të mirësisë së Zemrës së Jezusit. E, në fakt, mrekullitë nuk janë gjeste spektakolare me të cilat Hyji përpiqet të na e mbush mendjen se sa i pushtetshëm është e as nuk i bën ato me shpresën që të fitojë fansa, por vetëm e vetëm ngaqë është i mirë vetë. Kaq është e vërtetë kjo, saqë Jezusi shpesh në Ungjill porosiste «Mos i tregoni kujt për këtë!», kur bënte ndonjë mrekulli.

Jezusi i mirë. Thuhet në jetën e një shenjti, i cili kishte shkuar misionar në disa vende të largëta, se, në fillimet e misionit të vet, kur ende nuk e zotëronte gjuhën e atij populli, e kishte të vështirë të fliste për Krishtin. Megjithatë shumë njerëz i shkonin pranë me kënaqësi për shkak të mirësisë që vërenin tek ai. Dhe thoshin: «Kur ky është i mirë, imagjino sa më i mirë duhet të jetë Ai për të cilin ky po përpiqet të na flasë.» E kështu, pa folur, “fliste” për mirësinë e Jezusit.

Leximi i parë i ditës së sotme hyn në detajet e kësaj mirësie të Jezusit: «Shërbëtori im … s’do të bërtasë… . Ai s’do ta thyejë as kallamin e copëtuar, s’do ta ndalë as fitilin tymues dhe, pa u trembur, ai do ta shpallë të drejtën». Mirësi e butësi të përziera bukur së bashku.

Në fytyrën njerëzore të Jezusit «rrezatohej» mirësia e Hyjnisë së Tij. Thotë Shën Pali se ne të krishterët jemi thirrur të shikojmë në fytyrën e Krishtit, që të mund ta kuptojmë lavdinë e Hyjit: «Hyji ndriti në zemrat tona, që të shkëlqejë njohuria e lavdisë së Hyjit në fytyrën e Krishtit».

Duke qenë se jemi krijuar në përngjasimin e Hyjit, Jezusi erdhi të ndreqte atë që mëkati e kishte dëmtuar. Jezusi erdhi të na e kujtonte se edhe ne njerëzit jemi të krijuar për të bërë mirë. Ndonjëri prej Etërve të shkretëtirës thoshte: «Të jemi të mirë deri në atë pikë, saqë të ndjejmë dashamirësi deri edhe për gjarprin!» Këta njerëz flisnin kështu ngaqë ishin të kapluar nga mirësia e butë e Krishtit.

Por të kthehemi pak tek e kremtja e sotme. Kremtojmë Pagëzimin e Jezusit. Është një e kremte e cila na gjall pak habi. Habitemi kur mendojmë se edhe Jezusit i qenka dashur të pagëzohet si ne!

Ne, në fakt, habitemi kështu ngaqë kujtojmë se pagëzimi i Gjonit ishte si pagëzimi që marrim ne të krishterët. Por nuk ishte i tillë. Pagëzimi i Gjonit ishte një ritual që kishte për qëllim të ishte vetëm si shenjë e një bashkimi më të thellë me Hyjin. Gjoni ishte pararendësi i Mesisë, e dijmë, e prandaj ai kishte këtë mision: ta ndihmonte popullin e Izraelit të bashkohej më fort më Hyjin, në mënyrë që t’i hapej Mesisë tashmë fare afër.

Pagëzimi që njerëzit bënin te Gjoni ishte shprehje se ata dëshironin të «zhyteshin» (pagëzim do të thotë zhytje) në Hyjin. E si mund të mungonte Jezusi në këtë ritual? Edhe Jezusi dëshironte ta shprehte me gjeste përkatësinë e tij të plotë ndaj Atit të vet. Pastaj pagëzimi i Gjonit patjetër që kërkonte edhe largimin nga mëkati, përndryshe ç’bashkim me Hyjin mund të ishte? Por, pikësëpari, ai ishte shprehje e bashkimit me Hyjin.

Prandaj, pasi Jezusi pagëzohet, pasi e shpreh me gjeste konkrete përkatësinë e plotë ndaj Atit të vet, edhe Ati tani, nga ana e Tij, dëshiron ta shprehë konkretisht dhe haptas, në Shpirtin Shenjt, dashurinë për Birin e vet. Nuk besoj se e teprojmë sikur këtë çast ta quanim një «lojë dashurie» mes Personave të Trinisë së Shenjtë.

Shpirtit Shenjt zbret mbi Jezusin e Ati thotë: «Ti je im Bir – Djali i dësHirit! Ty të miratova». Ungjilli e paraqet tërë këtë ngjarje madhështore si një shkëmbim të ndërsjelltë përzemërsie mes Personave Hyjnorë. Në ndryshim me Ungjillin e Mateut, i cili thekson faktin se Ati flet me qëllim që ne ta pranojmë Jezusin si Birin e Tij, Ungjilli i sotëm i Markut dhe ai i Lukës e paraqesin të folurën e Atit si një bisedë me Birin e vet, në Shpirtin Shenjt: jo «Ky është Biri im… », por «Ti je im Bir… ».

Sa bukur është ta shohim veten “spektatorë” të kësaj shfaqjeje dashurie! Sa bukur të shohim se u quajtëm të denjë për pjesëmarrje në një shfaqje të tillë! Ati i amshuar nuk pau mbi padenjësinë tonë, por mbi mirësinë e vet e prandaj nuk ngurroi të na e mundësonte edhe ne dëgjimin e zërit të Tij.

Shpirtit Shenjt, në trajtën e pëllumbit, nuk është larguar nga bota. Zanafilla thotë se në fillim të botës «Fryma e Hyjit endej përmbi ujëra». Por ja: Ai nuk u largua nga bota kur kjo deshi t’i mbyllej veprimit të Tij. Në mirësinë e Tij, Shpirti Shenjt u bë i dukshëm edhe një herë.

Biri, në mirësinë e butësinë e Tij, deshi të rreshtohej me mëkatarët, me qëllimin kryesor që të mos humbiste rastin që, Atit, në Shpirtin, t’i shprehte përzemërsinë e vet. Nuk deshi ta bënte këtë gjë diku larg nesh, por pikërisht në rresht me ne.

Ja, pra, se prej ku buron Mirësia e fytyrës së Jezusit: nga gjiri i Trinisë Shenjte. Jezusi, në natyrën e Tij njerëzore, nuk mund të mos shprehë veç mirësi. Kjo sepse shkëmben në amshim dashamirësi me Atin dhe me Shpirtin Shenjt. Nuk mund të mos e shprehë mirësinë e vet as kur ne jemi të këqinj. Përkundrazi: aty ka rastin ta shprehë edhe më dukshëm, duke na falur, duke u përkujdesur për ne e duke na liruar nga i Keqi: «Ai që e përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që kishin rënë nën pushtetin e djallit, sepse Hyji ishte më Të».

Të përpiqemi edhe ne, pra, t’i përngjajmë mirësisë së Jezusit. Atëherë do të jetojmë ashtu siç jemi krijuar të jetojmë: në përngjasimin e Hyjit.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *