DOM DEDË MAÇAJ – Poezi nga Pashko Haxhari

Categories FamulliaPosted on

Lavdi shqipes me dy krena

Që lëshon hije ndër këto dhena

Lavdi i kjoftë gjithë gjakut t’saj

Që ndër shekuj vojti rrëkajë.

Pesëqind vjet edhe mâ shumë

Që ky gjak po shkon si lumë

Dhe nuk xûni një herë cak

Pa i pasë kujt as borxh, as hak.

Pse tiranëve të huej barbarë

Ju pat ngecë n’këtë truell shqiptar

Ja me e shkri, ja me e bâ t’veten

Ja për s’gjalli me ja marrë jetën.

Mos me u lanë fe as liri

Mos me u njoftë gjuhë as kombësi

Kështu tuj vujtë e tuj hekë zi

Rrodhen shekujt varg e ví.

Der’ një ditë që koha ardhi

Der’ një ditë që dita zbardhi

Edhe i hueji me pahir

I tha shqipes lamtumirë.

Veçse çka se i ziu tirâni

S’u pat ngi për t’gjithë sa bâni

Mbas sa vuajtjesh e t’zeza e kobe

Na lanë n’derë disa mikrobe

Mendja e madhe e papunësia

Këto lloj sëmundjesh kaq të këqija

Që shkojnë njitë si trupi e hija;

Këto mikrobe qysh m’atë herë

I kanë mbetë këtij vendi n’derë.

Lum e lum me thânë shqiptari

Për vyrtyte q’i la i pari

Besën-besë e fjalën-fjalë

Kurr’si ndryshe mos me dalë.

Por medet që n’këta kohë t’mbrame

Këto lloj sëmundjesh që ‘i herë thame

Filluen rishtas me ngadhënjye

Lëshuen shtat e qitne krye

E na u ngjallën pinjoj t’ri

Për ma t’zezën histori.

Me mashtrime e jo me zor

Mbasi e shtine vendin n’dorë,

Iu vërsulen pa marrë cak

Tu e përmbysë, tu e la me gjak.

Gjithku isht’ djali ma i miri

Gjithku isht’ ma i drejti njiri

Gjithku isht’ burri ma i urtë

Njaj po e kishta ma t’sigurtë

Se do i binte këtij vend pré

Komunistat e pafe

E kanë qitë ceken n’këtë dhé

Mos me lanë kënd gjallë për bé.

Oj medet ky popull i shkretë

Kur e pau se çka e ka gjetë

Uli kryet e tha pa zâ:

“Veç me vdekë, se s’kam ç’me bâ”.

Vojti fjala jashta shtetit

N’Itali për m’atë anë detit

Se Shqipnija edhe një herë

Po i nënshtrohet fatit t’mjerë

Që as n’shekujt e kalueme

Kaq e shumë s’i pat’ t’provueme.

Atje e ndjeu një djalë i ri

Dom Dedë Maçaj emni i tij

Shtatë vjet para se kësaj herë

Kishte shkue me do shokë t’tjerë

Me u ba prift, me marrë pushtet

Me shërbye n’atdheun e vet.

Me detyrën e shenjtë të Ungjillit

Me atë dashni që vjen prej qiellit

E me mësime t’shejtes fé

Që sika gja ma t’mirë n’këtë dhé

Se me dashtë e me adh’rue

Të madhin Zot që e ka krijue;

Ndërsa shokun mos me e fye

Por me dashtë e me i shërbye

Se tue dashtë shokun gjithmonë

I shërbejmë vetvetes sonë.

Zoti i Lum i paarritshëm

Përmbi hanë e hyje t’ndritshëm

Jetën njirit kur i ka dhanë

Kurrgja mangut s’i ka lanë.

I dha dije e vullnet t’lirë

Me bâ keq, e me bâ mirë

Gjithësesi dëshirë ta ketë

Me u shpërblye n’atë tjetrën jetë.

Ndërsa i Lumi, kur ka falë

Dom Dedë Maçajn, sokol djalë

Do e ketë ba një herë pleqni

Si me e veshë me bukuri

Me vyrtyte edhe me dije

Një ma t’mirit si i ka hije

Që n’qytet edhe n’malësi

Mos me iu gjetë kund shoqi i tij.

Si zambak për hijeshi

Shtatin div, porsi selvi

Buzën t’qeshun n’ambëlsi

Vetllat hark, dy sytë e zi.

Që me gjak e lan këtë tokë.

N’ditë ma t’mirë e n’moshë ma t’re

Mandej zemra e tij bujare

Mbrûjtë e ngjeshë me ide shqiptare

Gjithmonë qetë, gjithmonë e re

Nuk din t’idhun q’se ka lé.

Porsi qingj i urtë e i butë

Sikur n’shkollë, si n’Kishë, tu u lute,

Si n’shoqni, sikur ndër mësime,

Kurrë s’i qiti kujt trazime.

Edhe kur i ra me ndí

Se çka bahej këtu n’Shqipni

Nuk u lodh jo zemra e tij

Por ma fort erdh’ e u përtri.

Kështu djaloshi zemërtrim

Mori forcë, mori guxim

Me atë dashtni që e kisht’ ushqye

Moshë e jetë mos me i kursye

Kisht’ vendosë n’Atdhe me u kthye

N’vende t’veta me shërbye.

Edhe pse fort mirë e dinte

Se për pjesë këtij mund t’i binte

Me bâ deken si shumë shokë

Bile çka përkundrazi

N’këtë rast ndiente edhe kreni

Me dëshirë e me vullnet

Me falë jetën n’Atdhe t’vet.

Për njatë fé, për njatë idé

N’ditë ma t’mirë e n’moshë ma t’re

Me e bâ deken si me lé

E me i bindë ato t’pafé

Se për çka ky bir malësorit

E ban deken pa farë zorit.

Kështu një ditë, ndër sa ditë t’tjera

Kur kisht’ nisë me gulshue vera

Kur n’Korrik kishte fillue

Vapa e t’nxehtit me t’përvlue

M’një avion me sa udhëtarë

Po udhëtonin tre meshtarë

Një nga këto ishte djaloshi

I fisit Maçaj prej Vermoshi

Që po kthehej tash n’atdhe

Ndër këto vende ku kisht’ le

Ndër këto vende ku edhe balta

Asht mâ e ambël se vetë mjalta.

Kur u kthye djaloshi n’’shpi,

Fort u gëzuene prind’t e tij,

Nanë e babë, motër e vlla,

Që shtatë vjet s’e kishin pa.

Por mâ shumë e mira nanë,

Kur e pau të birin pranë,

Sa prej mallit që e kisht xanë

Nuk ju dha tjetër me thane:

“Zoti i Lum, Ty t’kjofsha falë

Që mâ prûne shëndosh këtë djalë!”

U bâ festë, edhe u ba shend

U bâ dasem këtu n’këtë vend

U thirr mik e kumari

Krisi kangë e çifteli.

Hyji Lum veç nga mëshira

I dha njirit kaq të mira

Si ‘i gjâ send që e falë për vete

I dha forcë i dha vullnete

I dha dije me ba mjete

Me zotnue tokë, ajr’ e dete,

I dha dritë i dha arsye

Se kujt duhet me i shërbye.

Një ma t’mirit si i ka hije

Që n’qytet edhe n’malësi

Mos me iu gjetë kund shoqi i tij.

Si zambak për hijeshi

Shtatin div, porsi selvi

Buzën t’qeshun në ambëlsi

Vetllat hark, dy sytë e zí.

Mandej zemra e tij bujare

Mbrûjtë e ngjeshë me ide shqiptare

Gjithmonë qetë, gjithmonë e ré

Nuk din t’idhun q’se ka lé.

Porsi qingj i urtë e i butë,

Sikur n’shkollë, si n’Kishë tu u lutë,

Si n’shoqni, sikur ndër mësime,

Kurrë s’i qiti kujt trazime.

Edhe kur i ra me ndí

Se çka bahej këtu n’Shqipni

Nuk u lodh jo zemra e tij,

Por ma fort erdh’ e u përtri.

Kështu djaloshi zemërtrim

Mori forcë, mori guxim

Me atë dashtni që e kisht’ ushqye,

Moshë e jetë mos me i kursye.

Kisht’ vendosë n’Atdhe me u kthye.

N’vende t’veta me shërbye.

Edhe pse fort mirë e dinte

Se për pjesë këtij mund t’i binte

Me bâ deken si shumë shokë

Që me gjak e lanë këtë tokë.

Madje, çka përkundrazi,

N’këtë rast ndiente edhe kreni,

Me dëshirë e me vullnet

Me falë jetën n’Atdhe t’vet.

Për njatë fé, për njatë idé

N’ditë ma t’mirë e n’moshë ma t’re

Me e bâ deken si me lé  

E me i bindë ata t’pafé

Se për çka ky bir malësorit

E ban deken pa farë zorit.

Kaloi vapa e u ndërrue stina

Erdhi vjeshta me freskina

Veshun prift një djalë i ri

Kolet t’bardhë, veladon t’zi

Ka marrë rrugën për Sheldi

Asht emnue n’këtë famulli.

Këtu n’këto vende ku ma parë

Kanë shërbye dhe t’tjerë meshtarë,

Për shërbime që kanë bâ

I dhanë vedit nâmë e zâ.

Pashko Babi, njaj zelltari

Që ma i rreptë s’bahet meshtari

As n’kohë t’vjetra, as n’kohë t’reja

Për shërbime që lyp feja.

Mandej Dom Lazer Shantoja

Oratori i mpreftë kah goja

Që për predk e fjalë me peshë

N’shërbim feje, n’kishë e n’meshë

N’këso meshtarit zor me ndeshë.

N’sa Zadeja që mâ vonë

Për sa vjet që ndej n’këtë zonë

Si kah fjala e kah zotësija,

Si kah letrat e kah dija,

Për kah feja e kah këshilli,

Për njatë dritë që jep Ungjilli

Për sa shkrime e vepra t’tija,

Atë e njeh tanë Shqipnija.

Ti o kohë, o jetë mizore,

Që udhëton me dhunë këso dor,

Hecë me hapa të rrëmbyeshëm

E i ban njerëzit të pathyeshëm.

Dom Dedë Maçaj, djalë malësije

Përgatitë me shkollë e dije

Një pun’s t’madhe ia kisht’ hy’

Kishës e njerëzve me u shërby’

Me njatë frymë të shenjtë që njiri

Rritet shëndetshëm për kah hiri

E kah fjala e Zotit vetë

Që i ban njerëzit t’aftë n’këtë jetë.

Kështu që populli i Sheldisë mbarë

Mirë e njofti këtë meshtarë,

Sepse nana që e kisht’ rritë

Si edhe shkolla që e ka ngritë,

E kanë mësue, e kanë vaditë

Kishë e t’parë mos me i koritë.

Por tradhtarët, t’bijtë e territ

Jo ma t’mirë se djajt e ferrit

Që zotnojnë pushtet e fron

Mbi çdo ligj, mbi çdo zakon

Ja kin’ vu synin kaherë

T’ja punojnë si shokëve t’tjerë.

Por një njeri kaq t’pafaj

S’mund ta zhdukin aq kollaj

Pa i gjetë shkak, pa i gjetë kurrgjâ

Sikur planin ia kin’ bâ

Do t’i gjenin dy-tri shkaqe –

Sadopak për sy e faqe

Dëshmitarë t’kurdisun n’rrênë,

Që me e bâ fajtor pa kenë.

Ishte mbushë ma shumë se nji vjet

Që ky prift me shumë vullnet,

Tuj shërbye n’këtë famulli

Me detyrën e shenjtë të tij

N’këtë vend t’thyem me vështirësi

Ku shpërblyesi gjithë dashni

Me dëshirë e bujari

Ndër duert t’tija bahej fli.

N’muej t’Janarit sa kem’ hi

Sa kalue kisht’ Viti i Ri

Aty n’fshat ku kishte lindë

Ku kisht’ shpi e kishte prind’

I kisht’ ardhë një letër e shkrueme

N’orë t’caktueme e n’ditë t’shënueme,

Me lanë kishë e me lanë meshë

Me shkue n’degë, ushtar me u veshë.

E n’atë ditë që i kishin thanë

Gjithçka kisht iu desht me e lanë,

Me lanë nanën me shumë mall

Që e vorfnoi der’ sa mbet gjallë

Edhe babë, motër e vlla,

Me lot n’sy me ta u nda.

Ndërsa populli i Sheldisë

I dhanë dorën n’oborr t’Kish’s

E përcollën me lot n’sy

Pse aq mirë iu pat shërby.

Një ditë t’martë mes kallnori

Deda i Gjetos, djalë malësori

Veshi rrobat e ushtrisë

U drejtue për n’Jug t’Shqipnisë.

Por kudo puna ta qesin

Ditt ma t’idhta atë e presin

Sikur afër këtu n’vend t’vet

Si ma larg, atje n’Përmet,

Ku t’pafetë ia kin’ bâ benë

Veç me e zhdukë kudo që t’jenë.

Djalë i bashëm, trup i hollë

Djalë i rritun me fé e shkollë

Dom Dedë Maçaj asht tu e pa

Se ndër dur t’kuj kish’ rá

Por që n’zemër s’ish’ tu u lodhë

S’do puna që mund t’ndodhë.

T’Lumit Zot i ishte lutë

Me i dhanë zemër mos me u tutë

Qysh m’atë herë që u konsakrue

Sa herë meshë që kishte çue,

Atij t’Lumit i isht’ kushtue

Me i dhanë zemër me e ngushllue,

Edhe i Lumi gjithë pushtet

Nuk e lëshoi prej dorës vet.

Frori i idhët kishte mbarue

Dit’te marsit kin’ fillue

Edhe ata që plan kin’ bâ

Tuj kurdisë ma zi e mâ,

Çka kaherë kishin mendue

Kin’ vue mendjen me e zbatue.

Ushtar Gjetos djalë malësur

Ja kin’ vue prangat ndër durë

E për burg atë e drejtuene

Ku torturat s’iu munguene.

Mjaft tuj e lodhë, e mjaft tuj e rrahë

Sa s’ja thyene kambë e krahë

Që ta bajshin atë me zor

Vetë me e quejtë vedin fajtor.

Por Dedë Gjeto, sokol djalë,

Shpirtin top e zemrën vale,

E pa mundun me pohue

Çka s’kish thanë, çka s’kish veprue.

N’sa tiranët ishin çue peshë

Sharra n’gozhdë iu kishte ndeshë,

Atëherë ndryshe këta gjaksorë

Kin’ mendue me e ba fajtor

Dëshmitarë me i nxjerrë përballë,

Kriminel atë me e shpallë.

Kështu kin’ dashtë, kështu kin’ veprue

E dy t’tjerë kanë arrestue

Me tortura të pafarë

Me ia qitë n’gjygj dëshmitarë.

Po, por ndryshe u doli puna

Siç menduen ato spiuna

Njani sosh u kisht’ ngurrue

E s’ndigion me e vërtetue

Për me thanë çka s’duhej mâ,

Për me ba çka s’duhej bâ,

Shokut t’vet përballë me i dale,

Me e lanë mbrendë me dy-tri fjalë!

Sikur bishat e tradhtisë

N’mbrapaskenë i kin’ kurdisë

Gjithësesi mâ keq me thane,

Gjithësesi fajtor me e lanë.

Po, por trimi që asht soj,

Kudo puna që i qëlloj,

As për hatër, as për frikë,

Një s’vërtetës nuk i ikë,

E s’pranon jo kurrë i gjallë

Një t’pafajit me i dalë përballë.

Por as kaq nuk asht mjaftue,

Sepse frotat e mallkue

Për djallëzina që ka n’mend

Nuk e lanë jo pa e çue n’vend.

Pse t’pafetë çka nuk po gjejnë,

Çka nuk shpifin, çka nuk rrejnë,

Gjithësesi veç me e bâ t’veten,

Këtij djaloshi m’ja shkimë jeten

Veç për fajin se lê shqiptar

E krye shkollë e bâ meshtar.

Por fajtuer e quen fajtori,

Kriminel i thotë gjaksori

Pse ky ‘i dâm askujt s’ia bâni

As për t’keq s’i duel kurrë zâni.

Dom Dedë Maçaj me tri zemra

E din burgu që e mban mbrenda,

Veç bodrumi mund ta dijë

Se çka hoqi ai trupi i tij,

Der’m’atë ditë që n’gjygj e nxorën

Për ma t’kobshëm mâ mizorën

Me duer lidhë para repartit

Si Jezusin n’kopsht t’Pilatit.

Për sa fakte të krijueme

Për gënjeshtra të trillueme

Brohoritën t’bijtë e djallit:

“Plumbin ballit, plumbin ballit!”

Aty trimi mirë e pá

Se si puna e tij u ndá,

Se gjâ tjetër s’i ka mbetë,

Veç me u lutë për jetë t’vërtetë.

I lëvizi buzët e gojën

Luti Krishtin, luti Zojën

Me i dhanë zemër me e trimnue

N’atë çast t’fundit me e ndihmue.

Mbasi gjygji ishte sosë

M’një lëndinë ndër brigje t’Vjosë

Në një stom qëndron kallkan

Një i pafaj tu u bâ kurban.

Përballë skuadrës pushkatare

Nuk po i lodhet zemra fare.

Shtatë pushkë zjarri n’atë qëllojnë

Por që trimin nuk e rrëzojnë.

Komandanti, shpirtxhelati,

T’madhe skuadrës i vikati

“Zjarr!”-mbi të për t’dytën herë

Por ai prapë qëndron me nder.

Disa plumba n’trup i janë ngulë

Por s’ndigjon jo me u përkulë

N’ballë t’ushtrisë flamur i gjallë

Dy breshnive i bani ballë.

Atëherë qenat ç’u tërbuene

Kur për s’dyti s’mund e rrxuene:

“Zjarr!”-por zjarrin ma s’e priti

Edhe trimi ra përdhé

Si një hyll kur bân me lé.

Kur u rrxue përdhe ky trim,

Dielli i ndritshëm si s’u shkim?!…

Hana e zjarrtë si nuk u ngrys?!…

Qiella e naltë si s’u përmbys!…

Toka e zezë si nuk u ça,

Djajtë e ferrit me i përla?!…

Ti, o Zot, me të madh pushtet,

Që këtij trimi i dhé gajret,

Deh, prano që shpirti i tij

N’Lumni t’tande t’jetë n’prani

Pse ai për Ty e fali jeten

E për komb e Atme t’veten

E la namë si trimat motit

Me u lanë nderë breznive t’sodit

Që ta mësojnë e mos t’harrojnë

Se kjo tokë që po gëzojnë

Mes për mes e skaj për skaj

Asht vaditë me gjak t’pafaj!

T’gjithë Shqipnija me bij t’vet

Të gjithë u ndodhne atë ditë n’Përmet

Nga çdo vend, nga çdo krahinë

Të gjithë e panë në atë lëndinë.

N’ballë t’Nëmërçkës shekullore

Për buzë Vjosës n’atë bregore

Kur u rrxue biri i Kelmendit

Ndera e Shkodrës e e gjithë këtij vendit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *