KUJDES NGA “QËLLIMET E MIRA”!

Categories FamulliaPosted on

E DIELA VI GJATË VITIT B

Lv 13, 1-2. 45-46; Ps 31 (30); 1 Kor 10, 31 – 11, 1; Mk 1, 40-45

Tundimi me të cilin djalli shpesh përpiqet të fusë shkopin ndër rrota në ungjillizimin e botës, është ta mbushë besimtarin me qëllime në dukje të mira, edhe nëse ata, pastaj, bien ndesh me Fjalën e Zotit.

Pikërisht kështu ndodh edhe në Ungjillin e sotëm: njeriu i shëruar nga Jezusi, nuk i mbahet porosisë së Jezusit, i cili i kërkonte të mos e fliste me askënd çështjen, por atij iu duk krejt e logjikshme që ta përhapte lajmin e shërimit të vet. Mbase qëllimi ishte realisht i patëkeq: «Tek e fundit – mund ta imagjinojmë arsyetimin e të shëruarit – i kthej nderin që më bëri.» Por Jezusit i krijoi jo pak probleme.

Është ky një fenomen që vërtet peshon rrezikshëm mbi kokën e besimtarit. Shpesh herë e vëmë re se jemi plot e përplot me qëllime “të mira”, por që pak nga pak na bëjnë të largohemi prej Zotit. Unë si meshtar e shoh çdo ditë një tundim të tillë, duke qenë se shpesh herë mund të më duket më e rëndësishme të merrem me ndonjë gjë tjetër – që në fakt mund të jetë në dobi të përhapjes së Fjalës së Hyjit – e t’i lë shumë pak kohë atyre gjëra që janë më tipike të meshtarisë. Qëllimi mund të duket i mirë, por rreziku qëndron në faktin se mund të kem filluar të punoj për vreshtin e Hyjit, por pa kontaktin me vetë Hyjin dhe pa përgjegjësinë e asaj që më është besuar.

Duke u kthyer tek Ungjilli i sotëm, mund të shohim se cilat janë pasojat e qëllimit “të mirë” që kishte i shëruari. Rreshtat e fundit na tregojnë se, për këtë arsye, Jezusi nuk mund të hynte më haptas në një qytet. Thotë ungjilltari: «Por ai (i shëruari), posa doli, filloi ta flasë e ta përflasë ngjarjen, kështu që Jezusi s’mund të hynte më haptas në qytet.» I shëruari deshi të përhapte një lajm të dobishëm, por pengoi përhapjen e Lajmit të Mirë.

Për të kuptuar përse Jezusi nuk mund të hynte më haptas në qytete, na duhet të kuptojmë mënyrën se si një hebre e shihte sëmundjen e gërbulës.

Pikësëpari duhet ta dijmë se gërbula, deri në fillimet e shekullit të kaluar, ishte sëmundje e pashërueshme dhe bënte kërdinë në shumë popuj. Ishte sëmundje tejet e dhimbshme, sidomos për mënyrën se si ajo e konsumonte trupin e njeriut. Lëkura fillonte të kalbej e, kalbësia, fillonte të hynte gjithnjë e më shumë në trup. Gjithçka ndodhte shumë ngadalë, gjë e cila e përkeqësonte situatën, sepse dhimbja zgjatej në kohë.

Për më tepër ishte edhe sëmundje ngjitëse. Masa shumë të rrepta merreshin ndaj atyre njerëz që i kapte dhe dëboheshin për në zona të pabanuara. Për së gjalli, pra, ndaheshin dhimbshëm edhe nga familjarët e tyre.

Por, fatkeqësia e vërtetë, vinte edhe nga mëndësia e hebrenjve, të cilët e shihnin këtë sëmundje si dënim të Zotit, për të ndëshkuar kushedi çfarë mëkatesh të bëra nga i sëmuri apo nga familjarët e tij.

E prandaj në leximin e parë, të marrë nga libri i Levitikut, na tregohet se çfarë rregulloreje i duhej të ndiqte ai që kaplohej nga kjo sëmundje: «I gërbuluri që e ka kapur kjo sëmundje le t’i mbarë petkat e shqyera, flokët e shkapërderdhur, mjekrrën e mbuluar e të bërtasë: ‘I ndyri! I ndyri!’»

Edhe nga ana e jashtme i gërbuluri duhet të dallohej se ishte i padëshirueshëm e të pështirë. Madje kishin edhe detyrimin që në këmbë të mbanin një zile, për ta kuptuar gjithkush nga larg praninë e tyre. Nesë nuk zbatoheshin këto rregullore, pasojat mund të ishin deri edhe dënimi me vdekje.

Por vini re diçka: te pjesa e Levitikut që cituam, nuk thuhet se i gërbuluri duhej të bërtiste duke thënë «i sëmuri», por «i ndyri». Kjo ngaqë gërbula ishte diçka që kishte të bënte me papastërtinë përballë Ligjit, pra me papastërtinë e shpirtit. Prandaj edhe ai që e prekte një të gërbulur, jo vetëm se rrezikonte të sëmurej edhe ai vetë, por bëhej i papastër edhe shpirtërisht, duke qenë se kishte prekur dikë që është mëkatar, përderisa Zoti, sipas kësaj mendësie, e kishte ndëshkuar.

Për këtë arsye edhe gjesti i Jezusit që «e prek» të sëmurin, është në qendër të Ungjillit të sotëm dhe është plot me domethënie. Tregon mbi të gjitha se Jezusi nuk e sheh atë njeri si të mallkuar, por ka dhembshuri për të. Jezusi dëshiron t’i shkojë në ndihmë njeriut që vuan. Me një gjest të vetëm, Jezusi hell poshtë gjithë ato mendësi të gabuara në lidhje me këtë sëmundje.

Jezusi, pastaj, e porosit të shëruarin që të paraqitet tek priftërinjtë, sikurse parashikonte Ligji i Moisiut në kësi rastesh. Nëse priftërinjtë do të konstatonin se shërimi kishte ndodhur, vetëm atëherë i shëruari mund të pranohej në bashkësinë e besimtarëve.

Por, ndërkohë, Jezusi e kupton se do të ishte shumë e vështirë që ajo mrekulli të pranohej e të kuptohej si duhej. Njerëzit me siguri do të mendonin se edhe Jezusi duhet të jetë kapur nga kjo sëmundje, përderisa kishte prekur një të gërbulur. Prandaj Jezusi e porosit qartë të shëruarin që të mos i tregonte askujt se si u shërua.

Por mjerisht, e pamë, i shëruari, për qëllime “të mira”, nuk ia dëgjoi porosinë. Për këtë arsye Jezusit iu desh të rrinte ai vetë jashtë qytetit: «S’mund të hynte më haptas në qytet, por qëndronte përjashta në vende të pabanuara.» Krejt jeta e Jezusit, në fakt, kishte një mision të tillë: të merrte mbi vete dënimin që duhej të binte mbi njeriun, mision i cili do të arrinte kulmin të Premten e Madhe.

Të ruhemi, pra, nga ideja se mjafton të kesh qëllime të mira në jetë. Nuk është e vërtetë ajo që thoshte filozofi italian i shekullit XVI, Makiaveli, se «qëllimi justifikon mjetet», por duhen edhe mjetet e përshtatshme, duhen edhe veprimet e mira.

Janë të shumta rastet kur, në jetën tonë si të krishterë, përballemi me gjëra që na duken si të palogjikshme. Këto raste përballohen vetëm duke u lëshuar në në duart e Hyjit. Shpesh duhet t’i braktisim arsyetimet tona, për t’iu bindur Fjalës së Hyjit. Të bindemi e pikë. Përndryshe, po pretenduam gjithnjë t’i kuptojmë, nuk do t’i bindemi kurrë.

Kush llogarit tepër në gjërat shpirtërore, ka për të bërë vetëm hapa prapa. Jo se nuk u dashka përdorur arsyeja, por nuk duhet të trajtohet as si idhull. «Sa i vogël do të ishe ti, o Zot, nëse mendja ime do të të kuptonte krejt!» – thoshte plot përvujtëri po në shekullin XVI Shën Françesku i Salesit, Mësues i Kishës.

Të ruhemi nga ideja se mjafton qëllimi i mirë, sepse kjo është edhe arsyeja për të cilën jo rrallë kryhen mëkate mortare. Mjafton të mendojmë për qëllimet “e mira” për të cilat shpesh herë kryhet mëkati i abortit. Përballë Fjalës së Zotit që thotë «mos vra» duhet të ndalemi e të mos përpiqemi ta mbushim kokën me qëllime të tjera të mira. Një proverb thotë: «Rruga për në ferr është e shtruar me qëllime të mira.» Pse të mos i dorëzohemi Fjalës së Hyjit edhe në ato rrethana të cilat mund të na duken të pakapërcyeshme?

Po ta idhujtarizojmë vazhdimisht mendimin tonë vetjak, mund të arrijmë madje deri tek ideja se e mira që mendoj unë, është edhe e mira e tjetrit.

Një përrallë thotë se, një herë, një majmun që gjendej në degët e një peme, pa poshtë në lumë një peshk. U hodh me të shpejtë nga pema, futi dorën në ujë dhe e kapi. Kur e nxori nga uji i tha: «Të shpëtova se gati po mbyteshe.» A ishte kjo e mira e peshkut?

Në leximin e dytë Shën Pali i fton Korintasit që të jenë e mira e vërtetë e tjetrit. E thotë këtë në kontekstin e besimit: «Vëllezër, në qoftë se hani, në qoftë se pini, në qoftë se edhe çkado tjetër bëni, bëni gjithçka në lavdi të Hyjit. Mos jini, veç, rast shkandulli!» Fjala «shkandull» vjen nga greqishtja dhe do të thotë pikërisht «pengesë». Shën Pali i lutet të krishterëve që të bëjnë gjithçka për ta ndihmuar tjetrin të rritet në fe. E thamë edhe në fillim se djalli, pikërisht duke përdorur “qëllimet e mira”, përpiqet të fusë shkopin ndër rrota në procesin e ungjillëzimit. Shën Pali e di mirë këtë gjë e prandaj u përgjërohet Korintasve që të mos i jenë askujt rast «pengese» për të takuar Krishtin në jetën e vet. U lutet që të lënë mënjanë të gjitha qëllimet e mira që mund të kenë në jetë, nëse e shohin se ato krijojnë përçarje e pengesa.

Megjithatë, nga ana tjetër, ne duhet ta besojmë ngultas se asgjë nuk mund ta ndalë krejtësisht veprimin e Hirit të Hyjit në historinë e njerëzimit. Është e vërtetë se Ungjilli na flet për këtë «pengesë» që pakujdesia e njërit provokoi në veprimtarinë publike të Jezusit, por nuk duhet të lëmë pa vënë re se kjo histori përfundon me fjalë pozitive: «Jezusi qëndronte në vende të pabanuara e njerëzit shkonin  tek ai nga çdo anë.» Hiri i Hyjit është gjithnjë më i fortë se të gjitha «pengesat»djalli apo egoizmi ynë njerëzor mund të shpikë.

Kjo bindje ka qenë dhe është gjithnjë siguria më e madhe e Kishës. Në këtë botë ku ne, me qëllime nga më të ndryshmet, herë të mira e herë të këqija, bëjmë gabime, Zoti gjithnjë përpiqet të ndreqë, të falë e të mësojë. E thoshte shumë bukur këtë të vërtetë edhe një ipeshkëv e teolog francez i shekullit XVII, Jacques-Benigne Bossuet, në një shprehje që pastaj do të bëhej e famshme në mbarë botën: «Hyji shkruan drejt edhe mbi rreshtat e shtrembër të njerëzve».

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *