SYTË E TYRE ISHIN TË PENGUAR TA NJIHNIN.

Categories HomeliPosted on

E DIELA III E PASHKËS – VITI A

Vap 2, 14.22-33; Ps 16 (15); 1 Pt 1, 17-21; Lk 24, 13-35

«Feja juaj dhe shpresa të jenë në Hyjin!» thotë Shën Pjetri në leximin e dytë, por sa shumë punë na duhet të bëjmë me zemrën tonë për ta përvetësuar këtë porosi të tijën. E kjo sidomos kur na duhet të bindemi se fjala i Gjithëpushtetshëm i përket vetëm Hyjit e jo vdekjes. Duket sikur sytë e zemrës sonë janë të penguar ta shohin këtë të vërtetë, ashtu siç qenë të penguar atë ditë të bekuar të Pashkës sytë e dy prej nxënësve të Krishtit. «Sytë e tyre ishin të penguar ta njihnin.» thotë Ungjilli, duke na bërë të kuptojmë shumë lehtë se ata tani nuk kishte gjë që i tundte nga bindja se vdekja e Jezusit i kishte vënë kapakun gjithçkaje që shpresonin nga Ai.

Pjesa e sotme ungjillore fillon me fjalët: «Ditën e Pashkës, dy prej nxënësve të Krishtit po shkonin në një fshat që quhet Emaus e është larg Jerusalemit gjashtëdhjetë stadje.». Po iknin nga Jerusalemi e po ktheheshin në Emaus. Në Jerusalem kishin shkuar pas Jezusit, por tani që Ai vdiq në kryq, po ktheheshin në shtëpitë e tyre, në jetën e tyre të mëparshme. Jezusi u kishte ngjallur shpresën se ndoshta Ai «do ta lironte Izraelin», por, e kotë: Ai vdiq. E pra Mësuesi i tyre ua kishte paralajmëruar Ngjalljen e Tij, por ata nuk e kuptonin. Mbase mendonin se po fliste në mënyrë simbolike, gjë të cilën Jezusi e bënte shpesh herë. Por tani që kishte vdekur, gjithçka kishte marrë fund. Guri i varrit i kishte vënë kapakun gjithçkaje. Megjithatë, kishin harruar se i Gjithëpushtetshëm është vetëm Hyji e jo varri.

Ndërkohë që këta po ktheheshin në shtëpitë e veta të zhgënjyer nga Jezusi (edhe Jezusi i zhgënjeka disa njerëz!) ndodhi ajo që nuk ua merrte mendja. Vetë Jezusi i Ngjallur afrohet e hyn në bisedë me ta: «Ata po bisedonin njëri me tjetrin për të gjitha këto ngjarje. Dhe ndodhi që, ndërsa ata po flisnin e po bisedonin kështu, vetë Jezusi u afrua dhe po ecte me ta. Por sytë e tyre ishin të penguar ta njihnin.». Nuk duhet të mendojmë këtu se sytë e tyre ua kishte penguar ndonjë ndërhyrje e Hyjit, me qëllim që pastaj t’ua hiqte këtë pengesë kur «të ndanin bukën», me qëllimin që të shfaqte kështu me bindshëm pushtetin e vet. Kjo do të ishte tallje e Hyji nuk tallet me askënd. As mos të mendojmë se Jezusi mund të ketë pasur në kokë ndonjë gjë që nuk i linte ta shihnin mirë. Kur Jezusi i pyet se çfarë po bisedonin, Ungjilli thotë se «ata u ndalën» për ta parë se kush qenka ky që nuk e paska marrë vesh se çfarë kishte ndodhur në Jeruzalem në ato ditë. Pra «u ndalën», e fiksuan në sy, siç na ka ndodhur të bëjmë të gjithë me dikë kur jemi në bisedë e sipër gjatë udhës. E prapëseprapë nuk e njohën. Shtoji gjithë kësaj edhe tri dëshmi të tjera. Disa gra u kishin thënë se varrin e kishin gjetur bosh. Aty pastaj u ishin shfaqur disa engjëj dhe u kishin thënë se Ai është gjallë. Dhe, e treta, edhe disa nga apostujt kishin shkuar tek varri dhe kishin gjetur «shì ashtu si u thanë gratë».

Pra e shohin, e dëgjojnë, bisedojnë më Të, i kishin paraprirë edhe tri dëshmi plot autoritet këtij takimi dhe, prapëseprapë «sytë e tyre ishin të penguar ta njihnin».  I pengonte ideja se varri është i gjithëpushtetshëm. Përderisa kishte vdekur një herë, as që u vetëtonte në mendje ideja se ky bashkëbisedues i çuditshëm mund të ishte po Ai Jezusi që e kishin parë të vdekur në kryq vetëm tri ditë më parë. Edhe sot, gjithëpushtetësia e rreme e vdekjes verbon dhe pengon shumëkënd për të takuar Zotin e gjallë që u ecën fare pranë në jetë.

Por i Gjithëpushtetshëm është Hyji e jo vdekja. Shën Pjetri e pohon këtë me shumë forcë ditën e Rrëshajës, siç thuhet në leximin e parë: «[Jezusin] nuk ishte e mundur që vdekja ta mbante nën sundimin e vet.». Pushtetit të vdekjes i kundërvihet pa asnjë diskutim pushteti i Birit të Hyjit. Trupin e të vdekurve të tjerë vdekja kishte pushtet ta mbante nën sundimin e saj deri në fundin e kohës, por jo këtë Trup. Ai ishte Trupi i një Personi Hyjnor e prandaj nuk mund ta zotëronte Atë. Stomaku i pamëshirshëm i vdekjes nuk mund ta mbante brenda vetes Trupin e Birit të Hyjit të bërë Njeri, prandaj u desh që ta “nxirrte jashtë” Atë menjëherë. Siç lëshojmë menjëherë nga dora një gjë të nxehtë që na përvëlon, ashtu edhe vdekjes iu desh ta lëshonte menjëherë nga “duart” e saj Trupin e Jezusit. Vdekja nuk ka pushtet mbi Hyjin. Fjalën e fundit e ka Jeta e Jeta është Biri i Hyjit i bërë Njeri që na ka thënë dhe na e ka vërtetuar, është: «Udha, e Vërteta dhe Jeta.».

Por nxënësve të Emausit iu desh të bënin një ecje të përnjëmendtë feje për ta fituar dritën e fesë dhe për ta vënë re të Ngjallurin që po ecte përkrah tyre.

E ecja e tyre filloi me qortimin e ëmblë të Jezusit: «O të pamendë e të ngadalshëm që të besoni gjithçka paralajmëruan profetët! Po a nuk u desh që Mesia t’i pësojë të gjitha e kështu të hyjë në lavdinë e vet?». Të mos besosh në ngjalljen e Jezusit, në faktin se i Gjithëpushtetshëm është vetëm Hyji, është marrëzi. «Tha i marri në zemrën e vet: “S’ka Hyj!”» thotë Psalmi 53, 1, duke na bërë të kuptojmë se, për Biblën, të mos besosh në ekzistencën e Hyjit dhe në pushtetin e Tij, është marrëzi. Prandaj Jezusi i quan këta dy nxënës «të pamend».

Por mosbesimi i tyre është edhe çështje zemërngurtësie, mbyllje ndaj Fjalës së Jezusit që u kishte thënë se do të ngjallej. Nxënësit nuk i dhanë peshën e duhur Fjalës së Hyjit, pikërisht ashtu siç kishin bërë prindërit tanë të parë në fillimet e njerëzimit, kur nuk i dhanë peshën e duhur Fjalës që Krijuesi i tyre u kishte thënë. E prandaj i quan edhe të ngadalshëm në besim.

«O të pamendë e të ngadalshëm që të besoni»: qortim i dyfishtë, gjithmonë i vlefshëm për të na e larguar edhe neve atë që na i pengon sytë tanë për ta parë Zotin e gjallë në jetën tonë.

Por, pas këtij qortimi të fortë e dashamir, nxënësve do t’u ndodhte edhe një përvojë po aq e fortë e mbresëlënëse: «Që nga Moisiu e të gjithë profetët, u shtjelloi krejt çka flitet në Shkrimin Shenjt për të.». Sa bukur: të kesh mundësitë ta dëgjosh nga vetë goja e Jezusit shpjegimin e Shkrimeve të Shenjta! Kjo është një përvojë unike. Por, përtej “lakmisë” së shenjtë që mund të kemi për këta dy nxënës, të gjithë mund të kuptojmë nga ky detaj ungjillor se është vetëm Jezusi Ai që u jep kuptimin e duhur teksteve të shenjta që ishin shkruar në Izrael para ardhjes së Tij. Jezusi është qendra e tyre. Prandaj, përshembull, kur në Meshë lexohet Ungjilli, ne ngrihemi në këmbë, ashtu siç ngrihen në këmbë të pranishmit kur në sallë hyn mbreti. Kjo sepse Jezusi është Mbreti i vërtetë, qëndra dhe kuptimi i krejt Shkrimit Shenjt. Kështu, dy dishepujt, kanë mundësinë ta provojnë se sa e vërtetë është kjo.

E ndërkohë zemra e tyre ua vërtetonte. Më vonë ata vetë do të pohonin: «Po a nuk na ndizej zemra neve ndërsa po bisedonte udhës me ne dhe na shtjellonte Shkrimin Shenjt?». «Na ke bërë për vete, o Zot, dhe zemra jonë nuk gjen paqe derisa nuk pushon në Ty.» thoshte Shën Augustini. Tani zemrat e këtyre dy dishepuj po gjenin paqen e tyre në Jezusin e Ngjallur. Kështu gjen paqe edhe zemra jonë kur dëgjojmë plot fe Ungjillin, në të cilin Jezusi vazhdon të na shëndrisë e ngushëllojë.

Kur erdhi çasti i ndarjes, dishepujt ngulën këmbë që Jezusi të hynte e të rrinte me ta, meqë nata po afrohej. (Interesante kjo puna e mikpritjes! Nëpërmjet saj mund të bëhet i pranishëm vetë Hyji në shtëpinë tonë.) Në tryezë, Jezusi do të përsëriste po ato gjeste që kishte bërë në darkën e fundit, kur kishte themeluar Eukaristinë: «Mori bukën, u falënderua, e theu dhe ua dha». Ajo bukë e thjeshtë do të shndërrohej në Bukën e Gjallë që zbret nga qielli, në Trupin e Krishtit. Vetëm kur e hëngrën atë Bukë «atyre iu hapën sytë dhe e njohën». Kemi nevojë të ushqehemi me Trupin dhe Gjakun e Krishtit, për ta mposhtur brishtësinë tonë, brishtësi e cila na bën të besojmë më fort në gjithëpushtetësinë e rreme të “vdekjeve” të ndryshme që na frikësojnë, sesa në Gjithëpushtetësinë reale të Hyjit. Atëherë Jezusi «u zhduk para syve të tyre»: sytë e zemrës së tyre ishin shëruar, prandaj nuk ishte më e nevojshme që ta shihnin me sytë e trupit. Tani e tutje do ta shihnin dhe do ta takonin Jezusin në atë ushqim të vërtetë e pije e vërtetë (Gjn 6, 55) që është Eukaristia

«U çuan menjëherë, u khyen në Jeruzalem, i gjetën të mbledhur të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin me ta» dhe u treguan se si e njohën Jezusin e gjallë «kur e ndau bukën». Nëse kishin ndonjë gjë për të bërë në Emaus, përse u kthyen në Jeruzalem? Por, siç e thamë, nga Jeruzalemi po iknin për shkak të zhgënjimit. Tani që zhgënjimi u mposht, kanë arsye të kthehen atje. Jezusi i Ngjallur ishte bërë arsyeja e gëzimit të tyre dhe nuk mund të mos ua shpallin të tjerëve.

«Feja juaj dhe shpresa të jenë në Hyjin!» thotë Shën Pjetri në leximin e dytë. Këta dishepuj tani kështu po bënin, duke e braktisur idenë e gjithëpushtetësisë së rreme të vdekjes, ide e cila i pengonte sytë e tyre ta shihnin Krishtin e Ngjallur që po udhëtonte bashkë me ta. E plotësuan, kështu, ecjen e tyre në fe. Jezusi na i haptë edhe neve sytë e mendjes dhe na e ngrohtë zemrën, që të mund ta vërejmë se Ai është i gjallë pranë nesh, bashkëudhëtar në rrugëtimin e jetës sonë!

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *