DO TA ADHUROJNË ATIN NË SHPIRT E NË TË VËRTETË.

Categories HomeliPosted on

KUSHTIMI I BAZILIKËS LATERANE – 9 nëntor

1 Mbr 8, 22-23.27-30; Ps 95 (94); 1 Pjt 2, 4-9; Gjn 4, 19-24

Festa e sotme përkutjon shugurimin e bazilikës së kushtuar Shën Gjonit, në Laterano. Kjo bazilikë u dëshirua në Romë nga vetë perandori romak, Konstantini i Madh, pothuajse menjëherë pasi ai shpalli lirinë e kultit për të krishterët që deri atëherë ishin të përndjekur pothuajse në mbarë perandorinë romake. Konstantini madje e caktoi krishterimin edhe si fenë zyrtare të perandorisë së tij. Kjo ngjarje pati një ndryshim shumë të madh në jetën e Kishës, si për mirë, ashtu edhe për keq, sepse, nëse nga njëra anë u fitua liria e dëshiruar, me privilegjet e pasuritë e mëdha që Kisha filloi të gëzonte, do të shkonte shpesh edhe drejt një frymë shumë tokësore të të shikuarit vetveten dhe misionin e saj në botë.

Megjithatë, është interesante të dimë se kjo festë e sotme ka qëndruar ndër shekuj. Jo edhe aq për të përkujtuar se një kishë në Romë është shuguruar në vitin 324, por për të theksuar rëndësinë e bashkimit me personin e Papës, simbol i bashkimin të të gjitha kishave në botë. Ne gabojmë kur mendojmë se një simbol i tillë është bazilika e Shën Pjetrit, e cila, falë madhështisë së saj, ka bërë që aty të mblidhen më shpesh të krishterët përreth Pasardhësit të Shën Pjetrit. Në të vërtetë, Kisha nënë e të gjitha kishave të tjera në botë, është pikërisht kjo Kishë e Shën Gjonit, në Laterano, aty ky realisht Papa e ka selinë e tij si ipeshkëv i Romës. Prandaj, pra, ne përkujtojmë sot këtë ditë, për të shprehur bashkimin tonë me Papën, në të cilin ne ndihemi të bashkuar edhe me mbarë Kishën Katolike.

Ndërtesat Kishtare në këtë botë, kanë për qëllim të jenë kryesisht shprehje e kultit të vërtetë në shpirt që ne gjithnjë jemi të thirrur t’i japim Hyjit. Shën Justinin, martirin e dashur filozof të shekullit të dytë, prefekti që do ta dënonte, e pyeti: «Ku mblidheni ju të krishterët?» e Justini iu përgjigj: «Ku të dëshirojë e të mundet secili. Ti mendon se të gjithë ne bashkohemi në të njëjtin vend, por nuk është ashtu, sepse Hyji i të krishterëve, që është i papashëm, nuk mund të kufizohet në asnjë vend, por ai mbush me lavdinë e tij qiellin e tokën dhe është i nderuar e lavdëruar kudo nga besimtarët e tij.». Shën Justini po i shpejgonte kështu më së miri përndjekësit të tij atë që Jezusi ia shpejgonte edhe Samaritanes, siç dëgjuam në Ungjillin e sotëm: «Po vjen koha, e tani është, kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin në shpirt e në të vërtetë, sepse Ati kërkon shi adhurues të tillë. Hyji është shpirt dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në shpirt e në të vërtetë».

Edhe Salomoni mbret, siç dëgjuam në leximin e parë, ditën kur u shugurua Tempulli i Jerusalemit, ishte i vetëdijshëm se ai Tempull nuk mjaftonte për ta përmbledhur në të tërë lavdinë e madhështinë e Hyjit: «Qielli vetë e qiejt e qiejve ty nuk mund të të zënë. Aq më pak kjo Shtëpi që unë e ndërtova. Por, vëri veshin uratës së shërbëtorit tënd dhe lutjeve të tija, o Zot, Hyji im!».

Edhe në leximin e dytë, Shën Pjetri i ftonte të krishterët e parë që t’i afrohen Krishtit, «Gurit të gjallë» e jo ndonjë tempulli prej gurësh. Sepse vetëm në Krishtin e Vdekur e të Ngjallur mund të bashkohen me Hyjin «adhuruesit e vërtetë». E Shën Pjetri vazhdon duke shpjeguar se në Krishtin të krishterët bëhen pjesë e Trupit të tij Mistik që është Kisha: «Që edhe ju, si gurë të gjallë, të ndërtoheni Shtëpi shpirtërore, për të qenë meshtarí e shenjtë, për të kushtuar fli shpirtërore, që i përlqejnë Hyjit nëpër Jezu Krishtin».

Të gjitha ndërtesat kishtare në botë kanë kuptimin e tyre të vërtetë në faktin se ato na shtyjnë të bashkohemi realisht në shpirt me Hyjin. Pikërisht ky bashkim i yni me Hyjin i jep shenjtëri edhe vendit ku bashkohemi dhe na shtyn të kërkojmë edhe një vend fizik, kur rrethanat na e mundësojnë, që të bashkohemi edhe me njëri-tjetrin në ndonjë ndërtesë të përshtatshme, ndërtesë e cila simbolizon bashkimin tonë jo vetëm me Hyjin, por edhe me njëri-tjetrin.

Prandaj shugurimi i Bazilikës së Lateranit ka rëndësi të veçantë, sepse simbolizon jo vetëm bashkimin tonë në shpirt me Hyjin e jo vetëm bashkimin në mes të krishterëve të ndonjë kishe lokale, por edhe bashkimin me të gjithë të krishterët në botë dhe, sidomos, me Pasardhësin e Shën Pjetrit që është Papa, në bashkim me pasardhësit e apostujve që janë ipeshkvinjtë. Kemi nevojë të pazëvendësueshme për këtë bashkim, sepse aty ne mund të marrim plotësinë e hireve që Krishti ia ka mundësuar Kishës së Tij. Mungesa e bashkimit me Papën sjell edhe mungesën e theksuar të këtyre hireve që i marrim në sakramente e në forma të tjera nga dinjiteti i tij dhe i ipeshkvinjve. Patjetër që edhe Papa me ipeshkvinjtë janë të brishtë dhe nevojtarë për Mëshirën Hyjnore. Madje, pikërisht ngaqë «u është besuar shumë, prej tyre do të kërkohet edhe më shumë» llogari nga Krishti, kur të dalin para Tij në fund të jetës së tyre (Lk 12, 48). Por, bashkimi me ta është i domosdoshëm, në mënyrë që të mund të bëhemi «gurë të gjallë» në mënyrën më të plotë.

Në shekullin IV, Shën Ambrozi, ipeshkvi i madh Milanos, shkruante: «Ku është Pjetri, aty është Kisha.». Meshtari italian, Shën Luigji Orione, mësonte kështu në shekullin XX: «Besojma jonë është Papa, morali ynë është Papa; dashuria jonë, zemra jonë, arsyeja e jetës sonë është Papa. Për ne Papa është Jezu Krishti: të duash Papën dhe të duash Jezusin, është e njëjta gjë; të dëgjosh dhe të ndjekësh Papën do të thotë të dëgjosh dhe të ndjekësh Jezu Krishtin; t’i shërbesh Papës do të thotë t’i shërbesh Jezu Krishtit; të japësh jetën për Papën, do të thotë të japësh jetën për Jezu Krishtin.». Prandaj edhe në Shqipëri, shumë martirë e dhanë jetën nën diktaturën komuniste, ngaqë nuk pranuan të shkëputen nga bashkimi me Selinë e Shenjtë. Imzot Frano Gjini, kur në vitin 1946 i kërkuan ta bënte një gjë të tillë, si ipeshkëv dhe si Delegat Apostolik që ishte, u përgjigjej: «Unë nuk do ta ndaj kurrë grigjën time nga Selia Shenjte. Nuk do ta baj kurrë, derisa të kem jetë.». E torturuan sa nuk thuhet për tetë muaj rresht, duke e vënë nën të dridhurat e korrentit elektrik, duke e futur në ujë të ngrirë, duke i ngulur kunja pishe nën thonj dhe duke ia ndezur ato, duke e lënë pa ngrënë për javë të tëra. Deshën ta thyenin vullnetin e tij, por nuk ia dolën. Atëherë e dënuan me vdekje. Kur, para pushkatimit, i kërkuan të thoshte fjalët e fundit, ai edhe aty e bëri dëshminë e fesë së vet, për të cilën po vdiste: «Rrnoftë Krishti Mbret, Feja katolike dhe katolikët në botë. Rrnoftë Papa: gjaku e trupi jem mbeten këtu, por shpirti e zemra jeme janë te Papa. Rrnoftë Shqipnia!».

Na ndihmoftë Zoti që, në bashkim të përnjëmendtë në mes nesh, t’i afrohemi gjithnjë e më shumë në shpirt Krishtit, sepse në Të e takojmë Hyjin dhe bëhemi «fis i zgjedhur, meshtarí mbretërore, komb i shenjtë, popull që Hyji e fitoi për vete», duke qenë se në Krishtin, me forcën e Shpirtin Shenjt, ne e adhurojmë Hyjin Atë «në shpirt e në të vërtetë».

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *