KAM QENË ZËNË PREJ KRISHTIT JEZUS.

Categories HomeliPosted on

E DIELA V E KREZHMËVE – Viti C

Is 43, 16-21; Ps 126 (125); Fil 3, 8-14; Gjn 8, 1-11

Ekziston tundimi i hollë që, kur dëgjojmë Fjalën e Hyjit, të shqetësohemi më fort që atë të mund ta dëgjojnë e të kthehen ata njerëz që ne i konsiderojmë si mëkatarë. E kështu e ndjekim me afsh të zemrës çdo fjalë, por me shpresën që të kthehet ai tjetri e jo unë. Prandaj ndodh që të mos ua kuptojmë thellësinë disa rreshtave vërtet të bukur të Shkrimi Shenjt. Ndër ta është padyshim edhe kjo fjali e Shën Palit që dëgjuam sot në leximin e dytë: «Vrapoj që, në ndonjë mënyrë, të mund ta zë, sepse edhe vetë kam qenë i zënë prej Krishtit Jezus». Aty ai shpreh tërë vrullin e tij për të arritur përsosmërinë e krishterë, vrull i cili e kishte burimin në Krishti Zot. Kur ky me plot urrejtje po «e salvonte» Krishtin, Ai ia kishte pushtuar zemrën me mëshirën e Tij të pafund. Edhe ne ta pyesim veten nëse Krishti na e ka pushtuar zemrën me dashurinë e mëshirën Tij të pamasë, të cilat Ai i tregon edhe kur ne nuk e meritojmë.

Edhe në Besëlidhjen e Vjetër, Hyji pikërisht kështu, duke ua dëshmuar dashurinë edhe kur ata nuk e meritonin, arrinte t’i afronte izraelitët kah vetja. Shumica e psalmeve burojnë nga zemra të mbushura me harenë që vinte nga një dashuri e tillë. Psalmi i sotëm thotë: «Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit, na dukej si të ishim në ëndërr». Bëhet fjalë për kthimin nga mërgimi në Babiloni, shenjë kjo se Hyji përsëri po e përkrahte këtë popull që nuk i ishte bindur fjalës së Tij dikur. Prandaj psalmi vazhdon: «Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli e zemrat na u mbushën me gëzim». Mrekullia që këtu paraqitet si e realizuar, ishte e parafolur me kohë nga Isaia profet kur ishin ende në mërgim: «Ja, po bëj një gjë të re: tani po lind», siç dëgjuam në leximin e parë. Kjo dashuri falas e kishte bërë për vete Izraelin. E, pikërisht me këtë «stil» prej Hyji, sillet edhe Jezusi në Ungjillin e sotëm.

Pjesa ungjillore që dëgjuam, është mjaft e njohur, por është tepër pak të mendojmë se ajo ka për qëllim të na tregojë vetëm se Jezusi është në gjendje të falë mëkatin e kurorëshkeljes. Nuk duhet lënë pa u theksuar, përkundrazi, ai rreshti që thotë se skribët e farisenjtë ia sollën përpara Jezusit atë grua për të parë se si Ai do ta gjykonte atë rast. E ungjilltari menjëherë komenton: «Folën kështu për ta vënë në provë, që të kishin për çka ta padisnin». Kah vinte gjithë kjo urrejtje e këtyre njerëz për Krishtin? Pse arritën ta shfrytëzonin me gjakftohtësi befasuese deri edhe një rast të tillë, jo edhe aq me dëshirën për të gjetur të vërtetën, por «që të kishin për çka ta paditnin» para Sinedrit? Prandaj, pra, më fort duhet të ndalemi tek kjo frymë që mbizotëronte përreth Jezusit në ato çaste, sesa tek falja e mëkatit të kurorëshkelëses. Kjo frymë është zjarri që i jep tension krejt kësaj pjese ungjillore.

Se ky tension kishte filluar me kohë, e tregojnë rreshtat e parë: «Në mëngjes, Jezusi erdhi prapë në Tempull. Mbarë populli shkonte tek ai. Ai u ul e po i mësonte». Shën Augustini komentonte se «sikurse del dielli në mëngjes, ashtu edhe Jezusi vjen përsëri në tempull në mëngjes për të ndriçuar me praninë e me fjalën e Tij». Nuk duhet të harrojmë edhe se këtë pjesë të bukur ungjillore na e sjell vetëm Shën Gjoni e, ai, në fillimin e Ungjillit të vet, thotë: «Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri, erdhi në botë… Erdhi ndër të vetët e të tijtë nuk e pranuan» (Gjn 1, 10-11).

Duhet ta themi se skribët e farisenjtë nuk ishin të gjithë të ngurtë ndaj Jezusit, siç jemi mësuar të mendojmë. Ata që Jezusi i “sulmon” shpesh, janë paria e tyre, ata që e njihnin mirë Shkrimin Shenjt dhe që duhej të ishin më të hapur ndaj «shenjave» që Jezusi po bënte. Kur Ungjilli thotë «të tijtë nuk e pranuan» e ka fjalën pikërisht për këtë kategori njerëzish. Këta, që ishin mësuesit fetarë të popullit në tempull, nuk arrinin ta kapërdinin poshtë faktin se ky i panjohur që vinte nga Galileja, po tërhiqte pas vetes turmat: «Mbarë populli shkonte tek ai». Nën justifikimin se dëshironin t’i ruanin traditat e shenjta, ata do të bënin çmosin ta çonin në vend synimin që smira e tyre e papërmbajtshme ua diktonte. Kur Jezusin do ta çojnë para Pilatit, ky, si politikan që ishte, e kuptoi se ishte smira ajo që i shtynte këta njerëz: «Pilati e dinte se kryepriftërinjtë e kishin dorëzuar prej smire», (Mk 15, 10). Ja, pra, e shohim përsëri se është kjo «smirë» në sfond që i jep tension e dinamizëm gjithë kësaj pjese.

Prandaj Jezusin e pyesin: «Mësues, kjo grua u zu ndërsa po bënte mëkatin e kurorëshkeljes. Në Ligj Moisiu na urdhëroi që të këtillat të vriten me gurë. Po ti çka thua?» Nëse Jezusi do të thoshte që ta falnin, do të shprehej haptas kundër Ligjit të Moisiut. Këtë gjë populli nuk do ta pranonte. Nga ana tjetër, nëse do të thoshte që ta vrisnin, do të shfuqizonte gjithë predikimet e Tij rreth faljes dhe mëshirës Hyj­nore. Turma, pastaj, do të ishte më mosbesuese në ndjekjen e predikimeve të Tij.

Por, Urtisë Hyjnore, askush nuk mund t’i bëjë ballë. Fillimisht Jezusi përkulet e fillon të shkruajë me gisht në dhé. Askush nuk mund ta dijë me siguri se çfarë po shkruante atë ditë Jezusi, por, gjithsesi, duke qenë se «Shkrimi Shenjt shpjegohet nga vetë Shkrimi Shenjt» (siç thoshin Etërit e Kishës), mund të hamendësojmë diçka. Jeremia profet thotë kështu: «O Zot…, në pluhur do të shkruhen ata që nga ti largohen» (17, 13). Ndoshta Jezusi po shkruante në pluhur emrat e atyre që po i ngrinin kurthin. Por, po i shkruan në pluhur: Fjalën e vet Hyji ia kishte dhënë dikur Izraelit duke e përjetësuar në rrasa guri, ndërsa emrat e mëkatarëve Ai i shkruan në pluhur, që kështu të mund të fshihen shpejt, sapo të fryjë puhiza më e lehtë e pendimit.

Mund të jetë kështu, por mund të jetë edhe krejt ndryshe. Ky rast e tregon qartë se sa e çuditshme dhe e cekët mund të jetë drejtësia njerëzore: nuk do fort mend të kuptosh se aty kishte diçka që nuk shkonte, sepse, vërtet sollën kurorëshkelësen ta gjykonte, por mungonte kurorëshkelësi. A nuk është Ligji i barabartë për të gjithë? Me sa duket, Jezusi e sheh se ishte e kotë të flitej për drejtësi me ta, sepse vetëm drejtësia nuk u interesonte atyre që kishin në zemër më fort shpjegimin e Ligjit sesa vetë Ligjin, i cili thoshte «Mos vra!».

Por ata vazhdojnë të kërkojnë përgjigje. E Jezusi përgjigjen ua jep: «Kush është prej jush pa mëkat, le ta qesë i pari gurin në të!». Shumë e thjeshtë kjo përgjigje, por edhe tepër e thellë: Jezusi po i përmbahej zemrës së Ligjit, që mësonte se të gjithë njerëzit janë mëkatarë përballë drejtësisë Hyjnore e, në këtë pikë, nuk mund ta kundër­shtonin. Vetë e lypën përgjigjen, tani le ta mbyllin gojën.

Por, nga ana tjetër, Jezusit, të cilit i intereson shëlbimi i amshuar i të gjithëve, i fton fuqishëm edhe ata që të shohin brenda vetes, më parë se të shohin brenda të tjerëve. Kishin ardhur aty të mbushur me «smirë» e, këndej, hiqeshin si të drejtë. A nuk ishte e nevojshme që t’i hapnin pak sytë? Të gjithëve Jezusi na thotë që ta shohim vetveten, para se të shpejtojmë të japim sentenca e gjykime mbi ndërgjegjet e të tjerëve. E thamë edhe në fillim se sa i pranishëm është ky tundim tek të gjithë.

E pastaj Ungjilli vazhdon, jo pa ironi, me fjalët: «Ata, kur e dëgjuan përgjigjen, nisën një nga një të largohen, duke filluar prej më të vjetërve». «… Duke filluar prej më të vjetërve», sepse pikërisht të vjetrit kishin më shumë mëkate.

Atëherë Jezusi mbeti vetëm me gruan e akuzuar. Kush mund të hyjë në ndjenjat e asaj gruaje në ato çaste? Ajo po priste vdekjen nga çasti në çast. Megjithatë, befas, gjithçka mori një rrugë që askush nuk e priste më. «Jezusi i afrohet»: asaj që po priste vdekjen, po i afrohet Jezusi «Rruga e Vërteta dhe Jeta».

«Grua, ku janë ata? Askush nuk të dënoi?», i thotë Jezusi. «Askush, Zotëri», i përgjigjet gruaja. E quan «Zotëri», term i cili, në Besëlidhjen e Vjetër, i rezervohej vetëm Hyjit. Është interesante të shohim këtu se, akuzuesit e saj, ata që e studionin me zell Ligjin dhe pretendonin se po e mbronin atë, nuk kishin arritur të takonin në Ligj Hyjin e gjallë e të mëshirshëm. Kurse kjo grua, pasi kaloi nëpër errësirën e mëkatit, tani, e shndritur nga falja e pamasë, e sheh në Jezusin Mëshirën Hyjnore. Ky «stil» prej Hyji nga ana e Jezusit e bën këtë grua të kuptojë se ka pranë atë Hyj i cili vazhdimisht Izraelin e kishte joshur me dashurinë dhe mëshirën e Tij të pamasë.

E Jezusi, duke e pranuar autoritetin prej Hyji që kjo grua i njeh, i përgjigjet: «As unë nuk po të dënoj. Shko, por mbas tashit mos mëkato më!». Edhe këtu Shën Augustini komenton: «Jezusi dënon mëkatin, por jo mëkataren». Njeriu vlen shumë më shumë se shuma e të gjitha mëkateve të tija, sepse asgjë nuk mund t’ia heqë atij përngjasimin që ka me Hyjin e vet.

Hyji e arriti këtë grua atje ku askush nuk mendonte se mund të kishte më shpresë. Prandaj, edhe ajo, vështirë se duhet të ketë vazhduar të bëjë jetën mëkatare që kishte më parë.

Edhe ajo, po t’i kishte rënë në dorë Letra që Shën Pali ua drejtoi Filipianëve, patjetër që do të kishte thënë me zemrën plot: «Vrapoj që, në ndonjë mënyrë, të mund ta zë, sepse edhe vetë kam qenë zënë prej Krishtit Jezus».

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *