ATI, BIRI E SHPIRTI SHENJT

Categories HomeliPosted on

TRINIA SHENJTE – Viti C

Fu 8, 22-31; Ps 8; Rom 5, 1-5; Gjn 16, 12-15

Ne të krishterët besojmë një një Hyj të vetëm, por jo të vetmuar. Gjithashtu besojmë në një Hyj Krijues, por jo duke nënkuptuar se Ai, vetëm pasi krijoi, filloi të ishte Dashuri. Do të ishte absurde ideja e një Hyjit-Dashuri, sikur të mendonim se ky Hyj është një i vetmuar i mjerë! A mund të themi se dashuria është e tillë, përderisa nuk është dhurim ndaj dikujt tjetër? Po aq absurde do të ishte sikur të thoshim se Hyji është dashuri ngaqë e shpreh dashurinë ndaj krijesave të veta. Dashuria është e plotë kur shprehet në mes të të ngjashmëve.

Festa e sotme na ndihmon të sodisim me më shumë vëmendje më të madhin mister: Njininë dhe Trininë e Hyjit. Në rrjedhën e vitit liturgjik është qëndror misteri i Pashkës, patjetër, por të gjitha të vërtetat e besimit tonë (edhe misteri pashkor) sillen rreth misterit të së Shenjtërueshmes Triní.

Kjo e kremte na bën të sodisim një Hyj që është Njiní dhe Triní. Thoshte në shekullin IV Shën Gregori Nazianzenas, ipeshkvi grek që është edhe njëri prej Etërve më me autoritet të Kishës: «Sapo të mendoj për Një, jam i ndriçuar nga shkëlqimi i të Treve; sapo të dalloj secilin nga të Tre, kthehem sërish tek Një. Kur mendoj për Njërin prej të Treve, mendoj për Të si për një gjë të vetme e sytë e mi mbushen dhe pjesa më e madhe e asaj që jam duke menduar, më ikën». Këto janë fjalët e një teologu që përpiqet ta shprehë atë që e di mirë se nuk mund të shprehet plotësisht, por që është i bindur se ka përballë një Mister të pafund dashurie të vetme, të shkëmbyer përjetësisht në mes të Tre Personave Hyjnorë.

Kjo e kremte e sotme na bën të sodisim një Hyj që është edhe Krijuesi i të gjitha gjërave që shihen e që nuk shihen e që nuk ka krijuar nga nevoja, por nga një dashuri falas, e cila buron nga dashuria ndërtrinitare. Kjo dashuri ndërtrinitare e ka vënë gjurmën e vet në secilën prej krijesave.

Kjo e fundit, krijimi për shkak të një dashurie falas, si edhe gjurma e qenies së vet që Trinia e ka vënë në çdo krijesë, na bën ta kuptojmë më mirë pjesën e Fjalëve të urta që sot e dëgjuam në leximin e parë. Aty duket sikur dikush po flet për veten: emri e saj është Urtia. Qysh në fillimet e saj tradita e krishterë ka besuar se në shumë pjesë të Besëlidhjes së Vjetër kjo Urti nënkuptonte pikërisht Birin e amshuar. Ka pjesë pak të paqarta aty, siç është sot rreshti i parë që thotë: «Zoti më kishte krijuar që në fillim të veprave të veta…» (Biri është i lindur e jo i krijuar nga Ati), por ka edhe pjesë tepër të bukura e të qarta siç është, përshembull, ky rresht: «Kur tokës ia qiti themelet, unë isha pranë si kryemjeshtër: kënaqësia e tij për çdo ditë, duke luajtur pranë tij gjithë kohën, duke luajtur mbi globin tokësor». Për­shkruan kështu mënyrën se si e shkëmbenin dashurinë Ati me Birin qysh para krijimit të botës. E dimë se ky shkëmbim dashurie ndodh në Shpirtin Shenjt. Prandaj ky është një rresht shumë i bukur, madje edhe shumë simpatik, që na e paraqet jetën e Trinisë si një jetë familjare, ku ati dhe i biri luajnë hareshëm me njëri-tjetrin: «Kënaqësia e tij për çdo ditë, duke luajtur pranë tij gjithë kohën, duke luajtur mbi globin tokësor».

Fill më pas vjen rreshti tjetër shumë domethënës: «Kënaqësia ime është të jem me bijtë e njerëzve». Është domethënës ngaqë na bën të kuptojmë se, fakti që Biri ka ardhur në botë dhe na ka folur e dësh­muar dashurinë, është veçse pasoja më normale që mund të pritej: është pasoja e asaj dashurie të cilën Ai e shkëmbente qysh prej amshimit me Atin e vet, në Shpirtin Shenjt. Ai ka folur për dashuri­në, sepse s’mund të bënte ndryshe, duke qenë se përjetësisht është shkëmbim dashurie. Në jetën e Jezusit asgjë, deri edhe gjestet më spontane, nuk kanë mbetur pa u prekur nga ky shkëmbim i amshuar dashurie në Trininë e Shenjtë.

Janë gjëra pak të vështira për ne, por përndryshe nuk do të ishin të mëdha.

Por, me qëllim që ne njerëzit ta vazhdonim misionin e dashurisë së Krishtit, Ai na e dërgoi prej Atit Shpirtin Shenjt. Thotë Shën Pali sot në leximin e dytë: «Dashuria e Hyjit u thadrua në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua». Çfarë bën dhurata e Shpirtit Shenjt në ne? Bën që, sikurse Ati e Biri, në Shpirtin Shenjt, shkë­mbejnë përjetësisht dashurinë për Njëri-Tjetrin, ashtu edhe ne, në Shpirtin Shenjt, të shkëmbejmë gjithnjë dashuri për Hyjin-Trini dhe për njëri-tjetrin. E thënë pak më ndryshe: Shpirti Shenjt na merr e na zhyt (na pagëzon) në përqafimin e amshuar në mes të Atit dhe Birit e kështu edhe ne s’ka se si të mos jemi dhurim dhe pranim dashurie, në lidhje me Hyjin-Trini dhe me njëri-tjetrin.

Por, në Ungjillin e sotëm, Jezusi na shpjegon se veprimatria e Shpirtit Shenjt nuk kufizohet vetëm të na zhysë brenda këtij shkë­mbimi dashurie, por edhe të na ndihmojë që të zhytemi gjithnjë e më tepër në njohjen e mistereve të Trinisë: «Kam edhe shumë të tjera për t’ju thënë, por tani s’mund t’i kuptoni. E kur të vijë ai, Shpirti i së vërtetës, Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën.». E Vërteta është Jezusi: «Ai do të më lëvdojë, sepse do të marrë prej simes e do t’ju zbulojë juve. Gjithçka ka Ati, është imja. Prandaj edhe ju thashë: “merr prej simes dhe do t’ju zbulojë juve”». Duke na zbuluar misterin e Jezu Krishtit, Shpirti Shenjt na zbulon edhe misterin e Atit.

Kisha do ta kuptojë dalëngadalë e gjithnjë e më mirë misterin e Trinisë. Në shekuj ka pasur shumë teologë që na kanë ndihmuar shumë të hyjmë gjithnjë e më në thellësi në shumë të vërteta teologjike. Ka pasur shumë shenjtër e mistikë të mëdhenj që, gjithnjë e më mirë, na kanë ndihmuar t’i kuptojmë mrekullitë që e Shenjtë­rueshmja Trini bën në jetën shpirtërore të njeriut. Ka pasur shenjtër të tjerë që, të njëjtin Ungjill të Krishtit, kanë ditur ta apli­kojnë në jetën e tyre me një freski dhe risi të papërsëritshme. E gjithë kjo është vepër e Shpirtit Shenjt, i cili, si punëtor i madh që është, edhe pse duket se rri në heshtje, nuk pushon së realizuari atë fjalë të Krishtit: «Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën». E këtë do ta bëjë në amshim.

Ja, pra, misteri i Trinisë së Shenjtë, mister i cili është i shpjegue­shëm (deri diku) vetëm nga logjika e dashurisë, duke qenë se Ajo është shkëmbim i amshuar dashurie.

Ta lejojmë, pra, Trininë e Shenjtë të na shndërrojë edhe ne në shkëmbim të përhershëm dashurie! Ta lejojmë veten të joshemi gjithnjë e më shumë nga ky Mister i pashtershëm dashurie, sepse në përngja­simin e këtij Misteri jemi krijuar: «Prova më e fortë se jemi bërë në përngjasim të Trinisë së Shenjtë, është kjo: vetëm dashuria na bën të lumtur, sepse jetojmë në marrëdhënie për të dashur e për të qenë të dashur», thoshte Papa Benedikti XVI.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *