Shkruar nga një autor i panjohur i shek. II.

«Të krishterët nuk dallohen nga njerëzit e tjerë as nga rajoni, as nga zëri, as nga zakonet. Në fakt, ata nuk jetojnë në qytete të veçanta, nuk përdorin ndonjë gjuhë të ndryshme dhe as nuk bëjnë ndonjë lloj jete të veçantë. Mësimi i tyre nuk bazohet në zbulimin e mendimeve të njerëzve të ditur dhe as nuk ndjekin ndonjë rryme filozofike njerëzore, siç bëjnë të tjerët. Jetojnë si në qytetet greke ashtu edhe barbare, si të gjithë, dhe duke iu përshtatur zakoneve vendase në veshje, ushqim e gjithçka tjetër, dëshmojnë një stil jete shoqërore të admirueshme dhe padyshim paradoksale.
Jetojnë në atdheun e tyre, por si të huaj; marrin pjesë në çdo gjë si qytetarë dhe janë të shkëputur nga gjithçka si të huaj. Çdo atdhe i huaj, për ta është atdhe e, çdo atdhe, është për ta tokë e huaj. Martohen si gjithë të tjerët dhe bëjnë fëmijë, por nuk i vrastin të porsalindurit. Ata ndajnë tryezën, por jo shtratin. Banojnë në mish, por nuk jetojnë sipas mishit. Banojnë në tokë, por nënshtetësia e tyre është qielli. U binden ligjeve të vendosura, por, me stilin e jetës së tyre, i tejkalojnë ligjet.
Ata duan gjithkënd, por nga gjithkush janë të përndjekur. Janë të panjohur nga bota, por prapsëprapë janë të dënuar prej saj. I vrasin, por ata marrin jetë. Janë të varfër, por pasurojnë shumëkënd. Gjithçka u mungon çdo gjë, por kanë me bollëk çdo gjë. Janë të përçmuar, por në përbuzje gjejnë lavdinë. I shajnë, por, edhe ata që i shajnë, e dinë se janë të drejtë. Marrin sharje, por ata bekojnë, keqtrajtohen, por nderojnë gjithkënd. Bëjnë mirë, por dënohen si keqbërës; të dënuar, gëzohen, sikur të merrnin jetë. Nga hebrenjtë ata sulmohen si të huaj, dhe nga grekët përndiqen, dhe ata që i urrejnë nuk arrijnë të dinë arsyen e urrejtjes së tyre.
Me pak fjalë, për të folur qartë, të krishterët janë për botën, atë që shpirti është për trupin. Shpirti gjendet në çdo pjesë të trupit; edhe të krishterët janë të shpërndarë nëpër qytetet e botës. Shpirti pastaj banon në trup, por nuk vjen prej trupit; edhe të krishterët gjithashtu jetojnë në këtë botë, por ata nuk janë të kësaj.
Shpirti i padukshëm është i mbyllur në një trup të dukshëm; edhe të krishterët i shohim se jetojnë në botë, por përshpirtëria e tyre është e padukshme. Mishi, edhe nëse nuk ka marrë asnjë fyerje prej shpirtit, tërbohet me urrejtje dhe bën luftë kundër tij, kur ky i fundit nuk ia lejon të shijojë kënaqësitë e mishit; në të njëjtën mënyrë edhe bota i urren »të krishterët edhe pse ajo nuk ka marrë asnjë fyerje prej tyre, por i urren për të vetmen arsye se ata janë kundër kënaqësive të botës.
Shpirti e do mishin, i cili megjithatë e urren atë, dhe gjymtyrët. Kështu edhe të krishterët i duan ata që i urrejnë. Shpirti është i mbyllur në trup, por ai e mbanë në jetë trupin; Edhe të krishterët janë të mbyllur në botë si në një burg, por janë ata që mbajnë në jetë botën.
Shpirti i pavdekshëm banon në një trup të vdekshëm. Edhe të krishterët janë si shtegtarë që udhëtojnë në mes të gjërave të shkatërrueshme, por presin pashkatërrueshmërinë qiellore. Shpirti, i keqtrajtuar në pije dhe ushqime, bëhet më i mirë; edhe të krishterët, të nënshtruar torturave, shtohen çdo ditë në numër.
Zoti i ka vendosur në një vend aq të lartë sa nuk u lejohet ta braktisin atë.»