KJO VEJUSHË SKAMNORE QITI MË SHUMË SE TË GJITHË TË TJERËT.

Categories HomeliPosted on

E DIELA XXXII GJATË VITIT B

1Mbr 17, 10-16; Ps 146 (145); Heb 9, 24-28; Mk 12, 38-44

Këtë të dielë Shkrimi Shenjt përmend disa herë vejushat. Në leximin e parë na tregohet se si një vejushë strehoi e ushqeu në shtëpinë e vet profetin Eli. Edhe Ungjilli flet për vejushat: një herë Jezusi i përmend ato duke vënë në pah padrejtësitë që skribët bënin kundër tyre e pastaj i del zot një vejushe skamnore e cila qiti pak para në arkën e tempullit.

Për vejushat Shkrimi Shenjt flet shpesh, sidomos në Besëlidhjen e Vjetër. Madje në porositë e Tij ndaj popullit të Izraelit, Zoti është shumë këmbëngulës në respektin që secili duhej të kishte ndaj vejushës e ndaj jetimit.

Vejushat ishin kategoria më e rrezikuar në atë kohë edhe për shkak të hapësirave tepër të pakta që i rezervohej gruas në jetën publike e kështu nuk kishte kush t’i përfaqësonte e t’i mbronte botërisht. Kështu, duke i dalë zot kësaj kategorie të popullit, Hyji bëhej mbrojtësi i drejtpërdrejtë i tyre. Prandaj gjejmë në Shkrimin e Shenjtë shprehje si: «Zoti i jep të drejtën bonjakut dhe vejushës, e do të ardhurin, i jep ushqim dhe e vesh.» (Lp 10, 18) Psalmi i sotëm thotë: «Zoti u ndihmon bonjakëve e të vejave.» Një psalm tjetër rezervon deri edhe fjalë prekëse në këtë aspekt: «Ati i bonjakëve, mbrojtësi i të vejave, është Hyji në banesën e vet të shenjtë.» (Ps 68, 6)

Prandaj edhe Moisiu i thoshte Izraelit fjalë shumë të forta në lidhje me këtë: «Qoftë mallkuar ai që i shkel të drejtën ardhacakut, bonjakut dhe vejushës.» (Lp 27, 19) Mallkimi donte të thoshte përjashtim nga bashkësia e Izraelit.

Me një fjalë: dashuria për vejushat dhe jetimët, ngjante me një aparaturë matëse të dashurisë. Kemi aparatura për të matur temperaturën, tensionin, etj.: atëherë le ta imagjinojmë edhe një të tillë që matka dashurinë.

Shkrimin Shenjt sot na tregon disa raste konkrete se si Hyji përkujdeset për vejushën dhe jetimin. Në leximin e parë, Hyji e bën këtë duke mos lejuar që t’i mbaronte mielli vejushës që kishte mirëpritur në shtëpinë e saj profetin Eli. Ajo u tregua bujare me Hyjin, duke qenë se e pranoi me bujari të dërguarin e Tij e Hyji ia shpërbleu. Duke parë se ajo nuk u kursye edhe pse s’kishte tjetër ushqim, Hyji e inkurajoi nëpërmjet profetit: «Mos ki frikë aspak, por shko e bëj siç the […], sepse kështu thotë Zoti Hyj: “Në tinar, mielli s’do të mbarojë, në qyp vaji s’do të mbarojë deri sa të vijë dita që Zoti të falë shi mbi tokë”.» E ashtu ndodhi.

Po ashtu edhe në Ungjill, Jezusi përkujdeset në mënyrë të veçantë për vejushat. Pa kursim, Jezusi e nxjerr në pah egoizmin e skribëve të kohës së vet, duke treguar se sa i rremë ishte besimi që ata thoshin se kishin në Zotin: «I përlajnë shtëpitë e vejushave, e këndej kinse thonë uratë të gjata. Këta do të gjykohen veçanërisht rreptë.»

Të njëjtën gjë e bën edhe Jezusi duke mbrojtur dinjitetin e asaj vejushe skamnore që erdhi atë ditë në tempull për të lënë lëmoshën e saj. Në arkën e tempullit ishte zakon të liheshin para dhe, me shumë mundësi, aty ishte edhe ndokush që mbante shënim se sa u la. Ndoshta emrat lexoheshin edhe publikisht. Kështu që shumëkush shkonte të linte jo edhe aq për nevojat e tempullit, por për të rënë në sy për “bujarinë” e tij. Ves ky që edhe sot rrezikon të kanoset mbi kokat e shumë “bamirësve”, qofshin ata edhe brenda Kishës.

Por, si i bëhet për ata që nuk kanë shumë? A nuk paskan mundësi ata të jenë bujarë? Jezusi e mbron dinjitetin e kësaj vejushe që po rrezikon të përdhoset nga fryrja egoiste e pasanikëve. Prandaj edhe i fton rreth vetes nxënësit e vet dhe u thotë: «Për të vërtetë po ju them: Kjo vejushë skamnore qiti më shumë se të gjithë të tjerët që qitën para në arkë. Sepse të gjithë qitën prej tepricës, kurse kjo prej skamjes së vet qiti gjithçka pati: gjithë sa pati për jetesën e vet.»

Ja sa bukur Jezusi e mishëron në veten e Tij përkujdesjen e Hyjit ndaj kësaj kategorie: Jezusi, aty, në tempull, po e përmbush atë bindjen e psalmit që cituam më sipër: «Ati i bonjakëve, mbrojtësi i të vejave, është Hyji në banesën e vet të shenjtë.»

Duke lexuar këtë pjesë, ndokush edhe mund të ketë tundimin që të mendojë se ky tekst dashka të na mësojë se si duhet të sillemi përsa i përket lëmoshës që lëmë në kishë, duke menduar se u dashka të lëmë gjithçka që kemi. Por jo, nuk është ky qëllimi i kësaj pjese ungjillore. Këtu Jezusi na mëson që të mos kemi qëllime dashakeqe kur lëmë lëmoshë, pra të mos e bëjmë për t’u dukur. Jezusi na mëson që t’i ruhemi egoizmit.

Këto vejusha sot – ajo e leximit të parë dhe ajo e Ungjillit – na mësojnë diçka që është thelbësore për jetën tonë shpirtërore: bujaria ndaj Hyjit. Duket pak, por këtu është problemi i shumë “ngërçeve” që ndodhin në ecjen tonë shpirtërore. Zoti na flet me Fjalën e Tij, na kërkon që ta ndjekim, na kërkon që të rritemi gjithnjë e më shumë në dashuri, por nganjëherë ne nuk jemi të gatshëm për këtë. I gjithë problemi është se nuk jemi bujarë me Të.

Të jesh bujar me Hyjin, do të thotë të japësh pa zemër të thyer, të japësh kur e sheh se është e nevojshme dhe të mos rrish duke llogaritur shpenzimet që t’u desh të bëje për të mirën e arritur. Na kërkohet të jemi të gëzuar nëse e kemi çuar në vend atë që Hyji na e kërkoi. Shën Pali, në letrat e tija, thotë: «Hyji e do atë që jep me gëzim.» (2 Kor 9, 7)

E ndodh që Hyji të mos na kërkojë gjithnjë thjesht tepricat apo kursimet, por edhe «gjithçka patëm për jetesë». Këto vejusha pikërisht këtë na mësojnë.

Shpesh jemi koprracë me Zotin. Si ka mundësi, përshembull, që shumë të krishterë thonë se nuk kanë kohë të luten? Si ka mundësi që gjatë gjithë ditës apo në mbrëmje nuk arritkan t’i gjejnë të paktën pesë minuta për Zotin? Si qenka e mundur që të pohojmë se dikë e kemi përzemër, kur për të nuk “sakrifikojmë” pak nga koha jonë?

Por ndoshta e vërteta e hidhur është një tjetër: e quajmë humbje kohe kontaktin me Zotin, prandaj nuk arrijmë të lutemi. Nuk duam të humbim asgjë për hir të Tij. Nuk duam të jemi bujarë me Të.

Edhe për sa i përket thirrjeve për jetën meshtarake apo të shuguruar, të shumtë janë ata që nuk e vënë as në diskutim mundësinë e një thirrjeje të tillë (apo edhe nëse ndodh, e flakin menjëherë larg tutje këtë mendim), pikërisht ngaqë nuk duan të jenë bujarë me Hyjin. Deri sa Hyji u kërkon tepricat e kursimet, janë bujarë, madje edhe të gëzuar, por kur Ai u kërkon gjithçka, këtu ndodh “ngërçi” që përmendëm më sipër.

Në jetën e Shën Luigj Gonzagës, një djaloshi të një familjeje të pasur italiane në shekullin XVI, thuhet se nuk e pati lehtë të kishte miratimin e të atit kur deshi t’i hynte rrugës për t’u bërë meshtar. I ati i tha që as të mos e diskutonte një mundësi të tillë, por ai vazhdonte të lutej për këtë dhe vazhdonte të ngulte këmbë para të atit. Por ky as që tundej. I ati kishte vënë në këtë djalë tërë shpresën e markezatit të vet e nuk donte të humbiste gjithçka. Madje ndonjë herë i ati shpërthente edhe dhunshëm kundër tij, sepse ndihej i tradhtuar nga i biri.

Filloi të përpiqej ta shpërqendronte nga ai vendim, duke e mbuluar më të mira, por i biri nuk tërhiqej.

Megjithatë, një ditë ndodhi diçka që të atin e gjunjëzoi më në fund. Ai dërgoi dikë ta thërrasë Luigjin nga dhoma e tij e të paraqitej tek i ati, por Luigji nuk u paraqit. I thanë se i biri ishte futur në dhomë dhe e kishte mbyllur atë nga brenda. Dy prindërit u afruan të shihnin përmes një të çare të derës dhe panë se Luigji, duke qarë, po frushkullonte vetveten para Kryqit. Më vonë Luigji vetë do të tregonte se po frushkullonte atë anë të veten që ende nuk i ishte hapur krejtësisht Zotit. Kur pa këtë skenë, i ati u dorëzua dhe e lejoi të vazhdonte në zgjedhjen e tij.

Ja se ç’do të thotë të jesh bujar me Hyjin: të përpiqesh me çdo kusht ta mposhtësh egoizmin tënd personal. Këtë gjë na mësojnë dy vejushat për të cilat sot foli Shkrimi Shenjt dhe këtë gjë na e mësojnë të gjithë shenjtërit. Të mos i rezervojmë Zotit vetëm kursimet apo tepricat tona, por gjithçka që kemi dhe gjithçka që jemi!

Vlen edhe në lidhje me Zotin ajo lloj dashurie të cilën aktori dhe komiku i njohur italian, Roberto Benigni, thoshte se duhet të kemi në lidhje me njëri-tjetrin: «Të duash, do të thotë të dhurosh atë që nuk ke. Duhet të dhurojmë kohën tonë, veten tonë, ditët tona!» E këtë e thoshte seriozisht.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *