I LUMI AI QË NUK E BJERR BESIMIN NË MUA!

Categories HomeliPosted on

E DIELA III E ARDHJES – VITI A

Is 35, 1-6.8.10; Ps 146 (145); Jak 5, 7-10; Mt 11, 2-11

Kjo e dielë e tretë e Kohës së Ardhjes njihet në traditën e Kishës edhe si e diela e gëzimit. Na fton të gëzojmë ngaqë po afron e kremtja e Krishtlindjes, e cila na përkujton mishërimin e Birit të Zotit.

Prandaj leximi i parë sot fillon me fjalët «Le të gëzojnë vendet e shkreta». Po ashtu edhe psalmi i thur lavde të hareshme Hyjit për mrekullitë që Ai bën në ndihmë të nevojtarëve. Gjithashtu edhe Shën Jakobi na porosit në leximin e dytë «Mos u ankoni, vëllezër, njëri kundër tjetrit». Edhe Jezusi në Ungjill flet sot për lumturi, për gëzim, kur thotë: «I lumi ai që nuk e bjerr besimin në mua».

Por, pikërisht duke u nisur nga Ungjilli, le ta shohim më nga afër se për çfarë gëzimi bëhet fjalë.

Jezusi sot jep një vlerësim tejet të madh për personin e Gjon Pagëzuesit: «Përnjëmend po ju them: ndër ata që u lindën prej grash, nuk u ngrit asnjë më i madh se Gjon Pagëzuesi».

Duket sikur për këtë person Jezusi ka fjalë më të mëdha edhe se për vetë Zojën e Bekuar. Por menjëherë Jezusi shton: «Megjithatë, më i vogli në Mbretërinë e qiellit, është më i madh se ai». NëUngjillin e tij, duke thënë «Mbretëria e Hyjit», Shën Mateu nënkupton vetë personin e Jezusit. Ai që bën pjesë në këtë Mbretëri, pra ai që është i bashkuar me Jezusin e vdekur e të Ngjallur (e kështu ishte edhe Zoja), ka “privilegje” edhe më të mëdha nga sa kishte Gjon Pagëzuesi. Bëhet fjalë për “privilegjet” që do t’i ketë i krishteri. Bëhet fjalët sidomos për sakramentet, ku sakramenti më i veçantë është patjetër Eukaristia. Këta “privilegje”  do ta bëjnë të krishterin të jetë i bashkuar me Zotin më shumë nga sa ishte i bashkuar Shën Gjoni në këtë jetë.

Për madhështinë e Gjonit, Jezusi flet shumë gjatë edhe më sipër në këtë Ungjill. Jezusi shpjegon se pikërisht për personin e Gjonit flet ajo pjesa e Shkrimit Shenjt që thotë: «Ja, unë po e dërgoj lajmëtarin tim para teje që ta bëjë gati udhën tënde para teje!».

Por, gjëja e habitshme në këtë pjesë të sotme ungjillore është se pikërisht Gjoni – i paracaktuari prej Hyjit që të jetë pararendësi i Mesisë, ai të cilit i qe dhënë hiri që Mesinë ta tregonte me gisht, si të pranishëm mes popullit të Izraelit, ai që e pa Shpirtin Shenjt duke zbritur mbi Jezusin në trajtë pëllumbi në ujërat e Jordanit, ai, më i madhi i lindur prej grash – bën një gjest të vështirë për t’u kuptuar: nga burgu dëgjon për veprat e Krishtit dhe vendos që të dërgojë tek Ai nxënësit e vet që ta pyesin: «A je ti ‘Ai që duhet të vijë’, apo duhet të presim një tjetër?».

Ndonjëri prej atyre që janë përpjekur ta shpjegojnë domethënien e këtij gjesti thotë se, kështu, Gjoni ka dashur që edhe vetë nxënësit e tij ta kuptonin se Jezusi është me të vërtetë Mesia i premtuar e kështu atëherë ta ndiqnin. Po atëherë përse të mos u thoshte thjesht: «Tani shkoni pas Tij», por t’i komplikonte gjërat kaq shumë.

Prandaj, ndokush tjetër, me shumë të drejtë, mendon se edhe vetë Gjoni kishte filluar të kishte dyshimet e veta.

Mbase nuk na pëlqen të mendojmë se Gjon Pagëzuesi, i madhi, mund të ketë pasur dyshime. Kështu në fakt na pëlqen t’i mendojmë (dhe t’ua prezantojmë edhe të tjerëve) shenjtërit e mëdhenj të historisë. Por e vërteta është se edhe shenjtërit kanë pasur errësirat e veta.

Ne e bëjmë këtë gabim ngaqë mendojmë se dyshimi është mungesë largapamësie. Jo: dyshimi nuk është i tillë. Volteri, filozofi e shkrimtari i madh francez i shekullit XVIII, thoshte: «Në fakt dyshimi nuk është gjë fort e ëmbël, por siguria e tepërt është qesharake». Aftësia për të dyshuar pa u shpërbërë si njeri, është ndihmë për t’u hellur në horizonte të reja.

Patjetër, nëse dyshojmë thjesht për të dyshuar, nuk është shenjë pjekurie as njerëzore e as fetare, por nëse jemi të etur për ta njohur të vërtetën, dyshimi na bën të interesohemi që të gjejmë përgjigjen. Ndonjë lëkundje në bësim mund të na nxisë të lutemi, të mendojmë, të pyesim apo të lexojmë për gjetjen e përgjigjes që na mungon. Të gjitha përgjigjet nuk gjenden kurrë, natyrisht, e kjo nuk duhet të na shqetësojë, por disa më kryesoret edhe mund të gjenden.

E dyshimi, ose më saktë lëkundja, vjen në jetën tonë kur përballë nesh na shfaqet kryqi. Pikërisht në atë çast është rasti i volitshëm t’i drejtohemi Hyjit përvujtërisht për më shumë dritë.

Ja një shembull nga jeta e Shën Françeskut të Asizit. Para se Jezusi t’i bënte atij dhuratën e varrëve të veta në trup, thuhet se Shenjti gjendej në një udhëkryq vërtetë të madh. Thonë kjo ishte për të dhimbja më e madhe që kishte kaluar ndonjëherë. Shumë djem kishin zgjedhur tashmë të jetonin përreth tij në varfëri të plotë si ai, por jo të gjithë e përkrahnin në të gjitha udhëzimet që u jepte. Disa filluan pretendonin me ngulm se i duhej të bënte disa ndryshime në mënyrën e jetesës së fretërve. Por ai nuk pranonte. Kështuqë bashkësia filloi të përçahej keqas. Për këtë arsye edhe vetë Shën Françesku shpesh dyshonte se mos ishte ai vetë gabim. Prandaj thuhet se u largua për në pyll që të lutej në vetmi. Atje, mes lotësh e pendesash të rënda, i kërkonte Hyjit një përgjigje. Pas disa ditësh, ndodhi që në trupin e tij u shfaqën plagët e dhimbshme të Krishtit të Kryqëzuar. Aty, Varfanjaku i dashur, kur pa varrët e Krishtit në duart, në këmbët dhe në kraharorin e vet, e kuptoi se Hyji po i përgjigjej se ajo që kishte ndërmarrë ishte gjëja e duhur. E tha: «Hyji më foli».

Në çastin e dyshimit më të madh Shën Françesku iu drejtua Hyjit me këmbënguljë edhe më të madhe për këshillë dhe qe dëgjuar prej Tij. Po ashtu edhe Gjon Pagëzuesi: në çastin e dyshimit më të madh në jetën e tij, iu drejtua Krishtit dhe mori sqarimin prej Tij.

Udhëkryqi në të cilin gjendej Gjoni në atë periullë të jetës së tij ishte shumë i ndërlikuar: gjendej padrejtësisht në burg e, për më tepër, nën një kërcënim real që të vritej po aq padrejtësisht. Prandaj, errësirës së frikshme të burgut, i shtohej tashmë edhe errësira edhe më e frikshme e shpirtit.

Si shumë të tjerë, edhe Gjoni mbase ishte i ndikuar sadopak nga ajo ideja e një Shpëtimtari politik të Izraelit. Në Ungjillin e të dielës së kaluar kemi dëgjuar se si ai e përshkruan Mesinë si madhështor dhe shumë të pushtetshëm. Ndërsa Jezusi ishte shumë i përvujtë. Kjo përvujtëri e Jezusit, e cila do të kulminonte në kryq, me sa duket, e kishte bërë të mendonte se mbase «duhej pritur ndonjë tjetër».

Me përgjigjen që do t’u japë nxënësve, Jezusi dëshiron t’ia zhdavarisë nga mendja këto dyshime të Gjonit: «Shkoni i thoni Gjonit çka po dëgjoni e çka po shihni: Të verbërit po shohin, të shqeptit po ecin, të gërbulurit po pastrohen, të shurdhërit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen, të varfërve po u predikohet Ungjilli». Në leximin e parë ndër të tjera thuhet se, kur të vijë shpëtimi i Zotit për popullin e Tij, «sytë do t’u çelen të verbërve, veshët e të shurdhërve do të dëgjojnë; atëherë i shqepti do të kërcejë si dreri, gjuha e të pagojit do të shpërthejë ne hare». Këta po realizoheshin të gjitha në Jezusin. Prandaj, me përgjigjen e Tij, Jezusi duket sikur dëshiron të thotë: «Shkoni e thoni Gjonit se, përderisa unë po i bëj të gjitha mrekullitë që Shkrimi Shenjtë thoshte se do të ndodhnin kur të vinte Mesia, atëherë do të thotë se unë jam ai Mesia i pritur».

Por, në fund të përgjigjes së Tij Jezusi shtoi edhe diçka: «I lumi ai që nuk e bjerr besimin në mua!». Edhe Gjonit, tani, Jezusi po i kërkonte që të shkonte më thellë në kuptimin e Personit të Tij. Çlirimi do të ishte i një lloji tjetër: jo politik, por shpirtëror. Jezusi po i thoshte se ka ardhur t’i mësonte njerëzimit përvujtërinë, e cila është “vaksina” kundër krenarisë, kundër atij helmi të cilin armiku i vjetër e dinak e holli në natyrën njerëzore.

Jezusi është i lirë nga krenaria dhe dëshiron që këtë liri të na e sjedhë edhe ne. Prandaj, sikurse edhe Gjonit, ashtu edhe neve na duhet të mos lëkundemi kur Jezusi na mëson përvujtërinë dhe dashurinë deri edhe për armikun. Ai që na i mëson këto, është po ai që shëron të sëmurët, që ngjall të vdekurit dhe që sundon mbi ligjet e natyrës. Janë të shumtë ata që tërhiqen mbrapsht kur kjo logjikë e kryqit shfaqet në jetën e tyre, por Jezusi do t’u thoshte edhe atyre sikurse Gjonit: «I lumi ai që nuk e bjerr besimin ne mua».

Gjonit dhe ne të gjithëve, pra, Jezusi dëshiron të na mësojë gëzimin e qëndresës në dashuri ndaj Hyjit e ndaj njëri-tjetrit. Na e kujton edhe Shën Jakobi në letrën e tij sot: «Vëllezër, jini të durueshëm deri në ditën e Ardhjes së Zotit!».

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *