E DIELA III E ARDHJES – Viti C
Sof 3, 14-18; Is 12, 2-6; Fil 4, 4-7; Lk 3, 10-18
«Djalli ka frikë nga njerëzit e hareshëm» – u thoshte të rinjve të vet Dom Bosko. E djallin ai e njihte mirë, sepse shpeshherë ai përpiqej t’i ngrinte kurthe, që ta shkurajonte në veprimtarinë e tij.
Prandaj Dom Bosko, si këshillë të parë që i dha Shën Domenik Savios kur ky ishte vetëm dhjetë vjeç dhe po e vriste mendjen seriozisht se si mund të bëhej shenjt, ishin pikërisht fjalët: «Në radhë të parë, ji i hareshëm!» Kaq shpejt e kaq mirë e përvetësoi këtë mësim ky fëmijë tejet i dashur (që vdiq vetëm pesëmbëdhjetë vjeç me famën e shenjtërisë), saqë, pak ditë pas këshillës së Dom Boskos, i kishte thënë një shoku të vet të sapoardhur në orator: «Duhet ta dish se këtu bëjmë që shenjtëria të konsistojë në të qenit gjithnjë të hareshëm!»
Kishin arsye Shën Gjon Bosko e Shën Domenik Savio që ta kultivonin kaq “kokëfortësisht” harenë, sepse, në fakt, Zoti ynë është Zoti i haresë.
Kështu e kuptojmë edhe arsyen përse e diela e tretë e kohës së Ardhjes quhet e diela e gëzimit. Duke qenë se tashmë është afër e kremtja e Krishtlindjes, ku kremtojmë ardhjen e Birit të Hyjit në mes nesh në natyrën njerëzore, kemi arsye të ndjejmë gëzim.
Prandaj dhe Shkrimi Shenjt sot e vë theksin mbi gëzimin. Në fakt, Ungjilli duket sikur nuk flet drejtpërdrejtë për gëzimin. Prandaj na duhet më parë të ndihmohemi nga leximet e tjera dhe nga shembulli i shenjtërve, për të kuptuar se për çfarë lloj gëzimi flitet në pjesën e sotme ungjillore.
Në leximin e parë dëgjuam Sofoninë profet që thotë: «Këndo hareshëm, bija e Sionit, thuaja gëzueshëm këngës, o Izrael! Gëzo e galdo me gjithë zemër ti, bija e Jerusalemit! […] Jerusalemit atë ditë do t’i thuhet: Frikë, aspak mos ki, Sion, assesi mos të mpaken duart! Në mesin tënd është Zoti, Hyji yt, trim mbi trimat, Shpëtimtar!» Profeti e kishte fjalën sidomos për lirimin e afërt të popullit të Izraelit nga dhuna e armiqve të vet, por njëherësh ai profetizoi edhe për «atë ditë» kur edhe fizikisht Hyji do të ishte në mesin e popullit të vet.
Në refrenin e psalmit kemi përsëritur: «Aleluja. Në mesin tonë po vjen Hyji i gëzimit.» Shën Pali thotë në Letrën drejtuar Filipianëve: «Vëllezër, gëzohuni gjithmonë në Zotin, rishtas po ju them, gëzohuni! Mirësinë tuaj le ta njohin të gjithë njerëzit! Zoti është afër».
Kemi nevojë të dëgjojmë tekste të tilla të Shkrimit Shenjt, sepse na mësojnë ta shohim më mirë fytyrën e vërtetë të Hyjit. Ai nuk është Hyj që fut frikën e trishtimin, por gëzimin e harenë.
Njëri prej biografëve të së Lumes Umiliana de Cerchi, rregulltare italiane e shekullit XIII, shkruante: «Ndërsa virgjëresha dergjej në shtratin e saj, brenda qelës së saj në kullë, ja një fëmijë katër vjeç a pak më i madh, me një fytyrë shumë të bukur; luante në qelën e saj, para saj. Kur e pa, ajo ndjeu një gëzim të madh dhe i tha: “O shpirt i ëmbël e fëmijë i dashur, nuk di të bësh tjetër veçse të luash?” Dhe fëmija iu përgjigj: “Çfarë doni që të bëj tjetër?” Dhe e bekuara Umiliana tha: “Dua që të më thuash diçka të bukur për Hyjin.” Dhe fëmija tha: “A kujton se është mirë që dikush të flasë për veten”. E u zhduk.» Kishte qenë Jezusi që i ishte shfaqur në formën e një fëmije. Të një fëmije të hareshëm.
Hyji ynë është Hyji që ka dëshirë të na japë hare, sepse Ai vetë është Hyji i gëzimit. Prandaj edhe ne mund ta bëjmë vullnesën e Hyjit me hare e jo si të vrenjtur e plot mërzi. Të gjithë e dimë se sa e mërzitshme është të kesh pranë njerëz që gjithnjë janë të mërzitur e plot murmurima për atë që jetojnë e bëjnë. Papa Françesku thoshte, me stilin e tij të drejtpërdrejtë: «Shumë të krishterë jetojnë thuajse sapo janë kthyer nga ndonjë varrim, gjithnjë të mërzitur.»
Po ç’është hareja? Mos vallë, të jesh i hareshëm, do të thotë të kesh një buzëqeshje spontane në fytyrë? Apo ndoshta do të thotë të kesh fatin që në jetë të mos kesh plagë? Apo ndoshta nënkupton fatin që të lindësh me një mirësi të natyrshme që të është “gdhendur” në fytyrë?
As njëra, as tjetra. Hareja nuk është as çështje karakteri e nuk është as luksi i fatlumëve. Hareja për të cilën po flasim, është çështje pjekurie në fe: të kesh pranuar se jeta jote ka kuptim vetëm në intimitetin me Hyjin dhe, pikërisht për këtë arsye, edhe jetën e sheh me sytë e Tij, duke u nisur nga Fjala e Tij. Prandaj nuk i lë vend murmurimave, vërenjtjeve në fytyrë vend e pa vend. Gëzimi që vjen prej Zotit, nënkupton që të lëshohesh në duart e Tij vazhdimisht, ditë për ditë.
Shën Pali thotë «gëzohuni gjithmonë» sepse «Zoti është afër». Nëse prania e Tij nuk është gëzim për mua, nuk është papjekuri karakteri apo mungesë fati, por është (siç e thamë më sipër) papjekuri feje dhe mungesë besimi të gjallë në Hyjin.
Pastaj, të besosh, do të thotë edhe të luftosh me karakterin tënd, sepse, nuk mjafton një mirësi apo hare e natyrshme.
Në jetën e Shenjtes Maria Bertila Boskardin (fillimi i shek. XX), thuhet se një herë i kërkuan të shkonte pranë një spitali ushtarak në Itali për të asistuar të plagosurit. Ishte zonë e rrezikshme sepse bombardimet aty ishin të shpeshta. Këtë gjë eprorja ia propozoi, por nuk ia imponoi, sepse e dinte se ishte me shumë rrezik për jetën e saj. Megjithatë ajo e pranoi duke thënë: «Mos u merakosni, Nënë, Zoti më jep aq shumë forcë, saqë frikën as që nuk e ndjej.» Gjatë bombardimeve, kur të gjithë nxitonin nëpër strehime, ajo qëndronte pranë të sëmurëve që s’mund të lëviznin e që kishin nevojë për dikë. Por të mos mashtrohemi, sepse nuk është e vërtetë se nuk ndjente frikë. Në fakt ishte shumë e frikësuar. Dëshmitarët tregojnë se vinin re se si ajo «zverdhej në fytyrë, duke qenë se ishte më e frikësuar së të tjerët». Zverdhej, por qëndronte. Ja feja: luftonte edhe me karakterin e vet, sepse dashuria e Krishtit e kishte rrëmbyer. Kjo i sillte harenë e shpirtit, atë lloj hareje të cilën i pafeu as që e imagjinon.
E vetëm tani jemi në gjendje t’i kuptojmë fjalët e Gjon Pagëzuesit në Ungjillin e sotëm. Vetëm tani na duket normale ajo që ky pararendës i fuqishëm i Mesisë u porosiste turmave: «Kush ka dy palë petka, le t’i ndajë me atë që nuk ka e, kush ka ushqime, le të bëjë ashtu.» Bashkëndarja shpesh dhemb, por kjo është tipike e dashurisë. «Dashuri do të thotë të dhurosh deri kur të dhemb», mësonte shpesh Nënë Tereza.
Në këtë prag Krishtlindjesh, përshembull, ju fëmijët kini kurajon ta provoni t’i çoni ndonjë dhuratë dikujt që e dini se është pak më i varfër se ju. Do të shihni vetë se sa bukur është të bashkëndash me më të varfërit.
Gjon Pagëzuesi pastaj u drejtohet tagrambledhësve të cilët, të penduar, vinin të pagëzoheshin prej tij: «Mos kërkoni asgjë më tepër se ju është caktuar!» Interesante: nuk u thotë të mos e bënin atë lloj pune, por ta bënin ashtu si u ishte kërkuar, as më shumë e as më pak. Nuk ishte t’u mësoje gjë të vogël atyre njerëz që dihej se zhvatnin nga populli më shumë taksa nga sa kërkonte ligji. Është bukur të gjesh njerëz që profesionin e tyre e ushtrojnë me përpikëri e me shpirt. Kjo ndodh kur njeriu pranon gëzimin që vjen prej Zotit e jo gëzimin që vjen prej fitimit të padrejtë të parave.
Edhe ushtarët e pyesin Gjonin: «Po ne, ç’duhet të bëjmë?» Nga ky njeri i Hyjit gjithkush donte të mësonte për Hyjin. E, në fakt, të gjithë do të duhej të interesoheshin për Hyjin: ushtari, polici, punëtori, mësuesi, pedagogu, doktori, biznesmeni, kryebashkiaku, deputeti, ministri, presidenti, etj. Për të gjithë këta vlen porosia që Shën Gjoni u jep ushtarëve: «Askënd mos merrni me të keq! Askënd mos paraqitni rrejshëm dhe jini të kënaqur me rrogën tuaj!». «Jini të kënaqur me rrogën tuaj!»; lakminë e tepruar për pasuri e mban nën fre vetëm dëshira për të ruajtur në shpirt intimitetin me Zotin dhe pranimi i haresë që vjen prej Tij.
Por është vetë personi i Gjonit ai që, mbi të gjitha, na fton fuqishëm të gëzohemi vetëm në Zotin e jo në lavditë e kota të botës. Kur tashmë shumëkush mendonte se mund të ishte pikërisht ai Mesia i shumëpritur i Izrelit, Gjoni, përvujtërisht dhe shumë qartë, thotë: «Po vjen një që është më i fortë se unë, të cilit unë nuk jam i denjë t’ia zgjidh rripat e sandaleve të tija.» Ka ruajtur lirinë e shpirtit e prandaj nuk dëshiron t’i lidhë njerëzit me veten e tij, por t’i shtyjë ata kah Krishti, i cili tashmë ishte në mesin e tyre.
T’i kërkojmë Hyjit që edhe neve të na ndihmojë t’i hapemi gëzimit që na vjen vetëm prej Tij. Por të mos lëmë pas dore edhe largimin nga e keqja e nga padrejtësitë. Si pasojë, shpeshherë do të na duhet të luftojmë me veten tonë, duke qenë se, për të jetuar si të krishterë të vërtetë, një mirësi e natyrshme dhe spontane, herët a vonë, do të rezultojë e pamjaftueshme.
Dom Dritan Ndoci