ÇKA BASHKOI HYJI, NJERIU TË MOS GUXOJË TË NDAJË!

Categories HomeliPosted on

E DIELA XXVII GJATË VITIT B

Zan 2, 18-24; Ps 128 (127); Heb 2, 9-11; Mk 10, 2-16

A wooden cross threaded through two gold wedding rings.

Ungjilli i sotëm flet për martesën dhe, për ta vërtetuar se fjalët e Jezusit nuk janë thjesht një doktrinë e strukturuar bukur, le të shohim nga afër jetën e një katolikeje të martuar.

Në jetën e së Lumes Viktoria Rasoamanarivo, një grua që jetoi kah fundi i shekullit XIX në Madagaskar, thuhet se qe martuar me një burrë i cili shumë shpejt rezultoi se ishte shumë i shthurur: shkonte pothuajse çdo natë në shtëpitë publike dhe jepej pas veseve nga më të ulëtat. Vinte në shtëpi i dehur e patjetër nuk do të këtë munguar as dhuna ndaj gruas. I shoqi, në fakt, nuk ishte katolik, por ishin martuar në Kishë me martesë të përzier, që vlen për palën katolike.

Vjehrri i së Lumes Viktoria, ishte edhe kryeministri i atij vendi. Ky, duke e parë se sa i padenjë ishte i biri tij për dashurinë e kësaj gruaje, i thoshte ai vetë asaj: «Ndaje! Po të turpëron ty, mua dhe gjithë familjen.» E betohej se do të urdhëronte që djali i tij të mos varrosej në varrezën e familjes, gjest ky shumë i rëndë për banorët e atij vendi.

Madje edhe nëpër qytet kishte filluar të bëhej si punë proverbi që një gruaje të re, e cila mund të mos shkonte mirë me të shoqin, t’i thoshin: «Mos u bëj budallaqe si Viktoria Rasoamanarivo e mos vuaj si ajo! Ndaje!»

Nuk kishin as fëmijë, por Viktoria nuk e pranonte ndarjen. Me plot përvujtëri thoshte: «Martesa e krishterë është e pandashme. Ka qenë themeluar prej Hyjit dhe është e bekuar nga Kisha. Njerëzit nuk kanë kurrfarë pushteti mbi të.»

Viktoria ishte një grua me një shpirt të thellë lutjeje e, shumë shpesh, lutej edhe për kthimin e të shoqit. E Hyji i dëgjoi lutjet saja. Në shtëpitë publike ku shkonte, i shoqi një natë ra i dehur nga kati i dytë, duke marrë plagë vdekjeprurëse. Agonia e tij zgjati disa ditë e, ndërkohë, Viktoria i shërbente me ngrohtësi tejet të madhe, duke i folur për dashurinë që ajo kishte ushqyer gjithnjë ndaj tij.

I mallëngjyer thellë nga gjithë kjo përkujdesje, një ditë i shoqi i kërkoi pagëzimin. I çuan fjalë meshtarit më të afërm, por ai po vononte të vinte për shkak të largësisë. I shoqi filloi të përkeqësohej edhe më fort dhe Viktoria e pa veten të detyruar që ta pagëzonte ajo vetë, nga frika se mos do të vdiste para se të vinte meshtari. E kishte dashur gjithnjë si bashkëshorte e tij e tani Provania Hyjnore po lejonte që ajo të bëhej edhe nënë e tij për jetën e amshuar.

Kjo grua, nuk kishte shikuar edhe aq kah i shoqi për martesën e saj, por kah Krishti i Kryqëzuar, i cili na ka dashur me një dashuri të pandërprerë, edhe kur ne nuk e meritonim.

Prandaj, pa filluar ende të hyjmë të kuptimin e teksteve të Shkrimit Shenjt sot, duhet të jemi të bindur se, po nuk u kuptua se edhe martesa e të krishterit është brenda logjikës së një zhytjeje, pra të një «pagëzimi» në realitetin e Hyjit, do të ishte e kotë të vazhdohej me shpjegime të tjera. Nuk do të vononim e do ta vinim re se nuk jemi fort larg as ne nga logjika që patën farisenjtë që atë ditë vendosën ta «sprovonin» Jezusin për të parë se si e mendonte mbi çështjet e teologjisë së martesës.

Por le t’i afrohemi pak më shumë kësaj pjese tejet të rëndësishme ungjillore.

Aty farisenjtë hapin një debat me Jezusin, debat të cilin, në fakt, e fillojnë mbrapsht, sepse i bëjnë një pyetje e cila në vetvete ka shumë mangësi: «A ka leje burri ta lëshojë gruan?»

Pyetja e tyre e çalë, na bën të shohim nga afër rrymat teologjike që aso kohe ishin zhvilluar në Izrael. E, në fakt, biblistët pohojnë se në atë kohe në Izrael mbizotëronin kryesisht dy rryma teologjike në lidhje me martesën: njëra që lejonte ndarjen vetëm kur gruaja bënte kurorëshkelje dhe tjetra që arrinte ta pranonte ndarjen edhe thjesht nëse burri nuk e donte më atë grua.

Por, si njëra, ashtu edhe tjetra rrymë, kishin shkuar shumë larg atij urdhërimi që u thoshte prerazi: «Mos bëj kurorëshkelje!» Prandaj edhe ajo pyetje e farisenjve s’kishte arsye të bëhej fare.

Plus kësaj, pyetja «A ka leje burri ta lëshojë gruan?», tregon se as që diskutohej nëse ishte e mundur apo jo që «gruaja ta lëshonte burrin», duke pasqyruar kështu vlerësimin e paktë që i rezervohej gruas në atë mendësi.

Vetëm tani e kuptojmë arsyen e një reagimi në dukje kaq të vrazhdë nga Jezusi. Kur farisenjtë i thonë se Moisiu e kishte lejuar që të ndahej gruaja, duke u mjaftuar që «të shkruhej letra e ndarjes e të lëshohej», Jezusi u përgjigjet: «Atë rregullore e shkroi Moisiu për arsye të kryeneçësisë suaj.»

Në vend të fjalës «kryeneçësi», origjinali grek përdor fjalën «zemërngurtësi». Zemra për biblën nënkupton botën e brendshme të njeriut, atë që ne sot e quajmë «ndërgjegje». Pra Jezusi vë në dukje se ishte ndërgjegjja e njeriut, e plagosur nga mëkati, ajo që duhej shëruar. Vetëm kështu njeriu mund të bëhej sërish i aftë t’i hapej dashurisë martesore, ashtu siç e kishte menduar Hyji në krijim.

Prandaj sot në leximin e parë kemi dëgjuar një pjesë të librit të Zanafillës e cila flet pikërisht për krijim e burrit e të gruas. Qëllimi i kësaj pjese nuk është edhe aq historik, por më fort teologjik.

E tërë pjesa duket sikur kulmon në atë «klithjen» e hareshme të Adamit kur ky gjendet përballë Evës së sapokrijuar: «Kjo është tash ashti i eshtrave të mi dhe mishi i mishit tim!»

Adami duket sikur në atë çast bëhet poet. E, në fakt, klithja e tij e hareshme ngjan me klithjen e një të dashuruari: çdo i dashuruar bëhet poet. Në epokën e sotme, klithmën e tij do ta dëgjonim në format si «shpirti im binjak», «kuptimi i jetës sime», «gjysma tjetër e imja», ejt., por janë të gjitha shprehje e të njëjtit realitet të mrekullueshëm që është dashuria mes burrit e gruas.

Por kujdes: Adami arrinte të ishte kaq poet, ngaqë ishte ende mirë me Zotin. Kaq është e vërtetë kjo, saqë Adami, pasi të bjerë në mëkat dhe pasi Hyji ta pyesë «Përse e bërë këtë?», do të shqiptojë fjalë vërtet të pashpirta: «Gruaja që ma dhe për shoqe, ajo më dha frut prej pemës dhe hëngra.» Njësoj si t’i thoshte Hyjit: «Ke faj ti që e krijove, se unë do të kisha qenë në rregull pa të!» Me një të rënë, Adami ftohet i tëri në dashuri si ndaj Hyjit, ashtu edhe ndaj gruas.

Derisa njeriu të jetë mirë me Hyjin e vet, atëherë do ta kuptojë si duhet edhe martesën, por, po u largua nga Hyji-Trini, martesa menjëherë do të pësojë deformime.

Fatkeqësisht, shoqëria përreth nesh, jo gjithmonë ndihmon në këtë drejtim, sepse shpesh rrjetet sociale dhe ekranet televizive u ofrojnë brezave të rinj modele të deformuara në lidhje me martesën. Shpesh herë arrihet deri aty saqë edhe degradimi moral të reklamohet si pjekuri. Dhe, sikur e gjithë kjo të mos mjaftonte, në disa vende edhe vetë ligji i mbron këto degradime. Sidomos në kulturën perëndimore.

E, ndërkohë që në njërën anë të botës po ndodhin gjithë këto deformime, nga ana tjetër e saj vazhdohet që gruaja të zhvlerësohet ashtu siç zhvlerësohej nga mendësia hebraike e kohës së Jezusit. Ndoshta edhe më zi.

Po ku është rrënja e gjithë këtyre problemeve?

Është tek «zemërngurtësia» përballë Hyjit. Prandaj duhet ta dijmë se kurrë nuk duhet të ndalemi tek ajo që thotë «bota», që thonë «traditat», që thotë «shumica», sepse janë të prekura nga «zemërngurtësia» që sjell egoizmi i mëkatit. Duhet hedhur shikimi tek krijimi, tek ai plan fillestar të cilin Hyji kishte për martesën qysh se krijoi njerëzimin.

Çifti i krishterë duhet ta ketë të qartë se atë ditë që martohet, po fillon një lidhje të pashkëputshme, «deri sa vdekja të mos i ndajë». Atë ditë ata kanë filluar të jenë një trup i vetëm, ashtu siç e cilësonte Evën Adami para se të mëkatonte.

Edhe Jezusi e citon librin e Zanafillës që thotë: «Njeriu do ta lërë të atin dhe t’ëmën e vet dhe do të jetojë bashkë me gruan e vet e do të bëhen një trup i vetëm.» Dhe, me autoritetin e Vet Hyjnor, Jezusi e vulos tërë këtë duke thënë: «Prandaj, çka bashkoi Hyji, njeriu të mos guxojë të ndajë!»

Me Mundimet, Vdekjen e Ngjalljen e Tij, Jezusi i ka mësuar njerëzimit se ilaçi kundër krenarisë dhe egoizmit është Misteri i Kryqit: dashuria e pakufi ndaj Hyjit, falja ndaj fyerjeve, durimi dhe besnikëria deri në vdekje. Njerëzimi tashmë e ka sërish mundësinë që të kalojë nga «zemërngurtësia» tek «zemërgjerësia». Sikur ky kalim të ndodhte tek të martuarit, martesës do t’i shëroheshin shumë plagë. Ajo e Lumja që përmendëm në fillim, e vërtetoi këtë me jetën e saj, siç e kanë vërtetuar e vazhdojnë ta vërtetojnë në heshtje edhe shumë të krishterë të tjerë.

Por, neve që jemi të prirur t’i komplikojmë gjërat e thjeshta, Jezusi na e kujton se duhet ta ruajmë gjithnjë pastërtinë e zemrës. Prandaj Ai e përfundon gjithë këtë debat duke thënë: «Kush nuk e pranon Mbretërinë e Hyjit porsi fëmija i vogël, nuk do të hyjë në të.»

Po nuk e ruajtëm pastërtinë e zemrës përballë Hyjit-Trini, edhe ne, si farisenjtë, do t’i formulojmë mbrapsht pyetjet e ankesat që mund t’i drejtojmë Zotit.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *