BËHET GËZIM NË MES TË ENGJËJVE TË HYJIT PËR NJË MËKATAR QË KTHEHET.

Categories HomeliPosted on

E DIELA XXIV GJATË VITIT C

Dal 32, 7-11.13-14; Ps 51 (50); 1 Tim 1, 12-17; Lk 15, 1-32

Një djalosh mëkatar thuhet se për tri herë rresht shkoi të rrëfehej për disa mëkate të rënda. Meshtari, para se t’i jepte zgjidhjen e mëkateve, çdo herë e kishte porositur që të ndryshonte jetë. U kthye përsëri për të katërten herë e përsëri bëhej fjalë për mëkate të rënda. Kësaj here meshtari nuk pranoi t’ia jepte zgjidhjen dhe, me ashpërsi, filloi ta dëbonte nga rrëfyestorja. Djaloshi këmbëngulte përvujtë­risht që t’i jepej zgjidhja. Thoshte «Kam mëkatuar rëndë, atë, por pendesa ime është e sinqertë. Të lutem, më kupto! Jam i dobët: as unë nuk dua!» Meshtari nuk deshi t’ia dinte dhe i tha të dilte jashtë. Por, sapo ky doli nga rrëfyestorja, një zë që vinte nga tabërnakulli, jehoi në kishë: «E kam derdhur unë gjakun për të e jo ti!» Djaloshi shikoi rreth e rrotull, por nuk ishte askush në kishë. Prandaj pyeti meshtarin se kush kishte folur. Por meshtari kuptoi gjithçka, prandaj i tha: «Eja, eja, mos ki frikë: ai zë ishte për mua.» Meshtari e kuptoi se ishte Jezusi Ai që foli dhe po e qortonte pse nuk ia dha zgjidhjen e mëkateve.

«Kjo fjalë është e vërtetë dhe meriton të besohet prej të gjithëve: Krishti Jezus erdhi në botë për të shëlbuar mëkatarët.», na e kujton Shën Pali sot me një farë solmeniteti, në leximin e dytë.

Të predikosh se Hyji është dashuri, është një gjë shumë e pëlqyeshme nga të gjithë. Por jo rrallë, çuditërisht, vëmë re se na e ka ënda që ta imagjinojmë Hyjin si dikë që hidhërohet me pak. Madje, edhe aty ku krishterimi ka dymijë vjet që është predikuar, ende nuk janë hequr këto skore paganizmi.

Në leximin e parë dëgjuam se si Hyji e tërhoqi mbrapsht vendimin e Tij për ta shfarosur popullin idhujtar të Izraelit. Është bukur të shohim këtu edhe zemrën prej bariu të vërtetë që ka Moisiu. Është ai që ndërhyn para Zotit dhe e fiton faljen për popull. Sa e fuqishme mund të jetë para Zotit lutja ndërmjetësuese, lutja që kërkon prej Hyjit mëshirë ndaj mëkatarëve! Në të shfaqurat e saj, Zoja e Bekuar shpesh u thoshte atyre që e shihnin: «Lutuni për kthimin e mëkatarëve!»

Por është e bukur, madje deri edhe prekëse, edhe diçka tjetër: Hyji i thotë Moisiut «Më lësho të ndizet flakë hidhërimi im kundër tij e ta shfaros!» «Më lësho»: duket sikur Hyji po pret të shohë nëse Moisiu do të lutet apo jo. Nëse jo, atëherë Ai është “i lirë” të veprojë, nëse po, do t’i duhet të ndalet. Lutja e ndërmjetësimit “e kapka Zotin për emocioni”.

Në leximin e dytë, është Shën Pali ai që flet për dashurinë e madhe të Hyjit. Këtë ai e ka provuar në jetën e tij kur Hyji vendosi t’i afrohej, edhe kur ky nuk e meritonte: «Gjeta mëshirë.», thotë Shën Pali. «Krishti Jezus erdhi në botë për të shëlbuar mëkatarët.», vazhhdon më poshtë. Nëse ndërmjetësia e Moisiut fitoi mëshirën Hyjnore për Izraelin tradhëtar ndaj Besëlidhjes në Sinai, tani është Ndërmjetësia e Jezu Krishtit ajo që fiton mëshirën Hyjnore për mbarë botën.

Në mënyrë shumë më të bukur, sot është vetë Jezusi në Ungjill Ai që na e shtjellon këtë të vërtetë të Hyjit-Dashuri. Ungjilli fillon me fjalët «të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin Jezusit për ta dëgjuar». Duke parë «nynykatjen» e atyre që shkandulloheshin nga gjithë kjo mëshirë e tepruar, Jezusi tregon tri shëmbëlltyra të cilat kanë si “refren” të përbashkët gëzimin e Hyjit për kthimin e mëkatarit. Madje një lloj gëzimi të tepruar.

Jezusi e quan normale që një bari t’i lërë nëntëdhjetë e nëntë dele vetëm në kullosë, për t’u vënë në kërkim të së humburës, por normale nuk është. Megjithatë Jezusi, me dashje e tepron, për të vënë në pah gatishmërinë e teprisë së mëshirës së Hyjit, kur dikush kërkon faljen e mëkateve. 

Po ashtu Jezusi e quan normal faktin që një grua, e gëzuar se gjeti një drahmë të humbur, të shpenzojë shumë më shumë drahma të tjera për të bërë festë për gjetjen e të humburës. Edhe Jezusi e dinte se nuk ishte normale, por s’ka si ta shpjegojë më mirë gëzimin e Hyjit për kthimin e mëkatarit. Fjalia që duhet të na gëzojë pa masë sa herë që e mposhtim mëkatin, sa herë që pendohemi, sa herë që rrëfehemi sinqerisht apo premtojmë se do të rrëfehemi sa më parë dhe kërkojmë nga Hyji mëshirë, duhet të jetë kjo fjali që thotë Jezusi sot: «Unë po ju them: bëhet gëzim në mes të engjëjve të Hyjit për një mëkatar që kthehet.» I gjithë Parrizi festoka sa herë që unë e ti kthehemi kah Zoti e kjo është e mrekullueshme!

Po ashtu, Jezusi e tepron me dashje kur flet për babain që e lë djalin e vet të vogël që të niset për dhè të largët, pa i thënë asnjë fjalë dhe që e pret krahëhapur kur ky i kthehet. Për atë kohë nuk ishte normale që djali të kërkonte ndarjen e pasurisë, sa i ati të ishte gjallë. Djali po i thoshte haptas të atit, pra, se e konsideronte si të vdekur tashmë. E, kur ky kthehet, i ati e tepron vërtet: «Ndërsa ende ishte larg, i ati e pa.»: me sa duket, babait i kishin mbetur sytë nga rruga duke pritur kthimin e të birit. E “tepria” e gëzimit vazhdon me shpenzimet e mëdha që bën i ati për kthimin e tij, thuajse po i bënte një dasmë. E “tepron” përsëri në dashuri ky plak i durueshëm edhe kur del t’i përlutet djalit të madh që të hyjë në gëzimin e tij për kthimin e të vëllait. Gjithë këtë tepri, Jezusi e sheh si normale. Ai ka pranuar t’i tregojë shëmbëlltyrat ashtu, plot me tepri e zmadhime, me qëllim që të na tregojë se sa i madh është gëzimi i Hyjit kur mëkatarët kthehen. Për kthimin e tyre, në fakt, Ati nuk kurseu as Birin e vet: «Krishti Jezus erdhi në botë për të shëlbuar mëkatarët.»

Me të drejtë, shumëkush do të mund të protestonte duke thënë se, gjithë kjo tepri në faljen e padrejtësive, mund të lërë mënjanë përgjegjësitë që kemi për të keqen që bëjmë. Mund të themi pa asnjë mëdyshje se askush nuk e kalon paqë kur mëkaton rëndë. Në një mënyrë apo në një tjetër, e keqja e bërë e bren jetën e atij që e bën. Është e vërtetë edhe se ndokush mund të përpiqet ta qetësojë shpejt e shpejt ndërgjegjen e tij me idenë se Hyji falë lehtë, por pendesa e sinqertë gjithnjë prodhon njerëz të gatshëm që të marrin përsipër çdo pasojë për gabimet e bëra. Jo vetëm kaq, por ata përpiqen ta mbushin jetën e tyre edhe me vepra të mira, si për të kompensuar, aq sa munden, kohën e humbur. Dhe, gjithë këtë, me plot përvujtëri. Nëse nuk janë këto karakteristika, pra, pendesa e sinqertë dhe angazhimi për të përmirësuar jetën konkrete, ata mund t’ia kenë hedhur njerëzve, por jo Zotit që sheh zemrat. Prandaj të mos kemi frikë ta shpallim me të madhe këtë mëshirë të tepruar të Hyjit.

Kur Shën Luigji Orione, meshtar italian i shekullit XX, po predikonte e po i nxiste besimtarët të rrëfeheshin rregullisht, ndodhi që Shpirti Shenjt i solli në fjalët e tij edhe shpikjen e një shembulli: «Aq e madhe është dashuria e Hyjit, saqë, edhe sikur një djalë t’i hidhte helm gjellës për të mbytur nënën e vet, Zoti do t’ia falte këtë mëkat, nëse ai do të pendohej e do të rrëfehej siqnerisht.» Shenjti nuk e dinte se në kishë po e dëgjonte një burrë në moshë që kishte bërë pikërisht një mëkat të tillë. Prandaj, kur pas meshës e pas rrëfimeve që zgjatën deri në mesnatë, shenjti po shkonte nga kisha për tek banesa e vet në një fshat aty pranë, ky njeri, nën terrin dhe dëborën e asaj nate të ftohtë, i doli përpara dhe, me druajtje e habi, e pyeti: «A më njeh?» «Jo», i tha Shën Luigji, që fillimisht pati frikë se mos ishte ndonjë hajdut. «Atëherë si të erdhi të flisje për atë gjë në meshë?», vazhdoi i panjohuri i habitur. «Për cilën gjë? Për rrëfimin?», e pyeti Shën Luigji. «Jo, jo, por për atë tjetrën.» Shenjti nuk po kuptonte më asgjë. Por ai vazhdoi: «Ti the se Zoti mund të falë çdo mëkat, edhe nëse dikush ka hedhur helm në enën ku ha e ëma.» «Ah, po, e kam thënë. Ashtu është, nëse ai njeri pendohet dhe rrëfehet sinqerisht.», vazhdoi shenjti, që gati-gati e kishte harruar se e kishte thënë një gjë të tillë. «E pra unë jam njeriu i atij helmi.», vazhdoi i panjuri. E në këtë pikë ai u hodh në gjunjë përballë Shën Luigjit e, mes lotëve, tregoi se e kishte bërë atë mëkat të tmerrshëm ngaqë e ëma nuk shkonte mirë me gruan e tij. Mendonte se kështu do t’i sillte paqen jetës së tij. Askush nuk dinte asgjë për atë mëkat, por sekreti i tmerrshëm po ia brente shpirtin prej vitesh. E thamë se askush nuk e kalon paqë. Edhe Shën Luigji u prek shumë dhe e ftoi plot ngrohtësi që të rrëfehej. Ajo rrugë, “rrëfyestore” e improvizuar nga Provania e Zotit, rreth orës një të natës, me dëborën që binte, në mes të lotëve të të dyve, u bë dëshmitare e një pendese aq të fortë.

Shën Luigji kurrë më nuk do ta takonte atë të panjohur, të cilit kurrë nuk ia mësoi as emrin. Gjithë këtë histori ai do ta tregonte në një letër të tij, kur tashmë nga ajo ngjarje kishin kaluar shumë vite.

E letrën e përfundon me fjalët: «Arrita atë natë në shtëpi, i lagur e i bërë qull. Hoqa këpucët dhe u dergja mbi shtrat… dhe ëndërrova. Çfarë ëndërrova? Pashë në ëndërr Zemrën e Jezu Krishtit; ndjeva Zemrën e Zotit… Sa e madhe është Mëshira e Zotit!» Me sa duket, i Gjithëpu­shtetshmi, që përdor edhe ëndrrat për t’u folur njerëzve në disa raste, i bëri të shihte se në qiell në ato çaste kishte filluar festa, ajo festë për të cilën Jezusi flet në Ungjillin e sotëm: «Unë po ju them: bëhet gëzim në mes të engjëjve të Hyjit për një mëkatar që kthehet.»

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *