UDHËS KISHIN BISEDUAR SE KUSH ISHTE MË I MADHI.

Categories HomeliPosted on

E DIELA XXV GJATË VITIT B

Urt 2, 1.17-20; Ps 54 (53); Jak 3, 16 – 4, 3; Mk 9, 30-37

E keni parasysh atë ndjesinë që të krijohet në grykë kur ti sapo ke filluar të hysh në bisedë me një mik, kur sapo ke filluar ta hapësh pak nga pak zemrën për të prekur tema shumë personale të jetës tënde dhe ai, miku yt, papritur e pa kujtuar nxjerr celularin e habitet në rrjete sociale? Sa vetëm mund të jemi ndier në ato çaste?! Është një ndiesi mbytëse, e rëndë, të cilën mbase edhe ne ia kemi shkaktuar të tjerëve kush e di se sa herë.

Ja, kështu i ndodh edhe Jezusit në Ungjillin e sotëm: Ai përsëri u flet nxënësve të vet për Mundimet, Vdekjen e Ngjalljen e Tij që së shpejti do të ndodhnin, duke dashur ta hapë zemrën e vet me ta, kurse ata fillojnë të “grinden” «se kush ishte më i madhi» ndër ta. I shkreti Jezus! Sa vetëm duhet të jetë ndierë në ato çaste?!…

«Biri i njeriut do t’u dorëzohet njerëzve e ata do ta vrasin, por, kur ta kenë vrarë, ai do të ngjallet pas tri ditësh.» – u thotë Jezusi nxënësve të vet, e ungjilltari shpjegon se «ata nuk e morën vesh këtë fjalë e kishin frikë ta pyesnin».

Në fakt, herën e fundit që Jezusi kishte thënë po ato fjalë dhe, kur Pjetri kishte filluar ta qortonte Jezusin duke i thënë se Atij, Mesisë, nuk duhej t’i ndodhte një gjë e tillë (siç kemi dëgjuar të dielën e kaluar), puna kishte përfunduar jo fort këndshëm: Jezusi e kishte qortuar rëndë Pjetrin dukë i thënë: «M’u hiq sysh, he djall, se nuk i ke ndër mend punët e Hyjit, por punët e njerëzve!» Asnjëri prej nxënësve nuk dëshironte më të kishte “fundin” e Pjetrit!

Por Ungjilli nuk thotë vetëm se «kishin frikë». Thotë edhe se «nuk e morën vesh këtë fjalë».

E faktin se vërtet nuk e kishin marrë vesh, e vërteton vazhdimi i ngjarjeve: «Arritën në Kafarnaum. Si hyri në shtëpi, Jezusi i pyeti: “Mbi çka biseduat rrugës?” Ata nuk bënë zë, sepse udhës kishin biseduar kush ishte më i madhi.»

E përmendëm në fillim ndjesinë e vetmisë që Jezusi duhet ta ketë ndier në ato çaste. Pikërisht ata, miqtë e Tij, nuk ia kishin kuptuar ende Zemrën dhe kishin filluar të bënin plane madhështie në jetët e tyre. «Jemi kaq mendjemëdhenj – thoshte Blezë Paskal – sa do të donim që të na njihte mbarë bota dhe jemi kaq mendjelehtë, saqë vlerësimi i pesë apo e gjashtë vetëve rreth nesh na gëzon e na kënaq.»

Nganjëherë as nuk e vëmë re se ku na ka çuar kërkimi i pushtetit e sa mendjemëdhenj na ka bërë! Shumë njerëz e humbin pafajësinë e shpirtit, vetëm ngaqë fillojnë të jepen pas pushtetit.

Luftrat në botë shpesh herë bëhen jo edhe aq për nevojën e një pushtimi apo mbrojtjeje, por për t’i treguar botës se sa të mëdhenj janë ata pushtues.

Edhe në rastet më vetjake: shpesh herë mundohemi ta mbrojmë me dhëmbë dinjitetin tonë. Është e vërtetë se duhet ndihmuar tjetri ta kuptojë se duhet treguar respekt ndaj asaj që “më i madhi” përfaqëson, por kjo nuk do të thotë se u dashka të bëjmë luftë për t’ia mësuar këtë.

Edhe në hierarkinë kishtare, fatkeqësisht, rreziku nuk është fort larg: jo rrallë ka prej atyre që një detyrë kishtare e shohin si një promovim, si një ngritje në karrierë e jo si një shërbim. Marrja e kushteve, një shugurim meshtarak, një shugurim ipeshkvnor, një emërim si kardinal apo edhe zgjedhjen si Papë, mund ta mendojnë si rritje të dinjitetit personal e jo si shërbim. Nuk e di se si do të ndiheshin këta njerëz përballë asaj që Jezusi sot u thotë nxënësve të vet: «Kush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet i mbrami i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve!»

Edhe ai shërbim që bëhet me synimin për të qenë i pari në këtë botë, nuk përputhet me atë që thotë Jezusi. Kur thotë «kush dëshiron të jetë i pari», Jezusi e ka fjalën për bashkimin me Të, për afërsinë me Mbretërinë Hyjit.

Edhe në shumë familje shpesh ndodhin keqkuptime e grindje, keqtrajtime e poshtërime, vetëm e vetëm nga «dëshira për të qenë të parët». Shën Jakobi sot na e thotë këtë shumë qartë: «Nga vijnë ngatërresat dhe grindjet që vlojnë ndër ju? A thua jo këndej: nga lakmimet tuaja që luftojnë në gjymtyrët tuaja?» E Shën Jakobi u drejtohej të krishterëve, atyre të cilët i kishte ungjillëzuar një herë, por që kishin filluar sërish të kishin grindje e ngatërresa në bashkësitë e tyre e në familjet e tyre, ngaqë i kishin lënë dorë të lirë «lakmimeve që luftojnë në gjymtyrët e njeriut».

Madje «lakmimet» për të cilat ai flet, mund të arrijnë të prekin edhe lutjen tonë: «Luteni e nuk fitoni, pse luteni keq që t’i shpenzoni në plotësimin e ëndjeve tuaja.» Ekziston rreziku i tmerrshëm që «të lutemi keq»: përballë Krishtit të kryqëzuar mund të qëllojë t’i lutemi që Ai të na japë pushtet, ndërkohë që Ai me gjestin e tij (është në kryq) po na mëson krejtësisht të kundërtën.

Në Ungjillin e sotëm Jezusi bën edhe një gjest konkret, gjest të cilin e shoqëron edhe me një shpjegim përkatës: «Mori një fëmijë të vogël, e vuri midis tyre, e mori ngrykë dhe u tha: “Kush e pranon një vogëlush si ky në Emrin tim, më pranon mua; e kush më pranon mua, nuk më pranon mua, por atë që më dërgoi mua”.»

Fakti që Jezusi merr një fëmijë, është shumë domethënës: fëmija është ai që e ka të domosdoshme përkujdesjen e dikujt për t’u rritur. Jezusi mëson kështu se shërbimi me dashuri është gjithnjë shumë urgjent, përndryshe ajo që e pëson është jeta e tjetrit.

Ka edhe më: të përkujdesesh ndaj fëmijës, nuk do të thotë të përkujdesesh ndaj dikujt që të thotë gjithnjë «faleminderit». Shpesh të shkon dëm e gjithë puna e bërë me të. Por këtu qëndron ndryshimi i dashurisë që Jezusi mëson: të shërbesh falas, edhe atëherë kur nga i shërbyeri nuk merr shpërblimin e punës sate. As falënderimin. Duhet dashur falas e me durim! Si një prind me fëmijën e vet. Samuel Xhonson, një prej shkrimtarëve më të famshëm të letërsisë angleze në shekullin XVIII, shkruante: «Masa e vërtetë e një njeriu shihet se si e trajton një njeri nga i cili nuk do të mund të marrë absolutisht asgjë.» «Të pranosh» (që do të thotë: ta duash e t’i shërbesh) «një fëmijë», do të thotë të përgatitesh të mos marrësh asnjë shpërblim. Kjo do të thotë të përgatitesh të duash si Hyji, i cili na do ne edhe pse nuk ia shpërblejmë kurrë si duhet dashurinë e Tij. Prandaj kanë të drejtë ata teologë që thonë se «Shërbimi është arti më i lartë i Hyjit.»

Për këtë arsye Jezusi garanton se ai që do të zgjedhë të dojë një fëmijë ashtu si mëson Ai, do të këtë gjithnjë miqësinë e Tij e të Atit të vet: «Kush e pranon një vogëlush si ky në Emrin tim, më pranon mua e, kush më pranon mua, nuk më pranon mua, por atë që më dërgoi mua.»

Kjo lloj dashurie nuk mirëpritet gjithnjë nga bota, të paktën jo menjëherë.

Leximi i parë na e tregon se me sa mizori njerëzit mund të bëjnë plane dashakeqe ndaj të drejtit: «Thanë të paudhët: “T’i vëmë prita të drejtit, sepse na pengon dhe u kundërshton veprave tona, sepse na qorton për mëkatet kundër Ligjit e na i përplas në sy mungesat e edukatës që kemi marrë”.» Ligësia njerëzore i mendoi këto fjalë deri edhe kundër të Drejtit më të drejtë që mund të ekzistonte, kundër Jezusit, e prandaj na duhet ta dijmë se ashtu do t’u ndodhë edhe atyre që e ndjekin Jezusin.

Sikurse apostujve iu desh të luftonin me egoizmin e tyre për të kuptuar logjikën e dashurisë falas të Jezusit dhe të përvujtërisë së Tij, ashtu na duhet edhe neve të luftojmë me veset tona e me krenarinë tonë, që të mund të jemi në botë përçues bujarë të Dashurisë Hyjnore.

Megjithatë na duhet ta pranojmë, si me humorizëm, se na “ngushëllon” pak kjo vështirësi e apostujve për ta kuptuar Jezusin: përderisa sa as ata që ndenjën me Jezusin për disa vjet rresht, nuk e patën edhe aq lehtë ta kuptonin Atë, do të thotë se qenka “normale” ta kesh të vështirë të mësohesh me këtë logjikë të Jezusit.

Por ky lloj “ngushëllimi” duhet të na shërbejë vetëm sa për të kuptuar se jemi mëkatarë dhe se Jezusi është i durueshëm me ne. Nëse, përkundrazi, këtë “ngushëllim” do ta përdornim për të justifikuar krenarinë e veset tona, përsëri Jezusin do ta bënim të ndihej vetëm.

E është e rëndë kur të bën të ndihesh vetëm dikush të cilin mendove se e ke mik. Dhe, e dimë: ne Jezusi na çmon si miqtë e Tij.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *