KU JANË NËNTË TË TJERËT?

Categories HomeliPosted on

E DIELA XXVIII GJATË VITIT C

2 Mbr 5, 14-17; Ps 98 (97); 2 Tim 2, 8-13; Lk 17, 11-19

Si pa e vënë re, shpesh mendojmë se Hyji na i ka borxh disa gjëra. Kujtojmë se na i ka borxh shëndetin, pasjen e një familjeje të mirë, mundësinë e shkollimit, vendin e punës, diellin që lind në mëngjes, apo mbrëmjen, kur ajo vjen në paqe. Kujtojmë madje se na i ka borxh edhe sakramentet, Shkrimin Shenjt dhe Hirin e Tij në jetën tonë. Prandaj ndodh që, shpesh, të harrojmë ta falënderojmë Atë se na i dhuroi. Edhe nëse në fillim e kemi një farë mirënjohjeje, nuk vonojmë dhe e harrojmë këtë virtyt: «Cila është gjëja që plaket shpejt? Mirënjohja.», pyeste e përgjigjej vetë me ironi Diogjen Laercio, historian i lashtë grek i shekullit III pas Krishtit. E, pikërisht mbi mirënjohjen, flet edhe Ungjilli i sotëm.

Mrekullia që bën Jezusi, ndodh në një formë të veçantë. Jezusi nuk i shëron në vend të gërbulurit, por i fton ata që të shkojnë e të paraqiten tek priftërinjtë, të cilët do të konstatonin shërimin e tyre, shërim i cili do të ndodhte pikërisht rrugës për atje.

Fakti se, për të konstatuar shërimin, Jezusi i dërgon tek priftë­rinjtë (e jo te mjeku) tregon edhe një gjë tjetër të rëndësishme për mendësinë hebraike. Gërbula, përveç se një sëmundje shumë e dhimbshme dhe ngjitëse, shihej edhe si ndëshkim i Hyjit për ndonjë mëkat të bërë. Prandaj në Librin e Jobit thuhet se të gjitha fatkeqësitë që i ndodhën Jobit, ai i duroi pa iu ankuar kurrë Hyjit (deri edhe vdekjen e të gjithë fëmijëve), por kur e kaploi gërbula, filloi t’i kërkonte Hyjit llogari, duke qenë se ishte i bindur se ishte i drejtë, sikurse edhe ishte, në fakt. Donte të dinte nga Hyji se ku kishte mëkatuar. Apo ndoshta Hyji kishte qenë i padrjetë me të?

Arsyeja pse të gërbulurit duhej të paraqiteshin te priftërinjtë, pra, ishte se ata duhej t’ia paraqisnin të shëruarin bashkësisë, për t’u bërë si garantë se kishte marrë fund jo vetëm prania e asaj sëmundjeje ngjistëse, por edhe ndëshkimi i Hyjit.

Porosia e Jezusi që të gërbulurit të niseshin për tek priftërinjtë, kishte, pra, një aspekt praktik, por jo vetëm kaq. Duke e ditur se mrekullia do të ndodhte rrugës, Jezusi donte t’u linte atyre shteg që të mund ta shprehnin në mënyrë edhe më të fortë mirënjohjen e tyre ndaj Tij.

Mund ta imagjinojmë lehtë atë që u ndodhi atyre dhjetë të gërbulurve rrugës. Mund ta përfytyrojmë lehtë gëzimin e tyre kah po vërenin se lëkura e tyre po pastrohej mrekullisht si edhe mund ta hamendësojmë lehtë se si, zemrat e tyre, u gëzuan pa fund se Hyji ua hoqi mallkimin. E kotë të flasim më gjatë për gëzimin se, më në fund, do të mund të ktheheshin pranë familjarëve të tyre të dashur, gjë që deri atëherë, trishtueshëm, u mungonte. Një gëzim i pamasë.

Po si ka mundësi që, hapja e dyerve për vërshimin e një gëzimi të tillë të papritur në jetën e tyre, nuk i bëri të mendonin aspak për atë që po ua hapte ato dyer? Si ka mundësi që prania e mrekullisë nuk i bëri të mendonin për Mrekullibërësin? Mesa duket, edhe këta u ngjajnë atyre fëmijëve që, kur dikush u jep një karramele, e kapin atë me vrull dhe ia mbathin pa u kujtuar të thonë as «faleminderit».

A thua edhe këta, më parë se të mendonin për mirësinë e Jezusit, kujtuan e Ai ua kishte borxh një mrekulli të tillë? Tek e fundit Jezusi e kishte “zanat” të bënte shumë të tilla, mund të kenë menduar. Ja, pra, mëkati të cilin shpesh e bëjmë edhe ne: mosmirënjohja, «gjëja që plaket shpejt».

Por, ndër këta dhjetë të saposhëruar, është vetëm njëri prej tyre ai që kthehet dhe i shpreh Jezusit falënderimin e tij më të thellë. Ungjilltari thotë: «Njëri prej tyre, si pa se u shërua, u kthye duke lavdëruar Hyjin me zë të madh. Ra përmbys para këmbëve të Jezusit dhe iu falënderua.»

«Lavdëronte Hyjin me zë të madh» dhe «Ra pëmbys para këmbëve të Jezusit dhe e falënderoi.»: mos ndoshta e kishte kuptuar se Jezusi dhe Hyji janë i njëjti realitet?!…

Por Ungjilli thekson edhe diçka tjetër: «Ky ishe samaritanas.» Samaritanasit dhe judenjtë (e Jezusi ishte me prejardhje nga Judeja) nuk kishin aspak marrëdhënie të mira në mes tyre. Secila palë e quante heretike palën tjetër. Por, nga ky njeri, kufijtë e zakoneve kapërcehen pa mëdyshjen më të vogël, sepse mrekullia për të ishte shenjë e qartë e mirësisë se Jezusit.

Megjithatë, kishte qenë vetë Jezusi Ai që i kishte kapërcyer i pari këto kufinj: «Duke udhëtuar për Jerusalem, Jezusi kaloi nëpër Samari e Galile.», thotë Ungjilli i sotëm. Pastaj i kapërcen edhe më fort kur, forcën e vet shëruese, e shtrin si mbi judenjtë, ashtu edhe mbi samaritanasin. Këta dy gjeste (kalimi nëpër ato zona dhe mrekullia) janë shprehje e mirësisë së Jezusit. Por vetëm njëri prej tyre arrin ta kapë këtë mesazh, ndërsa nëntë të tjetër ikin në punë të vet.

E këtu Jezusi mbetet shumë i trishtuar: «Po a nuk u pastruan të dhjetët? Ku janë nëntë të tjerët? A nuk u gjet asnjë që të kthehet e t’i japë lavdi Hyjit, përveç këtij të huaji?» Le ta shohim edhe ne këtu trish­timin e Hyjit për sa herë që ne nuk kujtohemi t’i themi as «fale­minderit».

Por të mos mendojmë se Hyji e pret mirënjohjen tonë në atë kuptimin që do të mund ta kërkonim ne nga të tjerët kur u bëjmë ndonjë të mirë. Ne, mbase, atij që nuk na thotë «faleminderit» për nderën e parë, e kemi të vështirë t’i bëjmë edhe një të dytë, po na u dha rasti. Por për Hyjin nuk është kështu. Ai përsëri bën mirë. «Nëse ne nuk i jemi besnikë, Ai mbetet besnik.», thotë Shën Pali sot në leximin e dytë. Problemi është se, e mira e dhuruar, nuk arrin në ne qëllimin e saj të fundit: të lindë fenë, e cila shprehet në falënderim. Nëse prej nesh Hyji kërkon falëderimin, është ngaqë kërkon të vëmë re dashurinë e Tij ndaj nesh, të kuptojmë se mbi ne zbrazet gjithnjë shikimi i Tij dashamir. Kështu, nga mrekullia, do të lindte miqësia jonë me Hyjin. Kjo pastaj do t’i sillte jetës sonë shpëtimin, largimin nga egoizmi, nga e keqja, nga mëkati. Kur mrekullia prodhon këtë, atëherë na ka shpëtuar. Përndyshe do të rrezikonte të na bënte ta keqkuptonim Hyjin dhe mirësinë e Tij. Mbase edhe këtu vlen ajo që ka thënë romancieri brazilian i ditëve tona, Paulo Coelho: «Çdo bekim i injoruar, shndërrohet në një mallkim.» Prandaj Jezusi vetëm këtij të shëruari i flet për shpëtim: «Çohu e shko! Feja jote të shpëtoi!» Interesante: do të thotë se edhe nëntë të tjerët ishin të shëruar, por jo të shpëtuar. Në ta mrekullia nuk e kishte dhënë frytin e vet.

Pikërisht një rast ku mrekullia e jep frytin e vet, na e ofron edhe leximi i parë sot. Bëhet fjalë për shërimin e Naamanit nga Siria po nga sëmundja e gërbulës. Ky ishte një nga oborrtarët e mbretit të Sirisë dhe sëmuret me gërbulë. Merr vesh se në Izrael ishte një profet që bënte shumë mrekulli e niset ta takojë atë. Kur e takon, Elizeu profet i thotë të shkojë e të lahet shtatë herë në lumin Jordan. E ky shkon: «Naamani zbriti dhe u la shtatë herë në Jordan si i kishte urdhëruar njeriu i Hyjit, iu shërua trupi i tij, iu bë si trupi i fëmijës së njomë dhe u shërua.»

Kjo ishte mrekullia. Ja tani fryti i mrekullisë: pasi kthehet te profeti Elize, Naamani, pagan, i thotë: «Tani po e di se s’ka Perëndi në asnjë vend tjetër, përveç në Izrael.» Si shenjë mirënjohjeje, ai dëshiron që profetit t’i dhurojë diçka, por ky nuk pranon asgjë. Naamani e pranon këtë zgjedhje të profetit dhe i kërkon profetit që t’i japë flitë që në Izrael është e mundur t’i kushtohen Zotit: «Mirë, pra, si të duash. Por, po të lutem, më lejo të marr unë, shërbëtori yt, vetëm aq dhe sa mund të bartin dy mushq, sepse shërbëtori yt nuk do t’i kushtojë fli shkrumbimi ndonjë zoti tjetër përveç Zotit.» Mrekullia lindi fenë. Feja u shpreh në mirënjohje. Këtë priste Jezusi edhe nga nëntë të gërbulurit e tjerë, por kjo gjë nuk ndodhi. Te njëri po. E vetëm ai shpëtoi.

«Ku janë nëntë të tjerët?», pyeti trishtueshëm Jezusi. Është me vend të themi pa mëdyshje se, nëse deri edhe Jezusi e pretendon falënderimin e mirënjohjen, sa më fort e dëshirojnë dhe kanë nevojë njerëzit e thjeshtë ta shohin e ta dëgjojnë në ne mirënjohjen për të mirat që mund të na kenë bërë. Nuk është në faj ai që pretendon mirënjohjen, por ai që e lë pas dore atë.

Të mësojmë, pra, edhe ne ta falënderojmë Hyjin për të mirat që na i jep. Mbase jo rastësisht Provania ka dashur që, ndër fjalët e para që i mësohen njeriut në jetë, të jetë fjala «faleminderit». Le të jetë edhe ndër virtytet e para që mësojmë në jetën e fesë!

Ai që di t’u thotë sinqerisht njerëzve «faleminderit», do të kalitet jo pak që edhe Hyjit t’i jetë mirënjohës në jetë. Thuhet se Shenjtja Terezë e Jezusit Fëmijë, e kishte kaq për zemër të thoshte faleminderit për gjithçka, saqë simotrat e saj karmelitane filluan ta thërrisnin si me shaka: «Motra Faleminderit». E kjo shenjtëreshë e dashur, i ishte vazhdimisht shumë mirënjohëse Hyjit në jetën e saj, saqë i dukej se mirësia e Tij e rrethonte nga të katër anët.

Duke ruajtur shpirtin e mirënjohjes në ne, do të dimë të kuptojmë edhe madhështinë e Meshës së Shenjtë. Kaq i mrekullonte të krishterët e parë gjithë kjo afërsi e Jezusit Zot në këtë sakrament të shenjtë, saqë nuk ditën si ta quanin ndryshe veçse EUKARISTI, që do të thotë FALËNDERIM.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *