
Një i krishterë në jetën e tij kalon në disa rrugë për të shkuar drejt Krishtit. Dhe një nga ato rrugë është Kungimi i parë. Është etapa më e rëndësishme në ndërgjegjësimin para Zotit.
Gjatë meshës besimtarët marrin Trupin dhe Gjakun e Krishtit sikur ishte në darken e fundit. Ky çast na kujton flinë e Krishtit për gjithë botën dhe lidhjen e njerëzve me Zotin.

Pas një viti të lodhshem dhe të stresuar nga situata e Covid-19, u zhvillua katekizmi sistematikisht, edhe pse në kushte shumë të kufizuara.
Fëmijët kanë ndjekur me shumë përkushtim e dëshirë të madhe katekizmin, duke mësuar dhe duke reflektuar çdo pjesë të meshës së shenjtë. Siç është e natyrshme për ta, fëmijët bënin vazhdimisht shumë pyetje, jo vetëm për Kungimin, por edhe për sakramentin e Rrëfimit, të cilin do ta merrnin edhe atë për herë të parë.

Më në fund erdhi dita e shumëpritur e datës 6 qershor 2021. Fëmijët, me shumë emocione e me një dëshirë të madhe për të takuar Krishtin, morën pjesë në Meshën Shenjte të udhëhequr nga Dom Dritani. Fëmijët ndoqën me shumë përkushtim çdo çast dhe, siç ishin përgatitur qysh më parë, lexuan lutjet e besimtarëve dhe ofruan dhuratat.
Këtyre fëmijë që kam pasur kënaqësinë t’i përgatis për këtë çast kaq të rëndësishëm gjatë këtij viti, u uroj përzemërsisht që ky takim i tyre me Krishtin Zot t’u jetë gjithmonë ndihmë për të përballuar të gjitha pengesat që mund tëkenë në jetë. Në çdo vështirësi që mund të ndeshin, të kenë brenda zemrave të tyre këtë mik të dashur që është Krishti. Tek Ai që në këtë ditë e morën Dhuratë, ta drejtojnë gjithnjë shikimin kur të gjenden përballë përplasjeve të ndryshme dhe Ai me siguri do t’u drejtojë rrugën e duhur në jetë. Kjo ditë kaq e veçantë për ta le të jetë fillimi i shumë kungimeve të tjera, në të cilat Krishti do t’ua ngrohë dhe do t’ua ledhatojë zemrën e shpirtin.

Një falënderim i veçantë shkon për Dom Dritanin, i cili pa ngurrim e pa përtesë, ka marrë pjesë çdo ditë të shtunë në katekizëm, duke pritur me një buzëqeshje fëmijët e duke i nxitur që të ndjekin rrugën e Zotit. Gjithashtu e falënderojmë për përkushtimin e tij në angazhimin në përgatitjen e meshës kur fëmijët u kunguan për herë të parë, duke mos anashkaluar asnjë detaj e përgatitje të fëmijëve.
Rajmonda Dodaj