ME ANË TË FESË…

Categories HomeliPosted on

FAMILJA E SHENJTË E NAZARETIT – Viti B

Zan 15, 1-6; 21, 1-3; Heb 11, 8. 11-12. 17-19; Lk 2, 22-40

E kremtja e sotme na bën ta kundrojmë më nga afër Familjen e Shenjtë të Nazaretit të përbërë nga Jezusi, Maria dhe Jozefi. Fakti që Kisha i ka kushtuar një të kremte të posaçme kësaj Familjeje, tregon përzemërsinë e madhe që të krishterët gjatë shekujve kanë pasur ndaj Saj. Mjafton të mendohet për dhjetëra Kongregata rregulltare, mashkullore e femërore, që mbajnë pikërisht emrin e Familjes së Shenjtë.

Është interesante të vihet re se këto Kongregata datojnë kryesisht në fillimet e shekullit XIX e këtej. Duket sikur Shpirti Shenjt ka dashur të zgjojë në Kishën e Tij një përshpirtëri më të madhe ndaj Familjes së Shenjtë, pikërisht atëherë kur familjeve njerëzore filluan t’u shfaqeshin në horizont kërcënimet më serioze që u ishin shfaqur ndonjëherë, duke i zhytur në një krizë të thellë identiteti. Shpirti Shenjt e fton njerëzimin të kujtojë misterin qendror që e përbën familjen e, në këtë “rindërtim” identiteti, duket sikur rruga më e lehtë është pikërisht Familja e Shenjtë.

Në fakt, kjo e fundit është shumë ndryshe nga çdo familje tjetër njerëzore. Si ajo as nuk ka pasur e as nuk do të ketë. Po si, atëherë, mund t’i ofrohet një model i tillë familjeve të tjera?

Për ta kuptuar këtë, na duhet të nisemi nga mënyra se si Letra e drejtuar Hebrenjve e sheh atësinë e Abrahamit dhe amësinë e Sarës: «Me anë të fesë Abrahami, kur qe grishur, dëgjoi të çojë e të niset drejt vendit që do ta fitonte në trashëgim… Me anë të fesë, edhe vetë Sara beronjë, fitoi mundësinë të bëhej nënë, megjithëse mosha i kishte kaluar… Me anë të fesë Abrahami, i vënë në provë, e flijoi Izakun… Prandaj edhe e rifitoi dhe qe një shëmbëlltyrë».

«Me anë të fesë…»: ja veçoria e këtyre dy njerëz. Abrahami besonte në premtimin e Hyjit, edhe pse rrethanat ishin shumë të vështira që ky premtim të realizohej.

Leximi i parë, na tregon se si Hyji ia premtoi djalin e shumë dëshiruar dhe Abrahami – edhe pse në moshë shumë të shtyrë – i besoi fjalës së Hyjit: «Zoti e bëri të dalë jashtë dhe i tha: “Shikoje qiellin dhe numëroji yjet po munde!… Të tillë do të jenë trashëgimtarët e tu”. Abrahami i besoi Zotit dhe iu çmua për drejtësi». Pastaj leximi vazhdon duke na treguar për lindjen e të birit dhe se si Hyji e mbajti fjalën e dhënë.

Ishte «feja» qendra e këtij çifti të moshuar. Ishte «feja» ajo që i shtynte të besonin se Zoti duhej dëgjuar e respektuar. Ishte «me anë të fesë» që ata e shikonin çdo detaj të jetës së tyre.

E pikërisht «me anë të fesë» mund të kuptohet edhe Familja e Shenjtë e Nazaretit, sepse «me anë të fesë» secili prej anëtarëve të saj e shikonte veten dhe tjetrin.

Jezusi, Biri i Hyjit, nga dashuria për Atin e vet, pranoi të bëhej njeri e të lindte nga një grua. Jo vetëm kaq, por pikërisht për shkak të po kësaj dashurie Ai pranoi t’u nënshtrohej ligjeve të kufizuara të natyrës njerëzore e t’u nënshtrohej edhe ligjeve njerëzore.

Maria, Zoja e Bekuar, «me anë të fesë» pranoi të bëhej «Shërbëtorja e Hyjit» në planin e Tij të mistershëm të shëlbimit. Ajo pranoi që të lindte këtë Fëmijë, i cili mrekullisht ishte ngjizur në krahërorin e saj, duke u bërë kështu Nënë falë fesë, në kuptimin më të plotë të fjalës.

Jozefi, pikërisht «me anë të fesë» e pranoi Jezusin Fëmijë dhe Marinë. Ishte feja e qetë dhe e fortë e këtij njeriu të dashur ajo që bëhej shtylla mbajtëse në shpirtin e tij dhe që, pak nga pak, e ndihmoi të kuptonte se i ishte besuar të rriste si bir të vetin pikërisht Birin e Hyjit. Po kjo fe e ndihmoi të kuptonte gjithnjë e më shumë edhe se, bashkëshortja e tij, ishte «më e bekuara ndër të gjitha gratë», falë pastërtisë së pashoqe që kishte shpirti i saj i Papërlyer.

Mund ta imagjinojmë përditshmërinë e kësaj familjeje kaq të pastër, kaq të thjeshtë e njëkohësisht kaq të pazakontë. Të gjithë kishin një pikë të përbashkët: besimin në Zot.

Pikërisht në këtë pikë ata bëhen edhe modeli më i lehtë për çdo familje tjetër njerëzore, sepse u mësojnë atyre ta shohin vetveten «me anë të fesë» e të kenë për qendër të tyre Zotin.

Një familje pa Zotin, është e kërcënuar, është e humbur. Pikërisht këtë, Shpirti Shenjt dëshiron t’i mësojë botës duke frymëzuar në Kishë përshpirtërinë ndaj Familjes së Shenjtë.

Sot duket sikur shumë rryma morale e filozofike duan ta shmangin Zotin nga familja, e prandaj në botë kanë ngulur rrënjë frikshëm ligje që e shkatërrojnë gjithnjë e më shumë familjen: martesat homoseksuale, divorci, bashkëjetesa, aborti, fekondimi artificial, etj. Në vend që të propagandohet dashuria gjithnjë e më e fortë në çift dhe kërkimi gjithnjë e më i madh i së vërtetës e i bashkimit, duket sikur propagandat duan ta vënë theksin mbi egoizmin, mbi mungesën e detyrimeve në jetë e mbi shthurjen morale. Por kjo po i bën disa popuj të bëhen deri edhe qesharakë në mënyrën se si e konceptojnë familjen dhe me ligjet që aprovojnë.

Është e çuditshme të shohësh se si shumica e këtyre popujve, me disa ligje qesharake në lidhje me familjen, vijnë nga tradita pikërisht të krishtera. Kanë dashur të largohen nga rrënja e kulturës së krishterë dhe kanë përfunduar të jenë pa asnjë rrënjë morale e njerëzore. Ai proverbi në gegnisht «Kush nuk ndigjon babën e nanën, del në rrugë e thyen kamben» mund të vlente edhe në këtë rast. Jo rastësisht vetëvrasjet janë të shumta pikërisht në këta popuj, sepse aty njeriu po zhvishet gjithnjë e më shumë nga vlerat e, pa vlera, njeriu e ka vështirë “ta shtyjë” jetën.

Por sa të bekuara janë ato familje që nuk heqin dorë nga «feja» e nga organizimi i detajeve të jetës pikërisht përreth fesë! Falë fesë, ata bëhen bij e bija të vërteta të Abrahamit dhe Sarës. Jo vetëm kaq, por bëhen edhe shëmbëllesë e Familjes së Shenjtë të Nazaretit.

Është interesante të shohim në Ungjillin e sotëm se si na paraqiten edhe disa figura të tjera të cilat në qendrën e jetës së tyre kanë vënë pikërisht fenë. Folëm për Jezusin, Marinë dhe Jozefin, por le të shohim pak edhe Simonin plak dhe një grua të vejë me emrin Ana.

Simoni kishte marrë prej Shpirtit Shenjt premtimin «se s’do të vdiste pa e parë Mesinë e Zotit». Kur e merr në duart e veta Mesinë, ai kaq shumë ndihet i plotësuar, saqë është i gatshëm ta përfundojë ecjen e tij tokësore: «Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë shërbëtori yt në paqe…» Jeta e njeriut merr plotësinë e saj, në fakt, vetëm kur pranon Jezusin brenda saj. Fjalët e Simonit plak Kisha i përsërit çdo mbrëmje, si për të thënë se çdo ditë ajo është e gatshme ta mbyllë ecjen e saj tokësore, ngaqë ndihet e plotë me Jezusin brenda saj.

Për Anën profeteshë ungjilltari thotë diçka jo pa domethënie: «Ishte shumë e vjetër. Pas vajzërisë së vet jetoi në martesë gjithsej shtatë, vjet kurse, si grua e vejë, arriti deri në tetëdhjetë e katër vjet. Ajo nuk e lëshonte Tempullin. I shërbente Hyjit ditë e natë me agjërim e me uratë». Ajo, vetminë e saj e kishte mbushur me Hyjin, e kishte ndriçuar me dritën e lutjes dhe e kishte mbajtur me forcën e pendesave. Ishte krejtësisht e përqendruar në Hyjin, prandaj arriti ta dallonte – falë ndonjë Hiri të posaçëm – veçorinë e kësaj Foshnje.

Këta njerëz, që ditën ta brumosnin jetën e tyre e sidomos vetminë e tyre, me Frymën e Shpirtit të Zotit dhe ditën ta gjenin në Jezusin kuptimin e ekzistencës së tyre, bëhen model besimi për çdo njeri. Kështu, nëse secili anëtar i çdo familjeje njerëzore, e pranon Zotin në jetën e vet, duke e mbushur jetën me lutje, me vlera e me dashuri, «me anë të fesë» do të dijë ta përjetojë në vetvete misterin që e mbante të bashkuar Familjen e Shenjtë të Nazaretit.

Por, në fund të fundit, modeli më i përsosur i familjes njerëzore, është vetë Trinia e Shenjtë. Prandaj Papa Shën Gjon Pali II thoshte: «Familja është pasqyra në të cilën Hyji sheh vetveten e dallon aty dy mrekullitë më të bukura që Ai ka bërë: të dhurohet jeta e të dhurohet dashuria.» Duke ndjekur shembullin e Familjes së Shenjtë të Nazaretit, familjet njerëzore do ta kenë më të lehtë t’i afrohen dashurisë së Trinisë së Shenjtë.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *