KAMPIONATI I MINI-FUTBOLLIT, RRANXA 2021

Categories FamulliaPosted on

Famullia e Shën Rroku prej shumë vitesh e ka bërë traditë duke e vazhduar edhe këtë vit në muajin gusht një nga veprimtaritë e rëndësishme sportive dhe kulturore: Kampionatin e Mini-Futbollit.

Si organizator i kësaj ngjarjeje sportivo-kulturore meritën e veçantë e ka famullitari Dom Dritan Ndoci, i cili përherë është afër të rinjve duke i mbështetur me veprimtari të ndryshme. Por ky kampionat kishte edhe bashkëpunëtorë të tjerë të palodhur, si mësuesi i fiskulturës Sandër Suka dhe Kolë Shaben.

Në këtë veprimtari morën pjesë dhjetë skuadra nga fshatrat e famullisë sonë dhe të fshatrave përrreth. Skuadrat pjesmarrëse ishin: Grupi A- Bushati, Fshati i Ri, Mali Kolaj, Rranxat dhe Ama (Beltoja), ndërsa në grupin B morën pjesë këto skuadra: Shkami i Kuq, Mali i Jushit, Rranxa 1 , Kryqëzimi dhe Djajt e Kuq (Trushi).

Ndeshjet ishin shumë dinjitoze dhe kishte rivalitet të fortë. Të gjitha skuadrat kishin një paraqitje shumë të mirë dhe me një përkushtim të jashtëzakonshëm shpalosën talentet e tyre, si edhe dhuruan spektakël edhe tek spektatorët e shumtë që çdo natë ndiqnin me dëshirë këto përballje.

Vlen të përmendim ndeshjen finale mes ekipit të Malit të Jushit dhe Ama (Beltojë), ku fitorja, pas një sfide tejet të vështirë, i buzëqeshi ekipit Mali i Jushit, i cili u nderua me kupën e kampionatit për të katërtin vit radhazi.

Risia e këtij kampionati:

Pjesëmarrja masive dhe ndjekja shumë e madhe nga sportdashësit; organizimi i përsosur; pajisja e skuadrave me uniforma të dalluara sportive që i kishte siguruar famullia gjë e cila i dha shumë bukuri paraqitjes së skuadrave; u respektuan maksimalisht rregullat e lojës dhe si rezultat vlen të theksohet se, gjatë gjithë kampionatit, asnjë futbollist nuk u ndëshkua me kartonin e kuq.

Përveç gjyqtarëve kryesorë, Sandër Suka dhe Kolë Shaben, meritojnë falënderim e mirënjohje edhe gjyqtarët ndihmës Kolë Shtatri e Kristjan Gjoni, pa anashkaluar këtu edhe kapitenët e skuadrave.

Në cermoninë e natës finale, për ekipin fitues dhe atë të vendit të dytë, u dorëzua kupa e kampionatit dhe u vlerësuan me medalje të dy ekipet finalistë.

Gjatë këtyre përballjeve kam vërejtur se të rinjtë janë një thesar dhe promotor i çmuar i zhvillimit të vendit e, për fatin e mire, me këto talente dhe dashamirës të jetës, të vendit dhe të sportit, shoqëria jonë do të jetë e sigurtë për vazhdimësinë e vlerave të krishtera.

Ejll Shuku

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *