E ENJTJA E MADHE – DARKA E ZOTIT

«Bëni këtë në përkujtimin tim!» u tha Jezusi apostujve të vet në atë Darkë Pashke e kjo shprehje, në bazë të ritualit të Pashkës hebraike, nuk duhej të thuhej. Në leximin e parë, Hyji e mësoi Moisiun e Aronin se si duhej ta kremtonin natën e parë të Pashkës, duke u treguar edhe detajet që u duhej të ndiqnin për ngrënien e saj. Ngrënia duhej t’i ngjante një kremtimi. E, në fakt, kremtim ishte. Në fund të shpjegimit se si duhet të kremtohej kjo darkë kaq e veçantë, Hyji u thotë Moisiut, Aronit e mbarë Izraelit: «Kijeni këtë ditë përkujtim dhe kremtojeni festë në nder të Zotit brez pas brezi me sjellje fetare të përhershme!» E, qysh prej asaj nate, që pararendte lirimin nga skllavëria e Egjiptit, izraelitët duhej që, çdo vit, t’i përmbaheshin asaj rregulloreje të cilën Hyji kishte përcaktuar, që të kremtonin edhe ata, në fe, lirimin nga skllavëria. Kur kryefamiljari merrte bukën e pabrume, duhej të thoshte se ajo ishte përkujtim i bukës së pabrume që hëngrën etërit e tyre atë natë kur do të liroheshin nga skllavëria. Po ashtu edhe kur merrte kupën me verë, kryefamiljari duhej të thoshte se ajo verë përkujtonte gëzimin që i kishte sjellë Izraelit fakti që Hyji, duke parë gjakun e qengjit mbi dyert e Izraelitëve, ua kishte kursyer të parëlindurit.
Prandaj, atë natë, Jezusi duhet t’i ketë mahnitur pa masë apostujt e vet kur, papritmas, i ndryshoi fjalët e kremtimit. Për bukën tha se tashmë ajo ishte «Trupi i Tij» e për verën – «Gjaku i Tij». Për më tepër, duke thënë «Bëni këtë», po bënte edhe dy ndryshime rrënjësore: «Bëni» u jepte pushtetin apostujve e pasardhësve të tyre që ta kremtonin edhe ata atë kremtim që Ai po bënte atë natë, ndërsa, duke thënë «këtë», u urdhëronte atyre që të mos e merrnin më parasysh atë porosinë që Hyji dikur ua kishte dhënë Izraelitëve: «Kijeni këtë ditë dhe kremtojeni festë!…», por u duhet të «bënin këtë» kremtim tani e tutje. Tashmë, para syve të tyre, apostujt shohin se po ndodhte një ndryshim epokal.
Vetëm më vonë apostujt do të kuptonin se Pashkët e kremtuara më parë nga Izraeli, ishin vetëm përgatitja që Hyji po i bënte këtij populli për ta kuptuar këtë «Besëlidhje të re e të amshuar» që do të realizohej në Jezusin e që do të përjetësohej në Eukaristinë e Shenjtë
Me të drejtë, të gjithë piktorët që e përshkruajnë Themelimin e Eukaristisë, i paraqesin apostujt përgjithësisht të mahnitur ose, më e pakta, në mendime. Jezusi, atë natë, po bënte një ndryshim të pazakontë të ritit njëmijë e dyqind vjeçar të Pashkës. Si mund të reagonin ndryshe?!…
Por apostujt, nga ana tjetër, e dinin se Jezusi nuk vepronte kurrë as nga krenaria e as nga egoizmi. Ia kishin dëgjuar fjalët, ia kishin parë mrekullitë. Patjetër që e kuptonin se Jezusi ishte thellësisht i vetëdijshëm për atë që po bënte. Juda do ta tradhtonte Jezusin, por jo ngaqë nuk ia dinte vlerën. Përkundrazi, Juda ishte i bindur se Jezusi duhej të bëhej mbret i Izraelit, prandaj ua dorëzoi kryepriftërinjve, duke menduar se, gjatë atij ballafaqimi, Jezusi do ta shfaqte lavdinë e tij. Juda jo më kot do të vetëvritej kur do ta kuptonte se çfarë marrëzie kishte bërë, kur pa se Jezusin po e çonin drejt kryqit. Mund të themi se ia dinte vlerën Jezusit, por mjerisht nuk kishte kuptuar Zemrën e Tij.
Pra, atë natë, apostujt panë gjeste të reja dhe dëgjuan fjalë të reja në lidhje me ritin e Pashkës. Prandaj fjalët e Jezusit do të përsëriteshin prej tyre e nga pasardhësit e tyre në të ardhmen. Shën Pali, në leximin e dytë, na e dëshmon edhe ai se ato fjalë përsëriteshin, duke e përshkruar Themelimin e Eukaristisë ashtu siç e përshkruajnë edhe ungjijtë: «Ky është korpi im – për ju. Bëni këtë në përkujtimin tim!… Ky kelk është Besëlidhja e re në Gjakun tim. Bëni këtë, gjithësaherë që të pini, në përkujtimin tim!» Dëgjojnë, pra, e shohin gjëra të reja, sepse, në të vërtetë Jezusi tashmë po themelonte «Besëlidhjen e re».
Këtë përkujtojmë sot: Themelimin e Eukaristisë. Me këtë kremtim ne fillojmë Treditëshin e Pashkës, kremtim i cili na zhyt në misterin e Mundimeve, Vdekjes dhe Ngjalljes së Jezusit.
Por, duke iu kthyer edhe një herë befasimit të apostujve, ende nuk kishte mbaruar me aq. Në Ungjillin e sotëm na flitet për larjen e këmbëve të apostujve nga Jezusi. Jo pa domethënie Shën Gjoni nuk e tregon aspak në Ungjillin e tij Themelimin e Eukaristisë, por tregon këtë episod kaq të pazakontë, të cilin, në fakt, nuk e tregojnë asnjë prej tre ungjijve të tjerë.
Le t’i marrim me radhë rreshtat e kësaj pjese të bukur ungjillore, sidomos disa detaje.
Me disa fjalë deri edhe prekëse, aty thuhet se «Jezusi, duke e ditur se i erdhi koha të kalojë prej kësaj bote tek Ati, pasi i deshi të vetët – ata që ishin në botë – i deshi deri në pikën e fundit». Me sa qetësi tashmë Jezusi i është dorëzuar vullnetit të Atit të Vet për shëlbimin e botës! Me sa përulësi Ai i pranon mundimet dhe vdekjen! Çfarë kemi bërë ne, njerëzit, për të merituar që Biri i Amshuar i Atit, të na donte «deri në pikën e fundit»?
Shën Pjetri reagon dukshëm përballë një gjesti të tillë përvujtërimi nga ana e Jezusit: ishin shërbëtorët ata që duhej t’ia lanin këmbët Zotërisë e jo anasjelltas: «Zotëri, ti të m’i lash këmbët?» Jezusi përpiqet ta qetësojë: «Ç’po bëj unë, ti tani nuk e kupton. Do ta kuptosh më vonë.». I duhej forca e Shpirtit Shenjt për ta kuptuar Jezusin. Por Pjetri nuk mund të pranojë. Jezusi ishte gjithçka për të. Nuk ishte vetëm Mësues, por madje Pjetri e kishte shpallur me të madhe se është edhe «Biri i Hyjit të gjallë»: «Nuk do të m’i lash këmbët kurrë e për këtë jetë!», ia pret shkurt Pjetri dhe mund ta imagjinojmë sa e përmalluar mund të ishte zemra e tij në çastet kur i ka shqiptuar ato fjalë. Por Jezusi ia pret edhe më shkurt: «Nëse nuk do të laj, nuk do të kesh pjesë me mua.». Nëse nuk do të pranonte edhe këtë mësim të fundit të Jezusit dhe nuk do të pranonte të “lahej” e pastrohej nga egoizmi, nuk mund të quhej ndjekës i Jezusit. E këtu Pjetri, edhe më i përmalluar, reagon me vrullin e zakonshëm të zemrës së tij, zemër e cila ishte lidhur pandashëm me Mësuesin e vet Hyjnor: «Atëherë, Zotëri, jo veç këmbët e mia, por edhe duart, edhe kryet.».
Pjetri kishte folur, por patjetër që të njëjtat emocione i kishin edhe apostujt e tjerë që nuk kishin gjetur guxim të flisnin.
Ka edhe një detaj tjetër shumë interesant: kur ungjilltari tregon se Jezusi «u ngrit nga darka» për të filluar larjen e këmbëve, thotë se «hoqi petkun e sipërm, mori një peshqir dhe u ngjesh». Pastaj filloi larjen e këmbëve.
«Peshqiri» vihej nga shërbëtori pikërisht për këtë gjest shërbimi. Por, kur Jezusi e përfundon larjen e këmbëve, ungjilltari thotë vetëm këtë: «Pasi ua lau këmbët, mori petkun e sipërm të vetin, u ul prapë në tryezë e tha… ». Nuk thotë se Jezusi e hoqi peshqirin, shenjën e shërbimit. Kjo nuk është pa domethënie, sepse Jezusi, në të vërtetë, pas pak do të shkonte përballë mundimeve. Shërbimi i Jezusit për shëlbimin e njerëzve ende nuk kishte përfunduar.
Pasi ua lau këmbët apostujve të vet të dashur, Jezusi vetë, si një Atë i dashur, ua shpjegon domethënien e atij gjesti: «Ju dhashë shembull që, sikurse ju bëra unë juve, të bëni edhe ju.». Sa të thella janë këto fjalë: të njëjtëve apostuj të cilëve Jezusi u kishte dhënë pushtetin që të kremtonin Eukaristinë kur u kishte thënë «Bëni këtë», tani u urdhëron edhe shërbimin sipas shembullit të Tij: «Bëni edhe ju». Në fakt, nuk mund të ndahet kremtimi i Eukaristisë nga shërbimi që i detyrohemi njëri-tjetrit, nëse dëshirojmë edhe ne që të duam «deri në pikën e fundit».
Çfarë nate ishte ajo natë?! Sa gjëra të pazakonta apostujt po shikonin me sytë e tyre e po dëgjonin me veshët e tyre?!…
Dom Dritan Ndoci