PERKTHYESI I HESHTUN

Categories FamulliaPosted on

Ka disa vjet qi në famullinë e Shna Rrokut në Rrânxa – Bushat të Shkodres, nji prift i rí drejton grigjen e ksaj famullí n’ rrugen per kah Krijuesi i Gjithpushtetshem… Ai âsht Dom DRITAN NDOCI, nji bir i thjeshtë i ktyne anëve, prej katûndit Barbullush, nji katûnd me tradita t’ mira n’ punë, n’ besim e n’ atdhedashuni.

Qyshsè ishte në shkollen e katûndit të vet, pati nxânë mirë g’juhen italishte prej msuesit të dashtun Leon Lekaj, g’juhë t’ cilen e persosi mandej perg’jatë studimeve të mesme e të nalta per meshtar. E qysh at’herë atij i pelqente me perkthye materiale prej italishtes, sidomos në fushen religjioze…

Un e kam ndjekë me kujdes në rrugen e vështirë qi ai ka nisë per perkthime. Qysh me 2007 e deri tash janë bâ dymijë faqe të perkthyeme e të botueme. Veç ksaj, ky perkthyes i heshtun âsht edhe nji krijues e komentues i mirë. Dy vjetët e fundit ai ka botue edhe kater libra origjinalë: tre me homelí (predikime) mbi leximet biblike të të dielave e të kremteve (vjetet A, B, C) e nji mbi ” ikonen e bukur të Shen Jozefit” (sikursè shkruen n’ parathânie t’ ktij libri Dom Prekë Lazri), gjithsej njimijë e treqind faqe tjera. Pra, janë bâ deri tash pesëmbdhetë vllime të perkthyeme e të krijueme, të botueme me kujdes të veçantë…

Por ky prift perkthyes e krijues âsht fort i heshtun, sa, po ta shohësh në veprimtarinë e tij të perditshme si barí i grigjës së vet, nuk mburret as nuk t’ kallxon per punët qi ka bâ… Duhet me kênë fort i vemêndshem, per me e ndjekë punen e tij me perkushtim n’ perkthimin e literaturës religjioze qi âsht e vlefshme per formimin e secilit prej nesh.

Palok Rrotâni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *