HISTORIK I SHKURTË I KISHËS NË FAMULLINË E SHNA RROKUT NË RRANXA – BUSHAT

Categories FamulliaPosted on

Palok Rrotani

Po paraqesim ktu nji historik të kishës në famullinë e Shna Rrokut në Rranxa – Bushat, pa u zgjatë nder detaje. Si pështetje per kët qellim tonin, u bazuem në dy burime: në dokumentet qi na kanë ardhë deri në ditët e sodit e nder gojë të popullit.

    Dihet se ky vend ka kenë banue qysh me krijimin e botës, por, ashtu si për vendet tjera, edhe per kët famulli tonen na kanë mbetë pak dokumente. Ato qi flasin per veprimtarinë fetare të ksaj famullie, i kemi vetem prej vjetit 1750, por, po të hetojmë me kujdes, neper dokumente të ndryshme, jemi në gjendje ta shtyjmë deri në vjetin 1628, pra, ma se nji shekull ma parë.

    Prej librit “Relacion i klerit të Shkodres e të popullit të famullisë së Barbullushit, drejtue Papës e Propagandës Fide per çashtjen e kishës së Barbullushit” (para datës 22.06.1628 – P. Rr.), ff. 375-377, lexojmë: “Mbas perziemjes së luftnave, Barbullushi, Sumëzi,… Iversi (katundi Varsha = Rranxa, qi bjen ndermjet tokave të quejtuna Leke edhe Trushit të Poshtem – P. Rr.) e Kukli, të cilët ma parë i kishin kishat e veçanta të veta… meqë u gjeten pa asnji kishë, u banë bashkë e paguen rishtas vendin ku kish’ kenë kisha e titullueme e Shen Shtjefnit edhe me vobegsinë e vet nxoren lejen prej sulltanit e prej zyrtarve të tij që ta rindertojnë…”[1]

    Ma andej shkruhet: “… asht e vetmja kishë e gjashtë katundeve të tjera e per ma shumë se shtatë mil nuk gjendet tjeter.”[2]

    Po të krahasojmë dokumentet qi disponojmë, me thaniet e popullit qi na kanë mbërrijtë perg’jatë shekujve, vemë re se katundet Barbullush, Sumëz, Buzëgjarpen, Varsh{, Kukul, por edhe Melgush kishin pasë kishat e tyne të veçanta (sikurse shkruhet në relacion), por, meqë atyne ua prishi pushtuesi turk (“… u gjeten pa asnji kishë…), kishin si kishë të vetme kishen e tyne famullitare të Shen Shtjefnit në   Barbullush.

  Në vjetin 1745, simbas relacionit të ipeshkvit të Shkodres[3], per NenShkodren janë kto famulli: e Toplanës, e Kazenës (në Shirokë – P. Rr.), e Sheldisë, e Jubanit, e Barbullushit ( me pesë katundet perbamëse të ksaj famullie: Sumëz, Buzëgjarpen, Varshë, Kukul e Melgush).

    Në kontrollin qi bahet me 30 tetor 1773 (prej ipeshkvit të Barbullushit), konstatohen: Barbullushi – 160 shpi me 679 frymë katolike; Kukuli – 30 shpi me 195 fr. kat.; Bushati I Poshtem ose Shami – 20 shpi me 122 fr. kat.; Korica (Gorica – P. Rr.) – me 16 shpi me 92 fr. kat.; Pasterpati – 4 shpi me 28 fr. kat.; Rranxa – 4 shpi me 16 fr. kat. [4]

    Kshtu, perg’jatë vizitës baritore të kryeme prej ipeshkvit të Shkodres, Emzot Gjergj Ejll Radovani, prej dt. 30. 10. 1777 deri me 08. 01. 1778, asht konstatue se numri i popullsisë me besim katolik asht si ma poshtë: Famullia e Barbullushit qi permbledh katundet Barbullush (160 shpi), Kukul (30 shpi), Korica (Gorica – P. Rr.) (16 shpi),Tuoshi (2 shpi), Pasterpati (4 shpi), Rranxa (4 shpi), gjithsej  216 shpi me besim katolik me 1038 frymë; fmijë të krezmuem – 80, 48 djelm e 32 varza.[5]

    Prej sinodit të mbajtun në Kazena (në Shirokë – P. Rr.) me 1778[6], marrim vesht se Dioqeza e Shkodres perbahet prej 13 famullish, ku Barbullushi asht renditë  e gjashta, kurse me 10 shtator 1849[7], famullia në fjalë asht renditë e shtatta.

    Prej vjetit 1877 deri me 1893, bahet riorganizimi i Dioqezës së Shkodres me 30 famulli, ku del së pari edhe famullia e Bushatit me qender në katundin Rranxa. Mbas ktij organizimi, famullia e Bushatit asht e nandta[8].

    Per vjetin 1900, simbas vizitave baritore t’ Emzot Pasquale Guerrinit, Dioqezi i Shkodres del me 25 fanulli, ku Bushati asht i gjashti në rend.

    Në vjetin 1851[9], famullia e Bushatit asht e 25-ta; me 1858 – 1910[10], famullia asht e 5-ta e me 1920[11] – e 9-ta.

    Me 1848, kjo famuli ka famullitar Dom Gasper Bardhin[12]. Meshët e thanuna g’jatë vjetëve  1895 – 1900[13]  janë 25. Në vjetët 1833 – 1865[14] ka 153 mashkuj e 135 femna e në vjetet 1877 – 1893[15] ka 187 mashkuj e 146 femna.

    Me 1859[16] kjo famulli ka 97 shpi me 363 frymë; në vjetin 1900[17] ka 138 shpi me 713 frymë; në vjetin  1920[18] famullia ka 904 katolikë e 750 muslimanë.

    Per regjistrimin e pagzimeve të famullisë së Bushatit, të dhanunat në regjister figurojnë prej vjetit 1846 deri me 1886; 1846 – 1912[19].

    Per kunorat (martesat) perg’jatë vjetëve  1846 – 1866 (40 vjet)[20], numrat variojnë prej 2 (1851) në 20 (1872).

    Per vdekjet, per kët famulli, perg’jatë vjetëve 1846 – 1912[21], numrat variojnë prej 2 (1861) në 27 ( 1856).

 Në vjetin 1900, hapet në Bushat nji shkollë fillore me 50 nxanës me mësues Gasper Harushen e në Rranxa, po nji shkollë fillore me 20 nxanës me mësues Hil Agostinin (Hil Heqimi, i biri i Agostin Hilës; e thirrshin kshtu: Hil Heqimi, se ishte farmacist).

    Kisha në Rranxa ka kenë e kushtueme Sh’ Matisë, por prifti famullitar, Emzot Nikoll Ashta, me lejen e arqipeshkvit të Shkodres, e pagzoi: kisha e Shen Nikollit.

    Priftin, per herë të parë mbas mbylljes e shkatrrimit të kishave prej turqve, e ka pru në Rranxa Pjeter Vas Rrotani (Pjetri i Zi, se ishte fort esmer e i madh me trup). Prifti quhej Dom Zef Puka.

Po t’ u lëshojmë nji sy regjistrimeve të pagzimeve  prej vjetit 1912 deri me 1947, kemi kët rënd priftash:

1 gusht 1912 – 5 marc 1916: Dom Zef Shkreli

18 marc 1916 – 7 kallnuer 1918 : Dom Mark Shllaku

13 fruer 1918 – 6 fruer 1920: Dom Ndoc Mjedja

12 fruer 1920 – 25 dhetuer 1942: Dom  (Emzot) Nikoll Ashta

12 kallnuer 1943 – 1 maj 1943: Dom Tom Laca, kançelier i arqipeshkvisë

9 maj 1943 – 12 fruer 1947: Dom Ejll Deda

Mandej vijnë priftat: Dom Mhill Çuni (prej lagjes Çunej të katundit Rranxa), Dom Zef Gilaj, i cili rrin deri në fruer 1967 (13 vjet), kur u mbyllen kishat prej komunistave në pushtet.

    U rihapen kishat në nanduer 1990 e në kishen famullitare të Rranxa – Bushatit janë priftat: At Anton Luli (shetitës), Dom Zef Gilaj (1990 – 2000), Dom Marian Gega (2000 – 2005). Mandej famullitar erdhi Dom Marcel Lakoseljac, i ndihmuem edhe prej Dom Vlash Palajt, deri në vjetin 2006, kur u zavendësue prej Dom Aleksander Mayer, i cili ishte famullitar deri në vjetin 2010, i ndihmuem edhe prej Dom Fernando Dellomonaco, aso kohe diakon, por qi u shugurue meshatar shum shpejt e qi e zavendësoi Dom Aleksandrin për nji vjet. Pas tij erdhi Dom Giovani Di Mauro për vetëm gjashtë muej, derisa u zavendësue prej Dom Ardian Arrës. Në dhetor të vjetit 2013 erdhi famullitar në famullinë e Shna Rrokut në Rranxa – Bushat Dom Dritan Ndoci, le në Barbullush.

E filluem me Barbullushin e jemi edhe në ditët e sodshme me nji bir të Barbullushit si famullitar i kishës së Shna Rrokut në Rranxa – Bushat: Dom Dritan Ndoci.


[1] Prej “Relacion i klerit të Shkodres e i popullit të famullisë së Barbullushit drejtue Papës e Propagandës Fide per çashtjen e kishës së Barbullushit” ff. 315 – 317.

[2] Po ai, po aty, ff. 315 – 317.

[3] Nevila Nika, po aty, ff. 167 – 169 e librit.

[4] Nevila Nika, “Dioqeza e Shkodrës gjatë shek. XVIII sipas dorëshkrimeve arkivore”, Shkoder, 2001, ff. 19–20.

[5] Po ajo, po  1849, f. 16.

[6] Po ajo, po aty, f. 23.

[7] A.Q.Sh. R,Sh. F.132/a v. 1849 D.I xh 2474.

[8] A.Q.Sh. R.Sh. F 132, vjeeti 1877, D.2 ff. 1 – 13 (nxjerrë prej regjistrit të pagzimeve).

[9] A.Q.Sh. f.132, vjeti 1851 D.15 ff. 1 – 37.

[10] A.Q.Sh. R.Sh. F.132, vjeti1858, D.14, ff. 20 – 86.

[11] Vatikani dhe Arbëria, f. 463.

[12] A,Q.Sh. R.Sh. D. f. 132, vjeti 1848 D. 4, ff. 1 – 4.

[13] A.Q.Sh. R.Sh. f. 132, vjeti 1900 D.29 f. 26.

[14] A.Q.Sh. R.Sh. F. 132/a D 1xh 911.

[15] A.Q.Sh. R.Sh. vjeti 1877, D.2 ff. 17, 28, 38, 49.

[16] A.Q.Sh. R.Sh. vjeti 1859, D.28, f. 39.

[17] A.Q,Sh. R.Sh. F.132, vjeti 1900, D.29, f. 26.

[18] Vatikani dhe Arbëria 1700 – 1922, f. 461.

[19] Shih shenimet 620 – 621 në f. 161 të librit t’ autorit Rokin Daberdaku: “Dioqeza e Shkodrës 1800 – 1912”; Shkodër, 2014.

[20] Per kët famulli, regjistri i martesave jep të dhanuna prej vjetit 1846 deri me 1866.

[21] R. Daberdaku, po aty, f. 187.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *