NËSE NDOKUSH E HA KËTË BUKË, DO TË JETOJË NË AMSHIM.

Categories HomeliPosted on

E DIELA XIX GJATË VITIT B

1Mbr 19, 4-8; Ps 34 (33); Ef 4, 30 – 5, 2; Gjn 6, 41-51

Përsëri Ungjilli i kësaj të diele na sjell vazhdimin e bisedës që Jezusi bën me judenjtë menjëherë pas shumimit të pesë bukëve dhe dy peshqve dhe e shohim qartë se bëhet fjalë për një bisedë shumë të rëndësishme për ato që duan të ndjekin Jezusin.

Kisha, në këto të diela, dëshiron të na vëjë edhe një herë përballë misterit të madh të Eukaristisë, sepse për pesë të diela radhazi (kjo është e treta), shkëputemi nga leximi i Ungjillit sipas Shën Markut dhe ndalemi tek kapitulli i gjashtë i Ungjillit sipas Shën Gjonit që flet për shumimin e bukëve dhe mësimin e Jezusit mbi misteri e pranisë së Tij në Eukaristinë që do të themelonte.

Le t’i afrohemi, pra, Shkrimit të Shenjtë që sot e dëgjuam, për të kuptuar sado pak nga ky mister tejet i madh.

Pikësëpari na bie në sy kundërshtimi i judenjve të cilët fillojnë të «nynykasin» kundër Jezusit, ngaqë ky kishte pohuar: «Unë jam buka që zbriti prej qiellit.» Ata janë të sigurtë se e njohin Jezusin – duke qenë se i njihnin «babain dhe nënën» – e prandaj ky pohim i tij u duket tepër i çuditshëm.

Por Jezusi ndërhyn me një fjali që në pamje të parë duket edhe më e çuditshme: «Mos nynykatni njëri me tjetrin! Askush s’mund të vijë tek unë, po qe se Ati , që më dërgoi, nuk e tërheq.» Kjo fjali mund të na bëjë të mendojmë se, për të shkuar tek Jezusi, nuk qenka në dorën tonë, por qenka si çështje fati, meqë qenka zgjedhje e Atit të Amshuar e jo jona.

Por, gabojmë, sepse, të jesh i «tërhequr nga Ati», do të thotë të jesh si «i joshur» prej Tij e të tërhiqesh nga mënyra e Tij e të të vepruarit. E mënyra e Tij e të vepruarit është pikërisht mënyra e një «Ati», pra plot me dashuri.

Për ta kuptuar këtë, na vjen në ndihmë leximi i dytë. Aty Shën Pali thotë: «Vëllezër, mos e trishtoni Shpirtin Shenjt të Hyjit, me të cilin Hyji ju vulosi për ditën e shpërblimit!» I krishteri nuk udhëhiqet kryesisht nga Ligji i jashtëm, i shkruar në ndonjë letër, por nga “Ligji” i brendshëm, domethënë nga Shpirti Shenjt që vepron brenda Tij, Tempull i të cilit ai është bërë në pagëzim. Ta «trishtosh Shpirtin Shenjt», do të thotë të mos e lejosh Atë të veprojë në ty e të jepesh pas veseve, në vend që të jepesh pas virtyteve të krishtera. Prandaj Shën Pali shton: «Le të flaket larg jush çdo pikëllim, zemërim, hidhërim, britmë, shamje me çdo lloj ligësie!» Fton që të flaken tutje veset.

Të flakim pikëllimin: jo rrallë shumë prej ne të krishterëve izolohemi në ndonjë pikëllim tonin. Një vështirësi në jetën e përditshme, një papunësi, një njeri që shpif diçka për ne, një sëmundje apo një rast vdekjeje i një njeriu të dashur. Kujdes: edhe këtu duhet ta lëmë veten të ndihmohemi nga Fjala e Hyjit e të tërhiqemi prej Saj.

Të flakim zemërimin, hidhërimin, sharjet: shumë herë i justifikojmë mëkatet tona duke thënë: «Kur jam i zemëruar, nuk di ç’bëj e nuk di ç’flas, prandaj Zoti më faltë.» Po të gërmohet më thellë në ndërgjegjen e atij që justifikohet kështu, shohim që ka bindjen e gabuar se, kur njeriu është i zemëruar, ka të drejtë të bëjë çdo gjë. Duhet ta edukojmë nervozizmin tonë e të mos e lëmë pas dore vigjilencën mbi dobësinë tonë e cila shumë kollaj gjen “rrugica” për të na çuar larg Zotit. E kontrollon nervozizmin e gojën e vet vetëm ai që është i joshur nga Zoti.

Shën Pali, sikurse e tha haptas se çfarë duhet të flakim, na mëson edhe se çfarë duhet të bëjmë: «Jini njëri për tjetrin të mirë, zemërdhimbshëm». Nuk bëhet fjalë për një falje e zemërdhembshuri dosido, por për falje që e ka themelin në Krishtin: «Falni njëri-tjetrin sikurse edhe Hyji ju fali ju në Krishtin!» Edhe më i qartë është kur thotë: «Përngjani Hyjit porsi bij të dashur dhe jetoni në dashuri!»

Kur jetojmë në dashuri (e cila ka si model Hyjin-Dashuri) atëherë do të thotë se jemi të tërhequr e të joshur nga Ati ynë qiellor e, vetëm atëherë, do të jemi të joshur edhe nga Jezusi.

Praninë e Jezusit në Eukaristi nuk e kuptojmë kurrë plotësisht, por, kur fillojmë të jetojmë me dashuri e me fe të gjallë në Jezusin, atëherë këtë prani e besojmë dhe e pranojmë si Dhuratën më të madhe që Ai mund të na bënte, duke qenë se na dhuron pikërisht Vetveten. Atëherë e kuptojmë se Jezusi është i pranishëm në këtë Sakrament të Tejetshenjtë dhe se, duke u ushqyer me Të, ne marrim hiret e duhura për të jetuar në hir të Zotit e për t’u larguar nga mëkati. E kuptojmë kështu se Ai është buka e jetës sonë.

Tani, për të shkuar edhe pak më thellë në kuptimin e Ungjillit, duhet t’i hedhim sytë pak kah leximi i parë, në të cilin flitet për Elinë profet, një figurë tejet e rëndësishme për popullin e Izraelit. Gjatë jetës së Elisë, Izraeli përjetoi një kohë largimi vëretet shumë të madh e të rrezikshëm nga kulti i pastër ndaj Zotit të vërtetë. U arrit deri në atë pikë saqë Elia të ishte i vetmi prift e profet që i kishte qëndruar besnik Besëlidhjes së Etërve me Hyjin. Do të ishte pikërisht nëpërmjet ndërmjetësimit të fuqishëm të këtij profeti të madh që Hyji do ta kthente edhe një herë Izraelin kah Vetja.

Pjesa e sotme flet për një udhëtim shumë të gjatë e të lodhshëm të Elisë nëpër shkretëtirë. Pasi «udhëtoi një ditë rrugë», ai ishte lodhur shumë dhe «u ul të pushojë nën një dëllinjë». Kaq ishte lodhur, saqë «i dëshiroi vetes vdekjen». Prandaj i drejtohet Hyjit: «S’mundem më, o Zot! Ma merr tani jetën se nuk jam më i mirë se të parët e mi!» E ra të flinte.

Por pas pak një engjëll e preku dhe i tha: «Çohu e ha!» Elia e hëngri bukën dhe e piu ujin që gjeti përbri vetes mrekullisht, por përsëri ra të flinte. Engjëlli përsëri iu afrua, e preku dhe i tha: «Çohu e ha, sepse të duhet të bësh rrugë të gjatë!» Elia u bind. U nis për udhëtim dhe, çuditërisht, «i forcuar me atë shujtë, udhëtoi dyzet ditë e dyzet net deri në malin e Hyjit, në Horeb». Numri «dyzet» në Bibël tregon një periudhë pendese e thellimi të jetës me Zotin. Në përfundim të këtij udhëtimi Elia do të takojë realisht Hyjin në malin Horeb.

Patjetër që na bën përshtypje se si kishte mundësi që, një vakt i vetëm, t’i mjaftonte për një udhëtim aq të gjatë. Mbase kjo është një mënyr tjetër e Biblës për të folur për forcën e Hirit Hyjnor.

Por ajo bukë që hëngri dhe e forcoi aq shumë për atë udhëtim të gjatë, ishte një shëmbëllesë e asaj «buke të jetës» që është vetë Jezusi i pranishëm në Sakramentin e Tejet Shenjtë të Eukaristisë. Eukaristia është «shujta» jonë, domethënë forca jonë, në shkretëtirën e kësaj jete, deri në takimin tonë përfundimtar me Hyjin Trini në Parriz.

Në jetën e shumë shenjtërve, Hyji ka dashur ta tregojë këtë jo vetëm nga ana shpirtërore, por edhe trupore. Flitet për shenjtër që kanë jetuar me vite e vite pa u ushqyer me asgjë tjetër përveçse me Kungimin e Shenjtë. Shenjtërit na e shpjegojnë më bukur se askush tjetër efektin që mund të ketë në ne Kungimi i Shenjtë.

Shën Jozef Moskatin, mjekun e shenjtë napoletan, i cili vdiq në fillim të shekullit XX e që punonte me ritme shumë të dendura në ndihmë të të sëmurëve, një ditë e pyetën se si mund t’i rezistonte një veprimtarie aq të madhe. Ai iu përgjigj: «Kush e merr Kungimin çdo mëngjes, ka me vete një forcë që kurrë nuk shuhet.» Kështu kuptohet edhe se si, ky mjek i “çuditshëm”, në disa raste lëshonte receta ku, përveç se u jepte ilaçe, i porosiste të sëmurët që të shkonin edhe në Meshë. «Kurë me Eukaristi», u shkruante në receta. Ishte i bindur se efektet e Eukaristisë nuk janë vetëm shpirtërore, por prekin tërë personin njerëzor.

Kaq shumë disa shenjtër e donin Jezusin të pranishëm në Eukaristi, saqë edhe fizikisht e shprehnin me gjeste të habitshme këtë dashuri. Shën Filip Neri thuhet se, kur ishte në spital i sëmurë dhe nuk arrinte të flinte, në vend që të thërriste mjekët, bërtiste: «Më jepni Zotin tim dhe pastaj do të fle!»

Këta njerëz e përjetonin në trupin e tyre, përveçse edhe shpirtërisht, se kungimi është me të vërtetë «buka e jetës», shujta, forca e ecjes sonë tokësore. E besonin ngultas atë që Jezusi thotë në Ungjillin e sotëm: «Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush e ha këtë bukë, do të jetojë për amshim.»

Prandaj, për ta kuptuar sadopak praninë e Jezusit në Eukaristi, na duhet të hyjmë në logjikën e dashurisë siç na mëson Jezusi dhe ta pranojmë Eukaristinë e Shenjtë si Dhuratën më të madhe këtu mbi tokë, Dhuratë e cila na forcon në ecjen drejt atdheut tonë qiellor.

Kjo shujtë na e përtërin gjithnjë ecjen, na edukon në dashuri, na largon nga veset mëkatare dhe është për ne si paradhënia e asaj lumturie të amshuar drejt së cilës na çon.

I Lumi Karlo Akutis, një djalosh i ëmbël italian, gjeni i informatikës, që, qysh se kishte marrë kungimin e parë në moshën shtatëvjeçare asnjë ditë nuk kishte munguar në Meshën Shenjte dhe që vdiq në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare, ka lënë të shkruar: «Eukaristia është autostrada ime për në qiell.» E, në fakt, Selia e Shenjtë, në vitin 2013, ka filluar procesin e lumnimit për të, proces i cili u përfundua më 10 tetor 2020 kur qe shpallur i Lum.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *