UNË JAM ME JU GJITHMONË, DERI NË TË SOSUR TË BOTËS!

Categories HomeliPosted on

TË NGRITURIT E JEZUSIT NË QIELL – SHËLBUEMI – Viti A

Vap 1, 1-11; Ps 47 (46); Ef 1, 17-23; Mt 28, 16-20

Thuhet se një herë një meshtar vendosi të shkojë e të takojë disa minatorë, të cilët punonin në miniera të largëta, ku askush nuk shkonte të fliste për Krishtin. Kur arriti atje, thirri njërin prej punëtorëve dhe i tha: «A e njihni Jezu Krishtin?». E meshtari kuptoi shumë nga përgjigjja e patëkeq e punëtorit: «Jo, nuk e njoh! Ndoshta nuk punon këtu!»

Ka në botë njerëz që nuk dinë asgjë për Krishtin! Të mos shkojmë larg: edhe këtu, në Shqipërinë tonë, ku krishterimi është predikuar që prej dy mijë vjetësh nga vetë Shën Pali, ka shumë të tillë. Nuk po flas për rastet kur e mohojnë Krishtin apo e tallin Atë, por për rastet ku vërtet nuk dihet asgjë rreth Krishtit.

Jezusi në Ungjillin e sotëm u thotë apostujve të vet: «Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt.» Sot që kremtojmë Ngjitjen e Krishtit në Qiell, kjo ftesë na bën të mendojmë shumë. Është e vërtetë se kjo e kremte e sotme thekson në radhë të parë faktin se Jezusi na ka paraprirë në atë lavdi të cilën edhe ne shpresojmë se do ta shijojmë një ditë, por kjo e kremte thekson jo pak edhe një të vërtetë tjetër: këtu në këtë botë Jezusi ka lënë Kishën e vet që ta vazhdojë misionin e Tij. Edhe pse kurrë Ai nuk e lë atë të vet­me.

Sikur të mos e kuptonim këtë, nuk do të arrinim ta kuptonim as bisedën interesante që zhvillohet në mes Jezusit dhe apostujve ditën kur Ai do të ngjitej në Qiell. Ndërsa ishin duke ngrënë bukë (mister më vete: Jezusi i Ngjallur vazhdon të ushqehet me ushqimet e kësaj bote!), apostujt i bëjnë këtë pyetje: «Zotëri, a thua do ta ripërtërish në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?» Kjo pyetje tregon shpresën që kishin apostujt se, një ditë, Hyji do ta lironte Izraelin nga zgjedha e pushtuesve dhe do t’ia zbardhte atij faqen para të gjithë popujve të tjerë. Një shpresë pak si  tepër materialiste kjo e tyre, por jo edhe aq e shtrembër, siç përpiqet të theksojë dikush. Në fund të fundit kjo shpresë tregonte fenë e gjallë të Izraelit në Hyjin, bindjen se askush nuk është më i madh se Ai. Apostujt (e kjo është madhështore), duke ia drejtuar Jezusit këtë pyetje, tregojnë haptas bindjen e tyre se Jezusi është Hyj.

Megjithatë, në fakt, kjo lloj kërkese nuk ishte e plotë: apostujve do t’u duhet të shkojnë edhe më thellë në misterin e Krishtit. Prandaj Jezusi iu përgjigj i prerë: «Nuk është puna juaj ta njihni kohën dhe momentin që Ati ia ka përcaktuar pushtetit të vet. Por ju do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju, dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, na Samari, madje dhe gjer në skajin e botës.»

«Nuk është puna juaj»: Jezusi dëshiron t’i largojë aspotujt nga kureshtja e tepërt. E, në fakt, i krishteri duhet të ruhet nga një kureshtje tepërt në lidhje me llojin e ndërhyrjes së Hyjit në jetën e tij e në jetën e botës. Apostujt, si edhe mbarë Izraeli – e thamë – prisnin çastin kur do t’i zbardhej fytyra këtij populli, pritje kjo shumë e drejtë, por, kur dhe si do të ndodhte kjo, i takonte vetëm Hyjit ta dinte në plotësi. Mbase natyra jonë njerëzore e ka të pamu­ndur ta kuptojë dhe mbase i sjell më shumë dëm se dobi nëse Hyji ia zbulon kohën dhe mënyrën e atij çasti, prandaj edhe Hyji, në dashurinë e në urtinë e Tij, nuk e sheh me vend të na e zbulojë. Besimtari, ndërkohë, është i thirrur të japë dëshmi e të shpallë Ungjillin: «Ju do të bëheni dëshmitarët e mi.»

Shumë prej nesh duam t’i japim mend Hyjit, dëshirojmë ta nxisim Atë që ta shohë gjendjen tonë. Dikush lutet për shëndetin e vet, dikush dëshiron t’i mësojë Hyjit se çfarë Ai duhet të çojë në jetën e fëmijëve të tyre, dikush i paraqet atij projekte e plane, në të cilat Hyji patjetër u dashka të hedhë firmën e Tij. E, kur këto nuk ndo­dhin, as që u shkon ndër mend se mbase Hyji po u pëshpërit në vesh diçka tjetër. Po u thotë se nuk është puna e tyre kjo. Po u thotë se, edhe pse kërkesa të tilla janë shprehje e besimit në gjithëpu­shtetësinë e Tij, prapëseprapë nuk mjaftojnë për të çuar kah shëlbi­mi: «Besojnë edhe djajtë dhe dridhen», thotë Shën Jakobi në letrën e tij (2, 19).

Ta kuptojmë drejtë: ne edhe të lutemi e të kërkojmë hire të ndry­shme jo vetëm mundemi, por edhe duhet. Vetë Jezusi thotë në Ungjill «Lypni, e do t’ju jepet.», por duhet të kemi kujdes të mos kaplohemi nga ajo fryma që na nxit të përpiqemi t’i japim mend Hyjit, apo të kërkojmë gjëra që janë thjesht kureshtje e tepruar. Këto nuk janë puna jonë. Puna jonë, kryesisht, qenka që të japim dëshmi të krishterë, t’i përngjajmë Krishtit dhe ta përhapim sa më shumë Fjalën e Tij.

Sa shumë janë të krishterët që e kanë ndonjë rast për dëshmuar Krishtin (e unë jam i bindur se “ndonjë rast” i fortë vjen për secilin), por i kthejnë shpinën kësaj mundësie! Sa shumë të rinj tërhiqen mbrapsht nga dëshmia e krishterë për shkak të frikës së përqeshjes nga bashkëmoshatarët e tyre! Sa shumë janë ata që, të marrë mendsh nga ajo që mund të mendojnë të tjerët, bëjnë mëkate të mëdha e deri edhe mizore! Sa shumë janë të krishterët që kanë rast të bëjnë mirë me pasuritë që Hyji u vë në duart e tyre, por lakmia e tepërt i çon ata që t’ia vënë tapën ndërgjegjes së tyre! Ta dimë mirë se, në ndihmë të përhapjes së Ungjillit, askush në botë nuk do të mund ta bëjë të mirën që ne mund ta kishim bërë me dëshminë tonë, por që e lamë pa bërë.

Jezusi i ngritur në qiell pret prej të krishterëve dëshminë, në mënyrë që bota ta njohë Jezusin, t’i besojë Atij dhe të shpëtojë nga egoizmi e nga mëkati: «Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt! Mësoni të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar!». Këto janë porositë e fundit të Jezusit para se të shkëputet nga toka e të ngjitet në Qiell, para syve të mahnitur të nxënësve të vet.

Po në çfarë bazohet gjithë kjo urgjencë për të dhënë dëshmi? Në faktin se jemi Kishë, Trupi i Krishtit. Do të ishte në kundërshtim me identitetin tonë si Trup, sikur të mos vazhdonim misionin e Krishtit, Kreut të Kishës.

Pastaj, pikërisht se jemi Trupi i Krishtit, nuk duhet ta shohim jetën siç e shohin paganët. Nuk jemi gjymtyrë të një Trupi të mjerë, por të një Trupi të thirrur që të gëzojë lavdinë, po atë lavdi që gëzon edhe Koka. Për ta arritur një gjë të tillë na e mundëson Shpirti Shenjt. Në leximin e parë Jezusi u thoshte apostujve se, Ai që do t’i ndihmonte në dëshminë e tyre, do të ishte Shpirti Shenjt: «Ju do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju, dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi». Ndërsa në leximin e dytë Shën Pali uron që, Hyji Atë, Efesianëve, t’u dhurojë «Shpirtin e dijes e të zbulesës», pra Shpirtin Shenjt. Është interesant fakti që, rolin e Shpirtit Shenjt, Shën Pali nuk e lidh me ndihmën e nevojshme për të dhënë dëshmin, por me «njohjen e Hyjit dhe kuptimin e shpresës së madhe»: «Vëllezër, Hyji i Zotit tonë Jezu Krishti, Ati i Lavdisë, t’ju japë Shpirtin e dijes e të zbulesës për ta njohur Atë; t’ju japë syve të zemrës suaj dritë, që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që e jep thirrja e tij, begatinë e pakufishme të trashëgimit të tij ndër shenjtër dhe madhërinë e pamasë të fuqisë së tij kundrejt nesh që besojmë… ».

Pra, Shpirt Shenjt na e mundëson në këtë jetë njohjen e Hyjit dhe dëshminë e krishterë, por edhe kuptimin e shpresës së madhe, e cila është shpresa e bashkimit të lumtur me Hyjin.

Prandaj, ajo që na mbetet të bëjmë është që ta lejojmë veten tonë të drejtohemi nga veprimi i Shpirtit Shenjt. Ai do të na japë forcën e nevojshme për të dhënë dëshmi dhe, njëkohësisht, do ta mbajë në ne të ndezur shpresën e madhe se, një ditë, edhe ne do të hyjmë në atë lavdi në të cilën na ka paraprirë Krishti i Ngjallur. Madje pikërisht Ngjitja e Krishtit në Qiell mundëson edhe zbritjen e Shpirtit Shenjt mbi Kishën e Tij. Për këtë Jezusi u thoshte apostujve një natë para se të pësonte: «Është më mirë për ju të shkoj, sepse, po s’shkova, Mbrojtësi nuk do të vijë te ju, kurse, po shkova, do ta dërgoj te ju.» (Gjn 16, 7). Bashkimin me Hyjin, të cilin Izraeli gjithnjë e kishte dëshiruar e synuar me zbatimin e Ligjit dhe me ritet e tjera të kultit, tani do ta realizonte Jezusi i vdekur e i ngjallur duke u ngjitur tek Ati i vet dhe, prej atje, nga gjiri i së Shenjtërueshmes Trini ku tani gjendet edhe me natyrën e Tij njerëzore, do të mund të ndërmjetësojë që Ati të dërgojë mbi Kishën e Tij Shpirtin Shenjt, për ta zhytur edhe atë në shentjërinë e lavdinë e dashurisë ndërtrinitare.

Në këtë kuptim, gjatë kësaj jete, kohë dëshmie dhe shprese të madhe, kemi sigurinë se Jezusi i Ngjallur na rri gjithnjë pranë, me forcën e Shpirtit Shenjt.

«Unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës!», thotë Jezusi për të krishterët e të gjitha breznive, për të cilët gjithnjë ndërmje­tëson për dërgimin e Shpirtit Shenjt, të domosdoshëm për shenj­tërimin tonë. Prandaj edhe ne të mos ngurojmë në dëshminë dhe në shpresën tonë, sepse bota pret edhe ajo të zhytet në përqafimin e dashurisë ndërtrinitare.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *