RUAJE VISARIN E PAÇMUESHËM TË FESË!

Categories HomeliPosted on

E DIELA XXVII GJATË VITIT C

Hab 1, 2-3; 2, 2-4; Ps 95 (94); 2 Tim 1, 6-8. 13-14; Lk 17, 5-10

«Edhe mund të ndodhë që të mos besojmë në asgjë, por janë disa raste në jetë ku nuk mund të rrish pa hyrë në tempullin e parë që të del përpara.», thoshte Viktor Hygo, shkrimtari më i famshëm francez i shekullit XIX. Nevoja e shpirtit njerëzor për të kërkuar Hyjnoren, është e papërmbajtshme. Vetë Hyji na ka krijuar të tillë dhe prandaj mezi pret që t’i afrohet njeriut, për t’ia plotësuar këtë zbrazëti sadopak. E thoshte shumë bukur këtë në shekullin e kaluar edhe shkrimtari amerikano-francez Julien Green: «Shpirti njerëzor është si një humnerë që e tërheq Hyjin e Hyji vetë hidhet aty.»

Por janë shenjtërit ata që e tregojnë më qartë dobinë e fesë. Shenjtja Bernadetë Subiru, vegimtarja së cilës iu shfaq Zoja e Bekuar në Lurdë të Francës në vitin 1854, thoshte: «Sikur të kishim fe, do ta shihnim Hyjin në çdo gjë.» Për këtë arsye edhe martiri shqiptar, i Lumi Vinçenc Prennushi, shkruante: «Po, ma mirë shtatë pash nen dhè, se me bjerrun shejten Fe!» E, in odiuim fidei (për urrejtje ndaj fesë) ai qe arrestuar nga komunistët dhe vdiq nën tortura çnjerëzore në vitin 1949, duke i dëshmuar kështu ato fjalë të poezisë së tij.

Prandaj tani e kuptojmë se sa e bukur është ajo lutja që apostujt i drejtojnë Jezusit sot në Ungjill: «Na e shto fenë!» E, mbi fenë, flasin sot të gjitha tekstet e Shkrimit Shenjtë që sapo dëgjuam.

Leximi i parë flet për një britmë ankese që profeti Habakuk drejton kah Zoti. Profeti i kërkon përgjigje Zotit për heshtjen e Tij përballë padrejtësive në botë: «Deri kur do të thërras në ndihmë, o Zot, e ti nuk do të dëgjosh? ‘Dhunë!’ do të klith kah ti, e ti nuk do të më shpë­tosh? Pse ma qet para ta shikoj padrejtësinë e ti vetëm e kundron dhunën?» Janë fjalë ankese, së cilës ma do mendja se të gjithë do t’u bashka­ngjiteshim menjëherë. Dhe ja përgjigjja e Hyjit: «Sharron ai që i drejtë s’është në shpirt: në saje të fesë së vet jeton i drejti!» Përgjigja e Hyjit është që, për hir të dashurisë ndaj Tij, besimtari të vazhdojë ta ushtrojë drejtësinë, edhe pse në botë sheh krejtësisht të kundërtën. Nëse jo, atëherë do të «sharrojë», pra do ta humbasë vetveten, duke bërë edhe ai padrejtësi si të gjithë të tjerët. Fjala «sharron» në këtë rast përdoret jo vetëm për të treguar shpërfytyrimin e natyrës së njeriun nga mëkati, por edhe humbjen e shëlbimit të tij të amshuar.

Por i drejti mund ta ruajë vetveten të paprekur nga padrejtësia. Kush ia mundëson këtë? Feja e vet në Hyjin: «Në saje të fesë së vet jeton i drejti.» «Njeriu ecën në mes dy të kundërtave. Këta nuk janë e keqja dhe e mira, por e keqja dhe feja.», thoshte me të drejtë Sören Kierkegard, filozofi e teologu danez e shekullit XIX. Shpesh është shumë e vështirë ta dallojmë të keqen nga e mira, prandaj është feja ajo që duhet dhe mundet të na shndrisë. Për këtë arsye duhet që gjithnjë ta kultivojmë, ta ruajmë e ta rigjallërojmë besimin tonë në Hyjin.

Pikërisht këtë i porosit edhe Shën Pali Timoteut në letrën që dëgjuam sot: «Fort i dashur, të përkujtoj ta ringjallësh dhuratën e Hirit të Hyjit që është në ty në saje të vënies së duarve të mia.» E më poshtë: «Ruaje, me ndihmën e Shpirtit Shenjt që banon në ne, visarin e paçmue­shëm të fesë që t’u besua.» E këtu Shën Pali nuk e ka fjalën për Hirin e Hyjit në përgjithësi. Ai Timoteut i përkujton «të ringjallësh dhuratën e Hirit të Hyjit që është në ty në saje të vënies së duarve të mia.» Shën Pali e kishte shuguruar ipeshkëv Timotetun, duke e lënë si bari të një bashkësie të caktuar, prandaj i thotë që të mos e lërë pas dore ruajtjen e kësaj dhurate që i është bërë në fe nga Hiri Hyjnor.

Por duhet të sqarojmë menjëherë se nuk jemi edhe aq ne që e mbajmë fenë, sepse shumë më shumë është feja ajo që na mban ne.

Në një përrallë thuhet se Hyji i kishte krijuar të gjithë shpendët e, në mes tyre, kishte krijuar edhe pëllumbin. Por kishte harruar t’i vinte atij krahët. Pëllumbi sillej nëpër kopështin ku banonin të gjitha kafshët e shpendët së bashku me njeriun, por filloi të mërzitej, sepse shpendët e tjerë filluan ta tallnin duke i thënë: «Shiko: ti nuk ke krahë e ne po!» I zemëruar, shkon tek Hyji dhe i thotë: «Përse të gjithë shpendët e tjerë kanë flatra e unë jo?» E Hyji u kujtua: «Oh, më fal! Kisha harruar krejt.» I bëri dy krahë e ia vendosi. Atëherë pëllumbi përsëri sillej nëpër kopësht duke i tërhequr zvarrë krahët e tij. Nuk e kishte kuptuar, në fakt, se duhet t’u jepte fort atyre për të fluturuar. Në vend që të ndihej më i kënaqur, u mërzit edhe më shumë. Përsëri shkoi tek Hyji dhe i tha: «Po përse m’i dhe këta krahë? S’ka gjë që i mbart. Më duhet t’i tërheq gjithnjë zvarrë e le pastaj të fluturoj!» Por Hyji iu përgjigj: «Oh jo, pëllumb i dashur, e ke kuptuar mbrapsht: nuk je ti ai që duhet t’i mbash krahët, por krahët do të të mbajnë ty. Ti mjafton vetëm që t’i vësh pak në punë.» Kështu pra: mjafton që fenë ta vëmë pak në punë e pastaj është ajo që na mban ne.

Habakukut profet Zoti i përkujtonte që ta ruante dhuratën e fesë; Timoteut Shën Pali i përkujtonte që ta ringjallte Hirin e episkopatit që ishte në të; meshtarit do t’i përkujtonte të ringjallte Hirin e sakramentit të meshtarisë; një përsoni të kushtuar në jetën rregull­tare do t’i përkujtonte të ringjallte Hirin e kushteve të bëra; një të martuari do t’i përkujtonte të ringjallte Hirin e sakramentit të martesës. Pra të gjithëve Hyji na kërkon ta ruajmë «visarin e fesë» që arrin tek ne: sakramentet, Shkrimin Shenjt, traditën e krishterë, të shpjeguara të gjitha nga autoriteti kishtar.

Por ajo që duhet dhe mund ta bëjmë gjithnjë, është që edhe ne t’i drejtohemi Jezusit me lujten që iu drejtuan apostujt: «Na e shto fenë!» Duhet që vazhdimisht t’i drejtohemi Atij që është «Autori dhe Përkryesi i fesë sonë» (Heb 12, 2). Feja ushqen lutjen, por edhe lutja e ushqen fenë.

E apostujve sot Jezusi ua kupton kërkesën e drejtë që kanë, por dëshiron t’u sqarojë atyre edhe diçka: feja nuk është diçka sasiore. Ajo nuk matet me kilogramë apo me metra. Feja, besimi në Hyjin, është një akt lëshimi plot dashuri në gjithëpushtetsinë e Hyjit. Edhe pse ky akt nganjëherë duket shumë i vogël (nganjëherë ngjan me një puhizë të hollë ere) ai mund të “fitojë” ndërhyrjen e gjithpu­shtet­shme të Hyjit dhe, në atë rast, ligjet e natyrës do t’i lënë vendin pushtetit të Tij dashamir. Jezusi e thotë vetë: «Po të kishit fe aq sa kokrra e sinapit, do t’i thoshit këtij mandi: ‘Shkulu me gjithë rrënjë dhe mbillu në det!’ e ai do t’ju dëgjonte». E kokrra e sinapit është shumë e vogël. Pyes veten nganjëherë se mos ndoshta, fakti se lutemi shumë për të kërkuar nga Hyji ndonjë mrekulli e mrekullia nuk ndodhë, do të thotë se nuk kemi fe sa duhet? Shpesh ashtu është: sikur të kishim pak më shumë fe, mrekullitë patjetër që do të ndodhnin, siç e dimë se kanë ndodhur në jetën e shumë shenjtërve dhe nuk kanë pse të mos ndodhin edhe tani. Prandaj shpesh duhet edhe ne, si apostujt, t’i lutemi Jezusit: «Na e shto fenë!»

Por kjo nuk do të thotë se, duke qenë se vëmë në punë fenë, jemi duke bërë ndonjë gjë kushedi se çfarë, ndonjë gjë që, si të krishterë, mund edhe të mos e bëjmë. Është detyrë e jona ta bëjmë. Për të na e sqaruar këtë, Jezusi thotë «Cili prej jush do t’i thotë shërbëtorit të vet që i punon tokën ose i ruan dhentë, kur të vijë në mbrëmje prej fushës: “Eja e ulu me të shpejtë në tryezë!” A thua jo, përkundrazi, nuk do t’i thotë: “Bëje gati darkën, ngjeshu e më shërbe sa të ha e të pi unë një herë e pastaj ha e pi edhe ti?” Po kështu edhe ju, kur të kryeni gjithçka ju qe urdhëruar, thoni: “Jemi shërbëtorë të pavlefshëm. Bëmë vetëm atë që patëm detyrë të bëjmë.”»

Këto fjalë të Jezusit janë për të na ruajtur në përvujtëri. Ato nuk e lënë mënjanë dinjitetin tonë si bij dhe bija të Hyjit, por na ftojnë që të ruhemi nga krenaria. Nëse unë si meshtar do ta quaja si heroizëm faktin se kremtoj meshën, se predikoj, se rrëfej dhe mbarështoj sakramente të tjera dhe se praktikoj virtytet e krishtera, Jezusi do të më thoshte: «Nuk po bën asgjë tjetër veçse detyrën tënde si meshtar.» Kështu edhe një tjetri, nëse ai bën ato gjëra që gjendja e jetës së tij ia kërkon, Jezusi i kujton që të mos krenohet, sespe po bën veçse detyrën e vet. E bukura pastaj është se, sa më shumë që e bëjmë detyrën tonë, aq më fort ndjejmë gëzim dhe paqe të brend­shme. Kjo sepse kemi filluar ta ringjallim Hirin e posaçëm të Hyjit që na është dhënë. E pastaj, është ky hir që na mban ne. Pothuajse çdo herë që Jezusi bënte ndonjë mrekulli, u thoshte të shëruarve: «Feja jotë të shpëtoi». Feja ndjell mrekullitë. Feja shpëton.

E kishte kuptuar shumë bukur këtë Shën Françesku i Asizit kur thoshte: «Fillo të bësh atë që është e nevojshme, pastaj atë që është e mundshme e, papritmas, do të habitesh kur të shohësh se po bën gjëra të pamundura».

Cituam disa autorë të ndryshëm brenda këtyre pak rreshtave e mbase do të na pëlqente të lexonim edhe ndonjë thënie tjetër mundësisht elegante. Por feja nuk është çështje elegance, sepse, herët a vonë, për secilin prej nesh vjen ora ku nuk na intereson më eleganca, por e vërteta. Prandaj le të kapemi fort pas porosisë që na jep Jezusi në pjesën e sotme ungjillore: «Po të kishit fe aq sa kokrra e sinapit, do t’i thoshit këtij mandi: ‘Shkulu me gjithë rrënjë dhe mbillu në det!’ e ai do t’ju dëgjonte.»

«Ruaje visarin e paçmueshëm të fesë!», porosit shumë përzemërsisht Shën Pali. Feja jo vetëm që “nxjerr” Hire nga Zoti e na jep edhe sy t’i shohim mrekullitë e Tij, por edhe na ruan që të mos «sharrojmë», të mos birremi, këtu e në përjetësi.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *