
Gjatë pasdites së datës16 qershor, në kishën e “Shën Nikollës”, në Rranxa, u krezmuan 25 të rinj të famullisë sonë. Po përfundonin një rrugëtim të bukur rritjeje në fe, por, nga ana tjetër, po fillonin edhe një rrugëtim të ri besimi dhe lidhjeje edhe më të ngushtë me Zotin. Mesha u kremtua nga Dom Nikolin Toma, Zëvendësi i ipeshkvit, sigurisht duke qënë i pranishëm si bashkëkremtues edhe famullitari ynë Don Dritan Ndoci. Kisha ishte e mbushur plot me besimtarë dhe ishte për gjithë ishte një ngjarje i vecantë: për besimtarët që po ndiqnin meshën e Shenjtë, për familjarët e të rinjve që po merrnin sakramentin, por sidomos për ne katekistët e tyre dhe për vetë të rinjtë që po merrnin atë Dhuratë të Shenjtë.
Krezmimi, është “lyerje” dhe “shugurim” në jetën e Krishtit Meshtar, Profet e Mbret. Për këtë arsye edhe thuhet se Krizmimi na bën “ushtarë të Krishtit”. Ky Sakrament është i papërsëritshëm, pra merret vetëm një herë në jetë dhe mund ta pranojnë vetëm ata që janë të pagëzuar. Quhet ndryshe edhe sakramenti i Përforcimit, për arsye se e përforcon hirin e sakramentit të Pagëzimit. Krezmimi na rrënjos edhe më shumë në Fe, na bashkon me Krishtin dhe me Kishën e Tij, si edhe na dhuron një fuqi të veçantë për ta dëshmuar fenë e krishterë.
Për mua rrugëtimi si katekist ka filluar vite më parë me një grup të fëmijëve të Rranxave, që sot janë ky grup të rinjsh, me të mëdhenj me trup, më të pjekur në mendime dhe me një dhuratë feje dhe përgjegjësie për ta çuar përpara. Së bashku me fëmijët jam rritur edhe unë, në të gjitha aspektet. Sigurisht me ndihmën e famullitarit Dom Dritanit dhe të katekistëve të tjerë, duke veçuar Kristina Ndojën dhe Elda Nikën, së bashku me të cilat e kemi shoqëruar këtë grup të rinjsh, sidomos këtë vit kur do të krezmoheshin. Prandaj edhe këtu dua të shpreh edhe vlerësimin dhe falënderimin tim për çdo mësim dhe bashkëndarje të tyren.
Në emër të të gjithë katekistëve të famullisë, falënderoj Dom Nikolinin për atë kremtim aq të bukur, si edhe Dom Dritanin për gatishmërinë dhe udhëheqjen e frytshme që ka pasur ndaj nesh gjatë gjithë kohës.
Këta të rinj dhe jetët tona ia besojmë Zotit.
Reald Rrotani