HYJI DHE ÇEZARI

Categories HomeliPosted on

E DIELA XXIX GJATË VITIT A

Is 45, 1. 4-6; Ps 96 (95); 1 Sel 1, 1-5; Mt 22, 15-21

Në Shkrimin Shenjt sot përmenden mbretër e perandorë. Këta njerëz që, falë rrethanave të ndryshme, gjenden në drejtimin e popujve, jo gjithnjë janë mëkatarë të mëdhenj, sepse shpesh vetë Hyji mund t’i përdorë ata për të çuar në vend planet e Tij e për ta drejtuar historinë njerëzore kah e mira e kah shëlbimi. Edhe po ta shohësh vetëm nga ana thjesht njerëzore, këta njerëz nuk duhet të shihen vetëm si negativë, sepse, shpesh herë kanë në vetvete një guxim e një largpamësi të admirueshme, duke u hyrë shpesh gjërave që u rrezikojnë deri edhe jetën. Të gjithë e dimë, pastaj, se sa bekim i madh është që të kesh në krye të shtetit njerëz që mendojnë, lodhen dhe rrezikojnë për të mirën e shoqërisë së tyre. Megjithatë, edhe pse nuk duhet të ngutemi t’i shohim si negativë e si mëkatarë, nuk duhet të ngutemi t’i shohim as si perëndi.

Në leximin e parë i thuren lavde Kirit, mbretit të Babilonisë që, kur erdhi në pushtet, i lejoi të gjithë popujt e perandorisë së tij të ktheheshin në tokat nga ku kishin qenë dëbuar dikur. Një mrekulli vërtet e madhe kjo, sidomos për popullin e Izraelit, i cili kishte të paktën pesëdhjetë vjet në mërgim larg tokës së premtuar. Duke u kthyer në trojet e veta, izraelitët tani do ta kishin edhe një herë lirinë e tyre, do të mund ta rindërtonin Tempullin e Zotit si edhe do të mund t’i ruanin pa frikë kulturën dhe zakonet e tyre. Edhe pse Mbreti Kir nuk ishte hebre dhe, me shumë mundësi këtë vendim ai e mori vetëm për shkaqe diplomatike, gjithsesi populli i zgjedhur nuk nguroi ta shihte vendimin e tij si të frymëzuar nga Hyjit, sepse, kur një mbret ka për zemër paqen e begatinë, Hyji arrin të vërë duart në drejtimin e kombeve.

Por t’i kuptojmë drejt rreshtat e leximit të parë: lavdet nuk i thuren mbretit Kir, por Hyjit, i cili arriti ta përdorte atë. Mbreti është shumë i rëndësishëm, por nuk është Hyj. Ky është pohimi i guximshëm, të cilin Shkrimi Shenjt dëshiron ta theksojë me ngulm sot. Jo më kot në vazhdim Zoti thotë: «Unë jam Zot e tjetër s’ka.» Është pohim i guximshëm ngaqë, në mendësinë e popujve përreth Izraelit të asaj kohe, ndodhte shpesh që mbretërit të vetëshpalleshin perëndi dhe t’ua impononin vartësve të tyre që t’i shihnin si të tillë. Kështu, veç, nuk ndodhte në Izrael.

Te ky pohim i guximshëm dhe shumë i qartë, arrin edhe Jezusi në Ungjillin e sotëm, edhe pse përmes një rruge tjetër. Por më mirë le t’i marrim me radhë rreshtat e mrekullueshëm të kësaj faqe ungjillore e ta shohim thellësinë e fjalëve të Shëlbuesit tonë.

Menjëherë Ungjilli thekson se farisenjtë atë ditë po sajonin një kurth kundër Jezusit: «Farisenjtë u ndanë në një anë dhe u këshilluan si ta zënë gabim në fjalë.» «U ndanë në një anë»: pra u bashkuan, rrahën mendime, propozuan strategji të ndryshme e strategjia që fitoi, ishte ajo që dëgjuam në Ungjill. Kurthi nuk ishte i pamend, sepse nuk i linte fort shtigje shpëtimi atij që duhej të përgjigjej. Jezusin e pyetën nëse duhej apo jo t’i paguhej tatimi Çezarit. Nëse Jezusi do të përgjigjej se tatimi duhej paguar, atëherë do të mund ta çonin popullin peshë kundër këtij tradhëtari të Izraelit, i cili jo vetëm mëson se duhet t’i paguajmë taksa një pushtuesi, por paska nderim edhe ndaj perandorit. Perandorët romakë, ndër ato vite kishin filluar t’i veshnin nuanca Hyjnore personit të tyre. Kjo mund të nënkuptonte se Jezusi, duke mësuar nderimin ndaj tij, jo vetëm që po tradhëtonte atdheun, por po tradhëtonte edhe fenë në Hyjin e vetëm.

Por, nga ana tjetër, nëse Jezusi do të thoshte se tatimi nuk duhej paguar, gjërat do të bëheshin edhe më të lehta për këta dredharakë, të cilët gjithçka ishin të gatshëm të bënin, vetëm e vetëm që ta zhduknin nga faqja e dheut këtë Jezus i cili nuk po u rrinte gati ambicjeve të tyre për para e për pushtet. Herodi, në atë rast, menjëherë do ta arrestonte Jezusin, duke e akuzuar si kryengritës brenda perandorisë. Për çfarë tjetër i kishin marrë me vete edhe «herodianët»?

E, siç e kanë zakon dinakët, edhe këta ia fillojnë menjëherë me lajka: «Mësues, ne e dimë se ti gjithmonë flet të vërtetën (e kush e thotë: pikërisht ata që nuk mund ta shihnin me sy) dhe se me të vërtetë e mëson udhën e Hyjit pa marrë parasysh kush është kush.» Kështu e kanë zakon dinakët: afrohen si dhelpra me plot dredhi, lëvdata e fjalë të bukura, për të ta turbulluar mendjen e për të të bërë të veprosh apo të flasësh atë që ata dëshirojnë, por që mund të të kushtojë kokën. E, në shumë raste, ia arrijnë këtij qëllimi dhe na hedhin në grackën e tyre. Jo rrallë e kuptojmë tepër vonë se ku na paskan çuar me dredhitë e tyre. Por ajo që duhet të bëjmë ne në këso rastesh, është që të kapemi fort pas fjalës së Zotit e të mos u besojmë lajkave e fjalëve të bukura. Kjo vlen edhe për rastet kur këta njerëz e thurin kurthin e tyre duke përmendur Zotin dhe fjalën e Tij, por që, në fund të fundit, e shohim se na çojnë kundër asaj që Zoti realisht mëson. Zoti na ruajtë nga këto kurthe dinake të njerëzve që në thelb janë pa Zot e të pa ndërgjegje, sepse shpesh duhet vërtet një mrekulli që të mos mashtrohemi! Nga ana tjetër, duhet të lusim Zotin që të mos bëhemi edhe ne vetë lajkatarë e dredharakë mashtrues.

«Na thuaj, pra, si mendon ti: a është e lejueshme t’i paguhet Çezarit tatim apo jo?» Sipas tyre kurthi ishte i përsosur, por nuk mund të kapeshin me Urtinë e bërë Njeri: «Shtiracakë, ­– ua pret Jezusi, – pse po më sprovoni?! Ma tregoni monedhën e tatimit!»

Para se të vazhdojmë, na duhet ta kujtojmë patjetër atë pjesën e Librit të Zanafillës ku thuhet se: «Hyji e krijoi njeriun në përgjasimin e vet.» (1, 27). Pra, në njeriun është gdhendur përngjasimi i Hyjit. Jo më kot Jezusi kërkon që t’i sjellin një monedhë ku është e gdhendur fytyra e mbishkrimi i Çezarit dhe pyet: «E kujt është kjo fytyrë e ky mbishkrim?» E, pasi farisenjtë i përgjigjen «E Çezarit.», Jezusi u dha atë përgjigjen e Tij të famshme: «Jepni Çezarit, çka i përket Çezarit e Hyjit, çka i përket Hyjit!». Po u thoshte se paranë, në të cilën gjendej përfytyrimi i një njeriu, edhe mund t’ia jepnin atij njeriu, qoftë ai edhe pushtues, por veten e tyre nuk duhej t’ia jepnin askujt tjetër përveç Hyjit, sepse në ta është gdhendur përngjasimi i Tij.

Është plot teologji një përgjigje e tillë e Jezusit, sepse, në një formë teologjikisht shumë të hollë e të saktë, Ai hedhë poshtë çdo lloj auto­riteti Hyjnor që njerëzit mund t’i veshin vetvetes. Pa e thënë haptas, Jezusi po hidhte poshtë Çezarin. Kështu, njëkohësisht, Jezusi e ndreq edhe një herë dinjitetin e vërtetë të njeriut, i cili është krijuar vetëm në përngjasimin e Hyjit të vet.

Kaq saktë u përgjigj Jezusi atë ditë, saqë asnjëherë më në Ungjill nuk do të thuhet se farsenjtë u përpoqën t’i ktheheshin sërish një argumenti të tillë.

Sa shumë mësime mund të nxjerrim ne nga kjo përgjigje e Jezusit! Shpesh njerëzit jepen me mish e me shpirt pas parasë e pas atyre që paranë mund t’ua sigurojnë, por harrojnë se ata vetë nuk janë të krijuar për këtë. Sadoqë duhet t’u shprehim repsekt e nderim pushtetarëve (e bëjmë mirë që ua shprehim), gjithësesi ekziston një kufi në këtë nderim: atëherë kur ky nderim kërkon të zërë vendin e nderimit ndaj Hyjit. «Unë jam Zot e tjetër s’ka!», na e kujton leximi i parë. Duke qenë se jemi krijuar në përngjasimin e Hyjit, vetëm Atij mund t’i themi «Në duart e tua e lë jetën time.», por jo pushtetarëve, sepse nuk jemi krijuar në përngjasimin e tyre. Prandaj, kushdo qoftë ai që paraqitet si Çezar në jetën tonë, ta dimë se ai nuk është Hyj e, si pasojë, nuk mund ta përcaktojë dinjitetin tonë si njerëz. Dinjitetin tonë e gjejmë në Hyjin.

Është e vërtetë se pushtetarët e kanë mundësinë të na i japin e të na i marrin paratë e fitimet tona, por kjo nuk është e keqja më e madhe: e keqja më e madhe është kur u lejojmë atyre të na marrin shpirtin, dinjitetin, lirinë e brendshme. E keqja më e madhe është kur i vëmë vetes një çmim, sepse në atë rast ata e kanë mundësinë të na blejnë. Nëse ekzistojnë njerëz nga të cilët pushtetarët e korrup­tuar kanë vërtetë frikë, janë njerëzit që nuk kanë çmim e nuk shiten.

Kjo nuk do të thotë se nuk kemi të drejtë të kërkojmë të drejtat tona e as nuk do të thotë se duhet thjesht të heshtim përballë ndonjë padrejtësie, por duhet t’i bëjmë të gjitha këto me vetëdijen se jemi bijt e bijat e Hyjit.

Çezarët e ndryshëm mund të ta marrin paranë tënde, gjënë tënde e jetën tënde, por mos lejo të të marrin ty: ti fluturo drejt lartësive, drejt Hyjit tënd!

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *