SHPIRTI SHENJT NA NDIHMON NË PAAFTËSINË TONË.

Categories HomeliPosted on

RRËSHAJËT – MESHA E PËRGIMIT

Dal 19, 3-8.16-20; Ps 102 (103); Rom 8, 22-27; Gjn 7, 37-39

Në këtë Meshë të shenjtë të Përgimit të Rrëshajëve, Kisha na jep mundësinë që si lexim të parë të zgjedhim disa tekste të ndryshme të Besëlidhjes së Vjetër. Kemi zgjedhur atë pjesë të marrë nga Libri i Daljes në të cilin tregohet se si Hyji zbriti mbi malin Sinai për t’i dhënë popullit të Izraelit Ligjin e vet.

Në fakt, festa e Rrëshajëve apo, siç quhet ndryshe, edhe e Pesëdhjetores, festohej në Izrael edhe para ardhjes së Krishtit dhe përkujtonte pikërisht këtë ngjarje tejet të rëndësishme për atë popull. Festohej pesëdhjetë ditë pas festës së Pashkëve, pra pas përkujtimit të kalimit nga skllavëria në liri.

Populli i Izraelit e çmonte këtë gjest të Hyjit si nderin më të madh që po ia bënte, por më vonë do të kuptohej se ai episod, edhe pse ishte vërtet madhështor, ishte veçse një përgatitje që Hyji po i bënte këtij populli për diçka edhe më të madhe: duke pranuar dhënien e Ligjit, izraelitët po përgatiteshin për pranimin e Shpirtit Shenjt.

E, në fakt, edhe zbritja e Shpirtit Shenjt mbi Kishën fillestare ndodh pesëdhjetë ditë pas Ngjalljes së Jezusit nga vdekja. Pesëdhjetë ditë pas misterit pashkor të Vdekjes dhe Ngjalljes së Jezusit, jepet prej së larti Dhurata e vërtetë, Shpirti Shenjt, i cili nga të krishterët e parë jo rastësisht filloi të quhej me emrin «Dhurata» ( Vap 10, 45).

Me zbritjen e Shpirtit Shenjt tashmë ishin pjekur kohët kur njerëzit do të udhëhiqen jo më nga një Ligj i jashtëm, por nga Shpirti i gjallë i Hyjit. Tashmë Ai do të jetë Ligji që dikton në zemrën e njeriut se çfarë duhet të bëjë e çfarë nuk duhet të bëjë. Jo vetëm kaq. por Shpirti Shenjt do ta udhëheqë të krishterin edhe në lutjen e tij, sikurse thotë Shën Pali në leximin e dytë: «Shpirti Shenjt na ndihmon në paaftësinë tonë, sepse nuk dijmë as çka të kërkojmë me lutje si duhet, por vetë Shpirti Shenjt lutet për ne me ofshame të patregueshme.».

Një përvojë të tillë intimiteti dhe udhëheqjeje nga Shpirti i Hyjit e dëshmojnë shumë shenjtër kur flasin për përvojat e tyre. Shenjtja Terezë e Avilës thoshte se gjatë meditimit dhe lutjes arrihet një çast kur nuk është më e nevojshme të sforcohemi, sepse na nxit një forcë tjetër. Po ashtu edhe Shën Tomë Akuini shprehej pak a shumë me këto fjalë: «Gjatë lutjes, kur vërejmë se brenda nesh ndizet një zjarr që na ngroh përbrenda, të mos bëjmë kurrfarë përpjekje për të dalë prej tij apo për ta shtuar atë, sepse është duke na udhëhequr Shpirti i Shenjt.».

Ndonjë shkrimtar tjetër shpirtëror e krahason këtë fenomen me një barkë që po lundron nëpër ujë. Sikurse lundërtari nuk bën asgjë tjetër veçse hap velat kur e sheh se barkën po e shtyn era në drejtimin e duhur, ashtu edhe besimtarit nuk i duhet të bëjë asgjë tjetër përveçse ta lejojë të veprojë Shpirtin Shenjt kur e sheh se Ai është duke vepruar.

Kush kërkon të vërtetën, paqen, bashkimin dhe kush kërkon ta përtërijë jetën e vet me Hyjin, duhet t’i kërkojë Jezusit forcën e Shpirtit Shenjt. E Jezusi është i gatshëm ta japë atë Shpirt: «Kush ka etje le të vijë tek unë. Le të pijë kush beson në mua!».

Shën Pali na thotë pastaj se vetëm falë dritës së Shpirtit Shenjt do të dijmë edhe t’i lutemi Hyjit si duhet: «Shpirti Shenjt lutet për besimtarët ashtu si do Hyji.» Pra është ky Shpirti Shenjt që i ndihmon besimtarët të luten sipas asaj që përkon me vullnetin e Hyjit, duke i ndihmuar pak nga pak që të largohen nga kërkesat egoiste.

Ky është, pra, ligji i ri që tashmë i udhëheq besimtarët e vërtetë dhe i pastron nga egoizmat e ndryshme që natyra e brishtë njerëzore fsheh në brendësinë e saj më intime. Atje, në atë thellësi, Shpirti Shenjt shkon e punon, vepron. Ai është një punëtor i madh fort.

Në mënyrë paradoksale, edhe pse, në fakt, është punëtor i madh, është quajtur edhe si «i harruari i madh», domethënë si Ai të cilin shpesh e harrojmë se është Hyj dhe e përmendim shumë pak.

Flasim për Atin, flasim edhe më shumë për Birin, por rallë herë flasim për Shpirtin Shenjt. Megjithatë, në planin e shëlbimit Ai është gjithkund i pranishëm. Edhe gjatë jetës së Jezusit na tregohet se si Shpirti Shenjt e shoqëronte Atë gjithkund në veprimtarinë e tij. Gjithashtu edhe në Kishë është ky Shpirt që vazhdon të veprojë e t’i udhëheqë popujt kah shenjtëria. Ai është në sfondin e gjithçkaje edhe pse shpesh nuk flitet për Të.

Në fakt, arsyeja pse flitet kaq pak për Të, mund të jetë edhe një tjetër: vetë Shpirti Shenjt duket sikur ka parapëlqyer të mbetet në sfond. Ai i bën të gjitha këto që thamë, por i bën duke qëndruar si i fshehur, në heshtje, me dashje. Ndonjë teolog e krahason Shpirtin Shenjt me rolin e gruas në shtëpi. Gruaja në shtëpi është ajo që bën shumë gjëra të vogla e të imta në mbarëvajtjen e familjes. Në mbarëvajtjen e familjes nuk është kryesore puna e burrit, por punët e imta të gruas dhe përkujdesja e saj, sidomos në lidhje me edukimin e fëmijëve. E, ndërkohë, gruas nuk i vjen keq që kryefamiljar të quhet burri.

Ja pra, kështu ngjan edhe veprimtaria e Shpirtit Shenjt në secilin prej nesh dhe në Kishën mbarë. Ai na edukon në shenjtëri: në lutjen tonë, në kremtimin e Sakramenteve të Shenjta, në frymëzimin e dhuratave të ndryshme te secili i krishterë.

Prandaj le ta lusim Shpirtin Shenjt që përsëri të veprojë me më shumë forcë në Kishën e Tij e ta bëjë pjesëmarrëse të të mirave Hyjnore, si dhe dëshmitare të Krishtit të Ngjallur!

Gjithashtu ta lusim që të veprojë vazhdimisht edhe mbi mbarë popujt e botës, që t’i udhëheqë ata kah takimi me Krishtin!

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *