KY ËSHTË BIRI IM – DJALI I DËSHIRIT! ATË DËGJONI!

Categories HomeliPosted on

E DIELA II E KREZHMEVE – Viti B

Zan 22, 1-2. 9. 10-13. 15-18; Ps 116 (115); Rom 8, 31-34; Mk 9, 2-10

Pjesa ungjillore që sapo dëgjuam mbi Shndërrimin e Jezusit në Malin Tabor, na sjell një ngjarje shumë të rëndësishme në jetën e Jezusit.

Fakti se kjo ngjarje është shumë e rëndësishme na tregohet edhe nga nderimi i madh që tradita e krishterë i ka rezervuar këtij episodi. Gjatë vitit, Kisha i rezervon një festë të posaçme pikërisht Shndërrimit të Jezusit, festë e cila bie më gjashtë gusht. Për asnjë ngjarje tjetër në jetën publike të Jezusit – qysh nga pagëzimi i Tij e deri tek hyrja e Tij në Jerusalem (festa e të Dielës së Larit) – liturgjia nuk e bën një gjë të tillë. Nga ana tjetër (veçanërisht në traditën e ikonografisë bizantine) gjejmë një nderim të veçantë ndaj imazheve që na e paraqesin këtë çast shndërrimi të Jezusit.

Po pse gjithë ky nderim?

Kjo kryesisht për dy arsye: Arsyeja e parë është se Shndërrimi i Jezusit dhe fenomenet që e shoqëruan atë, mbartin në vetvete një mori domethëniesh teologjike.

Jezusi shndërrohet duke dashur të zbulojë lavdinë e Natyrës së vet Hyjnore. Si të thuash se Jezusi, për një çast, e heq velin që e mbulonte Natyrën e Tij Hyjnore, duke dashur t’ua vërtetojë nxënësve të vet se Ai nuk është vetëm njeri i vërtetë, por edhe Hyj i vërtetë.

Pas pak kohësh do të vinin mundimet dhe vdekja e Tij, prandaj Jezusi duket sikur dëshiron t’i përgatisë nxënësit për një provë të tillë kaq të fortë.

Por jo vetëm kjo, por tradita e krishterë sheh në këtë Shndërrim të Jezusit edhe një paralajmërim të lavdisë së Jezusit të ngjallur së vdekuri. Qysh tani Jezusi shfaq – edhe pse për pak çaste – lavdinë që do të ketë edhe si njeri kur të ketë fituar mbi hekurat e vdekjes.

Jo më pak domethënëse janë fenomenet që e shoqëruan këtë shndërrim. Të dukurit e Elisë dhe Moisiut që bisedojnë me Jezusin, tregon se e gjitha tradita paraardhëse e hebraizmit – e cila bazohet mbi fjalën e profetëve (të simbolizuar këtu nga Elia) dhe mbi Ligjin (e dhënë nëpërmjet Moisiut) – përmbushet në personin e Jezusit. Kjo do të thotë se e gjithë kjo traditë nuk ishte qëllim në vetvete, por përgatitje e ardhjes së Jezusit. Jezusi është kuptimi i profecive dhe i Ligjit.

Reja që i mbulon të gjithë na kujton renë që në Besëlidhjen e Vjetër tregonte praninë e Hyjit. E nga kjo re, nga Hyji pra, dëgjohet një zë: «Ky është Biri im – djali i DësHirit! Atë dëgjoni!» Është dëshmia e Ati për Birin e vet. E se po flitej pikërisht për Jezusin, na paraqitet në mënyrë sa solemne, aq edhe të këndshme: «Menjëherë shikuan rreth e rrotull e nuk panë askënd tjetër, përveç vetëm Jezusit me ta.»

Për veshët e një hebreu është padyshim shumë e vështirë të pranohet se profecitë dhe Ligji paskan një rëndësi më të vogël se Jezusi, por e vërteta është pikërisht kështu. Jezusi është vetë Hyj. Është Ai që i ka dërguar profetët dhe që ka dhënë Ligjin. «Nuk panë askënd tjetër.»: pra as Elia e as Moisiu, por vetëm Jezusi është Ai për të cilin Ati po fliste.

Por arsyeja për të cilën tradita e krishterë e ka shumë për zemër Shndërrimin e Jezusit, nuk është vetëm kjo. Gjithnjë – e veçanërisht nga etërit e Kishës – kur është folur për lavdinë Hyjnore të Krishtit që na paraqitet në Shndërrimin e Tij, është folur edhe për shndërrimin që i krishteri duhet të bëjë në jetë. Nëpër disa ikona paraqitet se si rrezet e lavdisë që mbështjell Krishtin e shndërruar, arrijnë deri tek nxënësit, duke i prekur ata. Përballë Krishtit edhe ne jemi të ftuar të shndërrohemi.

Patjetër neve, në mendjen tonë, do të na vijë të kundërshtojmë: «Epo Jezusi kishte se çfarë të tregonte kur u shndërrua, sepse, përveç natyrës njerëzore, Ai kishte edhe natyrën Hyjnore. Po ne? Ne jemi vetëm njerëz.»

Është e vërtetë kjo, por ne besojmë se, si të krishterë, jemi të pajisur me Hirin Hyjnor, hir që na është dhënë qysh në pagëzim. Pikërisht në lavdinë që ka ky Hir i Hyjit që është në ne, jemi të thirrur që të shndërrohemi. Jemi të pagëzuar, jemi zhytur në jetën me Hyjin, prandaj jemi të ftuar ta lejojmë Hyjin të na shndërrojë.

Pagëzimi është si një farë që është hedhur në ne. Ajo medoemos është në gjendje të punojë brenda nesh. E, dihet, kur një fare i bëhet edhe shërbimi i duhur, ajo jo vetëm që shpërthen, por edhe jep fryte të shumta.

Le të marrim si shembull vetëm sakramenti e martesës. Ai nuk është para së gjithash një gjest që «lidh» dy njerëz. Mbase një kuptim vetëm si i tillë i këtij sakramenti është edhe arsyeja për të cilën bota moderne ka frikë të shkojë në kishë ditën e martesës. Por e vërteta është ndryshe: ky sakrament është kryesisht Hiri i Hyjit që vihet në secilin (si në burrin ashtu dhe në gruan) dhe që nuk resht kurrë së dhëni frytet e veta tipike, kur bashkëshortët përpiqen ta jetojnë jetën si të krishterë.

Në mënyrë të ngjashme e njëjta gjë vlen edhe për të gjitha sakramentet e tjera. Ata kanë aftësinë që, secilin që i merr, të «shndërrojnë» pak nga pak në lavdinë që mbartin në vetvete. Kur, në mes të situatave të ndryshme nga më delikatet, arrijmë të qëndrojmë e madje edhe të vazhdojmë përpara me zell në besimin tonë në Zotin, është falë mrekullive që realizon ky Hir Hyjnor në ne.

Por kjo nuk ndodh me një të shkelur të syrit: duhet lutja, frekuentimi i duhur i sakramenteve, leximi e meditimi i Fjalës së Hyjit, si edhe ballafaqimi i vazhdueshëm me hierarkinë kishtare. Duhet që në jetën tonë të ushtrojmë një shpirt dëgjese. Duhet që edhe në palat më intime të ndërgjegjes sonë t’i hapemi porosisë së Atit që na thotë: «Atë dëgjoni!»

Se çfarë do të thotë të jemi të dëgjueshëm ndaj zërit të Zotit, na tregohet sot në leximin e parë. Abrahamit, tashmë të moshuar, Hyji dëshiron t’i bëjë provën e fundit të dashurisë për Të. E, në fakt, për «provë» flet teksti i shenjtë: «Në ato ditë Hyji e vuri në provë Abrahamin e i tha: “Abraham!” Ai i përgjigji: “Tek jam!”. I tha: “Merre djalin tënd të disHirit, Izakun, të cilin e do e shko në trevën Moria e atje ma kushto fli shkrumbimi!»

Është një kërkesë shumë e rëndë për Abrahamin ajo që Hyji i kërkonte. E çuditshmja për veshët e Abrahamit nuk ka qenë vetëm fakti se Hyji po i kërkonte të vriste të birin. Kjo ishte kërkesë normale, sipas mendësisë së kohës, që perënditë mund të bënin. Por ajo që patjetër mund ta ketë tronditur edhe më fort, ishte fakti se Hyji po i kërkonte pikërisht atë, djalin e Premtimit. Nëse Hyji i kishte premtuar se prej këtij fëmije do të vinte një pasardhësí «sa yjet e qiellit», ku shkoi tani mbajtja e këtij premtimi? Apo ndoshta Hyji të cilit Abrahami i kishte besuar, nuk ishte fort ndryshe nga perënditë e pabesa të besimeve të tjera?

Nëse Abrahamit i pëlciste zemra si prind, jo më pak i pëlciste zemra nga errësira shpirtërore që e rrethonte.

Por teksti i shenjtë sot vazhdon me një solemnitet të rrallë: sapo përfundon së treguari kërkesën e Hyjit, thotë: «Kur arritën në vendin që Hyji ia kishte dëftuar….» Jo pa dashje autori i shenjtë nuk e përshkruan aspak reagimin e Abrahamit: dëshiron të thotë se Abrahami iu bind Zotit pa komente, pa ankesa. Meqë Zoti ia kishte kërkuar, Ai vetë do të mendonte si ta realizonte premtimin e Tij.

Zoti, pastaj, ia ndaloi vrasjen e të birit, sepse donte vetëm të shihte dashurinë e tij. Dashurinë dhe bindjen e menjëhershme.

Kështu do të duhej të ishim edhe ne: t’i bindemi Hyjit menjëherë, pa komente. Prandaj Abrahami njihet edhe si ati ynë në fe, duke qenë se kishte një bindje të tillë ndaj Hyjit, bindje e cila arrin të kapërcejë pikëpamjet vetjake, për t’iu hapur pikëpamjeve të mistershme të Zotit.

E, pastaj, i takoi Hyjit t’ia shprehte dashurinë e pamasë që kishte për Abrahamin e për mbarë njerëzimin. Thotë teksti: «Abrahami i çoi sytë lart dhe pa një dash të ngatërruar për brirësh në një shkurre. E mori këtë dhe e kushtoi fli shkrumbimi në vend të të birit.» Patjetër se, në çast, Abrahami nuk e ka kuptuar se kjo gjë nuk ishte thjesht rastësi. Abrahami nuk e ka kuptuar se, në atë mënyrë, Hyji po i tregonte se, më vonë, Ai vetë do ta gjente flinë e shkrumbimit: Ai dash simbolizonte Birin e Amshuar të Atit që do të Mishërohej dhe do të pësonte për ne, duke u bërë «qengji i Hyjit që i shlyen mëkatet e botës».

Thotë Shën Pali sot në leximin e dytë: «Vëllezër, nëse Hyi na përkrah, kush do të jetë kundër nesh? Ai as Birin e vet nuk e kurseu, por e dorëzoi të flijohej për të gjithë ne e si atëherë nuk do të na japë çdo gjë?»

Atëherë le t’ia dëgjojmë edhe ne fjalën Jezusit, Birit të Atit që është flijuar për mëkatet tona. Fjala e Tij do ta shndërrojë edhe jetën tonë.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *