Jemi në muajin nëntor, ku zakonisht Kisha lutet më shumë për shpirtrat e Purgatorit, dhe prandaj besojmë se është me vend këtu përshkrimi që dy shenjtëresha të mëdha i kanë bërë kësaj gjendjeje, falë vegimeve që Zoti u dha hirin t’i kishin, për pasurimin shpirtëror të të gjithëve ne.
Shenjtja Veronika Xhuliani që ishte një shenjtëreshë italiane që jetoi në shekullin XIII, në një ditar të vetin shkruan:
“Mundimet e purgatorit janë kaq të mëdha, saqë asnjë inteligjencë njerëzore nuk mund t’i kuptojë. Zjarri është kaq i fuqishëm, kaq i depërtueshëm, saqë do të mjaftonte një vetëtimë e shpejtë e tij për ta shkatërruar botën, duke e shkrirë si një qiri. Shpirtrat janë si të zhytura në atë zjarr, pa ndërpreje. Pa mbaruar mirë njëra vuajte, fillon tjetra, më e madhe se e para. Vdiset nga vuajtja. Sërish lindet, për të vuajtur përsëri. E ç’janë mundimet e martirëve? Asgjë. Asgjë në krahasim me këtë. Sikur një shpirti t’i jepej mundësia të kthehej sërish në tokë, do t’i përballonte më parë të gjitha llojet e martirizimit, vetëm e vetëm që të mos shkonte më në purgator.
Ah, sikur të mund të vrapoja nëpër gjithë botën e t’u thoja me të madhe të gjithëve: Bëni pendesë, bëni pendesë! Jo më mëkate, por virtyte e flijime! Shmangeni zjarrin e purgatorit!
Me atë që fola deri këtu, nuk kam thënë ende asgjë. Dhimbjet e trupit nuk janë asgjë në krahasim me ato të shpirtit. Çdo minutë është një përjetësi. Ende pa mbaruar një mundim, vjen një tjetër edhe më i madh. Unë besoj se kamzhikët e dhimbshëm që janë përdorur për të martirizuar martirët, nuk janë asgjë në krahasim me dhimbjen më të vogël të purgatorit.”
Në një tjetër shkrim, shenjtëresha na bën të kuptojmë se nuk është Hyji Ai që me rreptësi i dërgon shpirtrat në Purgator, por është vetë shpirti i njeriut ai që, duke e parë në gjyqin që i bëhet secilit mirësinë e pambarim të Hyjit dhe fyerjet që i janë bërë nga mëkatet tona, ikën menjëherë në Purgator, i gatshëm për gjithçka dhe me dëshirën që të pastrohet, vetëm e vetëm që të mund t’i afrohet një Hyji kaq të mirë, sepse në Parajsë nuk mund të hyjë asgjë e papastër.
Shenjtja Veronikë, me dëshirë të madhe vuante për hir të shpirtrave të purgatorit, në vend të tyre. U thoshte: “Ngjituni në Qiell! Rri unë këtu që të vuaj në vend tuaj e t’i shlyej në vendin tuaj. Ah sikur të më jepej hiri t’i çoja kështu në Qiell të gjithë shpirtrat e purgatorit!”
Shenjtja lutej për babain e saj, të cilin e pa në purgator e, pas lutjeve të saja dhe sakrificave të ndryshme, më vonë e pa se kishte hyrë në parajsë. Kështu i ndodhi edhe me Papën Klementi XI, që më parë e pa në purgator e pastaj në parajsë; për shumë meshtarë rrëfyes të saj, por shumë simotra të vetat që nuk respektonin, ndër të cilat njëfarë Motër Anxhelika, kundërshtarja e saj e pakorrigjueshme.
Shihte se ishte në mënyrë të veçante ndërmjetësimi i Zojës së Bekuar ai që çonte në Qiell shumë shpirtra të purgatorit. Vetë Zoja do t’i thoshte kësaj shenjtëreshe në një vegim: “Unë jam ajo që i nxjerr nga ai burg”.
Edhe shenjtja e njohur polake, Faustina Kovalska, që jetoi në gjysmën e parë të shekulli XX, pati hirin të shihte Purgatorin. Ja se si e përshkruan:
“Atëherë pashë engjëllin tim të rojës që më urdhëroi ta ndiqja. Papritmas e pashë veten në një vend të mjegullt, të pushtuar nga zjarri e në të një turmë e pamasë shpirtrash që po vuanin. Këta shpirtra luten me zell të madh, por pa efekt për veten e tyre. Vetëm ne mund t’i ndihmojmë. Flakët që digjnin ata, mua nuk më preknin. Engjëlli im rojtar nuk më la vetëm për asnjë çast.
I pyeta ata shpirtra se cila ishte vuajtja e tyre më e madhe dhe njëzëri m’u përgjigjën se ajo ishte dëshira e tyre e flaktë për të takuar Zotin. Atëherë pashë Zojën që po vizitonte shpirtrat e purgatorit. Shpirtrat e thërrasin Marinë “Ylli i detit”. Ajo u jep freskim atyre shpirtra.
Do të kisha dashur të flisja më gjatë me ta, por engjëlli im i rojës më bëri shenjë që të dilja dhe dolëm nga dera e atij burgu dhimbjesh.
Brenda meje dëgjova një zë që tha: ‘Mëshira ime nuk e dëshiron këtë, por e kërkon drejtësia’.
Qysh prej asaj dite kam një lidhje më të ngushtë me shpirtrat e vuajtur të Purgatorit”.