E DIELA II E ARDHJES – VITI A
«Të gjithë mendojnë ta ndryshojnë botën, por askush nuk mendon të ndryshojë vetveten» – shkruante në shekullin e kaluar shkrimtari i famshëm rus Leon Tolstoi.
Po ashtu edhe një tjetër njeri akoma më i famshëm i shekullit të kaluar, Mahatma Gandi, i cili njihet nga India e tij si “Ati i kombit”, thoshte: «Ji ti ndryshimi që dëshiron të shohësh në botë».
Këta njerëz e shumë të tjerë që kanë mësuar gjëra të ngjashme, janë njerëz që, edhe pse nuk kanë qenë të gjithë të krishterë, i kanë rënë në të asaj që Krishti ka dashur të thoshte kur predikonte: «Mbretëria e Hyji është afër. Kthehuni e besoni Ungjillit».
«Kthehuni se u afrua Mbretëria e Hyjit» – thotë edhe Shën Gjon Pagëzuesi në Ungjillin e sotëm. Gjoni ishte një njeri i ashpër me veten e tij e me ata që i afroheshin. Por një ashpërsi që nuk lindte nga ndonjë urrejtje depresive ndaj vetvetes apo nga ndonjë urretje ndaj të afërmit. Urrejtja e Gjonit ishte urrejtje ndaj mëkatit, si tek vetja ashtu edhe tek të tjerët. Gjoni e luftonte prirjen për të bërë mëkate që njeriu e ka të trashëguar nga prindërit e parë. Gjoni nuk ishte i zënë pa mëkat (siç do të ishte vetëm Maria e pastaj edhe Jezusi) e prandaj i duhej ta luftonte prirjen që edhe ai ndiente për të rënë në mëkat. Kisha na mëson se kjo gjendje vjen si pasojë e mëkatit të rrjedhshëm. Me ndihmën e hirit hyjnor kjo prirje ëshë e mundur të përballohet, por jo pa një luftë reale në shpirt, luftë e cila (edhe pse me dendësi të ndryshme) zgjat tërë jetën.
Prandaj në predikimet e tija dukej aq i ashpër, sepse dëshironte të ngulte këmbë tek nevoja e largimit nga mëkati. Ai e dinte se, nëse nuk do të ndodhte një largim i tillë, nuk do të bëhej i mundur takimi me Birin e Hyjin, i cili tashmë gjendej në mesin e njerëzve. «Hyji të ka krijuar pa pasur nevojë për ty, por nuk mundet të të shpëtojë pa pasur nevojë për ty», thoshte Shën Augustini. Hyji e respekton lirinë tonë. Kur themi se Hyji i kthen edhe mëkatarët më të mëdhenj, duhet të ecim shumë ngadalë në këtë pikë, sepse kjo gjë nuk nënkupton ndonjë ndërhyrje arbritrare të Hyjit në jetën e disave, por faktin se, ata mëkatarë, vepronin ashtu ngaqë u mungonte drita e mjaftueshme në jetë. Kur takohen me dritën hyjnore, atëherë ata ndryshojnë jetë.
Gjoni me këto mesazhe të tija kishte bërë shumë bujë në mbarë Izraelin: «Aso here vinte tek ai Jerusalemi, mbarë Judeja dhe e gjithë krahina e Jordanit». Ungjilli vazhdon pastaj me një rresht mahnitës: «Pasi ata i rrëfenin mëkatet e veta, ky i pagëzonte në lumin Jordan». Ja madhështia e Gjonit: predikimet e tija preknin zemrat e njerëzve. Jo vetëm predikimet, por edhe jeta: «Gjoni ishte i veshur me pekt leshi deveje e rreth ijëve kishte një rrip lëkure; ushqehej me karkaleca e me mjaltë të egër». Një njeri që, me fjalë e me vepra, ia dilte të prekte direkt e në zemrat e dëgjuesve. Aq i prekte, saqë ata nuk mund të rrinin pa i treguar edhe publikisht mëkatet e tyre.
Por, përse të habitemi fort: tek e fundit kështu na ndodh edhe ne kur takojmë ndonjë njeri vërtetë «të Zotit». Aty na vjen spontane ta themi edhe haptas se, në krahasim me ta, ne jemi shumë larg Hyjit. E, jo rrallë, fillojmë edhe ne t’i themi publikisht kushdërtitë konkrete që ndiejmë se ia bëjmë hirit të Hyjit brenda nesh.
Ungjilli vazhdon pastaj duke thënë se te Gjoni filluan të shkojnë edhe «shumë farisenj e saducenj». Me sa duket, në saje të ndonjë hiri të veçantë, Gjoni arrinte ta shikonte zemrën e tyre dhe e kuptonte se fakti që kishin ardhur aty nuk ishte se donin edhe aq Hyjin, por ngaqë donin të bënin si shumica e të dukeshin të shenjtë para të tjerëve. Prandaj u thotë plot ashpërsi: «Pjellë shlligash: kush ju mësoi t’i ikni zemërimit që po vjen? Bëni, pra, vepra të denja kthimi!». Gjoni i fton me ngulm që të hiqnin dorë nga hipokrizia e tyre kokëforte, sepse kjo do t’i çonte në bjerrje të pasosur. Shëlbimi, u thoshte Gjoni, nuk varet nga ndonjë përkatësi gjaku apo nga ndonjë privilegj tjetër kushedi se çfarë, por nga varet nga veprat konkrete: «As mos t’ju bjerë ndër mend të thoni në vete: “Kemi atë Abrahamin!”, sepse unë po ju them: Hyji mund t’i nxjerrë Abrahamit bij edhe prej këtyre gurëve!».
Sa keq është kur mendojmë se Hyji mban patjetër anën tonë, ngaqë kemi bërë këtë apo atë gjë dikur! Sa keq kur mendojmë se mjfafton fakti që kemi qenë pagëzuar për të merituar parajsën dhe pastaj e lëmë pas dore mbajtjen e premtimeve pagëzimore duke mos hequr dorë nga jeta jonë mëkatare! Do ta meritonim edhe ne të gjithë qortimin e ashpër të Gjonit të lavdishëm.
E Gjoni ishte me të vëretetë i lavdishëm në sytë e mbarë Izraelit. Ai e vinte re këtë gjë. Mëgjithatë nuk hezitonte t’i sqaronte të gjithë se nuk ishte ai Mesia e pritur. Gjonit nuk i errësoheshin sytë nga lavdia e fama që kishte. Prandaj shpejtonte të thoshte: «Unë ju pagëzoj më ujë në shenjë kthimi, porse ai që po vjen pas meje, është më i fortë se unë e unë nuk jam i denjë as t’ia zbath sandalet: Ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt e me zjarr».
Edhe vetë Gjonit do t’i duhet të mësojë ende shumë nga Jezusi. Gjoni dallohet se e paraqet thuajse si apokaliptike ardhjen e Mesisë, por do t’i duhet të pranojë përvujtërinë e pamasë që Jezusi do të fillojë të predikojë e të jetojë. Kur do ta arrestojnë Gjonin, nga burgu ai do të dërgojë disa nxënës të vet që ta pyesin Jezusin: «A je ti ‘Ai që duhet të vijë’, apo duhet të presim një tjetër?». Gjoni nuk po kuptonte përse gjithë kjo përvujtëri! Por Jezusi me përgjigjen e tij do ta ngushëllojë e, në fund, edhe do t’i çojë fjalë: «I lumi ai që nuk e bjerr besimin në mua».
Gjoni është njeri e, si i tillë, i duhet të rritet në njohjen e Hyjit të vet. Hyji është i pakapshëm për mendjen tonë. Asnjë profet, asnjë shenjt apo teolog nuk arrin ta kuptojë plotësisht misterin e Tij. As shenjtërit e qiellit nuk e arrijnë këtë. As Zoja e Bekuar. Ashtu edhe Gjoni. Por, të gjithë këta, kanë kuptuar kryesoren: se Hyji na do dhe na ka krijuar për të dashur. Prandaj është urgjente që, në këtë jetë, të zgjedhim dashurinë e sinqertë ndaj Hyjit e ndaj njëri-tjetrit. Për këtë arsye, në leximin e dytë, Shën Pali u thotë romakëve: «Hyji që jep qëndresën dhe ngushëllimin, bëftë që ju të jeni plotësisht në përkim njëri me tjetrin sikurse dëshiron Jezu Krishti… Pranoni njëri-tjetrin në shoqëri, sikurse Krishti ju pranoi ju për lavdinë e Hyjit». Mbretërinë e kësaj dashurie ndaj Hyjit e ndaj njëri-tjetrit ka ardhur të sjedhë Jezusi. Gjoni, nga njëra anë, duket sikur e tepron me alarmin që ngre kur thotë: «Tashmë sëpata u vu në rrënjë të pemëve: çdo lëndë që nuk jep fryt të mirë, pritet e qitet në zjarr». Por, nga ana tjetër, ai kishte plotësisht të drejtë, sepse Jezusi, Biri i Hyjit, Pastërtia e pambarim, në përngjasimin e të cilit jemi krijuar, duke na bërë ta shohim të mishëruar një Pastërti të tillë, do të jetë si «sëpata» që do ta godasë në rrënjë egoizmin njerëzor. Jezusi është «pinjolli që doli nga trungu i Jeseut…. dhe që s’do të gjykojë sipas pamjes së syve…, por me drejtësi e besnikëri». Nëse ne do të zgjedhim dashurinë, drejtësinë dhe pastërtinë në këtë jetë, atëherë do të mund të kemi pjesë në lumturinë e parrizit, aty ku të gjitha këto të vërteta janë në përsosmërinë e tyre.
Këtë lloj lumturie përpiqet ta përshkruajë Isaia profet sot në leximin e parë kur thotë: «(Atëherë) Ujku do të banojë me qengjin… Fëmija i vogël do t’i çojë e do t’i bjerë. Luani kashtë do të hajë si kau. Foshnja do të luajë në vrimën e shlligës». Isai përshkruan këtu një harmoni të plotë mes të gjitha krijesave. Janë mënyra për të na përshkruar të papërshkrueshmen: bashkim e plotë me Hyjin në parriz. Nëse do ta synojmë që në tokë një harmoni të tillë, do të mund ta shijojmë të plotë në lumturinë e parajsës. Ne të gjithë duam të shkojmë në parajsë, por jo të gjithë duam të bëjmë ndonjë gjë për të shkuar atje. «Të gjithë mendojnë ta ndryshojnë botën, por askush nuk mendon të ndryshojë vetveten», do të mund të thoshte Tolstoi në një farë mënyre edhe në këtë rast. Është e vërtetë se vetëm meritat e Gjakut të Krishtit na e kanë fituar parajsën, por, bashkë me meritat e tija, Jezusi dëshiron të bashkëngjisim edhe meritat tona, sepse na ka krijuar të lirë. Prandaj ngjyra liturgjike e Kohës së Ardhjes është ngjyra vjolë, sepse edhe kjo kohë, si ajo e krezhmeve, na fton më fort të kthehemi e të pendohemi për mëkatet, që të mundemi pastaj t’i hapemi më lehtëë hirit hyjnor.
E cituam në fillim Gandin e famshëm, njeriun që mahniti botën me idetë e tij kundër dhunës. E pra ai kishte shumë respekt për personin e Jezusit, duke u nisur nga ajo që kishte lexuar në ungjij për Të. Por prapëseprapë nuk u bë i krishterë. Thoshte: «Jezusi ishte vërtetë njeri i veçantë, por kur shoh të krishterët se sa ndryshe jetojnë nga ajo ai ka predikuar, atëherë nuk ndihem i shtyrë të jem i krishterë». A nuk do ta bënte kjo gjë Gjon Pagëzuesin edhe sot që, ne të krishterëve, të na drejtohej më po aq ashpërsi sa iu drejtuar skribërve e farisenjve kur do të shikonte se, pikërisht ne, nuk bëjmë «vepra të denja kthimi» e ndërkohë bëhemi pengesë që bota t’i afrohet Krishtit?
Dom Dritan Ndoci