JEZUSI NË SHKRETËTIRË RRINTE ME EGËRSIRAT DHE ENGJËJT I SHËRBENIN.

Categories HomeliPosted on

E DIELA I GJATË KREZHMEVE – Viti B

Zan 9, 8-15; Ps 25 (24); 2Pt 3, 18-22; Mk 1, 12-15

Ungjilli i kësaj të dielë të parë të kohës së krezhmeve ka vetëm pak rreshta. Megjithatë brenda tyre, në mënyrë të ngjeshur, tregohet për shumë gjëra.

Ungjilli fillon me fjalët: «Fill pastaj…». Ngjarja që i paraprin pjesës së sotme ungjillore është pikërisht Pagëzimi i Jezsusit. «Fill pastaj» ka për qëllim të krijojë lidhjen mes Pagëzimit të Jezusit dhe asaj që do të ndodhte: agjërimit e tundimit. Jezusi shkon në shkretëtirë «fill pas» pagëzimit, sepse, në fakt, çdo mision që Hyji dhuron, mbart me vete edhe shkretëtirën.

E pjesa ungjillore vazhdon duke përdorur një shprehje që nuk mund të kalojë pa ngjallur habi: «…Shpirti Shenjt e shtrëngoi Jezusin të shkojë në shkreti!» Si është e mundur të flitet për një «shtrëngim» të Jezusit? A nuk janë si Jezusi, Biri i Hyjit, si Shpirti Shenjt Persona të së Shenjtërueshmes Trini e që së bashku me Atin janë një Hyj i vetëm? Mos vallë Ungjilli dëshiron të na paraqesë një Jezus që nuk qenka i gatshëm ta kryejë vullnetin e Atit të vet, por u dashka të jetë «i shtrënguar» nga Shpirti Shenjt?

Qëllimi i kësaj shprehje nuk është të paraqesë ndonjë kundërvënie mes Personave Hyjnorë, por të shfaqë faktin se Jezusi, përveçse Hyj i vërtetë, është edhe njeri i vërtetë. Në lidhje me vuajtjen, njeriu nuk ndihet si në shtëpinë e vet. Njeriu, në fakt, nuk  ka qenë krijuar të vuajë, por të gëzojë jetën. Por, duke qenë se pas mëkatit të njerëzve, njeriu e humbi Parajsën tokësore, atëherë i duhet të përballet edhe me vuajtjen të cilën Hyji nuk e dha si dënim, por si mjet i mistershëm përsosmërie.

Megjithatë, përballja me vuajtjen, nuk është e dëshirueshme asnjëherë nga njeriu. E prandaj, duke qenë se Jezusi ishte njeri i vërtetë, nuk mund të themi se vuajtja për Të ishte diçka e këndshme. Për këtë arsye edhe Ai, si çdo njeri, kishte nevojë për një shtytje të Hirin Hyjnor për t’u “përleshur” me vuajtjen dhe tundimet e kështu ta thellonte intimitetin me Atin e vet.

Si pasojë, mund ta marrim me mend se edhe ne të pagëzuarve na duhet të përjetojmë, herët a vonë, përvojën e mundimshme të shkretëtirës. E shkretëtira mund të marrë fytyra të ndryshme në jetën tonë: mund të jetë një fatkeqësi familjare, një sëmundje në trupin tonë apo tek ata që i kemi për zemër, përballimi i egoizmit të ndokujt që mund të na urrejë edhe pa i pasë bërë asgjë, rreziku i humbjes së vendit të punës, ngaqë na duhet ta dëshmojmë fenë tonë, etj.

Shkretëtira në jetën e besimtarit mund të marrë edhe formën e ndonjë errësire shpirtërore. Thuhet për Nënë Terezën se, ndërkohë që askujt nuk ia merrte mendja, ajo brenda vetes po përjetonte prej 50 vitesh një errësirë të fortë. Kjo lloj errësire nuk është thjesht dyshimi rreth besimit në Hyjin, por bëhet fjalë për një mënyrë të mistershme për t’iu bashkuar mundimeve të Jezusit të Kryqëzuar, kur besimtari e do Hyjin pavarësisht ngushëllimeve që Ai mund t’i dërgojë. Megjithatë, kjo mungesë ngushëllimesh, është një përvojë shumë e mundimshme.

Ka, pra, shumë lloje shkretëtirash. Por, sikur kjo të mos mjaftonte, në shkretëtirat e jetës sonë afrohet edhe rebeli i madh, djalli, për të na nxitur të rebelohemi edhe ne ndaj Hyjit. Kështu ndodh edhe me Jezusin.

Në Ungjillin e sotëm nuk na thuhet se të çfarë lloji ishin tundimet që djalli i bëri Jezusit. Kjo mbase ngaqë Shën Marku ka për qëllim vetëm të vërë theksin te fakti se çdo i pagëzuar duhet të përgatitet të përballet me këtë armik të Hyjit dhe të njerëzve. Shën Pali, në një letër të tijën, thotë: «Nuk kemi luftë vetëm kundër njeriut, por […] kundër shpirtërave të këqij të hapësirës qiellore.» (Ef 6, 12), pra kundër djallit.

Në kohët moderne, tundimi që djalli po përpiqet të përhapë, është një tundim shumë dinak: mohimi i ekzistencës së vet. Duke e mohuar ekzistencën e djallit, shumë njerëz përpiqen t’i japin një shpjegim vetëm njerëzor shumë të këqijave që bëhen.

Por nuk është ashtu, sepse djalli arrin ta prekë fantazinë tonë dhe botën tonë të brendshme, duke bërë çmosin që të na largojë nga Hyji. Madje ka raste kur arrin ta prekë njeriun edhe fizikisht, siç ka ndodhur në jetën e disa shenjtërve.

Atij që beson, ky armik i vjetër, në fakt, nuk mund t’i bëjë asgjë, nëse e ka ngulur shikimin e vet në Hyjin, por gjithsesi duhet të kihet një farë vigjilence ndaj kurtheve që ai herë pas here kurdis.

Por, a mund të na kalojë pa u vënë re diçka tjetër në Ungjillin e sotëm? Aty thuhet se Jezusi «rrinte me egërsira dhe engjëjt i shërbenin». Kjo pjesë mund të na sjellë ndër mend disa tekste të Besëlidhjes së vjetër.

I pari është tek libri i Zanafillës ku thuhet se  Hyji i afroi pranë njeriut të gjitha kafshët dhe shpendët me qëllim që njeriu t’u vinte emrat (krh. Zan 1, 19-20). Por rënia në mëkat solli shumë përçarje: njeriu pësoi përçarje në marrëdhenien e tij me Hyjin, me veten e vet, me njerëzit e tjerë dhe me krijesat në përgjithësi. Kështu e kuptojmë se, fakti që Jezusi rri së bashku me egërsirat, do të thotë se në personin e Jezusit nuk kishte pushtet efekti përçarës i mëkatit, duke qenë se në Të nuk kishte mëkat.

Në leximin e parë sot na është paraqitur një tjetër tekst që përshkruan harmoninë e rivendosur të Hyjit me krijimin pas përmbytjes në kohën e Noehit: «Ja, unë po e lidh besëlidhjen time me ju dhe me trashëgimtarët tuaj pas jush e me çdo qenie të gjallë që është me ju, qoftë ai shpend, qoftë bagëti, qoftë egërsirë e tokës që është me ju, me të gjitha gjallesat që dolën prej arkës me ju e me mbarë gjallesat e tokës.»

Mëkati i njeriut kishte bërë që, në përmbytjen e gjithëmbarshme me ujë, të pësonin edhe krijesat e tjera. Ndërsa tani, falë mëshirës së Hyjit, por përfitojnë edhe të gjitha krijesat e tjera.

Në Jezusin do të na tregohet më së miri kjo mëshirë e Hyjit në vdekjen e ngjalljen e Tij. Duket sikur ky qëndrim i Jezusit tani me egërsirat, është duke treguar në mënyrën e vet, se ka ardhur koha e mëshirës së Hyjit për njeriun.

Por jo më pak i rëndësishëm është edhe një tjetër tekst biblik. Në librin e Isaisë profet thuhet se ditën kur Zoti do të krijojë «qiejt e rinj e tokën e re», ajo që ne e quajmë ndryshe edhe fundi i kohëve, paqa do të arrijë deri aty sa që «ujk e qengj bashkë do të kullosin, luani do të hajë kashtë si gjedhi; kurse gjarpri do të hajë pluhur. S’do të bëjnë dëm as nuk do të vrasin mbi mbarë Malin tim të shenjtë.» Janë imazhe që duan të shprehin se, Parajsa tokësore që u humb në fillimin e kohëve, do të rifitohet sërish në fund të kohëve. Fakti se Jezusi rri në harmoni me egërsirat dhe se engjëjt i shërbejnë, është shëmbëllesë e krijimit të ri që do të vijë, por që ka filluar qysh me Mishërimin e Tij. Harmonia mes qiellit (engjëjt) dhe tokës (egërsirat) ka filluar në Jezusin.

Por kjo ka edhe një domethënie tjetër edhe më të rëndësishme: çdo i pagëzuar, edhe pse e di se në këtë jetë është ende në kohën e provës e të tundimeve, duhet ta dijë se mbart në vetvete që tani shenjat e fitores së Krishtit, fitore e cila do të arrijë plotësinë e saj në fundin e kohëve, atëherë kur efektet përçarëse të mëkatit do të marrin fund.

Prandaj Jezusi në fillimet e predikimeve të veta thotë: «Koha u plotësua.» Do të thotë se u plotësua koha kur efektet përçarëse të mëkatit po mposhten dhe njeriut po i rikthehet harmonia e humbur në fillim. Kjo realizohet në Jezusin, i cili është vetë Lajmi i Mirë (Ungjilli).

Ajo që kërkon Hyji, është që të zgjedhim brenda nesh largimin nga mëkati. Për këtë arsye nevojitet kthimi. Prandaj Jezusi thotë: «Kthehuni dhe besoni Ungjillit!»

Të kthehemi, pra, kah Lajmi i Mirë që është vetë Jezusi, edhe pse e dijmë se, si të pagëzuar, na presin provat e shkretëtirave të ndryshme dhe të tundimeve të djallit dinak.

Por të mos ligështohemi për këtë: ne qysh tani mbartim në vetvete shenjat e fitores. E, cila është kjo shenjë? Është pagëzimi që kemi marrë, siç na e kujton sot edhe Shën Pjetri në letrën e tij: «Pagëzimi që sot ju shpëton ju.» Nëpërmjet pagëzimit jetën tonë e kemi zhytur (fjala «pagëzim» do të thotë pikërisht «zhytje») në jetën e Jezu Krishtit, i cili fitoi mbi mëkatin e mbi vdekjen.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *