VETËM TI BESO!

Categories HomeliPosted on

E DIELA XIII GJATË VITIT B

Urt 1, 13-15; 2, 23-24; Ps 29 (28); 2Kor 8, 7.913-15; Mk 5, 21-43

Në Ungjillin e sotëm shohim se si Jezusi jo vetëm që shëron një të sëmurë, por edhe ringjall një të vdekur. Bëhet fjalë përmrekulli tejet të mëdha, të cilat Jezusit i dhanë një popullaritet të pamasë gjatë jetës së Tij publike. Prandaj, për të na mësuar ta kuptojmë më mirë përmasën e asaj që duhet të kenë ngjallur në popull mrekulli të tilla, Kisha na vë përpara leximet që dëgjuam sot.

Por na duhet ta fillojmë me një parashtesë.

Të mëdha janë përpjekjet e shumë teologëve katolikë për të gjetur arsyen e vdekjes fizike të njeriut e nuk janë pak ata që përpiqen t’i shmangen një përgjigjeje të qartë rreth prejardhjes së kësaj vdekjeje. Por Magjisteri kishtar thotë shprehimisht kështu në Katekizmin e Kishës Katolike: «Si shpjegues autentik i Shkrimit Shenjt dhe i Traditës, Magjisteri i Kishës mëson se vdekja ka hyrë në botë për shkak të mëkatit të njeriut. Edhe pse njeriu zotëronte një natyrë të vdekshme, Hyji e kishte destinuar atë që të mos vdiste» (nr. 1008). Duken fjalë të një periudhe tjetër të historisë, por, në fakt, janë formuluar në kohën tonë, në vitin 1992.

Edhe pjesa e Librit të Urtisë që dëgjuam sot e thotë: «Hyji e krijoi njeriun që të mos prishet dhe e bëri atë shëmbëllesë të përngjasimit të vet, por, prej smirës së Djallit vdekja hyri në botë.»

Edhe në fillimet e saj Bibla flet për mënyrën se si vdekja hyri në botë, duke na treguar historinë e rënies së njerëzve të parë në gjendjen e mungesës së miqësisë me Hyjin, pra në mëkat.

Kujdes: djalli nuk solli vdekjen, por mëkatin. Populli i Izraelit e kishte kuptuar se vdekja nuk ishte mallkim i Hyjit. Aq më tepër Kisha, e shndritur nga Jezu Krishti, është e bindur se vdekja nuk është mallkim, por është mundësia për t’u bashkuar sërish në miqësinë e përsosur me Hyjin tonë.

Shën Ambrozi, ipeshkvi i madh i Milanos, thoshte në shekullin IV se «Hyji e ka lejuar vdekjen si një ilaç.» E këtë e argumentonte duke thënë: «Do të kishte qenë e mjerueshme sikur tashmë njeriu – në këtë gjendje dobësie – të ishte i përjetshëm.»

Për të mos folur pastaj për të gjitha strukturat e jetës shoqërore të njerëzimit të cilat, pa përjashtuar anjërën prej tyre, janë të njollosura nga egoizmi njerëzor. Këto struktura arrijnë deri aty sa të shndërrohen në përbindësh. Sa e rëndë do të ishte sikur këto të ishin të përjetshme!

Prandaj, pas mëkatit të njerëzve, plani Hyjnor nuk vazhdoi ashtu siç ishte menduar fillimisht, por Hyjit iu desh ta lejonte vdekjen, me qëllim që ky plan i Tij, në të mirën e njeriut, të realizohej në një mënyrë tjetër. Kështu, për ata që e duan Hyjin, vdekja nuk do të ishte mallkim, por fillimi i një jete të re, i një jete në miqësi me Hyjin, në atë miqësi të humbur dikur, por të dhuruar përsëri nga Hyji e që do të arrijë plotësinë e vet në ngjalljen e trupit të vdekur.

Tani mund ta kuptojmë më mirë Ungjillin e sotëm, në të cilin na vërtetohet se Jezusi ka pushtet mbi sëmundjen dhe mbi vdekjen.

Fillimisht Ungjilli na tregon se si Jezusi shëron një grua e cila vuante nga humbja e gjakut. Detajet që e mbushin tregimin e kësaj pjese, arrijnë të jenë deri edhe prekës.

Pikësëpari është prekëse gjendja e dhimbshme, jo vetëm fizike, por edhe shpirtërore në të cilën kishte rënë kjo grua e mjerë. Sëmundja që ajo kishte, jo vetëm që nuk gjente shërim, por ishte e mbuluar edhe me turp, ngaqë çmohej si një gjendje e papastër edhe para Ligjit të Moisiut. Dhimbje e turp e mbulonin këtë grua të shkretë.

Ja përse ajo donte ta prekte Jezusin fshehtazi, sepse nuk donte të merrej vesh se preku dikë: menjëherëdo ta kishin akuzuar se kishte bërë të papastër edhe të tjerët. Kur injoranca përzihet me besimin, krijohen disa situata njerëzore vërtet të mjerueshme.

Por feja e kësaj gruaje do të hynte në historinë e Kishës një herë e përgjithmonë. Ishte e bindur se do t’i majftonte të prekte qoftë edhe «vetëm petkat» e Jezusit për t’u shëruar prej Tij. E ashtu ndodhi. Ne kungohemi çdo ditë, marrim krejt Krishtin e nuk e kemi një fe të tillë.

Pastaj është Jezusi ai që mallëngjen me reagimin e Tij. Në mes të gjithë asaj turme që e prekte dhe e shtynte nga çdo anë, Jezusi sillet dhe i pyet apostujt: «Kush m’i preku petkat?» Më parë ungjilltari kishte treguar: «Jezusi përnjëherë e ndjeu në vete fuqinë që shpërtheu prej tij.» E apostujt, të hutuar nga kjo pyetje e “çuditshme”, i përgjigjen: «Po a s’e sheh popullin si të furet në të katër anët e thua: “Kush më preku?”»

Këtë detaj shumë interesant të krejt Ungjillit e ka shpjeguar shumë bukur Shën Leoni i Madh, Papë, në shekulli V: «Si Hyj, Jezusi e shëron atë grua, ndërsa si njeri, thotë “kush më preku”.»Feja e gjallë e kësaj gruaje e “zgjon”Hyjnoren e Personit të Jezusit.

Por, pasi e shëron në trup, Jezusi dëshiron ta shërojë atë edhe në shpirt. Prandaj edhe ngulë këmbë që ta gjejë se kush e preku: «A i rrethoi me sy për të parë atë që e kishte prekur.» Gruaja e mjerë mendon se Jezusi dëshiron ta qortojë për gjestin e saj e prandaj shpejton të “vetëdenoncohet”: «Gruaja plot frikë e tmerr… u afrua, ra para tij dhe tregoi tërë të vërtetën.»

Por Jezusi nuk donte ta qortonte. Përkundrazi, Ai donte t’ia largonte mendimin se Hyji mund ta kishte ndëshkuar me anë të asaj sëmundjeje e prandaj i thotë: «Bijë, feja jote të shpëtoi! Shko në paqe! Dhe ji e shëruar nga sëmundja jote!»

Duke shëruar edhe shpirtin e kësaj gruaje, Jezusi donte të mësonte edhe nxënësit e vet se sëmundjet nuk janë ndëshkim Hyjnor. Përveç kësaj, Jezusi ua ofron atyre e mbarë Kishës këtë grua si shembull konkret të forcës së madhe që ka feja e gjallë.

E, aq e madhe është feja e gjallë, saqë ajo mund të nxjerrë prej Hyjit edhe Hirin e ringjalljes: «Mos ki frikë! Vetëm ti beso!» – i thotë Jezusi kryetarit të sinagogës kur i sjellin lajmin se e bija kishte vdekur. Nuk i thotë: «Mos ki frikë! Unë do të ta tregoj se kush jam!», por «Vetëm ti beso!».

Në fakt, është një mister më vete kjo e vërtetë: ne besojmë se Hyji vepron në të mirën tonë kur ne besojmë në Të, por jo gjithnjë i dëgjon uratët tona ashtu si ia drejtojmë. Jo të gjithë shenjtërit janë të shquar për mrekulli, edhe pse kishin shumë fe. Disa prej tyre kishin një jetë plot me ngjarje mrekullish, kurse disa të tjerë tejet pak. Por të gjithë ishin të kapur fort pas kësaj porosie të Jezusit: «Vetëm ti beso!», të bindur se, në një mënyrë a në ndonjë tjetër, Jezusi do të realizonte me jetën e tyre vetëm plane dashamire.

Por, le t’i kthehemi Ungjillit. Edhe këtu përshkrimi ka detaje shumë të rëndësishme.

Kur arrin te shtëpia e kryetarit të sinagogës, «Jezusi vuri re aty një pështjellim të madh e njerëz që qanin e vajtonin me zë të madh.» Janë të thekta skena të tilla, por Jezusi reagon me një qetësi të pazakontë. U thotë «fëmija nuk ka vdekur, por po fle». Dihet se «e përqeshën». Nuk e dinin se vdekja është thjesht si një gjumë përballë Jezusit. Jo më kot, kur e ringjall vajzën, Jezusi i thotë: «Talitha, kumi», që do të thotë «vajzë, unë po të them: çohu». Jezusi ka pushtet absolut e jo vdekja.

Në kohën e misionit të tij publik, Jezusi nuk i ka ringjallur të gjithë të vdekurit e asaj kohe në Izrael e as nuk i ka shëruar të gjithë të sëmurët që gjendeshin aty, por, duke shëruar e ringjallur disa prej tyre, ka dashur të tregojë se Ai realisht e ka pushtetin mbi sëmundjet dhe mbi vdekjen. Nëse Ai nuk ndërhyn, do të thotë se ka ndonjë plan tjetër, por jo se nuk mundet.

Megjithatë është shumë e vërtetë se Ai do të ndërhynte shumë më shpesh, sikur ne të kishim një fe vërtetë të gjallë.

Këto mrekulli të Jezusit, nga ana tjetër, janë veçse shenja të diçkaje tjetër më të madhe që arrihet me anë të fesë së gjallë në këtë jetë: janë shenja të lumturisë së Parrizit.

Ajo grua të cilën Jezusi e ka shëruar, përsëri është sëmurë dhe ka vdekur; ajo vajzë që Jezusi ka ringjallur, përsëri ka vdekur. Por, gjatë pjesës tjetër të jetës që u kishte mbetur, ata patjetër duhet ta kenë kaluar kohën e shtegtimit të tyre tokësor me besim të gjallë në Jezu Krishtin. Kjo fe e gjallë e tyre i ka bërë të fitojnë një herë e përgjithmonë mbi vdekjen duke arritur lumturinë e Parrizit.

Thuhet se, kur Shën Injaci i Lojolës tashmë e ndiente se vdekja po i afroj,«ndjente një hare të tillë dhe një ngushëllim shpirtëror aq të madh se po vdiste, saqë shkrehej në vaj. Kjo gjendje iu bë aq e shpeshtë, saqë shumë herë e largonte mendjen nga vdekja, me qëllim që të mos ndjente kaq shumë ngushëllim». Mendimi se së shpejti do të takohej me Hyjin e vet, e mbushte me gëzim.

Shën Françesku i Asizit, vdekjen e quante: «Motra vdekje», sepse i hapte takimin me Zotin. Shenjta Terezë e Avilës do të thoshte atë shprehjen e saj të famshme «Vdes se s’po vdes», kur do të përhkruante gëzimin që ndiente në disa raste gjatë lutjes dhe dëshironte të gjendej tashmë me Zotin nëParriz. Këtë nënkuptonte edhe Shën Pali kur shkruante: «Për mua Krishti është jetë dhe vdekja fitesë.»

Prandaj Kisha vazhdon të jetë e bindur se është Hyji Ai që e lejoi vdekjen si «ilaç». Por ajo do të jetë ilaç nëse ne, gjatë ecjes sonë tokësore, ruajmë një fe të gjallë dhe vepruese në dashuri për Hyjin e për njëri-tjetrin.

Me një fjalë, nesë vdesim në miqësinë me Hyjin e nëse, në të gjitha rrethanat e jetës sonë, edhe ne kapemi fort si shenjtërit pas porosisë së Jezusit: «Vetëm ti beso!»

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *