JEZUSI ËSHTË “HYJI ME NE”.

Categories HomeliPosted on

E DIELA IV E ARDHJES – Viti A

Is 7, 10-14; Ps 24 (23); Rom 1, 1-7; Mt 1, 18-24

Shkrimi Shenjt sot hapet me një profeci mjaft të njohur të Isaisë profet. Para se të thotë këtë profeci, njeriu i Hyjit i drejtohet mbretit Akaz duke i thënë se mbreti tani kishte leje prej Zotit që të kërkonte prej Tij «një shenjë të mrekullueshme, qoftë në thellësinë e Nëntokës, qoftë në lartësinë e qiellit».

Në fakt, shenjat e mëdha, apo dhuntitë e mëdha, duhet të kemi shumë kujdes t’i lypim. Kisha na mëson se nuk është gjë e kujdesshme t’i lypësh Zotit karizma të mëdha. Nëse është plani i Tij, Ai i jep vetë ato, kujt do Ai vetë, duke i dhënë edhe Hirin që t’i mbarështojë me kujdes.

Por në këtë rast, mbreti Akaz ishte i ftuar nga vetë Zoti që ta lypte një shenjë të madhe, e cila do të ishte si garancia e shpëtimit për popullin e Hyjit. E prandaj mbreti tashmë ishte i detyruar ta kërkonte një shenjë të tillë.

Por çfarë ndodhi? Mbreti refuzoi: «Jo, s’do ta kërkoj, as s’do ta vë Zotin në provë!» Dredharak e egoist siç ishte ky njeri, tregon në këtë rast një përvujtëri të rreme. Në të vërtetë ai jo se nuk kishte dëshirë të mos e vinte Zotin në provë, por donte të vazhdonte planet e veta dashakeqe që tashmë kishte filluar t’i realizonte në Izrael. Kishte ndër mend të ndërmerrte luftra e politika mjaft të këqija dhe e dinte se, po t’i drejtohej Zotit, Ai do t’i kërkonte pikësëpari të hiqte dora nga ato plane e t’i hapej planeve dashamire të Hyjit.

Mbreti në Izrael duhej të ishte përfaqësuesi i Hyjit për këtë popull. Thjesht përfaqësues e jo udhëheqës, sepse vetëm Hyji (e Besëlidhja e Vjetër e thotë qartë) është udhëheqësi dhe Mbreti i vërtetë i Izraelit. Por Akazi mbret nuk ishte më në kujdes që ta realizonte këtë thirrje të tijën.

Prandaj Isaia profet zemërohet e thotë: «Dëgjo, pra, shtëpia e Davidit: A thua pak ju duket t’u bëni mërzi njerëzve e tash doni ta mërzitni edhe Hyjin tim?» Mbreti po bënte vazhdimisht padrejtësi në popull e tani haptas po i kthente shpinën edhe Hyjit.

«Prandaj,– vazhdon profeti, – vetë Zoti do t’ju japë një shenjë të mrekullueshme.» Hyji gjithsesi nuk heq dorë nga plani i Tij shëlbim­prurës për popullin e vet. E këtu Isaia thotë atë profecinë e famshme: «Ja, virgjëra do të ngjizë e do të lindë një djalë e për emër do ta quajë Emanuel!» Një profeci shumë e qartë për ne të krishterët, por tejet e komplikuar për Izraelin para Krishtit.

«Virgjëra do të ngjizë.»: tregon se do të ndodhë një ngjizje shumë e “çuditshme”. Ndërkohë që kjo vajzë do të vazhdojë të mbetet e virgjër, ajo do të gjendet shtatzënë. Për ne të krishterët është e qartë përgjigjja: Maria do të ngjizte për virtyt të Shpirtit Shenjt, por, para se kjo të realizohej, askush nuk arrinte ta kuptonte se si do të ndodhte.

Pastaj ky fëmijë do të quhej Emanuel, që do të thotë “Hyji me ne”. Ky fëmijë nuk do të jetë thjesht një profet; nuk do të jetë një njeri që do ta afrojë popullin kah Hyji, apo që do të flasë për Hyjin, por do të jetë vetë “Hyji me ne”. A mund ta imagjinonte Izraeli se Hyji do të bëhej njeri? Jo.

Prandaj kjo profeci kaq e errët për Izraelin, do të jetë njëkohësisht edhe më madhështorja: vetë Hyji tregoi planin e Tij për të ardhur në mesin e popullit të vet në një mënyrë siç nuk kishte ardhur kurrë më parë, aq sa të bëhej edhe ai vetë njeri.

Citimin e kësaj profecie e gjejmë sot në Ungjill. Kur Shën Jozefi, me të drejtë, fillon të ketë dyshimet e veta rreth shtatzanisë së Marisë, engjëlli i Zotit i shfaqet në ëndërr për ta qartësuar e i thotë: «Jozef, biri i Davidit, mos ki frikë ta marrësh Marinë, të fejuarën tënde, sepse foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt.» Njëkohësisht i thotë edhe diçka tjetër: «Ajo do të lindë djalë e ti ngjitja emrin Jezus, sepse Ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve të tij.» I tregon, pra, edhe emrin që duhet të ketë ky fëmijë: Jezus.

Po, përse Jezus e jo Emanuel, siç thoshte profecia? Jezus (në hebraisht Joeshua), do të thotë “Hyji-shpëton”. Kjo do të thotë se profecia e Isaisë nuk kishte për qëllim të tregonte emrin me të cilin do të thirrej ky fëmijë, por se kush do të ishte Personi i tij. Personi i Tij do të ishte ai i Birit të Hyjit, Hyj edhe Ai vetë. Prandaj, këtë fëmijë, po deshën, le ta thërrasin edhe Gjon, Mark, apo ku e di se si, por kjo gjë nuk e ndryshon Personin e Tij Hyjnor: Ai është Hyj. Emrin «Jezus» e gjejmë edhe diku tjetër në Besëlidhjen e Vjetër, ngaqë përdorej shpesh.

Por, nga ana tjetër, e dimë se, në gjestet e Hyjit, asgjë nuk është rastësi: fakti që këtë fëmijë engjëlli thotë se duhej ta thërrisnin Jezus (“Hyji-shpëton”), tregon misionin që ky Fëmijë Hyjnor do të kishte në botë: Shpëtimin tonë. Do të thotë se, pikërisht ngaqë ky Fëmijë është Hyji me ne, do të ishte në gjendje të bëhej edhe Shpëtimtari ynë. Vetëm Hyji mund të na shpëtojë. Emanuel, pra, tregon Perso­nin, ndërsa Jezus tregon misionin. Prandaj Ungjilltari nuk druhet të pohojë menjëherë se pikërisht ashtu po realizohej profecia e Isaisë që e dëgjuam në leximin e parë: «E gjithë kjo ngjau që të shkonte në vend fjala e Zotit e thënë nëpër profetin: “Qè, Virgjëra do të mbesë shtatzënë e do të lindë një djalë, të cilit do t’ia ngjesin emrin Emanuel, që do të thotë: Hyji me ne!”»

Por ka edhe diçka tjetër që nuk duhet të na kalojë pa u vënë re në Ungjillin e sotëm: figura e madhe e Shën Jozefit. Pas Virgjërës Mari, ai e gjen veten të përfshirë në mënyrën më të veçantë në këtë ngjarje. Por, duke qenë edhe ai njeri i fesë, arriti ta pranonte me dashamirësi planin e mistershëm të Zotit që po realizohej para syve të tij.

Ka një detaj që patjetër bën përshtypje në pjesën e sotme ungjillore. Ungjilltari thotë se, kur Jozefi mori vesh për shtatzaninë e Marisë, vendosi të ndahet prej saj. Por, këtë dramë të fortë shpirtërore të këtij njeriu, Shën Mateu ungjilltar na e përshkruan me këto fjalë: «Tashti Jozefi, i fejuari i saj, pasi ishte njeri i drejtë e nuk donte ta publikonte çështjen, mendoi ta lëshojë fshehtazi.» «Pasi ishte njeri i drejtë!»: Neve mbase na vjen spontane të mendojmë të kundërtën. Imagjinoni një situtë të tillë në ditët e sotme. Sikur e fejuara e dikujt të gjendej shtatëzënë me një tjetër (Jozefi mendonte pikërisht kështu), vështirë se nuk do të mendonte që, ngaqë mbahet si i drejtë e nuk do t’ia kishte bërë kujt një tradhti të tillë, atëherë i ka të gjitha të drejtat që t’i bëjë keq sa të mundet e si të mundet palës tradhëtuese. Shpesh bëhen realisht krime, në emër të ndershmërisë. Madje edhe shoqëria e gjërë këto lloj krimesh nuk i dënon fort lehtë, por shpesh i lëvdon. Por kujdes sepse, siç e thotë me të drejtë edhe një uratë e vjetër e jona: «Vrasësin kush për vrasë lëvdon, fjalët e djallit qet e këndon.»

Por, kjo lloj drejtësie nuk është drejtësi, por hakmarrje. Drejtësia është tjetër gjë. Drejtësia është të zgjedhësh gjithnjë të bësh të mirën e kurrë të keqen ndaj Zotit, ndaj tjetrit e ndaj vetes, pavarësisht sa të shtyjnë situatat e jetës. Është e drejtë që gjithnjë të veprojmë drejt.

Jozefi, pikërisht ngaqë ishte i drejtë, nuk donte t’i shkaktonte të keqen askujt, sado që tjetri mund ta meritonte atë. Nuk donte që, së keqes, t’i përgjigjej me një të keqe tjetër. Sa shumë ka bota për të mësuar nga Shën Jozefi!

Në Besëlidhjen e Vjetër, në fakt, për të treguar se Hyji është i mëshirshëm, shpesh ndodhte që termi mëshirë dhe drejtësi, të përdoreshin për të njëjtim kuptim. Jozefi mishëron në jetën e vet këtë mëshirë-drejtësi të Hyjit. Edhe pa e takuar ende Krishtin, ai do ta praktikonte me zemërgjerësi atë që Krishti do të predikonte më vonë: «Duani edhe armitë tuaj!» E Maria, për një çast, në mënyrë të habitshme, i dukej pikërisht armike. Sa shumë i mëson Kishës ky njeri kaq fisnik në shpirt! Prandaj Papa Françesku e ka shpallur Shën Jozefin Pajtor të Kishës së Gjithëmbarshme dhe ka dashur që emri i tij i lum të përmendej në lutjet eukaristike gjatë Meshës së Shenjtë, pikërisht ngaqë Kisha ka shumë për të mësuar nga ai dhe mund të shpresojë ngultas gjithnjë te ndërmjetësia e tij e fuqishme para Hyjit në lumninë e Parrizit.

Por, pa ndihmën e Hirit Hyjnor, as Jozefi nuk do të kishte qenë i aftë ta plotësonte misionin e tij. Prandaj, ngaqë ai vërtet nuk arrinte t’i kuptonte më shumë këto veprime të mistershme të Hyjit, nevojitej edhe ndërhyrja e një engjëlli, pikërisht si në rastin e Abrahamit kur ky ishte gati të sakrifikonte djalin e vet, por një engjëll ia ndaloi.

Ta imitojmë edhe ne këtë mëshirë-drejtësi të Jozefit e, me ndërmjetësinë e tij dhe të fatit të tij Tejet të pastër, Marisë, do të dimë edhe ne ta presim ardhjen e Jezusit, “Hyjit me ne”, në jetën tonë.

Tashmë jemi edhe brenda Nëntëditëshit të Krishtlindjes: kështu jemi të ndihmuar edhe më shumë që ta kundrojmë bukurinë e kësaj ardhjeje të përvujtë të Birit të Hyjit në mesin tonë.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *