O ATË I SHENJTË, RUAJI NË EMËR TËND ATA QË TI M’I DHE!

Categories HomeliPosted on

E DIELA VII E PASHKËS – VITI A

Vap 1, 12-14; Ps 27 (26); 1 Pjt 4, 13-16; Gjn 17, 1-17

Në pjesën e sotme ungjillore na janë shpallur rreshtat e parë të asaj lutjeje shumë të gjatë të cilën Jezusi ia drejtoi Atit të vet natën që do ta arrestonin. Gjatë asaj darke të fundit, Jezusi u jep apostujve shumë porosi. Në mënyrë të veçantë ungjilli i Gjonit i kushton shumë vëmendje (plot pesë kapituj) këtyre çaste, që ngjanin si lamtumira e Jezusit. Atë natë Jezusi themeloi Eukaristinë (garancia se do të ishte gjithnjë i pranishëm në mesin e tyre), u lan këmbët nxënësve të vet (si ftesë për të qenë edhe ata shërbëtorë të njerëzimit, si Ai), u jep «urdhrin e ri» të dashurisë, u premton ardhjen e Shpirtit Shenjt, i porosit të vazhdojnë të mbeten të lidhur me Të si shermendi me hardhinë e u jep edhe shumë porosi të tjera që atyre do t’u duhen në të ardhmen.

Ndërsa këtu, në kapitullin e shtatëmbëdhjetë të Ungjillit të Gjonit, Jezusi i drejtohet Atit të vet. Tani porositë mbarojnë dhe fillon lutja për nxënësit e Tij, për Kishën e Tij. Një lutje e mbushur plot me merakun e Jezusit për këta miq të vet të dashur, të cilët tani po ia porosit Atit të vet. Kjo lutje njihet ndryshe edhe si Lutja meshtarake e Jezusit, në kuptimin që tani Jezusi po ndërmejtëson para Atit të vet për Kishën e Tij.

«O Atë, arriti koha.», thotë Jezusi në fjalët e para të kësaj lutjeje. Është i vetëdijshëm se tani erdhi ora e tij. Kur, në fillim të veprimtarisë së tij, Maria, Nëna e tij, i kishte kërkuar të bënte ndonjë gjë sepse nuk kishte më verë në dasmën e Kanës, Jezusi i ishte përgjigjur: «Ende nuk erdhi koha ime.». Duke qenë se tani Jezusi thotë «arriti koha», do të thotë se koha e Tij paska qenë pikërisht koha e Mundimeve, e Vdekjes dhe e Ngjalljes së Tij.

«Jepi lavdi Birit tënd që Biri të japë lavdi ty»: koha e lavdisë së Jezusit qenkan, pra, pikërisht këto ngjarje që së shpejti do të ndodhin. Nuk paskan qenë edhe aq mrekullitë, të cilat filloi t’i bënte publikisht qysh në atë dasmë në Kanë. Ato mrekulli paskan qenë vetëm si shenja dhe parapërgatitje për nxënësit e Tij që do t’i afroheshin, ta donin e ta ndiqnin Atë, në pritje të kohës së lavdisë që po vinte. Tani kjo kohë do t’u japë jetën e pasosur atyre që do të besojnë në Atin nëpërmjet Jezusit: «E kjo është jeta e pasosur: që të njohin ty, një të vetmin Hyjin e vërtetë dhe atë që dërgove, Jezu Krishtin.».

Nuk është e mundur e nuk është as rasti të ndalemi mbi secilin rresht të kësaj pjese shumë të bukur ungjillore, por besoj se na mjafton vetëm të shohim thelbin që e karakterizon atë: Jezusi flet me Atin vetëm e vetëm në lidhje me nxënësit e vet. “Shqetësimi” i Jezusit është e ardhmja e tyre, feja e tyre, qëndresa e tyre në botë. Madje e thotë shumë qartë: «Unë për ta lutem. Nuk lutem për botën, por për ata që ti m’i dhe, sepse janë të tutë.».

Patjetër që na bën përshtypje ky refuzim i Jezusit që të lutet edhe për botën. Termi “botë” nënkupton ata persona që sistematikisht i kundërvihen së mirës, së vërtetës, Hyjit. Si ka mundësi që Jezusi nuk lutet fare për ta?! Unë nuk dua ta kem guximin të bëj ndonjë pohim të qartë në këtë rast, sepse në një farë mënyre mbetem i paqartë në këtë vendosmëri të Jezusit për t’u lutur vetëm për nxënësit e Tij dhe «për ata që, për shkak të fjalës së tyre» do të besonin më vonë në Të. E vetmja gjë që më qartëson pak, është fakti se Hyji e merr shumë seriozisht lirinë tonë. Nëse ne, me vetëdije të plotë, i kundërvihemi Atij, Ai na lë në këtë vendim tonin dhe nuk mund të bëjë asgjë. Ndërsa ata që sadopak përpiqen të shkojnë pas Tij, pas së vërtetës e së mirës, Ai i merr nën mburojën e vet dhe i ndihmon të ecin asaj rruge. Kjo duhet të na bëjë edhe ne ta merrim shumë seriozisht lirinë tonë!

«Unë nuk rri më në botë e ata janë në botë. E unë po vij te ti.» Jezusi e di se bota nuk është vend i sigurt për nxënësit e Tij, sepse ajo do të përpiqet t’i bëjë si vetja. Aq më tepër që bota, duke qenë se zgjedh t’i mbyllet frymëzimeve të Shpirtit të Zotit, nuk ka se si të mos bjerë pre e mashtrimeve të të Keqit, gjarpërit dinak, «gënjështarit qysh prej fillimit», djallit, i cili shpesh krijon edhe struktura të tmerrshme mëkati në shoqëritë njerëzore, duke i bërë të duken si të vërteta absolute deri edhe ato gjëra që janë në kundërshtim të plotë me vullnesën e Hyjit. Prandaj Jezusi lutet që nxënësit e Tij të jenë vazhdimisht të bashkuar me Trininë e Shenjtë, sepse vetëm kështu do të dijnë t’i shmangen këtyre mashtrimeve: «O Atë i shenjtë, ruaji në Emër tënd ata që ti m’i dhe, që të jenë një sikurse ne!» Kështu, pastaj, kuptojmë edhe se, në këtë botë të përçarë, bashkimi i të krishterëve qenka vepër e Atit dhe qenka dëshmi e fuqishme ndaj Hyjit Trini e Njini. Duke parë të krishterët, pra, bota mëson të shohë Hyjin Trini e të kuptojë se bashkimi qenka i mundur.

Këto fjalë të Jezusit na kujtojnë një tekst shumë të bukur të shkruar rreth gjysmës së parë të shekullit të dytë, i cili njihet si Letra drejtuar Dionjetos. Dionjeto mendohet se ishte një ushtarak romak i cili kishte filluar të interesohej për kreshterimin dhe, me sa duket, kërkonte shpjegime më të qarta rreth tij. Atëherë dikush, me shumë mundësi një ipeshkëv apo meshtar, i dërgon këtë letër e cila është mjaft e gjatë, por që përshkruan “rolin” e të krishterët në botë: «Të krishterët janë në botë çka shpirti është në trup. Shpirti ndodhet në çdo pjesë të trupit dhe të krishterët janë të shpërndarë në çdo qytet të botës. Shpirti jeton në trup, por nuk vjen nga trupi. Edhe të krishterët jetojnë në këtë botë, por nuk janë të botës. Shpirti i padukshëm është i mbyllur në një trup të dukshëm, edhe të krishterët shihet tek jetojnë në botë, por kulti i tyre i vërtetë ndaj Hyjit është i padukshëm.». Janë këto vetëm disa nga fjalët e shumta e tejet të thella të këtij teksti të mrekullueshëm, i cili i përshkruan të krishterët si jeta e botës. Por kjo nuk është risi, sepse vetë Jezusi pak a shumë kështu u ka thënë nxënësve të vet: «Ju jeni kripa e tokës… Ju jeni drita e botës». Prandaj mbase Jezusi nuk lutet për botën në këto çaste lamtumire, sepse, përveç faktit që e thamë më sipër, pra se Ai e merr shumë seriozisht lirinë njerëzore, mbase ka më parë ndër mend të forcojë nxënësit e Tij në fe. Do të jenë, pastaj, ata vetë që do të dijnë, të ndihmuar nga Shpirti Shenjt, të jenë në botë kripë, dritë dhe jetë.

Prandaj leximi i parë na tregon se si aspostujt, së bashku me Marinë e me disa gra të tjera të përshpirtshme, «ishin të përqëndruar prore së bashku në uratë». Ishin në pritje të Shpirtit Shenjt të cilin ua kishte premtuar Jezusi. Ky Shpirt do t’i mësonte pastaj se si të ishin «drita e botës e kripa e tokës». Nga ana tjetër, edhe Shën Pali, në leximin e dytë, na jep një mësim shumë konkret e të dobishëm: «Vëllezër, gëzohuni si pjesëtarë të mudimeve të Krishtit!… Por veniani mendjen që asnjë ndër ju të mos vuajë o si vrastar, o si vjedhës, o si bakeq ose edhe vetëm si njeri që përzihet në punët e huaja!…». Këto na mësojnë, pra, se Shpirti Shenjt mund të veprojë në ne nëse gjejmë kohë për uratë e meditim dhe nëse jepemi pas veprave të mira, duke u ikur me vendosmëri veprave të liga.

Duke dëgjuar leximin e parë dhe të dytin, e shohim se lutja e Jezusit drejtuar Atit në atë darkë të fundit, ka filluar menjëherë t’i japë frytet e veta. Në këto ditë kur Kisha ka fillur edhe Nëntëshen e Rrëshajëve, jemi të nxitur edhe më fort që edhe ne si të krishterët e parë, t’i hapemi veprimit të Shpirtit Shenjt. Me ndihmën e Tij edhe ne do të mund të jemi në botë dritë, kripë dhe jetë. Kështu, lutja meshtarake e Jezusit, e bërë atë natë lamtumire, nuk do të shkojë kot as për ne.

Në një shtegtim të vetin në Tokën e Shenjtë, Shën Françesku i Asizit thuhet se u kap nga ushtarët e sulltanit të Egjiptit dhe rrethanat sollën që ai ta takonte edhe vetë sulltanin. Pasi qëndroi shumë ditë rob i tij, patën edhe mundësinë të bisedonin shpesh herë bashkë. Në fund sundimtari i frikshëm e liroi pasi kishte mbetur i befasuar nga shpirti i këtij njeriu shumë dashamir, i cili ishte tejet i varfër, por që ndërkohë ishte edhe tejet i dashuruar me Zotin e vet. I tha vetëm: «Ah sikur të gjithë të krishterët të ishin si ti!». Sulltani dha urdhër që Shën Françesku me fretërit e tij të lejoheshin ta predikonin ungjillin edhe në ato zona ku të tjerëve përgjithësisht u ndalohej, privilegj të cilin fretërit në ato toka do ta kishin edhe përgjatë shekujve, deri edhe sot.

Lutja e Jezusit drejtuar Atit atë natë për Kishën e tij, përgjatë shekujve ka dhënë e do t’i japë gjithnjë frytet e veta. Ati gjithnjë do t’i ruajë nga i Keqi, gjithnjë do t’i ruajë nga bota, gjithnjë do t’i bëjë kripë dhe dritë dhe jetë e botës. Gjithnjë Ati e dëgjon lutjen e Birit të vet. Mjafton vetëm që Kisha t’i hapet Shpirtit Shenjt.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *