UNË JAM DERA E DHENVE!

Categories HomeliPosted on

E DIELA IV E PASHKËS – VITI A

Vap 2, 14. 36-41; Ps 23 (22); 1 Pjt 2, 20-25; Gjn 10, 1-10

Kjo e dielë e katërt e kohës së Pashkës quhet ndryshe edhe e diela e Bariut të Mirë. Krishti është Bariu i Mirë. Ai për kujdeset për popullin e Tij. E thotë edhe Shën Pjetri në letrën e vet: «Ishit po, si delet e tretura, por tani u kthyet të Bariu e Rojësi i shpirtrave tuaj.». «Dele të tretura» i quan ata që ende nuk janë të pagëzuar në Krishtin, ndërsa, për të pagëzuarit, të cilët janë të zhytur në jetën e Krishtit, thotë se është Krishti Ai që e ruan këtë jetë të re të tyren. Edhe psalmi që dëgjuam sot, njihet si psalmi më i përshtatshëm për atë që është i sapo pagëzuar: «Zoti është Bariu im, asgjë nuk më mungon. Nëpër fusha të gjelbra Ai më jep pushim, më prin në ujëra të qeta (ujërat e pagëzimit), shpirtin ma përtërin.». E, jetën e Atij që zhytet në Të (e thamë) Krishti e mbron me shumë kujdes dhe i çon drejt shëlbimit: «Unë erdha që delet ta kenë jetën, e ta kenë në plotësi.».

Jezusi është Bariu i Mirë. Megjithatë, nuk e di përse më duket e nevojshme të sqarohet menjëherë se, këto krahasime me botën e blegtorisë, duhet t’i kuptojmë drejt: Jezusi nuk kishte ndër mend që kështu njerëzit t’i konsideronte si kafshë. Mbase një gabim të tillë e bëjnë disa “barinj” që, të shkëputur nga dashuria e Krishtit për shpirtrat, komunikojnë me njerëzit që i janë besuar përkujdesjes së tyre si të komunikonin me bagëti. Por Krishti nuk e bën një gabim të tillë. Nga kjo mund të themi se pikërisht mënyra e këtij komunikimi me popullin e Hyjit mund të na ndihmojë të kuptojmë se cilët “barinj” e kanë dashurinë e Krishtit për shpirtrat e cilët jo. «Nuk është i madh ai që bën çmosin të të bëjë të ndihesh i vogël.», thotë një proverb. Prandaj, ata që janë të thirrur të jenë barinj në Kishë, është mirë ta kuptojnë se, gjëja që dëshmon se udhëheqin apo jo me frymën e Krishtit, nuk janë fjalët e bukura, me anë të të cilave thonë se e duan grigjën, por është vlerësimi si qenie njerëzore dhe shërbimi konkret që i rezervohet grigjës. Jezusi e merrte si metaforë botën e blegtorisë, jo për të krijuar tek të tjerët komplekse inferioriteti, por sepse kjo ishte një mënyrë e thjeshtë dhe lehtësisht e kuptueshme për dëgjuesit e Tij që me blegtori merreshin gjithë jetën. Jezusi thjesht “përfiton nga rasti” për t’ua bërë atyre më të kuptueshëm misionin që Ati i kishte besuar Atij.

Pastaj është interesante të dijmë se pikërisht termi Bari, me të cilin Jezusi e ka cilësuar veten, ka qenë gjithnjë shumë i dashur nga Kisha e fillimit. Në fillesat e krishterimit, më popullore se shenja e kryqit ishte figura e Jezusit Bari (me një dele mbi supe). Pikërisht kjo figurë përdorej fillimisht si shenjë dalluese në mes të të krishterëve.

Fakti që Jezusi si Bari i Mirë përkujdeset me shumë zell e dashuri për Kishën e Tij, ka qenë gjithnjë jo vetëm siguria dhe ngushëllimi i Kishës, por, pikërisht nën shembullin e Jezusit Bari i Mirë, shumë njerëz përgjatë shekujve kanë vendosur që t’ia kushtonin jetën e tyre shërbimit të shpirtrave. Zelli i shumë shenjtërve kishte për bazë pikërisht zellin e Jezusit Bari të Mirë. Sakrificat e shumta që këta njerëz bënin në punën e tyre baritore, i përballonin më lehtë kur i shoqëronin me bindjen se janë duke vazhduar në botë misionin e Jezusit.

Kisha, duke pranuar t’i quajë barinj të Kishës hierarkët kishtarë, nuk e ka bërë këtë për të zbehur faktin se Bariu i vetëm e absolut është Jezu Krishti, por për të theksuar se, në mëshirën e Tij, Jezu Krishti ka dashur që të jetë “i përfaqësuar” në botë: «Kush ju pranon ju, më pranon mua e kush më pranon mua, pranon Atë që më dërgoi mua.» (Mt 10, 40), thoshte Jezusi. Këto fjalë vlejnë patjetër për të gjithë të pagëzuarit, por, në mes të të pagëzuarve, Jezusi ka dashur që të jenë disa njerëz që e theksojnë më fort të qenit Bari të Jezusit, duke u bërë edhe ata barinj brenda popullit të Hyjit.

Kjo është arsyeja se pse disa prej këtyre barinj, thellësisht të rrënjosur në Bariu e vetëm që është Krishti, kanë ditur ta kuptojnë thellë misterin e thirrjes së tyre. Për shembull, Shën Gjon Maria Vianei, një meshtar francez i shekullit XVIII, i cili ishte njëri prej këtyre barinjve shumë të zellshëm, e ndiente thellë në shpirt rëndësinë e një përgjegjësie të tillë. Nga zelli për shpirtrat, shpesh rrëfente deri në gjashtëmbëdhjetë orë në ditë (me shkëputje fare pak të vogla) dimër e verë. I vetëdijshëm për rëndësinë e misionit që Krishti i kishte besuar, ai formulonte shprehje kaq të ëmbla, saqë disa prej tyre tashmë janë bërë si refrene që nxisin në zell shumë meshtarë. Ndër të tjera thoshte: «Një bari i mirë, sipas zemrës së Hyjit, është thesari më i madh që Hyji mund t’i japë një famullie, është njëra prej dhuratave më të çmueshme të Mëshirës Hyjnore.». Jo më kot këtë Shenjt Kisha e ka shpallur si Pajtorin e të gjithë famullitarëve të botës.

Por, duke lexuar pjesën e sotme ungjillore, Jezusi nuk e përmend askund se Ai është Bariu. E nënkupton aty ku thotë: «Unë erdha që delet ta kenë jetën e ta kenë në plotësi.». E dijmë se kapitulli dhjetë i Ungjillit të Gjonit është mjaft i gjatë. Është pikërisht në rreshtin që vjen menjëherë pas ku Jezusi thotë: «Unë jam Bariu i mirë.», por këtë do ta dëgjojmë në të dielën e katërt të Kohës së Pashkës, në vitin B. Duke qenë se ky kapitull është i gjatë, Kisha ka vendosur që ta lexojë atë të ndarë në tri pjesë gjatë tre viteve e, secila pjesë, lexohet pikërisht në këtë të dielë të katërt të Pashkës.

Në pjesën që dëgjuam sot Jezusi e krahason veten si Dera: «Për të vërtetë, për të vërtetë, po ju them: ai që në vathë të deleve nuk hyn nëpër derë, por tjetër kah kërcen brenda, ai është vjedhës dhe cub. Ai që hyn nëpër derë, ai është bariu i deleve. Atij derëtari i çel derën e delet e dëgjojnë zërin e tij». Pas këtyre fjalë të Tij, Jezusi e vuri re se bashkëbiseduesit e Tij «nuk e morën vesh ç’deshi t’u thotë». Prandaj u desh t’ua thoshte haptas: «Unë jam dera e dhenve.».

Jezusi, pra, është Dera, sepse nëpër Jezusin njerëzimit i ka ardhur shëlbimi. Pothuajse të gjitha lutjet e Kishës përfundojnë me fjalët «Nëpër Krishtin, Zotin tonë», sepse vetëm nëpër Të njerëzimi mund t’i drejtohet Hyjit Atë dhe mund të marrë Shpirtin Shenjt me plot hire shëlbimi. E thotë edhe Shën Pjetri në leximin e parë, atë ditë kur iu drejtua të pranishëmve duke i nxitur që të pagëzohen në Krishtin: «Kthehuni dhe secili prej jush le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit, që t’ju falen mëkatet e atëherë ta merrni dhuratë Shpirtin Shenjt!».

Arsyeja pse Jezusi është Dera  e vetme për bashkimin tonë me Hyjin, është fakti i thjeshtë se vetëm Jezusi është Personi i Dytë i të Shenjtërueshmes Trini i bërë njeri. Vetëm Ai arriti më në fund që ta realizonte në plotësi bashkimin e njeriut me Hyjin e vet. Prandaj Jezusi i quan «vjedhës dhe cuba» të gjithë ata që, para Tij e pas Tij, pretendojnë se i sjellin njerëzimit zbulime përfundimtare të Hyjit Trini. Ata ishin persona njerëzorë e jo persona Hyjnorë si Jezusi. Vetëm Jezusi mund t’i bashkonte në vetvete në mënyrë të përsososur natyrën Hyjnore me natyrën njerëzore.

E thamë më sipër se, në vazhdim të bisedës së Tij me të pranishmit, Jezusi do ta përkufizojë veten si Bariu i Mirë. Si t’i bëjmë bashkë, pra, faktin se këtu Jezusi e cilëson veten si Dera e fill më pas si Bariu? A bien këto dy terma në kundërshtim me njëra-tjetrën? Cila prej tyre i shkon më fort Personit dhe misionit të Jezusit? Në fakt, Jezusi është Bariu i vetëm, sepse Ai përkujdeset për ne dhe është «Rojësi i shpirtrave» tanë, por, njëkohësisht, Ai është edhe Dera, sepse është edhe i vetmi nëpër të cilin ne mund të «hyjmë e të dalim», pra mund të kemi familjaritet me jetën Hyjnore. «Nëpër Krishtin» ne e fitojmë sërish «Hirin shenjtërues» i cili u humb në fillimet e njerëzimit. Në Ungjillin e Gjonit, Jezusi e quan veten «Udha», këtu e quan «Dera». Nënkuptojnë të njëjtën gjë.

Shën Pjetri, në leximin e dytë, na e tregon më në detaje se në ç’mënyrë Jezusi është «Dera» nëpër të cilën duhet kaluar: «Krishti pësoi për ju duke ju lënë shebmullin, që edhe ju t’i ndiqni gjurmët e tij: Ai që mëkat nuk bëri dhe në buzët e të cilit nuk u gjet gënjim, Ai që i fyer, nuk hakmerrej me fyerje dhe, i salvuar, nuk kërcënohej, por ia lëshonte çështjen e vet Atij që gjykon me drejtësi…. Me vërragët e tij jeni shëruar.». Jemi shëruar nga egoizmi ynë, nëpërmjet Hirit dhe shembullit të dashurisë së Krishtit. Me termin Bari, Jezusi thekson më fort natyrën e Tij Hyjnore, falë së cilës Ati mund t’ia besojë grigjën, kurse me termin Derë Ai thekson më fort natyrën e Tij njerëzore në të cilën shprehen pareshtur pasojat e dashurisë ndërtrinitare. Me dashurinë që Jezusi ka treguar për secilin prej nesh, i ka përcjellë botës një rreze të dashurisë ndërtrinitare. Edhe ne jemi të thirrur t’i ndjekim gjurmët e Tij në këtë udhë dashurie e të kalojmë nëpër këtë Derë, për të hyrë një ditë në trashëgimin e amshuar ku dashuria ndërtrinitare do të na “zaptojë” në plotësi.

Ta lejojmë, pra, veten që të udhëhiqemi nga ky Bari i Mirë, i vetmi i besueshëm. Gjithashtu le ta ndjekim edhe shembullin e Tij, «t’i ndjekim gjurmët e Tij», për hyrë përmes kësaj Dere, në jetën Hyjnore. Le t’i zëmë besë Jezusit që na thotë plot dashuri: «Unë erdha që delet ta kenë jetën e ta kenë në plotësi.». Të mos i besojmë botës që shpesh gjen mënyra nga më mashtureset për të na bërë të besojmë se tjetër kush janë dera dhe barinjtë tanë, por ta marrim seriozisht këshillën urgjente që Shën Pjetri ua bënte ditën e Rrëshajve dëgjuesve të vet: «Shpëtohuni nga kjo brezni e mbrapshtë!».

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *