“Provania Hyjnore nuk dështon kurrë”

Categories FamulliaPosted on

(30-vjetori i meshtarisë së Atë Andre Maria)

Me datën 26 Maj 2021 u kremtua Mesha e Shenjtë për përvjetorin e 30-të të meshtarisë së Atë Andre Maria, Misionar i Dashurisë Kontemplative, “Vllaznit e Nanë Terezes”, në famullinë e “Shën Rroku”, Rranxa – Bushat. Mesha e Shenjtë është udhëhequr nga Ipeshkvi i Dioqezës Shkodër-Pult, Imzot Angelo Massafra.

I pranishëm në Meshën Shenjte ishte Atë Sebastian Vazhakala, epror i Misionarëve të Dashurisë Kontemplative M.C, Dom Dritan Ndoci, famullitar i kësaj famullie, Dom Sharbel, Misionarë e Misionare të shumtë të Dashurisë, autoritetet vendore si edhe besimtarë të shumtë që e ndeuan veprimtarinë baritore të këtij meshtari.

Atë Andre Maria u lind në Red Deer, Kanada, më 15 Mars 1958. Ai u lind nga prindërit Leon Peter Kuzminski dhe Maryanne Rita Kuzminski. I ati ishte me profesion inxhinier i mjeteve ajrore, ndërsa e ëma sekretare e një kompanie.

Në vitin 1980 ai kreu studimet në degën Farmaci në SHBA dhe, dy vite më pas, hyri në seminarin e Shën Albertit.

Iu bashkua Misionarëve të Dashurisë Kontemplative në moshën 25-vjeçare, në vitin 1983, duke e përqafuar këtë mision në shërbim të më të varfërve ndër të varfër,  për të sëmurët, të nëpërkëmburit, për familjet në nevojë, por mbi të gjitha për t’i shërbyer Krishtit Jezus si një laps i vogël në duart e Tij, sikurse thoshte edhe e Shenjtja Nënë Tereza.

Vëlla Andre Marie ishte me fat kur në San Gregorio, në Romë, takoi së pari Nënë Terezën, gruan me shtatin e vogël, por me zemrën e madhe, siç e përshkruan Vëlla Andrea. Porosia që ajo i dha, ishte: “Tani që keni ardhur, duhet të rrini”.

Kreu studimet në Teologji në vitin 1991 në Romë dhe pati fatin të shugurohej meshtar nga Shën Gjon Pali II në sheshin Shën Pjetri, në Vatikan, me datën 06.05.1991.

Pas shugurimit, në vitin 1992 ai erdhi në Shqipëri. Pikërisht në ditën e Shën Gregorit, në prani të Nuncit Apostolik të Shqipërisë, Imzot Ivan Dias dhe të Atë Sebastian Vazhakala, ai bëri kushtet e përjetshme në kishën e Familjes së Shenjtë, në Bushat. 

Nisi misionin meshtarak në Bushat, Kukël dhe së fundmi edhe në Romë si drejtues i shtëpisë për të varfrit, duke pasur përherë para syve të tij praninë e mistershme dhe reale të Krishtit në shenjat e bukës dhe të verës, për të dhënë gjithçka në ndihmë të njerzve në nevojë.

Jeta meshtarake e Vëlla Andreas është: shërbimi me lutje për shpirtërat, ndihma ndaj të vobektëve dhe jeta për nder e lavd të Zotit Jezus. Për këtë arsye, gjatë gjithë kohës që ai ishte në Shqipëri, ai ishte shumë i ndjeshëm për t’u shkuar sa më shumë në ndihmë të burgosurve e prandaj me dhjetra herë vizitonte burgun e Shën Kollit në Lezhë, atë të Burrelit e të Krujës, duke u dhënë atyre sakramentin e rrëfimit, kremtimin e Meshës së Shenjtë, por dhe duke u dërguar shpesh atyre ndihma të vazhdueshme.

Gjatë Meshës së Shenjtë, Imzot Massafra nderoi jetën dhe veprën meshtarake të Vëlla Andre Maria, duke përkujtuar gëzimin e jetës së krishterë dhe rregulltare dhe duke vlerësuar ndihmesën e madhe që ai jep në shërbim të Zotit, të njerëzve në nevojë, si edhe të të gjithë besimtarëve që ka takuar ndër vite.

Kolë Shaben

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *