MBJELLËSI, FARA DHE TOKA

Categories HomeliPosted on

E DIELA XV GJATË VITIT A

Is 55, 10-11; Ps 65 (64); Rom 8, 18-23; Mt 13, 1-23

«Një turmë e madhe ngarendi» tek Jezusi atë ditë kur ai doli prej shtëpisë dhe shkoi e u ul të rrinte buzë detit. Kur i pa, Jezusi vendosi t’u tregonte këtë shëmbëlltyrë, të cilën do të mund ta krahasonim me një pasqyrë, të cilën Ai po ia jepte secilit dëgjues të pranishëm, që kështu të mund ta shikonin vetë gjendjen e zemrës së tyre.

Jezusi fillon të mësojë nga barka mbi të cilën kishte hipur e ishte larguar pakëz në det. E shëmbëlltyra e treguar filloi jo rastësisht me fjalët: «Doli mbjellësi për të mbjellë». Vetë Jezusi ishte mbjellësi, Fjala e Tij ishte fara, turmat ishin toka. Lum sytë e tyre se kë po shihnin e lum veshët e tyre se kë po dëgjonin. Jezusi vetë nuk vonoi t’ua thoshte këtë dhe të shtonte: «Shumë profetë e të drejtë dëshiruan të shohin çka po shihni ju, por nuk e panë, të dëgjojnë çka ju po dëgjoni e nuk e dëgjuan».

Janë bërë shumë komente rreth shëmbëlltyrës që Jezusi tregoi e shpjegoi atë ditë. Ka kaq shumë për të medituar rreth saj, saqë shpesh organizohen tërheqje shpirtërore e deri edhe ushtrime shpir­tërore që zgjasin me ditë të tëra rreth kësaj pjese. Shkaku i gjithë kë­saj është ajo që thamë në fillim: se, pra, kjo pjesë ngjan me një pas­qy­rë të cilën Jezusi na e vë përpara ndërgjegjes sonë.

Por të përpiqemi të kapim thelbin e gjithë kësaj shëmbëlltyre me shpjegimin e bërë nga vetë Jezusi. Kjo shëmbëlltyrë gëzon në mënyrë të veçantë privilegjin që të jetë njëkohësisht tejet e thjeshtë, por edhe kaq e thellë.

Së pari, të bën përshtypje fakti që mbjellësi duket shumë i shkujdesur. Në fakt aty thuhet se ai e hidhte farën kudo: në tokë të mirë, në ferra, në zallinë e madje edhe pranë udhës. Cili mbjellës nuk do ta qortonte një shpërdorim të tillë të farës? Por të gjithë ne e kuptojmë menjëherë se çfarë nënkupton ky detaj: tregon se Fjalën e Tij Hyji nuk e kursen asnjëherë: Ai i flet si të drejtit, ashtu edhe të padrejtit, si të dëgjueshmit ashtu edhe të të padëgjueshmit, si shenjtit ashtu edhe mëkatarit më të madh. Hyji nuk kursehet, por flet. Flet me të gjithë.

Së dyti të bën përshtypje se si Jezusi turmës i fliste me shëm­bëlltyra, ndërsa nxënësve të vet ua shpjegonte ato të gjitha veçmas. Është njëra prej shumë mënyrave me të cilat Jezusi tregon vullnetin e Tij për të lënë në tokë disa njerëz që e përfaqësojnë atë, pra njerëz të cilët do t’ua “shpjegojnë” turmave Fjalën e Hyjit. Kështu neve na duhet ta dimë e ta besojmë se ekziston një autoritet kishtar, i cili na mëson se si duhet t’i kuptojmë pjesët e ndryshme të Shkrimit Shenjt, të cilat nuk mund të shpjegohen në mënyrë arbitrare prej të gjithëve, apo «sipas trillit të kujtdo», siç thotë Shën Pjetri në letrat e veta.

Së treti, pastaj, vëmendjen na e tërheqin kategoritë e ndryshme të cilat Jezusi i përshkruan në shëmbëlltyrë. Duke folur për kate­goritë e terreneve mbi të cilët bie fara, Jezusi flet për kategoritë e ndryshme të dëgjuesve të Fjalës së Tij.

Le t’i marrim me radhë këto kategori.

«Secilit që e dëgjon Fjalën e Mbretërisë e nuk e kupton, i vjen i Keqi dhe ia rrëmben atë që i qe mbjellë në zemër. Ky është ai që u mboll ‘pranë udhës’.». Duhet ta besojmë se ekziston i Keqi, djalli, mashtruesi i vjetër. Shën Injaci i Lojolës e quante armiku. Ai tundon, gënjen, josh, manipulon, motivon me qëllime të tjera, në dukje të larta, por që atij i mjaftojnë për ta shmangur njeriun nga vullnesa e Zotit dhe nga Fjala e Tij shëlbuese. Gjithë këtë ai e arrin me ata të cilët jetojnë në tokë e shkelmuar, sikurse e tillë është toka pranë udhës. Puna e të Keqit është më e lehtë aty ku njeriu është i shkelmuar nga veset e ndry­shme, nga ideologjitë dashakeqe, nga egoizmi i pakufi. Ai, i Keqi, bën çmosin që Fjala e Hyjit në ato realitete të mos hyjë aspak. Edhe kur hyn, ai vjen menjëherë dhe përpiqet ta shkulë atë dhe njeriut ia «rrëmben atë që i qe mbjellë në zemër», edhe pse, në fakt, na mbetet gjithnjë në zemër një farë lirie për ta pranuar kurdoherë Fjalën e Hyjit, sado të zhytur që mund të jemi në mëkate. Por, mjerisht, njeriu mundet të vazhdojë të zgjedhë të jetë i shkelmuar nga veset dhe nga egoizmi e këtu i Keqi ka dorë më të lirë pastaj.

«I mbjelli në ‘zallinë’ është ai që e dëgjon Fjalën dhe me gëzim e pranon, porse, për arsye se s’ka rrënjë në vetvete, pse është i paqëndrueshëm, posa të vijë ndonjë ngushticë apo salvim për shkak të Fjalës, përnjëherë e bjerr besimin.». Është rasti i të mos pasurit një “shtyllë kurrizore”, i mungesës së qëndrueshmërisë. Nuk e kemi idenë se sa shumë na duhet të punojmë me veten tonë për të “ngulur edhe vetëm pak rrënjë”. Shpesh­herë mbase Zoti na lejon të biem në tundime të ndryshme pikërisht për të na bërë ta shohim me sytë tanë se sa të paqëndrueshëm e të  parrënjë jemi. Kështu e prekim me dorë se ajo që ne e quanim fe ishte thjesht një autosugjestion. E shohim se deri tani paskemi qenë të mbushur vetëm me koncepte, me fraza, por jo me fe të gjallë e me bindje. Sa shumë herë qëllon që dëgjimi i Fjalës së Zotit fillimisht na bën të fluturojmë në qiellin e shtatë, por, kur ndeshemi me ndonjë provë, me ndonjë frikë apo me ndonjë kërcënim të jetës, zhgënjehemi dhe menjëherë bëjmë zgjedhjet që bënim gjithmonë kur nuk besonim, zgjedhje që janë shumë larg fjalës së Zotit.

«E i mbjelli ‘në ferra’ është ai që e dëgjon Fjalën, por kujdesi i tepruar i kësaj bote dhe gënjimi i pasurisë, ia marrin frymën Fjalës e ajo mbetet pa fryt». Mes atij që nuk kujdeset aspak për jetesën e përditshme dhe atij që kujdeset me tepri për të, unë do të pëlqeja më fort këtë të dytin, por edhe kjo kategori njerëzish paska rreziqet e veta. «Kujdeset e tepruara të kësaj bote» janë si puna e atyre sirenave mashtruese nëpër përralla, të cilat nuk vonojnë të ta gllabërojnë mendjen dhe zemrën, duke të shtyrë që të bësh zgjedhje të dëmshme të cilat, pak nga pak, të çojnë larg vetvetes, larg dashurisë dhe përzemërsisë me të tjerët e, shumë shpejt, edhe larg Hyjit. Kështu, kujdesi i tepruar, «ia merr frymën Fjalës e ajo mbetet pa fryt». Fjala kishte zënë vend në zemër dikur, por tashmë asaj i është «zënë fryma». Të njëjtën logjikë mashtruese si «kujdesi i tepruar i kësaj bote» ndjek edhe «gënjimi i pasurisë».

«E i mbjelli në ‘tokë të mirë’, është ai që e dëgjon Fjalën, e kupton dhe bie fryt: njëri njëqind fish, tjetri gjashtëdhjetëfish e tjetri tridhjetëfish». Të bën të mendosh fakti se, për Jezusin, nuk ka fort rëndësi se sa fish jepet fryt, por rëndësi ka që të jepet sadopak fryt. Nëse feja hyn në jetën tonë të përditshme, në zgjedhjet tona, ajo do të japë fryte patjetër, diku më shumë e diku më pak. Sasia nuk është përgjegjësi e jona, sepse varet nga dhuratat që Zoti i ka dhënë secilit prej nesh. Përgjegjësi e jona qenka vetëm fryti, pra bashkëpunimi me Zotin.

Toka e mirë: gjithnjë do të ketë tokë të mirë, gjithnjë do të ketë njerëz që i hapen Fjalës së Hyjit dhe që e bëjnë atë të japë fryte. Prandaj Hyji nuk shkurajohet kurrë e nuk e ka problem të tregohet i shkujdesur me hedhjen e farës, sepse e di se diku ajo do të mbijë, do të ngulë rrënjë e do të japë fryt. Leximi i parë na tregon këtë siguri të Hyjit: «Fjala ime, që del prej gojës sime, s’do të kthehet tek unë pa fryt.».

Le ta meditojmë secili prej nesh në vetmi e në heshtje këtë shëmbëlltyrë! Kështu do të kuptojmë se çfarë toke jemi dhe se cilës kategori i përkasim. Kjo pasqyrë e dhuruar nga Jezusi atë ditë, do të na ndihmojë më së miri në shqyrtimin e ndërgjegjes sonë.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *