Spektakli “Shna Rrok 2021”

Categories FamulliaPosted on

“Të festojmë të gjithë së bashku!” është kthyer tanimë në kryefjalën e çdo 16 gushti për famullinë tonë, në festën e pajtorit të saj, Shën Rrokut. Dhe natyrisht, si çdo festë tjetër, edhe ajo e Shën Rrokut na mbledh për të bashkëndarë gëzimin me miqtë e të afërmit tanë, në mes urimesh, të qeshurash e dollish.

Por tashmë, si çdo vit, është bërë si traditë e jona që këtë ditë të bekuar, krahas meshës së shenjtë dhe festimeve nëpër shtëpitë tona, ta mbushim me më shumë gjallëri, të gjithë së bashku, pranë qendrës baritore në Rranxa, me një program të përgatitur nga Dom Dritan Ndoci.

E ashtu sikurse poetit i pëlqen ta veshë me jetë poezinë e tij, ashtu dhe ne përpiqemi t’i japim një frymë të re festive të kremtes së Shën Rrokut, duke e veshur atë artistikisht e emocionalisht me tingujt e zërave melodiozë të këngëtarëve; me nota të shumta humori nga humoristë të njohur e të dashur nga të gjithë; me tingujt e ëmbël të veglave muzikore si dhe me materialet e përgatitura plot dashuri nga të rinjtë e famullisë sonë.

As këtë vit nuk kishte si të mungonte një buqetë e tillë festive me këngë, valle, të qeshura e emocione të bukura pafund. Ishte shumë bukur të dëgjoje teksa këndonin me zërin e tyre të ëmbël fëmijët e famullisë; ishte një kënaqesi t’i dëgjoje dhe t’i shikoje teksa kërcenin si balerinë profesionistë në skenën tonë të vogël. Shpirti të mbushej plot me ndjesi pozitive teksa çdo performancë e tyre vishej plot buzëqeshje e ëmbëlsi.

Pastaj, si për të ndryshuar pak atmosferë, radhën e kishte i ftuari ynë rapsodisti Viktor Paloka, i cili me çiftelinë e tij na ofroi disa çaste të bukura me këngë të vjetra të cilat të ngjallin nostalgji për kohën e shkuar.

Atmosfera do të ndizej përsëri, kësaj here nga këngëtari Mateus Frroku, i cili na përcolli energji pozitive duke na bërë të kërcejmë e të këndojmë së bashku me të.

Kjo festë e bukur nuk do të mbaronte pa mesazhe mbi jetën sociale të cilat u përcollën plot emocion nga të rinjtë e famullisë. Dhe natyrisht nuk kishin si të mungonin as të qeshurat të cilat ishin të shumta, falë numrave që kishin përgatitur humoristet e mirënjohur Paulin Ujka e Zef Ndoja.

Dhe, për ta mbyllur bukur ashtu siç edhe e nisëm këtë program, të gjithë ne do të shijonim notat e bukura e melodioze të dhuruara nga violinisti i talentuar Duliem Puka, i cili i shoqëruar nga fëmijët e vegjël që kërcenin e festonin, do të krijonin për ne një atmosferë të ëmbël e të dashur.

Por, përtej çdo gjëje që shoqëroi këtë pasdite festive, suksesi më i madh apo gjëja më e rëndësishme e arritur ishte prania e ju të gjithëve. Koha që na kushtuat, duartrokitjet tuaja, por mbi të gjitha, prania juaj na bënë të ndihemi mirë, si një familje e madhe.

Dhe kështu, me shpirtin plot gëzim, nën tingujt e ngrohtë të violinës, emocioneve positive dhe me fjalët përmbyllëse të dy prezantuesve tanë: Marinela Nika dhe Kolë Shaben, do të mbyllnim edhe këtë vit këtë pasdite të bukur duke i uruar njëri-tjetrit me zemër: “Gëzuar e për shumë vjet festën e Shën Rrokut!”

Xhuliana Guri

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *