DIJENI SE ËSHTË AFËR LIRIMI JUAJ

Categories HomeliPosted on

E DIELA I E ARDHJES – Viti C

Jer 33, 14-16; Ps 25 (24); 1 Sel 3, 12 – 4, 2; Lk 21, 25-28. 34-36

Me këtë të dielë të parë të kohës së Ardhjes, Kisha fillon përsëri një vit të ri liturgjik. Katër qirinjtë që vendosen pranë altarëve të çdo kishe në botë, simbolizojnë pikërisht katër javët e kësaj kohe të fortë liturgjike. 

Megjithatë, duke dëgjuar leximet që shpallen këtë të dielë të parë, paradoksi që mund të na bjerë në sy menjëherë është se si ka mu­ndësi që, në fillim të një viti të ri liturgjik, aty flitet për fundin e kohës.

Duhet ta dimë se koha e Ardhjes ka lindur fillimisht në Kishë me qëllim që t’i përgatisë të krishterët për një kremtim sa më të mirë shpirtëror të së kremtes së Krishtlindjes, por nuk është vonuar të vihet re se është e nevojshme, në predikimin e krishterë, të shpallen edhe dy të vërteta të tjera të besimit tonë. Jezusi është e vërtetë që ka ardhur ndër ne duke u bërë njeri, por vetë Jezusi, në predikimet e Tij, ka thënë edhe se Ai do të jetë gjithnjë me Kishën e Tij dhe se Ai do të kthehet sërish me lavdi në fundin e kohës. Prandaj Kisha i ka “ngjeshur” pak këto tema brenda këtyre katër javëve të Kohës së Ardhjes, për të na i shpallur të tria.

Fillohet nga fundi. Fillimisht flitet për ardhjen e Jezusit në fundin e kohës, për t’i lënë pastaj vendin, të dielën e katërt, kundrimit të misterit të Krishlindjes.

«Do të ketë shenja në diell, në hënë e në yje», thotë Jezusi dhe, më pas, citon Besëlidhjen e Vjetër ku thuhet se «trupat qiellorë do të lëkunden». Pastaj, si të donte t’i shtonte dru zjarrit, Jezusi thotë edhe se «njerëzve do t’u dalë shpirti prej frikës se çfarë do të ndodhë me botën».

Patjetër domethënia shpirtërore që, me të drejtë, mund të shihet në këto fjalë të Jezusit është se kjo botë është e kalueshme, sado madhështore që mund të duket. Por të bën të mendosh seriozisht kur e kupton se edhe shkenca nga ana e saj tashmë e pranon me shumë lehtësi se trupat qiellorë, sikurse kanë lindur një ditë, ashtu edhe do të shkatërrohen. Prandaj, nëse ndokush mund ta qortojë krishterimin se kërkon “t’ia kapë njerëzit për emocioni” duke përshkruar katastrofa e fatkeqësi, çfarë do t’u thoshte shkencëtarëve që pohojnë të njëjtën gjë?

Megjithatë pritja e fundit të kohës nga i krishteri nuk është njësoj me pritjen e shkatërrimeve që përshkruajnë e parashikojnë shkencëtarët. Termi «fundi i kohës» nënkupton pikërisht mbarimin e kohës dhe fillimin e amshimit. Disa teologë e quajnë ndryshe amshimin edhe si «e tashmja e përjeshtme», aty ku koha mbaron e shekujt ndalen. E pastaj do të ndodhë edhe ardhja e Jezusit në lavdi: «Atëherë “do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re” me fuqi të madhe e me madhëri». Jezusi nuk ka thënë se kur do të ndodhin gjithë këto gjera, por ka siguruar se do të ndodhin.

Edhe këtu, përballë konceptit të amshimit, ndokush mund të rrudhë vetullat duke menduar se po thuhen koncepte të pamundura, por tashmë është e sigurt se, edhe shumë shkencëtarë, e ftojnë njerëzimin të ketë një koncept ndryshe nga sa jemi mësuar në lidhje me kohën e me hapësirën. Sidomos qysh se u zbulua prania e vrimave të zeza në univers. Jezusi, pra, nuk paska folur pa lidhje.

Megjithatë, gjatë këtyre paralajmërimeve të frikshme, në fjalimet e Jezusit ka edhe fjalë shprese: «Kur të fillojnë të ndodhin këto, drejtohuni dhe çojeni kryet lart dhe dijeni se është afër lirimi juaj.»

Mua më bën shumë përshtypje shprehja «lirimi juaj». Kjo ngaqë duket sikur paskemi nevojë të lirohemi nga ndonjë gjë. «Lirimi juaj» nuk është vetëm në lidhje me lirimin nga ankthi që do të provokojë “rrëmuja” e fundit të botës, por edhe me gjëra të tjera. Kur Jezusi thotë «kini kujdes veten që zemrat tuaja të mos kalamenden prej grykësisë, prej shfrenisë e prej kujdeseve të jetës, që ajo ditë të mos ju vijë papritmas», lë të kuptohet se u dashka një “betejë” e vazhdueshme ndaj këtyre veseve, nëse duam që ajo ditë të mos vijë edhe për ne «porsi kurth».

Në letrat e tija  Shën Pali do të na e tregojë se sa e ashpër është kjo betejë nganjëherë në besimtarin. Ai vetë ia ndjente peshën: «Kur dua të bëj të mirën, më vjen përdoresh e keqja… Hetoj në gjymtyrët e mia një ligj tjetër, i cili lufton kundër ligjit të arsyes sime dhe më robëron me ligjin e mëkatit, që banon në gjymtyrët e mia.» Dhe shton, me qartësinë e me fenë e madhe që e karakterizojnë këtë shenjt të madh: «Oh, sa njeri i mjerë që jam! Kush do të më lirojë nga ky trup që i përket vdekjes?». Pastaj është pikërisht rreshti që vjen pas që sqaron gjithçka: «Lavdi Hyjit nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë!» (Rom 7, 21-25). Ky rresht i fundit sqaron gjithçka sepse tregon se Shën Pali e pret «lirimin» vetëm nga Jezu Krisht! Diku tjetër ai vetë thotë: «Për mua Krishti është jetë dhe vdekja fitesë» (Fil 1, 21). Shën Pali, pra, e sheh vdekjen si bashkim me Krishtin, e sheh si «lirim». Kjo nuk është për të na bërë ta dëshirojmë e ta kërkojmë vdekjen apo fundin e botës, por t’i shohim ata si çastin ku përfundon beteja jonë me të keqen dhe afrohet bashkimi me Krishtin: «Drejtohuni dhe çojeni kryet lart dhe dijeni se është afër lirimi juaj!»

Por cila është përmbajtja  e kësaj beteje dhe cilat janë gjërat nga të cilat kemi nevojë të lirohemi? Për ta kuptuar këtë, duhet të ndihmohemi nga dy leximet e tjera që dëgjuam sot.

Në leximin e parë Jeremia profet nuk flet edhe aq për fundin e kohës, por për një përmbushje premtimi nga ana e Hyjit: «Do ta çoj në vend fjalën e mirë që ia premtova shtëpisë së Izraelit e shtëpisë së Judës.» Pastaj thotë se këtë premtim do ta përmbushë kur do «të ngallitë për Davidin një pinjoll drejtësie». Menjëherë të krishterët edhe këtë profeci të Besëlidhjes së Vjetër e kanë parë të përmbushur në Krishtin, i cili erdhi që «ta çojë në vend të drejtën e drejtësinë mbi tokë». Pra, ajo që Jezusi ka ardhur të na ndihmojë ta kuptojmë, është drejtësia. Por bota (term që për gjuhën e Biblës nënkupton atë realitet ku nuk është i pranishëm Zoti) nuk e do drejtësinë. Madje shpesh përdor pikërisht termin drejtësi, për të bërë një mijë padrejtësi. Sa të shumtë janë në historinë e Kishës martirët që e pësuan martirizimin e tyre pas një gjyqi të gjatë e me plot dëshmitarë (të rremë) dhe, në fund, qenë dënuar në emër të drejtësisë së popullit, drejtësisë së perandorit, mbretit apo diktatorit. Sa e vështirë është t’i bësh ballë një beteje të tillë? Ardhja e Jezusit, pra, në fund të kohëve, do të jetë «lirim» nga e gjithë kjo shëmti, sepse e mira do të ndahet një herë e përgjithmonë nga e keqja.

Kurse, në leximin e dytë, Shën Pali u thotë Selanikasve: «Bëftë Zoti që të rritet e të shtohet përherë e më tepër dashuria juaj ndaj njëri-tjetrit!… Ai i forcoftë zemrat tuaja në shenjtëri të patëmetë para Hyjit dhe Atit tonë për Ardhjen e Zotit tonë Jezusit me të gjithë shenjtërit e tij!» Për t’u bërë sa më të denjë për Ardhjen e Jezusit, Shën Pali u uroi atyre që t’u shtohet dashuria për njëri-tjetrin. Ajo që thamë në lidhje me vështirësinë për të qenë të qëndrueshëm në drejtësi, vlen po aq e mos më shumë në lidhje me qëndrueshmërinë që na kërkohet në dashuri. «Dashuria» është, në fakt, fjala që na tërheq më shumë ne njerëzve, por jo të gjithë e kuptojmë në të njëjtën mënyrë këtë fjalë, sepse disa e kuptojmë si dhurim të vetvetes (kështu na ka mësuar Jezusi), por disa e kuptojmë si plotësim të egoizmit tonë të pangopur. Prandaj, ata që dëshirojnë që, si Jezusi, ta dhurojnë vetveten në dashuri, do të ndihen «të liruar» kur të hyjnë edhe ata në lavdinë e Jezusit të Ngjallur.

I kundërvihen fuqishëm dhe dukshëm si dashurisë, ashtu edhe drejtësisë ato vese nga të cilat Jezusi sot në Ungjill na porosit që të ruhemi: «Kini kujdes veten dhe zemrat tuaja të mos kalamenden prej grykësisë, prej shfrenisë e prej kujdeseve të jetës!»

Ardhja e Jezusit në lavdi, pra, le të na e gëzojë zemrën, sepse e dimë se ajo është «lirimi ynë» nga padrejtësitë e botës dhe nga keqkuptimi i dashurisë.

Prandaj, në këtë jetë, edhe ne t’i drejtohemi Hyjit me fjalët e psalmit të sotëm: «Bëj t’i njoh, o Zot, udhët e tua!», sepse janë udhë që na çojnë drejt «lirimit» tonë të amshuar.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *