JA NJË MËSIM I RI, I PAJISUR ME PUSHTET.

Categories HomeliPosted on

E DIELA IV GJATË VITIT B

Lp 18, 15-20; Ps 94 (93); 1 Kor 7, 32-35; Mk1, 21-28

Në leximin e parë sot tregohet se si populli i Izraelit shpreh një dëshirë e cila e ngacmon habinë tonë: «Nuk dua më ta dëgjoj më zërin e Zotit, Hyjit tim, dhe nuk dua ta shikoj më atë zjarr të madh, që të mos vdes.»

Këto fjalë populli i thotë pasi kishte parë se ç’kishte ndodhur pranë malit Sion. Zoti kishte porositur që askush të mos i afrohej malit përveç Moisiut. Megjithatë, dikush nga populli, guxoi të afrohej dhe mbeti i vdekur në vend, vdekje e cila shkaktoi shumë frikë në të gjithë.

Shpesh herë në Besëlidhjen e Vjetër thuhet se, kur dikush kishe ndonjë vegim, e mbuonte fytyrën e vet që të mos shikonte, duke qenë se kishte frikë se mos do të vdiste. Ishte bindja se, kush sheh Hyjin, vdes. Ashtu bëri edhe Moisiu kur Hyji i foli tek kaçuba e ndezur.

Ajo që na bën përshtypje te leximi i sotëm, është edhe fakti se Hyji vetë e pranon këtë kërkesë të popullit.

Por ç’ndodh? Ai premton se do të ngrejë një profet tjetër porsi Moisiun, në gojën e të cilit do të vendosë fjalën e Tij: «Do të ngre ndër ta, prej vëllezërve të tyre, një profet të ngjashëm me ty.»

Një profet i ngjashëm me Moisiun! Mund ta imagjinojmë pritjen e madhe të Izraelit: kur do të vijë ai që do të ketë në gojën e vet fjalët e Zotit, porsi Moisiu që mori nga Zoti Ligjin, domethënë Fjalën e jetës? Kur do të dalë prej këtij populli ai që do ta ketë një autoritet të tillë të dhënë nga Hyji? Këtë e shpresonte ai që dëshironte ta dëgjonte fjalën e Hyjit, por s’mund të pretendonte t’i fliste Hyji pikërisht atij, sepse kishte frikë se mos do të vdiste.

Në përfundim të Ligjit të Përtërirë thuhet se «kurrë më në Izrael nuk doli një profet i ngjashëm me Moisiun». Kjo pjesë është shkruar shumë vjet pas ngjarjeve për të cilat flitet. Do të thotë se ende Izraeli po priste «Profetin». Sa herë që në Izrael dilte dikush me aftësi të rralla apo të mbinatyrshme, patjetër populli duhet të ketë pyetur: «A mos është ky Profeti?», siç pyetën një herë edhe Gjon Pagëzuesin.

Vetëm kështu mund ta kuptojmë përse në Ungjillin e sotëm thuhet se ata që po e dëgjonin Jezusin «mrekulloheshin». Mrekulloheshin sepse Jezusi nuk fliste porsi skribët e tyre, por fliste «si ai që ka autoritet». Mrekulloheshin sepse kur skribët e tyre flisnin, ata duhej që domosdoshmërisht ta mbështesnin fjalën e tyre mbi autoritetin e dikujt tjetër. Ndërsa Jezusi nuk bënte ashtu.

Ungjilli i sotëm, që është nga Ungjilli sipas Shën Markut, nuk na e tregon përmbajtjen e asaj që Jezusi duhet të ketë thënë atë ditë, por mjafton të shohim se si Jezusi flet në Ungjillin e Shën Mateut, tek fjalimi mbi mal, që të kuptojmë mënyrën e veçantë në të cilën Jezusi shprehej.: «Keni dëgjuar se që thënë… . E unë po ju them… .»

Skribët duhej të citonin të tjerët: Moisiun, profetët apo Mësuesit e ndryshëm të Ligjit që kishte njohur dikur Izraeli. Edhe ata, nga ana e tyre, kishin cituar vetëm e vetëm Fjalën e Hyjit. Ungjilli, duke thënë se Jezusi «fliste si ai që ka autoritet», është duke na thënë se të pranishëmve u është dukur sikur përballë kanë dikënd që ia lejon vetes të mos e mbështesë mësimin e vet mbi autoritetin e Moisiut apo të ndonjë profeti, por mbi veten e vet. Jezusi nuk citon fjalët e Hyjit, por flet si Hyji.

E, në fakt, ashtu ishte: Ai që Moisiut dikur i dha Ligjin e që dikur foli nëpërmjet profetëve, atë ditë po fliste në mesin e tyre.

Me këtë gjest, Jezusi duket sikur dëshiron t’ua kujtojë se jo vetëm është plotësuar premtimi i Hyjit në Ligjin e Përtërirë, i thënë nëpërmjet Moisiut, por edhe më tepër: Vetë Hyji tashmë po fliste.

Duke takuar Jezu Krishtin, ne takojmë Hyjin e gjallë e të vërtetë. Ai na e zbulon fytyrën e vërtetë të Hyjit Trini, të Hyjit Dashuri. Ai flet e ne mund ta dëgjojmë, mund ta prekim, mund të rrimë me të e të mos vdesim.

Ky autoritet Hyjnor që Jezusi e bën të vetin, vërtetohet edhe nga lirimi që Ai i bëri njeriut të djallosur që atë ditë gjendej në sinagogë. Pikërisht mënyra se si ndodhi ky ekzorçizëm është pjesa më interesante.

Ishte tashmë traditë që në popullin e Izraelit të bëheshin ekzorçizma për dëbimin e djallit, por ato ishin lutje të drejtuara Hyjit nga disa njerëz të përshpirtshëm. Jezusi këtu nuk bën lutje, por jep urdhër. Izraelitët i luteshin Hyjit të Gjithëpushtetshëm që të ushtronte pushtetin e Tij, kurse Jezusi ushtronte pushtetin e Vet. Mund ta imagjinojmë lehtë se izraelitët në lutjet e tyre mund të kenë thënë: «O Hyj, bëje të dalë prej këtij njeriu ky shpirt i ndytë», por Jezusi i urdhëron shpirtit të ndytë «Hesht dhe dil prej tij!» S’ka nevojë t’i drejtohet Hyjit, sepse Ai vetë është Hyj.

Prandaj edhe njerëzit thonë në fund me plot habi: «Ja, një mësim i ri, i pajisur me pushtet!» Si të thoshin: «Ja një mësim që ka në vetvete një autoritet Hyjnor e që është i shoqëruar nga një veprim i cili gjithashtu ka në vetvete një autoritet që vetëm Hyji mund ta ketë.»

Kështu, Hyji i gjallë e i vërtetë, po fliste e po vepronte në mesin e popullit të vet.

Aty ku ushtrohet autoriteti e pushteti i ëmbël i Jezu Krishtit, Birit të Hyjit, djalli, rebeli i hershëm, nuk ka vend. Nuk ka vend për shpirtin e keq tek njeriu që është i mrekulluar nga fjalët që dalin prej gojës së Jezusit, Zotit të gjallë që flet.

Por kur ndodh e kundërta, pra kur njeriu nuk e dëgjon me fe të gjallë fjalën e Jezusit, atëherë djalli është si në shtëpinë e vet. Jo me të gjithë ata që jetojnë ëndshëm në mëkate, djalli përdor pushtimin edhe fizik të tij. Nuk e përdor sepse është inteligjent dhe mendon se është më mirë të mos e bëjë të kuptueshme praninë e tij, me qëllim që njeriu të jetojë larg Zotit.

Djalli është vërtetë si në shtëpinë e vet kur një njeri bie kollaj pré e tundimeve të tija, kur njeriu s’e ka problem nëse nuk lutet kurrë, nëse nuk merr pjesë në Meshën e së dielës apo të festave, nëse nuk rrëfehet, nëse nuk e lexon asnjëherë Biblën, nëse një çift bashkëjeton pa sakramentin e martesës, nëse dikush manipulon ligjet për të krijuar kultura kundër moralit të shëndoshë njerëzor, nëse dikush mban brenda vetes urrejtjen për tjetrin dhe vazhdon të jetë e keqja e tjetrit apo thjesht kur nuk përpiqet të jetë e mira e tij, etj. Këtu djalli është vërtet si në shtëpinë e vet. Imagjinoni sikur njeriu të ketë një stil jete si ajo që përshkruam: a nuk i ngjan djallit, atij që nuk e do as Zotin e as njerëzit?

Një ekzorçist një herë shkruante se, gjatë një ekzorçizmi, e kishte pyetur djallin: «Përse nuk shkon të pushtosh ata që merren me sakrilegjin e riteve satanike?» E djalli i ishte përgjigjur: «Po ç’leverdi kam t’i pushtoj? Ata gjithsesi janë të mitë.» Mund të jemi të djallit edhe pa qenë pushtuar prej tij. Madje shumë më shumë.

Por është e mundur që ta lejojmë autoritetin e Jezusit të na bëjë për vete. Është e mundur gjithmonë. Nëse besojmë, Jezusi mund ta ushtrojë autoritetin e pushtetin e vet mbi të Keqin e të na bëjë të jetojmë si bijtë e bijat e Zotit.

Është e mundur që ne ta jetojmë porosinë që Shën Pali na e jep sot: «Të jeni krejtësisht të përqëndruar në Zotin!» Kur ndodh kjo? Kur e lëmë veten të joshemi nga Jezusi, Hyj i vërtetë e njeri i vërtetë.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *