Sakramentet – Shëlbimi i Krishtit që vjen tek ne

Categories FamulliaPosted on

Duke qenë se para pak javësh kemi kremtuar sakramentet e kungimit të parë dhe të krezmimit, nuk e di përse më vinte shpesh në mendje të bëja këto arsyetime që po i rreshtoj këtu poshtë. Pra, se duket sikur feja është për shumë të krishterë më fort një çështje mirësjelljeje në shoqëri dhe se ritualet fetare kanë maksimumi funksionin që të zgjojnë disa ndjesi të ëmbla në shpirt dhe vetëm aq. Gjithashtu jo rrallë ndeshet edhe bindja se Kishën e mban organizimi i saj i madh në botë. Prandaj ndoshta Zoti vendos që, herë pas here, të na dhurojë disa shenjtër që, me jetën e tyre, tregojnë se feja është bashkim i gjallë me Krishtin Zot, i cili na ka shëlbuar me jetën, vdekjen dhe ngjalljen e vet dhe se sakramentet janë bashkim i fuqishëm me Krishtin, i cili ashtu na prin drejt shëlbimit të amshuar.

E tillë është, përshembull, historia e mrekullueshme dhe tejet e dhimbshme e një frati të thjeshtë shkodran me emrin Atë Karl Serreqi, i cili pranoi mundime të pafundme vetëm e vetëm se nuk pranoi të tregonte atë që kishte dëgjuar gjatë sakramentit të rrëfimit. Ky djalosh, në rininë e tij, i pati rënë mohit pasurive të shumta që kishte në familjen e tij në Shkodër, për të veshur zhgunin e varfanjakut të Asizit, Shën Françeskut. Filloi të shërbente si famullitar në Rajë të Dukagjinit dhe njihej nga të gjithë si njeri i thjeshtë e i butë. Por nuk kaloi shumë kohë dhe qe arrestuar nga komunistët, pikërisht në çastin kur po rrëfente, në fill të vdekjes, një të plagosur rëndë, që ra gjatë një kryengritjeje kundër komunizmit në vitin 1946. Menduan se mund të fshihte sekrete që u vlenin e prandaj, me tortura e kërcënime, u përpoqën ta bënin të tregonte, por nuk ia dolën. Madje në gjyq, para gjykatësve dhe pupullit që po i bënin presione që të fliste, nëse donte t’i falej jeta, ai tha: «Unë nji herë i kam ba betim Zotit, rrëfimi asht nji Sakrament që bahet në mshehtësi: ma parë vdes, sesa e nxjerr atë!». E dënuan me burgim të përjetshëm dhe vdiq në burgun e tmerrshëm të Burrelit, pas tetë vitesh mundime të papërshkrueshme. Por ndërkohë, në mesin e të krishterëve të Shkodrës dhe malësisë së Dukagjinit, bëri shumë përshtypje fakti se një Frat kishte dhënë jetën vetëm ngaqë nuk pranonte t’i përmendte më ato mëkate të cilat Mëshira Hyjnore i kishte fshirë përgjithmonë nga shpirti i atij që ishte rrëfyer. E sot ai është në mesin e 38 Martirëve të Lumë të Shqipërisë.

Kur Kisha kremton sakramentet, është Krishti vetë Ai që vepron në ato çaste e kjo e vërtetë meriton dashuri dhe respekt të pafundëm nga ne. Njihej edhe para Krishtit termi «sakrament», sepse për botën latine në kohën e Romës quhej kështu betimi që një ushtar e bënte para ndonjë flamuri apo stendardi të perandorisë, për të shprehur ashtu besnikërinë e tij ndaj perandorit. Me marrjen e sakramenteve, të krishterët hynin tashmë, pra, në “perandorinë” e Hyjit-Trini. Pikërisht këtë term (sacramentum) zgjodhën më vonë të krishterët për të përkthyer termin grek mysterion, term të cilin në shqip e përkthejmë me fjalën mister. E ne jemi mësuar ta përdorim fjalën mister kur duam të themi se një gjë e caktuar nuk mund të kuptohet, por në fakt nuk është e saktë. Duke e huazuar termin mister nga besimet pagane, Kisha fillimisht nënkuptonte ritet e sakramenteve që filloi të kremtonte, por jo vetëm. Në ato rite, Kisha ishte e bindur se njeriu hynte në kontakt me jetën e Trinisë Shenjte e kjo falë veprës shëlbimprurëse të Krishtit. Por pastaj pikërisht me termin mister Kisha kuptonte edhe diçka tjetër edhe më të thellë: zbulimin e një plani shëlbues nga ana e Hyjit, plan i cili nuk do të ishte kuptuar kurrë nga njeriu, sikur Hyji të mos ia kishte zbuluar atë falas. Pra, në rrafshin e fesë, termi mister nuk qenka ndonjë fjalë e vështirë dhe e paqartë, por i referohet pikërisht veprave që Hyji ka bërë për shëlbimin tonë, vepra të cilat e kanë arritur kulmin e tyre në Jezu Krishtin, Birin e Hyjit të bërë njeri.

Prandaj me të drejtë Kisha gjithnjë ka thënë se vetë Jezu Krishti është sakrament (apo mister) për njerëzimin, në kuptimin se vetëm në Jezu Krishtin Hyji na e ka zbuluar planin e tij shëlbimprurës. Për këtë arsye Shën Pali shkruante: «M’u dha hiri t’ua shpall paganëve pasurinë e pashqyrtueshme të Krishtit e të bëj të dalë në dritë para të gjithëve se si vihet në veprim Misteri i mbajtur fshehur qysh prej amshimit në mendjen e Hyjit… i zbatuar nëpër Jezu Krishtin, Zotërinë tonë.» (Ef 3, 8-11). Me mishërimin, jetën, fjalët, veprimet, mundimet, vdekjen në kryq dhe ngjalljen e Tij, Jezu Krishti na ka zbuluar fytyrën e Trinisë Shenjte dhe planin e mrekullueshëm të dashurisë që ka ndaj nesh. Edhe gjestet në dukje më spontane të Jezusit, realizonin gjithnjë këtë zbulesë të dyfishtë e, të gjitha këto, përmes natyrës së tij njerëzore. Prandaj edhe ka dashur që, për të arritur te brezat e mëvonshëm, të themelonte Kishën e Tij, e cila pastaj duhej ta vazhdonte ndër breza këtë vepër shëlbimi. E, edhe këtu, si për ta vazhduar përvujtërimin e Tij dhe për të mos e thyer lirinë tonë e për të mos e sforcuar shumë natyrën tonë njerëzore, Krishti ka dashur të vijë tek ne përvujtërisht, duke e mësuar Kishën që, për kremtimin e sakramenteve, të përdorë disa elementë krejt të thjeshtë të natyrës (ujin, vajin, bukën, verën). Por, nën këto rituale të thjeshta, e thamë, është Krishti Ai që, me fuqinë e Shpirtit Shenjt, vazhdon të veprojë në Kishën. E thotë shumë bukur këtë Koncili II i Vatikanit: «Krishti është gjithnjë i pranishëm në Kishën e tij dhe, në mënyrë të veçantë, në veprimet liturgjike. Është i pranishëm në flinë e meshës, qoftë në personin e mbarështuesit, duke qenë se është ai vetë që, pasi e ka dhuruar një herë vetveten mbi kryq, vazhdon ta dhurojë përsëri në personin e mbarështuesit, qoftë edhe në eukaristi. Ai është i pranishëm në sajë të sakramenteve, aq sa, kur dikush pagëzon, është vetë Krishti ai që pagëzon. Është i pranishëm në fjalën e tij, duke qenë se është Ai që flet kur Kisha lexon Shkrimin Shenjt. Së fundmi, është i pranishëm kur Kisha lutet dhe lëvdon, Ai që ka premtuar: “Ku janë dy ose tre tre të bashkuar në emrin tim, aty jam edhe unë, midis tyre.” (Mt 18, 20)» (Sacrosanctum Concilium nr. 7).

Prandaj, kur t’i afrohemi sakramenteve apo kur tani të lexojmë në brendësinë e kësaj gazete se në famullinë tonë janë kremtuar sakramente, të mos mendojmë vetëm për emocionin e ëmbëlsisë që ngjallin këto rituale të organizuara bukur, por për Jezu Krishtin i cili edhe sot vazhdon të veprojë në Kishën e vet dhe ta shenjtërojë atë. Prandaj edhe e falënderojmë Krishtin që, herë pas here, na dhuron shenjtër si Atë Karl Serreqin e shumë të tjerë që na e kujtojnë se ky veprim shëlbues i Tij duhet marrë shumë seriozisht dhe duhet pranuar me fe të madhe edhe atëherë kur keqkuptohet apo përçmohet nga bota.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *