I Lumi Karlo Akutis

Categories FamulliaPosted on

Djalosh që kishte zgjedhur një mik të veçantë, nga i cili nuk ndahej kurrë: Jezusin! E këtë thesar të çmuar dëshironte ta ndante me të gjithë. Prandaj u bë apostull. E si? Përmes asaj, që e kishte fort për zemër: informatikën, ku shkëlqente deri në gjenialitet. 

Karlo Akutis lindi në Londër të Anglisë më 1991, jetoi në Milano të Italisë dhe vdiq në Monza të Italisë më 12 tetor 2006 nga leuçemia e rrufeshme, kur ishte vetëm pesëmbëdhjetë vjeç.

Qysh në moshën 7 vjeçare ra në sy përkushtimi i tij në katekizëm, aq sa famullitari e pa të përshtatshme t’ia jepte kungimin e parë me një leje të veçantë, sepse tregonte një dashuri të madhe për Eukaristinë, të cilën e quante “Autostrada ime drejt qiellit”. Praktikisht çdo ditë luste rozaren e shenjtë dhe merrte pjesë në Meshën Shenjte.

U përpoq të jepte ndihmesën e tij në përhapjen e Ungjillit, duke përdorur teknologjitë e reja, si mjeshtër i kompjuterit që ishte. Ai realizoi një ekspozitë dhe programim  mbi mrekullitë eukaristike, ekspozitë e cila vazhdon të udhëtojë nëpër botë edhe sot e kësaj dite dhe vazhdon të kthejë shumë njerëz në fe.

Vuajtjet e sëmundjes e afruan edhe me shumë me Zotin dhe Kishën. Kur po e hynte në spitalin ku e shtruan me urgjencë, së ëmës i profetizoi vdekjen e tij të afërt: “Unë nuk do të dal më i gjallë prej këtu. Por ia besoj gjithçka Zotit dhe, sëmundjen time, ia ofroj Zotit për Papën, për Kishën dhe që të mund të shkoj drejtpërdrejt në parajsë, pa kaluar nëpër purgator”. E, mjekëve që përkujdeseshin për të, u thoshte shpesh: “Ka njerëz që po vuajnë më shumë se unë”.

Mrekullia që i hapi rrugën shpalljes së tij të Lumë  (që u realizua më 10 tetor 2020), ishte  shërimi i pashpjegueshëm i një fëmije gjashtë vjeçar në Brazil, i cili kishte lindur me pankreas të dëmtuar dhe që nuk mund të ushqehej normalisht. Famullitari i zonës u kërkoi banorëve të lusnin një nëntëditëshe në nderë të Karlit dhe, një ditë, e bëri të sëmurin të prekte reliken e Karlit. Të nesërmen mjekët konstatuan se fëmija nuk ishte më i sëmurë.

 Kjo mrekulli u prit nga Kisha me shumë jehonë, sepse Akutis është adoleshent i kohës sonë i cili, përveç pasioneve të bukura si shumica e bashkëmoshatarët e tij (informatikën dhe sportin), ai zgjodhi edhe të kishte mik të vazhdueshëm Jezusin dhe Marinë. Qysh në këtë jetë kushdo që kishte miqësi me të, ndahej prej tij me bindjen se kishte takuar një shenjt. Por edhe sot, kushdo që e njeh sadopak jetën e tij, vazhdon të joshet nga shenjtëria e tij e thjeshtë.

Ndër pak rreshtat që i la botës, ndër të tjera ai shkroi:

«Jo unë, por Zoti.»

«Eukaristia është autostrada ime drejt qiellit.»

«Të gjithë lindim origjinalë, por shumë veta vdesin si fotokopje.»

«Rruzarja është shkalla më e shkurtër për t’u ngjitur në qiell.»

«E vetmja gjë që duhet të kemi vërtetë frikë është mëkati.»

Prindërit e tij janë ende gjallë dhe kudo nëpër botë ftohen të flasin për birin e tyre të Lumë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *